Kosova si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Turizmit

Kosova si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Turizmit

Written by Irhan Jubica on Thursday, 27 June 2013. Posted in Editorial

Analizë mbi burimet turistike gjithëvjetore

Kosova si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Turizmit

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2013-2020, kjo fjalë e madhe që pret finalizimin e shpejtë, përveçse duhet me i dhanë përgjigje dhe zgjidhje afatgjatë disa sfidave që e presin turizmin botëror në përgjithësi, si ruajtja e ambientit prej urbanizimit dhe ndryshimeve klimaterike, apo ruajtja e kulturave lokale prej globalizimit, duhet gjithashtu me i dhanë një zgjidhje praktike e aspak nacionaliste, konceptit që shtjellon vetë emërtimi i këtij dokumenti udhërrëfyes: Kombëtar.

Në zona të caktuara turistike, Shqipëria e ka humbur sfidën për ruajtjen e ambientit prej urbanizimit, sepse shtrirja e pakontrolluar e “qyteteve” tona e ka kthyer urbanizimin në një problem të vërtetë për ambientin, ndërsa me ndryshimet klimaterike, shqiptarët ende tregojnë anektoda. Sa i takon bjerrjes së kulturave lokale, faktet janë më të shpërndara në gjerografi, sepse me përjashtim të një grushti strukturash modeste akomoduese që kundërmjojnë aromë tradite, në krejt vendin ka një ngutje kaotike e të vonuar drejt një modernizimi, shpesh tragjikomik.
Megjithatë, për me dalë te Strategjia Kombëtare e Turzimit, për të cilën MTKRS punon, ndoshta është me vend të shtrohet një çështje e vetme: a ka me u përfshi edhe Kosova në këtë Strategji? Ose, a është edhe turizmi i Kosovës pjesë e këtij dokumenti? Meqenëse aq shumë po flitet për bashkëpunimin, unifikimin e madje edhe bashkimin e dy shteteve, a është hartimi i një dokumenti kaq të rëndësishëm, një rast i mirë për ta ankoruar retorikën patriotike te ky liman i realitetit? Ndoshta edhe më i rëndësishëm bëhet ky konkretizim, nëse i referohemi shifrave të publikuara nga MTKRS në analizën e punës për turizmin në Shqipëri gjatë vitit 2012. Sipas këtyre shifrave zyrtare, 48% e turistëve që kanë hyrë në Shqipëri vitin e kaluar, ishin kosovarë. Nëse Shqipëria nuk dëshrion të vazhdojë rolin e saj arrogant ndaj Kosovës edhe në këtë drejtim, apo nëse dëshiron të luajë së paku rolin paternalist që gjithashtu ia miklon sedrën, apo nëse qartësisht konsideron se fakti që shteti më i ri në botë e ka lënë aq jetim turizmin sa nuk di as numrin e saktë të vizitorëve, është një arsye e mjaftueshme, - atëherë Kosova duhet me qenë pjesë organike e këtij udhërrëfyesi për turizmin 2013-2020, me emrin e madh Strategji. Dhe fushat, në të cilat bashkëpunimi në turizëm mundet me pasë efekt janë të shumta, duke filluar që nga arsimimi profesional e deri te alternimi i paketave turistike afatshkurta apo sezonale dhe konkurrimi në rajon si një ofertë unike e tej mase e larmishme. E vërtetë është se në një fazë embrionale, periferike dhe spontane, ky bashkëpunim i sipërmarrjeve private eksizton mes dy vendeve, dhe ndoshta sa për meritë, që MTKRS dhe AKT në njërën anë, dhe Departamenti i Turizmit dhe Hotelerisë në anën tjetër të kufirit, ta kenë si një ndër pikat orientuese në këtë aspekt të hartimit të Strategjisë.
Nga ana tjetër, Strategjia me siguri ka me qenë aq ambicioze sa të hulumtojë dhe të marrë në konsideratë kërkesat për cilësi të shërbimit tursitik, në funksion të evidentimit të Shqipërisë në hartën e turizmit rajonal, krahas rritjes së përshpejtuar të turizmit në botë, e sidomos në Europë. Është kjo rritje prej 4%, që sipas raportit paraprak të Organizatës Botërore të Turizmit (UNËTO) për vitin 2012, e ka çuar numrin e turistëve në shkallë globale në 1.035 miliardë, me tendencë rritjen e vazhdueshme deri në 1.6 miliardë brenda vitit 2020 – kohë në të cilën përfundon edhe Strategjia shqiptare e turizmit. Rritja e turizmit në shumë vende të rajonit, me përjashtim të Italisë dhe Greqisë me dhimbjet e krizës, si në Malin e Zi, Maqedoni dhe sidomos Kroaci, është një mundësi e mirë për futjen e hapësirës shqiptare në turet rajonale, jo vetëm prej rekomandimeve të mediave të huaja.

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

13595

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.