South Outdoor Festival 2017, mënyra më e mirë se si mund të zhvillohet turizmi në Shqipëri

South Outdoor Festival 2017, mënyra më e mirë se si mund të zhvillohet turizmi në Shqipëri

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 03 May 2017. Posted in Lajme

Tri ditë aventurash turistike në Pilur, organizuar nga Bashkëpunimi Teknik Gjerman GIZ

South Outdoor Festival 2017, mënyra më e mirë se si mund të zhvillohet turizmi në Shqipëri
Që Shqipëria është e mbushur nga Veriu e deri në Jug me bukuri të pashoqe, në daç natyrore, në daç kulturore, në daç historike, këtë tashmë nuk ka njeri që nuk e di. Që jo vetëm nga krahina në krahinë por edhe nga qyteti në qytet e nga fshati në fshat, traditat, zakonet e ushqimet janë aq të larmishme  sa të lenë pa fjalë, edhe këtë bësoj se e dinë të gjithë ata që pëlqejnë të udhëtojnë e të përjetojnë përvoja të reja. Por që t`i ofrosh të gjitha këto në një festival të vetëm, si një ansambël ngjyrash, formash, ndjesish, përvojash, aventurash, ngjarjesh, aktivitetesh, festash e shijesh, kjo ndodhi vetëm me South Outdoor Festival “Pilur 2017”, Një festë e stërmadhe turistike për të cilën Bashkëpunimi Teknik Gjerman Giz punoi  më tepër se gjashtë muaj.
"South Outdoor Festivali" uli të hënën në mbrëmje siparin e tri ditëve magjike, ku më shumë se 1000 pjesëmarrës shijuan aventurën dhe bukuritë natyrore të Pilurit, përmes sporteve të natyrës. Pjesë e këtyre aktiviteteve u bënë edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi si dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të cilët diskutuan në një forum me më shumë se 20 gazetarë mbi problematikat e kësaj zone dhe mundësitë për përmirësim.
Asnjëherë më parë Piluri nuk kishte parë kaq shumë mysafirë të pushtonin rrugët e fshatit, asnjëherë Pllaja e Vanovës nuk ishte populluar me kaq shumë njerëz, mysafirët e saj të përhershëm ishin vetëm tufat e dhenve e barinjtë, admiruesit e pakët të ansamblit të mrekullueshëm të luleve pranverore që kishin përmbytur lëndinat.
Tri ditë festë si asnjëherë, ku pavarësisht  se për gjithçka të shijshme e të ngrënshme u kujdes Shef Sokol Prenga, aty hahej e pihej fshatçe. Tri di ditë e net, muzikë labe, valle popullore por edhe muzikë moderne për të kënaqur të rinjtë e shumtë që ishin dyndur nga Tirana. Aventurë e vërtetë ku do të flihej me çadra, sepse ndonëse banorët e Pilurit i kishin hapur dyert kanat, ato ishin shumë pak për të pritur lumin e miqve. Kjo buqetë e bukur aktivitetesh, Trekking, hiking, mountain bike, scuba diving, jeep safari, kayak, stand up paddle, paragliding; ishin vetëm disa nga disiplinat ku qytetarë të grupmoshave të ndryshme - të ardhur nga i gjithë vendi, por edhe turistë nga jashtë - eksploruan në terrenin e virgjër të atij që njihet si ballkoni i rivierës shqiptare dhe në zonat përreth. Isopolifonia, muzika live, gatimet tradicionale, panairi i artizanatit e aktivitetet për fëmijë ishin disa nga atraksionet e tjera turistike që "South Outdoor Festival" ofroi për të gjithë të pranishmit. Ture të gjata u përshkuan në këmbë, nga Piluri deri në Vlorë, përmes maleve, me makina off-road përmes rrugëve pa rrugë, nëndeti e mbideti takuan miqtë e shumë të ujit më sporte të shumta ujore, por edhe ajri frushulliu  nga fluturuesit dhe ëndërrimtarët e sporteve të fluturimit…
Është kjo mënyra se si Shqipëria duhet ta ofrojë turizmin e saj. Burimet e saj të shumta natyrore, kulturore, historike e gastronomike duhen shfrytëzuar plotësisht që të japin rezultat. Jugu është një krahinë e përkryer për ta shfrytëzuar këtë potencial dhe Giz e ka kuptuar shumë mirë këtë. Prandaj projekti "South Outdoor Festival" premton të kthehet vitin e ardhshëm në një tjetër destinacion, me të tjera aventura për t'u zbuluar...
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

12523

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.