Apolonia, ‘’Qyteti i Diellit”

Apolonia, ‘’Qyteti i Diellit”

Written by Ilirjan Gjika on Thursday, 23 February 2012. Posted in Destinacione

Udhëtim në qytetin e dashuruar prej arkeologëve.

Apolonia, ‘’Qyteti i Diellit”

Ilirjan Gjika

Dikur këtu niste një nga rrugët më të rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen, apo Romën me Kostandinopolisin. Ndërsa tani Apolonia shënon fundin e një rruge rurale që të çon drejt e në të.

Qysh nga viti 2005, Apolonia, kjo qendër arkeologjike e Shqipërisë funksionon si park arkeologjik kombëtar dhe është i hapur për tu vizituar nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërsa çdo verë aty zhvillohen ekspedita arkeologjike, të cilat së bashku me muzeun dhe manastirin mesjetar krijojnë të gjitha kushtet që këtu të zhvillohet një turizëm i mirfilltë kulturor dhe historik, ku karakterin shlodhës të të cilit ja shton edhe natyra e bukur e pejsazhit përreth. E çdonjëri prej atyre që vjen këtu për herë të parë, ose për të disajtën herë, nuk mund ti shkojë mendja sesi kanë qenë monumentet e Apolonisë atëherë kur kazma e arkeologut nuk kishte nisur të ‘’trokiste’’ në tokë.

E ndodhur vetëm 10 km në perëndim të qytetit të Fierit, në Apoloni mund të shkosh shume lehtë.Vetëm 15 minuta udhëtim me makinë nga ky qytet, përmes Myzeqesë së vogël të shfaqen përpara në ‘’kurriz’’ të të cilave gjendet qyteti i ‘’diellit’’, Apolonia.

Pikërisht këtu në hyrje të Parkut Arkeologjik na pret Admiri, një arkeolog i ri, i veshur sportiv ashtu siç rrinë përherë arkeologët, por syzet optike që ai mban i japin një pamje prej intelektuali. Pasi prezantohemi i bëjmë të ditur qëllimin e vizitës sonë, pra pregatitjen e një reportazhi per revistën më të re turistike ‘’Travel Albania’’.

-Vizitën mendoj ta nisim nga ‘’Vila me impluvium’’, propozon Admiri, vendi ku verën e shkuar, Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Francez zbuloi dy bustet që bënë përveç bujës edhe xhiron e botës. Ketu në fund të këtij kanali, i cili ndan dy insulat siç quhen në arkeologji blloqet e banesave, ramë në ‘’gjurmët’’ e tyre fare rastësisht gjatë gërmimeve, flet pa e fshehur entuziazmin arkeologu i ri.

Pasi vizitojmë banesën, mozaikët e së së cilës për tu mbrojtur janë mbuluar me rërë, Admiri na drejton për tek muzeu, i cili përbën edhe ‘’zemrën’’ e parkut. I hapur në vitn 1958 në ambientet e manastirit të shën Marisë ai përmban 200 objekte si: mbishkrime, statuja, objekte qeramike, sarkofagë, gurë miljarë, etj. E veçanta e tij eshtë se, vlerat ja shton edhe kisha bizantine, një vepër e mirëfilltë arkitektonike e shekullit të XII-të, të cilën Noli i madh e quan ‘’një kryevepër të artit bizantin’’.

Tek portiku i kishës, Admiri na prezanton me at Sokratin, një figurë simpatike dhe babaxhane që nuk përton të na shpjegojë në rolin e ciceronit, portikun romanik të kishës, afreskun e perandorit bizantin Mihal i VIII-të Paleolog, kolonat, mbishkrimet, tamburin, pra gjithçka nga kisha, e cila përbën një muze brenda muzeut.

-Kjo është dhoma ku ka banuar dikur shkrimtari i njohur Jakov Xoxa. Këtu ai shkroi romanin e tij të famshëm ‘’Lumi i Vdekur’’. Jakovin e kemi dashur të gjithë dhe në fshat tonë në Pojan, përpiqeshin se kush ta respektonte dhe ta gostiste më parë, vijon më tej at Sokrati, duke na udhëhequr drejt dhomave të manastirit, ku pasi hap një baule, nxjerr një shishe raki për të na qerasur sipas traditës së zonës.

Pasi ndahemi nga at Sokrati, lëmë manastirin dhe futemi drejt rrënojave të monumenteve antike. Duke udhëtuar mes barit të gjelbër dëgjojmë disa hapa pas nesh.-Mos u trëmbni, na drejtohet Admiri, është Lulja, qeni i Parkut.

