Veliera Versus Vazhdimësia - Reflektime mbi betonizimin e trashëgimisë kulturore
40% e trashëgimisë botërore të UNESCO-s e përmbush Italia. Po ne?
Të gjithë e dimë dhe jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që po bën Shkupi, sidomos me qendrën e tij historike e cila është shndërruar thuajse plotësisht duke u mbushur bollshëm me ndërtesa e institucione qeveritare e publike, me statuja buste e monumente krejtësisht e të reja heronjsh, prijësish të vjetër, kryesisht të sajuar e të paqenë, me qëllimin e vetëm për të krijuar një histori vazhdimësie që do ta shpinte atë në kohët e lashta e të lavdishme të Aleksandrit të Madh, për të cilin fatkeqësisht nuk kanë asnjë gjurmë përveç emrit . Ndonëse kjo është një përpjekje donkishoteske me historinë, këmbëngulja e Maqedonisë është për t`u admiruar, sepse kërkon të krijojë një identitet që nuk e ka.
Në Vjenë, rrënojat arkeologjike ndodhen mu në mes të sheshit të mbushur plot me ndërtesa klasike e katedrale, duke e shtuar akoma më shumë interesin e turistëve.
A ka nevojë Roma për disa gurë më shumë nga “Via Appia” për të treguar identitetin e saj të lashtë? Natyrisht që jo. Por ne kemi shumë nevojë për gurët e varrosur të Rrugës Egnatia, në hyrje të Portit të Durrësit. Kemi shumë nevojë edhe për mozaikët që i zuri poshtë pallati shumëkatësh. Kemi nevojë edhe për gjylet e topit, të cilat me siguri fshehin poshtë shtresa të tjera jete deri në mijëvjeçarët para Krishtit, sepse dihet tashmë që Durrësi është vendosur e mbivendosur nga mijëvjeçari në mijëvjeçar, pa e ndërprerë asnjëherë jetën.
Ne nuk jemi as arkeologë që të merremi me shtresëzimet, as specialistë të trashëgimisë kulturore, që të vlerësojmë shkallën e rëndësisë së një objekti apo siti të lashtë. Ne jemi njerëz që merremi me turizmin dhe një gjë dimë ta themi pa hezitim fare; edhe guri më i parëndësishëm, edhe topi më i pavlerë, edhe gjylja më e padobishme, kanë shumë herë më shumë interes për turistët e huaj, se çfarëdolloj vepre publike urbane e kohëve të sotme, sado e dobishme dhe moderne të jetë ajo. Dhe nuk është vetëm dhe thjesht çështje identiteti kombëtar. Me vlerat e tyre le të merren specialistët. Këto rrënoja, gjenerojnë pafundësisht të ardhura dhe e vetmja gjë që kërkojnë është t`i zbulosh, jo t`i varrosësh. Do të ishin burim të ardhurash të përjetshme dhe si kantiere të hapura, do të zgjonnin akoma më shumë interes sepse do të ofronin gjëra të reja vit pas viti.
Projekti “Veliera” sipas kryetarit të bashkisë së Durrësit ka një vlerë prej rreth 6 milion euro. 6 milion euro për një velierë betoni!!! Me 6 milion euro mund të mbarohej kati i dytë i Muzeut Arkeologjik. Me 6 milion euro mund të shpronësoheshin pronarët e shtëpive brenda Amfiteatrit. Me 6 milion euro, nxirreshin në dritë gjithë rrënjët antike të Durrësit. Dhe e dini sa do të shkone fitimi nga turistët që do të dyndeshin aty viti pas viti? 666 milion euro!!!