Berlini, qyteti i ndarë në mes
Në kryeqytetin gjerman për stinë panairesh dhe jo vetëm....
Ideja se do të udhëtosh për në Berlin të çon vetvetiu në mendje dy gjëra; Murin e Berlinit dhe Portën e Brandenburgut, dy detaje që i njeh çdokush, edhe nëse s’ka qenë asnjëherë në Berlin, ashtu siç njohim Kullën Eifel ndonëse s’kemi qenë në Francë apo siç njohim Statujën e Lirisë megjithëse s’e kemi vizituar kurrë Amerikën. Mirëpo, duke qenë se të paktën këtë herë një pengesë tjetër të shoqëron kudo e nuk të lejon që të zbulosh më shumë nga ky qytet shumë interesant, është fakti se ne po shkojmë në panairin e turizmit, që do të thotë dyzimi është i madh; ta harxhojmë kohën duke parë gjithë botën të mbledhur në një vend, apo të shohim sa të mundemi prej Berlinit, që është një joshje jo e vogël. Megjithatë edhe këshillat që morëm me vete prej atyre që kishin jetuar me vite në Berlin, nuk ishin fjala vjen “mos lini pa e parë Bundestagun” apo Brandenburgun”, por: “Bëni një xhiro në Alexander Platz, apo në Potsdamer Platz.