Lulja është vërtet një qen paqësor që nuk do të na ndahet deri në fund të vizitës sonë. –Ajo u shfaq fare rastësisht përpara disa vitesh këtu dhe tashmë të gjithë janë mësuar me praninë e saj, si arkeologët, punonjësit e parkut apo turistët. Të ngacmosh Lulen shkakton incident diplomatik, shton duke qeshur Admiri dhe na tregon një episod, kur një ambasador i njohur ju ‘’hakërrye’’ operatorit të një televizioni, i cili e goditi me shkelm Lulen që i doli ‘’padashje’’ përpara objektivit të kamerës.

-Jemi në pranverë dhe pas disa muajsh do të fillojnë punë dy ekspeditat arkeologjike, vijon të bëjë punën e tij Admiri. Ajo franceze këtë vit do të gërmojë agoranë helenistike, gjurmët e të cilës i kemi gjetur disa vite më parë, ndërsa ekspedita gjermane ka vite që punon në teatër. Punimet këtu i drejton Burhan Dauti, arkeologu më i vjetër në Shqipëri, i cili ka edhe meritën se e zbuloi këtë objekt në vitin 1971 së bashku me të shoqen, të parën arkeologe femër, Aleksandra Manon.

Së bashku me shoqëruesin tonë simpatik vizituam një grup monumentesh si Buleterionin, Bibliotekën, tempullin e Dianës, Odeonin, murin e Temenosit, obeliskun e Apolonit dhe Stoan, të gjitha objekte të zbuluara nga Misioni Arkeologjik Francez, i drejtuar nga Leon Rei. Pas Reit, i cili punoi për 14 vjet në Apoloni duke zbuluar ‘’qytetin e Diellit’’, do të jenë të gjithë emrat më të njohur të arkeologjisë shqiptare që kanë gërmuar këtu. Më pas u ndalëm në majën e kodrës më të lartë të qytetit antik, kodrës me kuotë 104 m. Aty dikur ngrihej tempulli i Artemisës, nga i cili ruhet vetëm njëri nga blloqet e themeleve. Pikërisht këtu në vitin 1933 Leon Rei ngriti shtëpinë e Misionit Arkeologjik Francez, që u pagëzua nga vendasit me emrin ‘’shtëpia e frëngut’’. E përdorur edhe nga ekspeditat e mëvonshme arkeologjike ajo u restaurua në vitin 2001. E kthyer sot në një bar-restorant në formën e një minimuzeu etnografik ajo ka mirëpritur me dhjetra arkeologë, studjuesë dhe turistë nga të gjashtë kontinentet. Një mysafir i veçantë i saj ishte dhe i biri i Leon Reit, Zhan Gabrieli, i cili së bashku me arkeologun shqiptar, Neritan Ceka, ‘’zbuluan’’ bustin dhe pllakën përkujtimore kushtuar, Leon Reit, ‘’Shlimanit’’ të Apolonisë. Në lokalin e rrethuar nga ullinjtë dhe stendat me foto që pasqyrojnë gërmimet e Reit, kafen mund ta shijosh edhe në këmbë. Kështu vepruam edhe ne, ku me ‘’një palë’’ dylbi që na i ofroi Petriti, administrator i “Reit”, soditëm edhe panoramën e bukur përreth, nga e cila me lehtësi shquhej Adriatiku, Karaburuni, Sazani, mali i Tomorrit dhe krejt fusha e Myzeqesë.

-Vizitorëve, Apolonia, nisi të shpjegonte rishtazi Admiri, tashmë ‘’arkeologu i misionit tonë’’, ju ofron jo vetëm rrënojat, muzeun, manastirin mesjetar, monumentet, por edhe pejsazhin shlodhës së bashku me menunë e pasur të kuzhinës bendase të trevës së Myzeqesë.

Duke vijuar bisedën befas syri ‘’na zuri’’ një nuse të veshur me fustanin dhe vellon e bardhë, e cila kishte ardhur këtu së bashku me dhëndërrin për të pregatitur videoklipin e martesës.

-Është bërë një dukuri e zakonshme prania e nuseve me të bardha në Apoloni, nxiton të ndërhyjë miku ynë arkeolog, saqë në këtë sezon mund ta quajmë edhe ‘’qyteti i nuseve’’.

