Zak Topuzi: “Politika lodhet kot, vetëm turizmi e rrit punësimin!”

on Sunday, 24 March 2013. Posted in Intervista

Zv presidenti i Shoqatës Shqiptare të Turizmit shprehet për situatën e turizmit shqiptar

Zak Topuzi: “Politika lodhet kot, vetëm turizmi e rrit punësimin!”

 

Ard Kola
Vendet fqinje po na “mbysin” nga ofertat joshëse, kurse Shqipëria vazhdon të mbetet larg çmimeve konkurruese. “Të paktën për të njëjtin shërbim dhe cilësi kemi tarifat më të larta”, thotë për gazetën “Shqip”, Zak Topuzi, kryetar i sektorit të Hoteleve në Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA). Sipas tij, shkalla tatimore e TVSH, prej 20 për qind, nuk na bën aspak konkurrues me vendet e tjera, të cilat e kanë nën 10 për qind. Sa i takon debatit politik për taksat, Topuzi thotë se ka marrë premtime, por deri më tani realizimet duken larg. “Politika, – thekson ai, – lodhet kot të identifikojë sektorët se nga ku do të bazohet për rritjen e punësimit, pasi i vetmi që e mundëson është turizmi”.

 

Duket se në debatet e fundit mes dy kampeve politike, sektori i turizmit nuk është se përmendet shumë. Kemi pasur premtime dhe vendime për ulje taksash. Sa e kanë prekur sektorin tuaj debatet e fundit?

