Njohja me letërsinë e Kadaresë dhe ditarët për Tiranën…
Morelle mbërriti për herë të parë në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 3:30 të mëngjesit… Në qiell vezullonin yjet, ndërsa një grua të cilën e kishte njohur në avion i thoshte se “nuk ishte nevoja të merrte taksi për në qytet”. “Tirana është vetëm 15 minuta me autobus, nuk është e nevojshme të shpenzosh”. Ajo ishte nisur nga Heathrow, kishte pasur një ndalesë në Greqi dhe tashmë, më në fund, kishte mbërritur në Tiranë, edhe pse në errësirë. Për gruan që ishte rritur në Edinburg dhe që shkruante poezi, këto orë të para mëngjesi në këtë vend pothuajse të panjohur kishin diçka magjike brenda. Aeroporti tepër modest dhe këta njerëz pothuajse të panjohur që kërkonin të kujdeseshin për transportin e saj, i kujtuan ato çfarë kishte lexuar për Ballkanin. Ishte viti 2000. Morelle Smith, autore e një sërë librash me poezi dhe fituese e disa çmimeve letrare kishte zgjedhur Shqipërinë në prag të moshës së mesme, për të krijuar një përvojë të re në jetën e saj. “Prej vitesh isha duke kërkuar një punë në Europë apo në Ballkan. Doja të jepja kontributin tim në këtë pjesë të botës, e cila ishte rrënuar nga luftërat, shpërnguljet e vitit 1990. Kontaktova me shumë organizata joqeveritare ku kërkova të punoja si mësuese anglishteje. Më ofruan për të punuar në Bosnjë dhe në Shqipëri”, thotë ajo. Teksa Bosnja i kujtonte luftën, për një grua të rritur mes librash e panjohura është gjithnjë më interesante, ndoshta prandaj Morelle zgjodhi Shqipërinë. “Shqipëria ishte pothuajse e panjohur për mua. Kohët kur unë isha në vendin tuaj, ai ishte në një gjendje tranzicioni dhe shumë gjëra fillimisht më dukeshin të çuditshme. Në fillim Tirana, me arkitekturën e saj, trotuaret e thyera, mungesa e ndriçimit në rrugë, njerëzit që rrinin pothuajse gjithë ditën rrugëve. Ishte një situatë e panjohur për mua”, thotë ajo. Projektet e para ku Morelle u përfshi kishin të bënin me rehabilitimin e shkollave dhe spitaleve. “Ne punuam në rrethe të ndryshme të vendit, ku situata në shkolla ishte për të ardhur keq. Dritare të thyera, mungesë ngrohjeje dhe mbipopullim, mungesë të mjeteve shkollore si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit. Ruaj një admirim për ata mësues që punonin në një situatë të tillë”, thotë ajo. Kjo është Shqipëria e 13 viteve më parë që njohu Morelle. Por në kthimet e shpeshta që ka pasur këto vite, ajo e sheh gjithnjë e më të ndryshuar…