Pasi bëjmë disa shkrepje të tjera të aparatit këmbët na çojnë tek porta ku ndeshemi me një grup turistësh italianë. Gjuha e tyre na tregon se tashmë vizitës sonë i ka ardhur fundi. E ndërsa shkelim tokën e butë mendja na shkon se nën këmbët ndodhet ‘’miniera’’ më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, e cila ruan në vetvete një të njëqindën e asaj që është zbuluar deri më sot. Kjo është Apolonia, për të cilën duhen dy deri në tre orë për ta vizituar dhe ku miliona copëra qeramikash të thyera nga koha dhe shekujt të shoqërojnë ngado.


Gërmimet arkeologjike

Gjatë periudhës së Luftës së Parw Botërore, pikërisht në vitet 1916-1918, arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober ndërmorrën gërmimet e para arkeologjike në Apoloni. Misioni i tyre ishte organizuar nga Akademia e Shkencave të Vjenës, që në bashkëpunim me komandën ushtarake të Austro-Hungarisë, kishte si qëllim gjurmimin arkeologjik të zonave të pushtuara dhe dërgimin e objekteve të tyre në Vjenë. Në Apoloni, Prashnikeri gërmoi në disa pika të qytetit si në akropol, banesa, nekropol dhe murin rrethues. Ai grumbulloi shumë objekte, shumicën e të cilave e mori në manastirin e Apolonisë dhe në kishat përreth. Rezultatet e gërmimeve dhe studimeve, Prashnikeri i publikoi në librin e tij: "Muzakia dhe Mallakastra", i cili u botua në Vjenë në vitin 1920.

Me krijimin e shtetit shqiptar nisi në Apoloni "era" e gërmimeve të mirëfillta arkeologjike. Në vitet 1924-1939 këtu punoi misioni francez, i cili financohej nga Akademia e Arteve të Bukura dhe Shoqëria e Arkeologjisë Franceze. Misioni drejtohej nga arkeologu Leon Rei, i cili gjatë këtyre viteve zhvilloi 15 fushata gërmimesh, duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve, qytetin e dikurshëm. Rezultatet e punës së misionit francez ishin të suksesshme. Kështu në vitin 1924 u zbuluan dy banesa romake, ndërsa në vitet 1925-1929 doli në dritë portiku i ri. Më 1930 u përcaktua vendodhja e nekropolit të vjetër në Kryegjatë. Po këtë vit u zbulua godina e buleterionit, ndërsa në vitin 1932 u zbulua odeoni, biblioteka, një pjesë e mureve rrethuese dhe shumë objekte të rëndësishme. Rezultatet e punës së tij, Rei i botoi në revistën: ‘’Albania’’, organ i misionit arkeologjik francez. Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 tetor 1936 në Vlorë, muzeu arkeologjik: "Zogu I". Si ndërtesë e tij shërbeu një pjesë e shtëpisë që kishte qënë seli e qeverisë së Ismail Qemalit. Ky muze u grabit nga ushtria Italiane në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua prej tyre. Po këtë vit autoritetet italiane nuk e lejuan misionin arkeologjik francez të punonte në Apoloni dhe e zëvendësuan me një ekspeditë arkeologjike italiane. Në vitin 1945 Leon Rei tentoi përsëri për tju rikthyer punës që kishte lënë përgjysëm në Apoloni, por edhe autoritetet komuniste e ndaluan atë.

