Mrekullitë e natyrës së Divjakës përmes një udhëtimi me varkë
Një udhëtim aventuresk duke shijuar kullën panoramike, pyllin e gjelbëruar
TIRANË, 5 maj /ATSH A.ALLA/ – Parku kombëtar i Divjakës është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe sidomos për ata të huaj. Ky park po frekuentohet përherë e më shumë nga turistët dhe tashmë është shndërruar në një nga destinacionet e preferuara të fundjavës.
Turistët në këtë park të rijetësuar bëjnë një udhëtim aventuresk duke shijuar kullën panoramike, pyllin e gjelbëruar, si dhe duke vëzhguar larmishmërinë e shpendëve që gjenden në park.
Stacioni i varkave që shëtisin turistët në lagunën ujore është një nga investimet e shumta në këtë park, një aventurë mjaft interesante që nuk duhet humbur nëse vizitoni Divjakën.
Gjatë kësaj fundjave turistët në parkun e Divjakës kanë shijuar udhëtimin me këto varka duke parë asetet kryesore plazhin, lagunën dhe pyllin.
Estion Sota i cili shoqëron turistët në udhëtimin e tyre me varkë shprehet për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se fluksi i tyre gjatë fundjavës është tepër i lartë, ku atij i duhet të kryej deri në 20 lundrime me varkë.
“Udhëtimi me varkë i cili zgjat rreth 1 orë përgjatë lagunës kushton 200 lekë personi. Turistët e huaj që unë shoqëroj janë gjermanë, polakë dhe holandez dhe gjithashtu të shumtë janë dhe turistë vendas që shijojnë këtë udhëtim. Gjatë ditëve të javës unë bëjë rreth 5 ose 6 rrugë në ditë me turistë, kurse gjatë fundjavës arrij të bëjë deri në 20 rrugë, pasi fluksi i vizitorëve është tepër i lartë. Në këtë lagunë kemi dhe pelikanin kaçurrel i cili çdo vit e më shumë po shtohet, dhe gjatë udhëtimit çifte të shumta pelikanësh na shoqërojnë dhe turistëve të huaj kjo gjë i pëlqen shumë”, – u shpreh Estion Sota.
Gjatë udhëtimit me varkë panorama që të ofron ky vend është mjaft mbresëlënës, ku shpendët e shumtë që tashmë në këtë fillim pranverë janë rikthyer në këtë park dhe pelikani kaçurrel “mik” i këtij parku, të urojnë mirëseardhjen me lëvizjet e tyre.
Peizazhi natyror është mjaft interesant pasi mund të shijosh një ndërthurje ku harmonizohen bukur dielli, deti dhe pylli.
Udhëtimi me këto varka të ofron gjithashtu dhe mundësi të vëzhgosh nga afër shpendët e shumtë që ndodhen në këtë lagunë ujore, aventurë kjo mjaft interesante, sidomos nga turistët e huaj të cilët janë të apasionuar pas turizmit të vëzhgimit të shpendëve.
Ishulli i Pelikanit është një tjetër mrekulli që preket nga afër gjatë udhëtimit me varkë. Është një ishull mjaft interesant i formuar nga akumulimet e mbetjeve organike, në të cilin është formuar një ekosistem dhe ku dallohet një botë shumë e pasur bimore barishtore.
Pelikani kaçurrel është një nga banorët autoktonë të Lagunës. Ai rritet e zhvillohet në lagunë dhe nuk shtegton prej aty.
Pas udhëtimit me varkë turistët shijojnë perëndimin e diellit nga kulla ose e quajtur “Ballkoni i Divjakës”, ku shijojnë të gjitha bukuritë e këtij parku. Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorit.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.