Projekti 100 fshatrat - më në fund, sytë tek turizmi rural dhe agroturizmi

Projekti 100 fshatrat - më në fund, sytë tek turizmi rural dhe agroturizmi

on Monday, 15 January 2018. Posted in Lajme

Kryeministri tek "Mrizi i Zanave", shpall projektin më të ri për zhvillimin e agroturizmit

Projekti 100 fshatrat - më në fund, sytë tek turizmi rural dhe agroturizmi

Lajme të mira për turizmin në Shqipëri por sidomos lajme të mira për zonat rurale, që janë aktualisht edhe pjesa më e pazhvilluar e vendit, megjithëse mbartin një potencial të fuqishëm për zhvillimin e agroturizmit. Më në fund qeveria shqiptare po i kthen  sytë nga fshatrat, jo duke i parë thjesht si zona që duhen zhvilluar për të rritur mirëqenien por si qendra të ardhshme agroturistike.

Kryeministri Edi Rama ftoi në një takim fermerë dhe biznese agroturistike nga e gjithë Shqipëria, për t`i njohur me projektin “100 fshatrat”. Emra të njohur të biznesit turistik si Farma Sotira në Leskovik, Diella dhe Noshi në Vain, Nano Resort Dhe Uka Farm në Tiranë, Rapsodia në Shëngjin, Kantina “Kallmeti” në Zadrimë etj., ishin të pranishëm, mes të ftuarve të tjerë dhe ekipeve të ministrive.

Jo pa qëllim ky projekt i rëndësishëm u shpall pikërisht në Fishtë, tek Mrizi i Zanave, aty ka lindur dhe është zhvilluar modeli më i suksesshëm i agroturizmit në Shqipëri.

Kryeministri Rama e ka përgëzuar personalisht Altin Prengën, si një pionier të zhvillimit të kesaj dege të veçantë e shumë të rëndësishme të ekonomisë për Shqipërinë, një vend me natyrë zhvillimi që anon krejtësisht nga bujqësia, duke e quajtur “Mrizin” ekselencën e agroturizmit shqiptar.

Për fat të mirë, zhvillimi rural i vendit ka marrë një vëmendje të gjerë të qeverisë në këto vitet e fundit.
Programi më ri i qeverisë “100 fshatrat” synon të krijojë për herë të parë modelin e suksesit në zhvillimin e integruar rural të vendit, sipas standardeve më të mira evropiane.
Ministria e Bujqësisë, ajo e Turizmit dhe e Mjedisit, Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe e Kulturës dhe kanë hartuar në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe Agjencitë e Zhvillimit të Rajoneve një hartë me 100 fshatra në gjithë Shqipërinë, që do të transformohen në 100 modelet e para të zhvillimit të fshatit, “të së nesërmes”, pra të fshatit që ofron jo vetëm shërbime publike të përmirësuara nga pikëpamja urbane, por edhe mirëqenie ekonomike dhe ofertë turistike.
Përmes këtij programi ambicioz, qeveria synon të mbështesë banorët e këtyre zonave të ndërtojnë ekonomi të tjera. Aty ku ka një monument kulture, ministria e Kulturës do të bëjë restaurime të monumenteve jo vetëm për hir të restaurimeve, por për ta lidhur këtë me elemente të tjerë, që e kthejnë në vlerë ekonomike, pra për ta bërë këtë fshat një atraksion turistik.
Por, për ta kthyer në një atraksion të mirëfilltë zhvillimi, ministria e Infrastrukturës do të ndërhyjë me investime jo vetëm në ndërtimin e rrugëve, por edhe në rehabilitimin e shërbimeve publike si ujësjellësi, kanalizimet, furnizimi me energji.
Ndërsa ministria e Turizmit dhe ajo e Mjedisit është në këtë grup për të marrë përsipër të gjitha çështjet mjedisore dhe për të mbështetur strukturat akomoduese dhe ato turistike të këtyre fshatrave.
Nga ana e saj, ministria e Bujqësisë ka në plan mbështetjen e produkteve tipike dhe ngritjen e inkubatorëve për produktet tipike tradicionale të zonës, që përbëjnë vlerën unike të fshatit shqiptar.
Objektiv i këtij programi është që në krye të 4 viteve të krijojë në çdo bashki të Shqipërisë, një deri në dy fshatra të cilët plotësojnë të gjitha standardet e infrastrukturës, por edhe që sigurojnë mirëqenie të kënaqshme për fermerët.
 “100 fshatrat” vendos standardin dhe bazën që shërben si model suksesi për t`u shtrirë në të gjithë vendin.
Programi nuk përzgjedh fshatrat me më shumë nevojë, por ato me më shumë potencial dhe që në gjithë këto vite, ndonëse s’ka pasur kujdes të posaçëm, ia kanë dalë të ndërtojnë restorante apo bujtina, kanë arritur të tërheqin turistët apo të nxjerrin një prodhim të tyrin tradicional, verë, raki apo reçelra cilësorë që janë mjaft të kërkuar nga tregu vendas dhe ai i huaj.
Travel Magazine ka botuar vazhdimisht artikuj nxitës e informues mbi potencialet e fuqishme të turizmit rural, lokal, agroturizmit dhe turizmit të përvojave, si rrugët e vetme që do të nxjerrin nga skamja e thellë zonat rurale të Shqipërisë. Shpresojmë që ku projekt të mos mbetet në letër apo të zvarritet nëpër zyrat dhe pengesat e burokracisë por t`i japë fshatrave të bukur shqiptarë mundësinë që meritojnë, për të qenë qendra të vizituara turistike.
5.0/5 rating (1 votes)

Hits

14234

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.