Kështu, në vitin 1941 gërmimet rinisën nën drejtimin e arkeologut Klaudio Sestieri. Rezultati i tyre ishte zbulimi i një gjimnazi, i një pjese të murit rrethues dhe i një ndërtese pranë mureve të manastirit. Zhvillimet e mëtejshme të luftës bënë që, Sestieri të largohej nga Shqipëria dhe gërmimet arkeologjike të ndërpriteshin për një periudhë të shkurtër. Ato rinisën pas luftës por në kushte të tjera. Arkeologu i parë shqiptar, i cili u angazhua në gërmimet në Apoloni ishte Hasan Ceka. Ai e nisi punën në vitin 1930 si përfaqësues i ministrisë Shqiptare të Arsimit dhe Kulturës, pranë misionit arkeologjik francez. Pas luftës së II-të Botërore, në vitin 1948, Hasan Ceka rifilloi në Apoloni punën, që dikur e kishte lënë përgjysëm me francezët. Tanimë ai nisi të punojë me kolegun tjetër shqiptar, Skënder Anamalin. Të dy së bashku ata punuan në muret rrethuese, në lagjet e qytetit dhe tarracat perëndimore, për të spostuar dherat, rizbuluar monumentet, si dhe për të përfunduar gërmimet e zhvilluara më parë. Në vijim të kësaj pune në vitin 1958 Hasan Ceka botoi të parin libër mbi qytetin antik të titulluar: "Apolonia", i cili përmbante një historik të qytetit, të gërmimeve arkeologjike dhe një përshkrim mbi monumentet e zbuluara deri në atë kohë. Në Apoloni Hasan Ceka punoi për rreth 40 vjet, duke përfunduar gërmimet e nisura me Rein dhe duke bërë disa zbulime të rëndësishme monumentesh siç ishin: portiku, në vitin 1952; muri rrethues; fontana, në vitet 1963-1968 dhe muri i akropolit. Në vitin 1957, ekspeditës së Apolonisë e cila ishte e përhershme ju shtuan edhe arkeologët Selim Islami, Frano Prendi dhe Aleksandra Mano. Dy vjet me radhë (1958-1960) në Apoloni, krahas arkeologëve shqiptarë punuan edhe tetë arkeologë sovjetikë, të drejtuar nga Vladimir Bllavatski dhe Irida Borisova. Ndihmesa më e madhe e tyre ishte në ngritjen e muzeut arkeologjik, i cili u hap në vitin 1958. Po gjatë kësaj kohe u zbuluan edhe një pjesë e murit lindor, tempulli i Dianës, prytaneoni, banesat D dhe G etj. E veçanta ishte se midis arkeologëve punoi edhe arkeologia; Aleksandra Mano, e cila ishte e para femër shqiptare në këtë profesion. Do të ishin dy drejtimet e punës së saj në Apoloni: nekropoli, i cili u gërmua në vitin 1962 dhe teatri i cilin e zbuloi në verën e vitit 1971, së bashku me të shoqin, arkeologun Burhan Dautaj. Aleksandra Mano ishte ndër specialistet që zotëronte mjeshtërinë e leximit dhe deshifrimit të stampave të qeramikës. Të gjitha studimet e saj për Apoloninë, të botuara në revistat shkencore "Iliria" dhe "Monumentet" u botuan në vitin 2006 me titullin "Apolonia e Ilirisë". Së bashku me A. Manon për disa vite punoi edhe Burhan Dautaj, i cili përveç teatrit zbuloi edhe rrugën perëndimore që dilte nga qëndra e qytetit. Një tjetër arkeolog që punoi në Apoloni ishte edhe Dhimosten Budina. Ai së bashku me kolegun Frano Prendi e zhvilloi punën e tij në banesat e periudhës së shekujve të dytë dhe të tretë. Në njërën prej tyre, në banesën D, Dhimosten Budina zbuloi "dhomën e Akilit", e cila u quajt kështu për mozaikun që mbarte në dysheme, i konsideruar si një nga më të bukurit e zbuluar në Apoloni. Në Apoloni punoi për një periudhë të gjatë edhe një nga përfaqësuesit më në zë të arkeologjisë së sotme shqiptare: Neritan Ceka, i cili qysh në moshë të re ishte angazhuar në ekspeditat që organizonte i ati, arkeologu Hasan Ceka. Krahas studimeve të shkëputura të botuara në shtypin e specializuar si në: revistat Iliria dhe Monumentet, ai botoi në vitin 1982 librin "Apolonia e Ilirisë". Në të, Neritan Ceka përmbledh të gjitha të dhënat e studimeve të kryera nga historia dhe arkeologjia deri në atë kohë mbi Apoloninë. Në vitin 2004 N. Ceka botoi edhe guidën e Apolonisë një botim që kishte më shumë karakterin e një guide turistike. Krahas arkeologëve, arkitektëve, etnografëve dhe historianëve, në Apoloni punuan për një kohë të gjatë edhe restauratorët: Koço Zheku, Guri Pani, Spiro Koçi, Lazër Papajani, etj. Me punën e tyre u konservuan dhe u restauruan disa monumente, të cilat u bënë të vizitueshme si: Fontana monumentale, muri dhe porta e temenosit, portiku, odeoni etj. Në vitin 1975 u ringrit me një punë të jashtëzakonshme fasada e buleterionit, simbolit të qytetit të Apolonisë, që në të vërtetë është një vepër e arrirë arkitektonike. Ndërkohë që, pas rënies të regjimit komunist edhe për arkeologjinë u krijuan kushte të tjera zhvillimi. Pas përpjekjeve të shumta në vitin 1992, u themelua nga arkeologët Pier Kaban dhe Neritan Ceka, misioni arkeologjik shqiptaro-francez, i financuar nga Ministria e Jashtme franceze dhe Instituti Arkeologjik i Tiranës. Ai kishte si qëllim ndërmarrjen e gërmimeve të reja në Apoloni dhe studimin e monumenteve antike të qytetit, që nga periudha arkaike e deri tek ajo mesjetare, si dhe botimin e studimeve të tyre. Nga veprimtaria e programeve të misionit shqiptaro-francez mund të përmendim: llogaritjen e sipërfaqes së qytetit, zbulimin e rrugës që lidhte portikun me akropolin, disa ndërtime, ku mund të përmendim: një banesë, disa magazina, trakte muresh, një tempull, si dhe dy bustet e vitit tw kaluar. Ndërkohë që, një nga programet e studimeve të misionit shqiptaro-francez do të ishte edhe publikimi i Atlasit arkeologjik të Apolonisë, e cili ishte një përmbledhje e të gjitha rezultateve të gërmimeve të bëra, që nga shekulli i XIX e deri në ditët tona. Ai u realizua në vitin 2007, në Romë, në autorësinë e një grupi studjuesish. Ekipi francez bëri edhe llogaritjen e re statigrafike, duke e nxjerrë sipërfaqen e qytetit antik prej 85 ha. Në vitin 2001 në Apoloni nisi veprimtarinë e tij edhe Misioni Arkeologjik shqiptaro-gjerman, i cili u përqëndrua në dy sektorë: në teatër dhe në taracën e stoas së vjetër. Në teatrin antik gërmimet rifilluan atje ku ishin ndërprerë në vitin 1981 nga Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj Kësaj radhe pa bashkëpunëtoren dhe bashkëshorten e tij A.Mano, arkeologu Burhan Dautaj u përqëndrua në pjesën veriore të kaveas dhe orkestrës së teatrit. Ndërkohë që, grupi tjetër i këtij misioni nën drejtimin e arkeologut Bashkim Lahi, u përqëndrua në murin e amforave, gërmimi i të cilave kishte nisur qysh nga Leon Rein në vitet 1930. Pas gjashtë fushata gërmimesh, u gjetën rreth 2000 amfora, të cilat ishin vendosur nga ndërtuesit apoloniatë për filtrimin e ujrave, në taracën lindore të shëtitores, me qëllim për ta ruajtur atë nga rëshqitja e dherave.

