Made in Albania: Rezidenca Jazoj, Radhimë - Vlora që nuk njihni

Made in Albania: Rezidenca Jazoj, Radhimë - Vlora që nuk njihni

Written by Flora Xhemani Baba on Tuesday, 13 February 2018. Posted in Tradita

Një udhëtim përmes shijeve të panjohura të kuzhinës vlonjate

Made in Albania: Rezidenca Jazoj, Radhimë - Vlora që nuk njihni
Saga e udhëtimeve gastronomike këtë herë na çoi në Vlorë. Ju do të thoni: pse nuk ju doli gjithë vera për të vajtur në Vlorë? Jo, nuk na doli. Sepse me siguri që edhe ju që po lexoni këtë rrëfim tani, mendoni atë që mendojnë shumica, se kur themi Vlorë, jemi mësuar të vrapojmë drejt detit, sa më pranë tij, mundësisht buzë tij, të na lagë këmbët teksa shijojmë peshkun e freskët apo frutat e detit.

Por a e keni menduar ndonjëherë se vetëm pak metra më lart, mbi kodrat e Radhimës mund të shijoni një botë krejt tjetër, me kuzhinë shtëpie, pula që rriten vetë, gatuar me makarona shtëpie e rosnica, byrekë e pispili me lakra të egra, reçelna e glikora me frutat e oborrit, likerna e raki nga vreshti, ullinj nga kalinjotët e famshëm të Vlorës? Një botë që e kemi lënë plotësisht në hije, me peisazhin kodrinor që i rri si kurorë Jonit Edhe kuzhinë deti po aq të freskët sa poshtë por më të lirë se buzë detit. Eh, sa shkurt i biem dhe sa shumë humbasim. Sa kënaqësi i heqim vetes vetëm nga mosdija dhe dembelizmi. Sa pak marrim nga shijet e natyrës, ofruar përmes kuzhinës shqiptare…
Megjithatë nuk është kurrë vonë për të zbuluar shije të reja, ose më mirë vende të reja ku fshihen shijet e vjetra të dikurshme, pjatat tradicionale ku mbi të gjitha mbretëron ushqimi natyral e i gatuar si në shtëpi. Edhe për ne ishte zbulim ajo që gjetëm tek Rezidenca Jazoj, ku Bruna e zonja e shtëpisë na kishte bërë një ftesë prej kohësh. Nuk dua t`ju them shumë, ishin fjalët e saj, madje nuk dua të them asgjë, Dua të vini vetë një të diel pushimi e të kaloni një ditë tek ne. Do t`ju ofrojmë më të mirën tonë e shpresojmë se do t`i kënaqim shijet tuaja.
Nuk është shumë larg nga rruga kryesore, as 400 metra. I ngjitesh kodrës mes rrugës së ngushtë e në të majtë, jemi drejt e tek oborri, ku fillimisht gjemë pulat, që çukisin të qeta nëpër bar. Pastaj, parajsa. Lule, lule, lule, gjithandej. Pemët mbushur plot, hurmat, shëegët, mandarinat, ftonjtë…, poshte tyre zambakët, krizantemat, karafilët, trëndafilët, lulemëllagat, që ishin harlisur të gjitha sikur ishte verë e jo mesvjeshtë. Bruna erdhi e na përshëndeti në oborr ndërkohë që bëhej gati t`u hidhte për të ngrënë pulave.
Ju duket e çuditshme? Ajo është e zonja e shtëpisë. Vetë gatuan, vetë shërben, vetë i bën byrekët e mrekullueshëm, mirëmban rezidencën, bën reçelnat, zahiretë e dimrit, mbledh ullinjtë… e në fundjavë kur ka më shumë punë kërkon ndihmë për të ndarë pak peshën e punës. Lodhet shumë por është e kënaqur me punën e saj sepse deri më sot, nuk ka ndodhur asnjëherë që dikush të largohet i pakënaqur nga shërbimi i saj e ç`është më e rëndësishmja, nga gatimet, që është edhe pika e fortë e Rezidencës Jazoj.
Pse quhet rezidencë dhe jo hotel si të gjithë të tjerët? Sepse të pret si një mik shtëpie e kur bëhesh mik vërtet, nuk largohesh më. Nuk është çështje slloganesh apo demagogjie por ky vend vërtet funksionon kështu. Pra, nuk është se mund të ngjitesh nga rruga kryesore këtu, e të kërkosh si pa gjë të keq një pulë fshati apo një byrek, apo një tavë në furrë etj., sepse duhen disa orë për të pregatitur një gatim të tillë tradicional. Kështu që është mirë që para se ta ndani mendjen për të ardhur, të telefononi ose të shkruani në adresat e rezidencës.