Pak e dinë që turizmi jep kontributin më të madh për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi duke gjeneruar 43% të eksporteve, 14.7% të PBB dhe mbi 140.000 vende pune. Duke vëzhguar situatën aktuale të turizmit në Shqipëri të përqendruar kryesisht vetëm në dy muajt e verës, si dhe duke iu referuar statistikave të destinacioneve turistike, është e kuptueshme që potencialet, (të papërdorura dhe të pazhvilluara ende) nuk janë të mjaftueshme. Shqipëria mund të bëjë më shumë dhe se zhvillimi i qëndrueshëm në turizëm vazhdon të jetë në risk, si rezultat i rrezikut të përballjes me konkurrencën e destinacionet rajonale dhe ndërkombëtare.
Duke analizuar problematikat me të cilat ndeshet sektori privat, duke ndjekur eksperiencat dhe politikat e vendeve të tjera fqinje, argumentohet si domosdoshmëri, nevoja për politika stimuluese fiskale dhe një aplikim i TVSH së reduktuar në hotele.
Ministria e Turizmit ka mbështetur iniciativat për një klimë të favorshme për biznesin turistik, në zbatim të dokumenteve kryesorë, si ligji për turizmin dhe strategjia sektoriale e turizmit 2007-2013. Aksioni 5.7.4 “Azhurnimi i sistemit të taksave të turizmit”, flet për politika lehtësuese për bizneset, por realizimi duket i largët.
Deri tani nuk kemi masa konkrete në drejtim të incentivave fiskale dhe Shqipëria është ndër vendet e rralla europiane që nuk ka zbatuar politika të tilla në nxitje të turizmit.
TVSH-ja prej 20% që aplikohet në hotele si elementi bazë i paketës së shërbimeve turistike përbën pjesën kryesore të barrës fiskale dhe vlera e saj ndikon direkt në çmimin ndaj konsumatorit. Hotelet ballafaqohen mbi të gjitha me konkurrencën e shtëpive private të pushimit, të cilat nuk paguajnë taksa. Mjaft struktura hoteliere nuk po investojnë në përmirësim dhe rinovim apo dhe në alternativa menaxhimi apo burime njerëzore, tashmë kur cilësia përbën një element të rëndësishëm në konkurrencën ndërkombëtare dhe bizneset hoteliere shqiptare që mund të përballen në këtë nivel janë të pakta. Ndërkohë bizneset cilësore janë kategoria që përballen në mënyrë më të plotë me sistemin e taksave.
Mund të na thoni si kryetar i shoqatës se ku duhet ndërhyrë?
TVSH e reduktuar në turizëm është hapi i parë me ndikim direkt në konkurrueshmërinë e hoteleve. Nga 27 vendet e BE-së, 24 kanë reduktuar TVSH për hotelet. Niveli i çmimeve të hoteleve është faktor i rëndësishëm i konkurrueshmërisë në rajon. Të gjithë shtetet mesdhetare (pa përjashtim) ndjekin politika mbështetëse për sektorin e turizmit në fushën fiskale dhe kanë ulur TVSH nën 10%. Vendi i fundit, Maqedonia, verën e kaluar e uli në 5%, duke i dhënë rritje të menjëhershme fluksit të turistëve. Shembulli më i mirë është Turqia. Në vitin 2001, siguronte rreth 300.000 turistë/vit, aq sa Shqipëria në vitin 2004. Falë lehtësive fiskale dhe uljes së TVSH në 7%, sot ka 36 milionë turistë duke u kthyer lider botëror. Greqia, me gjithë masat shtrënguese nga BE, e ngriti TVSH-në në kufirin 6-10%, kurse Mali i Zi e ka 7%.
Është dërguar tek Kryeministri studimi që argumenton uljen e TVSH-së për hotelet në Shqipëri në masën 7%, studim i hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe ekspertë të huaj gjermanë nga GIZ. Në konferencën vjetore të Turizmit në dhjetor 2012, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA), mori premtimin nga Kryeministri që do ta ulë TVSH sezonin që vjen, kurse opozita ka artikuluar në programet e saj uljen në masën 7-12%. Le të shpresojmë.
Mund të më thoni se ku çalon industria e turizmit? Sa konkurrent jemi me vendet e rajonit?
Studimi i Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) lidhur me masat që vendet anëtare të saj kanë marrë gjatë periudhës së krizës, kishte moton: “Turizmi do të thotë Punësim, Infrastrukturë, Tregti dhe Zhvillim”. Masat që vendet kanë marrë u klasifikuan në tetë kategori kryesore, ku vendin e parë e zinin “Masat Fiskale”. Aktualisht, bizneset shqiptare të hotelerisë nuk mund të ofrojnë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi krahasuar me fqinjët apo vendet e tjera europiane falë mungesës së masave fiskale lehtësuese në turizëm. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë: të bëhemi të krahasueshëm me vendet e rajonit. Ballkani sot po kthehet në një markë, falë bashkëpunimit rajonal në turizëm. Ne po tregohemi të vonuar në këtë përshtatjen rajonale.
Në përgjithësi, vlerësimet pozitive janë të lidhura me infrastrukturën, kryesisht rrugore e sinjalistikën si masa konkrete, pa të cilat nuk mund të flitet për turizëm, por kjo nuk mjafton.
Pika e dytë ku çalojmë: Nuk mund të ndërtohen resorte apo hotele pa u zgjidhur problemet e pronës. Të gjithë ekspertët e huaj e artikulojnë si të rëndësishëm këtë handikap shqiptar.
Gjithnjë e më shumë po kuptojmë se potenciali ynë është i krahasueshëm në rajon dhe që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet në Mesdhe. Përse duhet të vonohemi më shumë… Në rast se shfrytëzojmë potencialet turistike të vendit, të ardhurat nga turizmi do të kapnin mbi 2 miliardë euro/vit. Kot lodhen partitë të gjejnë burim të sigurt për punësim dhe rritje të ardhurash. Turizmi sjell ndikim ekonomik, por edhe social. Mund ta shkatërrojnë ose ta çojnë përpara zhvillimin e një vendi.
Nuk mund të ofrojmë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi krahasuar me fqinjët
Nuk mund të ndërtohen resorte, pa zgjidhur më parë çështjen e pronave, problem ky tepër shqetësues
Shifrat
28% më shumë turistë të huaj në 2012
1 miliard euro, përafërsisht, të ardhurat
80% e bizneseve deklaruan se xhiro u ul
50% e vizitorëve vijnë për biznes dhe bregdetin
29% e turistëve, për aventurë, 2% për kulturën
Qeveria
Kryeministri na ka premtuar se do të rishikojë politikën fiskale sa i takon sektorit të turizmit. Të shpresojmë!
Opozita
Në programin e Partisë Socialiste është artikuluar plani për ta ulur TVSH në shkallën tatimore 7-12 për qind. shqip

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

16496

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.