 

Histori

Apolonia e cila jetoi për 11 shekuj midis viteve 620 pk dhe 479 ishte një qytet-shtet që lindi si produkt i proçesit të ‘’Kolonizimit te Madh Grek’’ të shekujve VIII-VI pk, në brigjet e Ilirisë, të cilat banoheshin nga bashkësia fisnore e taulantëve. Stefan Bizantini, njëri prej autorëve antikë thotë se :’’ ajo ishte qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm nga të 30-të kolonitë që u themeluan përgjatë Mesdheut me emrin e perëndisë Apolon’’.

Sipas Strabonit, qyteti u ngrit 60 stade (9 km) nga bregdeti dhe 10 stade (1.5 km) nga shtrati i lumit Vjosa, në shpinën e një vargu kodrash. Kolonistët e parë ishin 200 korintas që drejtoheshin nga prijsi Gylak. Më pas një grup tjetër të ardhurish mbërriti nga Korkyra, Kikusi dhe Dysponti.

Emri fillestar i qytetit ishte Gylakea për nder të themeluesit të saj, ndërsa më vonë ai u quajt Apoloni. Me kalimin e kohës këtu u vendos edhe një popullsi e konsiderushme ilire, e cila dotë luajë një rol të rëndësishëm në jetën e këtij polisi.