Zgjodhëm të hamë jashtë, ishte një ditë vere e vërtetë, që nuk mund të shpërdorohej duke ndenjur brenda, madje as në verandë. Sa më afër gjelbërimit, në tavolinën e drunjtë pranë shelgut, ku ishte krijuar një qoshe e parezistueshme. Nuk ka nevojë të përshkruhet asgjë në fakt, mjafton t`i hidhni një sy tryezës të shtruar, që ju kemi treguar në faqet e këtij shkrimi. Më shumë se një tryezë për një vakt, ishte një sofër bujare me atë që ofron Rezidenca Jazoj në një ditë fundjave si kjo. Petullat e mëngjesit me reçel. Shtatë lloje reçelnash kishe bërë Bruna, e sërish po bënte me frutat e stinës që i kishte të gjitha në oborr. Për mirëseardhje një raki me mirto, ose mirtilli (italisht) ose mersina. Ka një aromë të mrekullueshme dhe mund ta pinë edhe femrat si aperitiv. Bruna e bën vetë, dhe jo vetëm atë. Pulë me rosnica, zogj të njomë me makarona shtëpie, djathë nape, ullinjtë e oborrit (lart mbi ullinj ishte edhe një pyll me lisa ku të huajt, se ata bredhin gjithmonë, shkonin e bënin shëtitje), byrek me lakra të egra, pispili, lule kungulli….
Mendoni një festë familjare me një tryezë të mbushur në këtë mënyrë, që kënaq fëmijë e të rritur bashkë. Festat familjare janë gjëja më e zakonshme këtu, sepse ushqimi që ofrohet është i pakarahasuseshëm me asnjë restorant serie, kudoqoftë ai. Aq më tepër që ofrohen njësoj me cilësi të lartë, si produkte fshati, ashtu edhe produkte deti, apo kuzhinë italiane me përbërës të freskët. Madje kuzhinën italiane, peshkun eapo frutat e detit, janë edhe më të thjeshta për t`u ofruar se nuk kërkojnë shumë kohë për gatim, mjaft që të jenë të freskëta. Por rezidenca ofron gatimet e fshatit pikërisht se do të jetë ndryshe, që njerëzit të gjejnë këtu atë që nuk e gjenë në një vend tjetër.
Është ambienti ideal ku mund të festosh për qejf e nuk të ha meraku as se ku e ke lënë makinën, e as se ku shkuan kalamajtë. Ambienti i gjelbër në oborrin e rezidencës, nuk ka fund, edhe para restorantit, edhe tek parking, edhe para hotelit.
Dhe meqë ra fjala tek hoteli, nuk po flasim për çarçafët akull të bardhë e për dorën që ndjehet e të duket sikur po fle në krevatin tënd, se këto janë detaje që e zonja e shtëpisë nuk i toleron, megjithë punët e shumta që ka. Por po flasim për ballkonet. Para jush hapet deti sa të ha syri. E mendoni dot, në një javë ose dhjetëditësh vere, se sa ngjyra perëndimesh mund të shijoni nga këto ballkone? Pamja e detit, që ndryshon çdo ditë por edhe çdo stinë, sipas luleve që çelin e i bashkohen panoramës, është një prej arsyeve të fort apse Bruna e harron lodhjen e punës. E sidoqoftë pa kohë, e gjen një sekondë për ta hedhur me vrap një foto në rrjetet sociale, sepse nuk i reziston dot bukurisë së natyrës.
As ne nuk I rezistuam dot. Dhe nuk u ulëm fare në tavolinë për të ngrënë por morëm shiltet e u shtruam shesh, mbi barin e njomë, me pulat që na vinin rreth e qark.
E ku kishte kënaqësi më të madhe?
Rezidenca Jazoj. Një qoshe e fshehur mes natyrës që duhet ta zbuloni urgjentisht.

3.0/5 rating (5 votes)

Hits

2502

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.