Plazhi i gjeneralit - Perla e bregdetit kavajas

Plazhi i gjeneralit - Perla e bregdetit kavajas

on Tuesday, 06 March 2012. Posted in Destinacione

Plazhi i gjeneralit - Perla e bregdetit kavajas

Ai ishte një gjeneral italian i Luftës së Dytë botërore, i cili kishte ardhur në Shqipëri në fillim të viteve 40, kur Italia pushtoi Shqipërinë. Gjatë ekspeditave në zonën e Kavajës pikërisht në fshtin Bardhor – ku edhe sot ndodhet një nga burgjet e shtetit shqiptar - ai ndeshi në një gji të mrekullueshëm rreth 400 metra të gjerë, që puthej nga një det thellësisht blu i cili copëzohej nga pjesë shkëmbore duke krijuar një vijë të thërrmuar ujë-tokë e cila mbyllej me dy kepa majtas-djathtas, në formën e një patkoi. Ky xhep i bruztë-blu, ishte i veshur me shkurre të blerta e kodra të buta që e mahnitën ushtarakun. Dhe jashtë kontekstit të luftës ai e ndau me mendjen e tij se ky ishte një gji i mrekullueshëm për të bërë plazh. Pak kohë pasi u kthye në Itali, mori familjen e tij dhe e mësyu gjirin edhe njëherë, por kësaj radhe me jaht, nga deti. 

Kanë kaluar më shumë se gjashtëdhjetë vjet që atëherë, por edhe sot e kësaj dite, ky gji vazhdon të quhet Plazhi i Gjeneralit, për shkak të frekuentimit që i bëri ushtaraku i dikurshëm, për vite rresht, derisa mbaroi lufta. Tashmë ai s’mund të quhet ndryshe, ndonëse numri i atyre që e frekuentojnë është shumë më i madh se thjesht një familje e pasur e kohërave të luftës. Megjithatë, e ka sërish një lidhje të vogël, sepse vazhdon të jetë një vend shumë i pëlqyer edhe prej ushtarakëve shqiptarë (ish-presidenti Aleksandër Moisiu), apo edhe prej figurave të njohura shtetërore që e kanë vizituar të paktën një herë këtë vend mbresëlënës, pa llogaritur persona te tjerë publikë që këtu kanë piketuar për çdo verë folenë e tyre të pushimeve. Plazhi i Gjeneralit është pjesa më e bukur dhe më tërheqëse në të gjithë rivierën kavajase të përbërë prej 30 km vijë bregdetare, i cili të bën ta dashurosh që në momentin që të shfaqet befas në horizont, sapo ke kaluar kodrat e Kryevidhit. Kepat shkëmborë që e rrethojnë, janë konglomeratikë dhe e kanë mbushur bregun me zaje të vegjël shumëngjyrësh që formojnë një mozaik të mahnitshëm i cili harmonizohet me blunë e ujit, të gjelbrën e shkurreve dhe të verdhën e rërës së plazhit. Bota ujore është pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe me një specie të veçantë breshke detare e cila ka zgjedhur pikërisht këtë plazh të vogël për të mbarështuar llojin e saj. Panorama e gjirit është fantastike, ajo të krijon një ndjesi të plotë qetësise e çlodhjeje, të bën ta dashurosh natyrën. Vitet e fundit këtij gjiri i është qëndisur në kurriz të kodrave një kompleks i vogël turistik i cili para së gjithash ka respektuar natyrën, duke përdorur vetëm struktura prej druri, që nga vilat e vogla, apartamentet e deri tek verandat e restorantit që ofrojnë kuzhinë deti e peshk të freskët për pushuesit e shumtë. Çdo gjë është plotësisht në harmoni dhe e vendosur aty ku duhet të jetë duke i shtuar vetëm bukuri dhe aspak ngarkesë pesisazhit. Genci dhe Nardi, dy djemtë që kanë ngritur kompleksin, janë të lumtur që tashmë rruga e asfaltuar ka ardhur deri në rrëzë të kodrave, duke lënë vetëm pak metra rrugë toke, që vjen deri tek gjiri. Ata thonë se edhe më përpara njerëzit kanë ardhur me qejf për të shijuar këtë bukuri por tani që rruga është e shtruar, natyrisht që kënaqësia është më e madhe. Çdo pranverë Genci sistemon pjesën e rrugës nga kodrat deri tek plazhi, që thotë se e ka hapur vetë. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh pushues të lumtur e sidomos kur ata e shprehin këtë gjë edhe ndaj stafit.

Plazhi është i të gjithëve por nga harmonia e plotë mes çdo elementi përbërës, të krijohet përshtypja se është oborri i një familjeje të madhe ku gjërat janë sistemuar me kujdes.  Ky është një vend që vizitohet shumë nga “Vip-at” shqiptarë – tregon Genci. - Ka qëlluar që kanë ardhur rastësisht ose me dikë tjetër që e dinte më parë dhe kanë mbetur të habitur se si është e mundur që Kavaja ka edhe plazhe të tjerë përveç Golemit e Malit të Robit, e për më tepër, plazhe aq të bukur. Pastaj kur marrin vesh historinë e gjeneralit, ndjehen të vonuar. Dhe për të kompensuar vonesën, vijnë sërish, këtë herë me familjet ose miqtë. Më pas, bëhen të përhershëm.  Edhe ne ramë dakord me këtë pjesën e fundit. Sepse na ndodhi e njëjta gjë kur e vizituam. Në fillim “ua sa bukur”, pastaj “si është e mundur, kaq afër dhe kaq pak e njohim”, e më pas: “po, po, sigurisht që do të vijmë më shpesh këtej e tutje”. Nëse rruga ishte e mirë, vetëm 10 km nga rruga kombëtare Durrës-Rrogozhinë, plazhi ishte i mrekullueshëm, ambienti shumë miqësor dhe mikpritës, kuzhina e shkëqlyer e mbi të gjitha, panorama e paharrueshme, atëhere pse të mos e vizitonim më shpesh Plazhin e Gjeneralit?

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

19468

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.