Apolonia u ngrit mbi shpinën e dy kodrave me lartësi 101 dhe 104 m, duke u shtrirë drejt fushës. Qyteti u ndërtua sipas planit arkitektonik të Hipodampit, arkitektit të njohur të lashtësisë. Ai kishte rrugë të drejta, kryesore dhe dytësore, të cilat kryqëzoheshin me njëra tjetrën duke krijuar blloqe të vogla banimi. Terreni i thyer rregullohej me anë të taracave, ndërsa një rrjet i gjerë kanalesh nëntokësore shërbenin për mbledhjen e ujërave rrjedhëse, të cilat depozitoheshin në sterna dhe përdoreshin si rezerva ujore. Nevoja diktoi që apoloniatët për tu mbrojtur nga sulmet e ndryshme të ndërtonin një rrjet të fuqishëm muresh mbrojtës, të cilat arrinin një gjatësi prej 4.5 km. Brenda këtyre mureve ngrihej një kompleks i tërë ndërtesash me karakter publik dhe privat siç ishin : akropoli, tempujt, teatrot, agoratë, stoat, buleterioni, biblioteka, ndërtesat publike dhe private.

Me kalimin e kohës Apolonia do të shdërrohet ‘’në një qytet të madh dhe të rëndësishëm’’, siç e quante me të drejtë Ciceroni, politikani dhe oratori i njohur romak në vitin 43 pk. Në hapesirën e saj ushtruan veprimtarinë e tyre personazhe të famshëm të Historisë si Glaukia i taulantëve, Pirrua i Epirit, Kasandri dhe Filipi i V-të i Maqedonisë, Pompeu i madh, Çezari, apo Oktaviani, i cili kaloi një pjesë të kohës së studimeve këtu. Nga Apolonia dilte edhe dega jugore e rrugës antike Egnatia, e cila ishte arteria më e rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen. Rëndësinë e tij ky qytet e ruajti deri në antikitetin e vonë kur do të shdërrohet në një nga qendrat e përhapjes së krishtërimit. Peshkopi i Apolonisë, Marini, eshtë njëri prej 70 peshkopëve të parë të emëruar nga vetë Shën Pali. Ndërsa peshkopët e tjerë si Eukariti dhe Eusebi do të marrrin pjesë në koncilet kishtare më të rëndësishme të klerit. Tërmetet e viteve 234 dhe 345, zhvendosja e shtratit të Vjosës dhe sulmet e popujve barbarë, bënë që Apolonia të braktiset përfundimisht në shekullin e V-të.

 

Leon Rei

Leon Rei lindi në vitin 1877 në Formantier pranë Parisit dhe gjtë periudhës së fëmijërisë dhe runisë pati fatin të studjonte në shkollat më të mira, ku në fund u diplomua  për arkeologji në universitetin ‘’Chartre’’, I njohur si një  shkollat më të famshme të arkeologjisë franceze. Pas një përvoje të çmuar arkeologjike në misionin arkeologjik ushtarak francez në vitet e Luftës së Parë Botërore, në vitin 1924 ai zgjodhi Apoloninë, monumentet e së cilës ‘’i nxori nga harresa e shekujve’’. Këtu erdhën edhe sukseset e Reit, për të cilin qyteti antik do të shdërrohej në ‘’shtëpinë e tij të dytë’’. Nga ajo ai do të ndahej vetëm i detyruar, sepse autoritetet italiane të pushtimit ja ndaluan hyrjen në Shqipëri. Po kështu edhe tentativat e tij në vitin 1945 për tu rikthyer në Apoloni dështuan, pavarësisht nga përpjekjet energjike që ai bëri. I pikëlluar nga puna e lënë përgjysëm, Leon Rei, vdiq në Francë në vitin 1954. Ndërkohë që tetë vjet më vonë ai u shpall qytetar nderi dhe një nga rrugët kryesore e Fierit mori emrin e tij.

Misioni arkeologjik francez u themelua në vitin 1924 me inisiativën e senatorit Justin Gotard. I drejtuar nga Leon Rei ai organizoi 15 fushata gërmimesh që nisnin në pranverë dhe përfundonin në vjeshtë duke zbuluar 80  të monumenteve të Apolonisë. Peripecitë dhe pengesat e kohës në Shqipërinë e kohës midis dy luftërave botërore, nuk e penguan arkeologun francez me ‘’zemër shqiptare’’, të realizonte në këtë cep të Myzeqesë bregdetare kryeveprën e jetës së tij.

4.0/5 rating (4 votes)

Hits

25142

About the Author

Ilirjan Gjika

Gazetar, historian, studiues. Nje nga bashkepunetoret e pare te Revistes Travel, mjaft aktiv ne shtypin e perditshem dhe botues i disa librave ne fushen e histori-arkeologjise. 

Comments (1)

  • RevistaTravel

    RevistaTravel

    27 February 2012 at 20:01 |
    Artikulli eshte publikuar ne nr e pare te Revistes Travel

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.