Ali Pasha i Greqisë dhe jo Ali Pasha i Tepelenës
Kalaja e Tepelenës është shëmbëlltyra më e mirë e injorancës shqiptare, e harresë së trashëgimisë kombëtare, e barbarisë dhe indiferencës shtetërore.
Auron Tare
Jo më larg se një orë me makinë është një tjetër kryevepër e Ali Pashës. Kalaja e Tepelenës është shëmbëlltyra më e mirë e injorancës shqiptare, e harresë së trashëgimisë kombëtare, e barbarisë dhe indiferencës shtetërore. Ministra e burra të rëndë nga ky qytet kanë ardhur e kanë ikur nga qeveritë shqiptare në këto 20 vjet dhe askush nuk vuri një gur mbi muret e rrënuara, nuk hoqi një dorë plehrash nga udhët e kalasë. E braktisur pafundësisht, e dhunuar barbarisht vetëm ashtu siç dinë të dhunojnë shqiptarët, Kalaja e Tepelenës pret qetësisht për t’u rrënuar përgjithmonë duke iu rënë në kokë të gjithë atyre që kanë pasur në dorë të bëjnë diçka dhe nuk e kanë bërë.
E si për ta tallur përfundimisht emrin e Aliut të Madh, Vezirit me Dy Tuje, heroit të veprave të iluministeve francezë, kryeministri i lavdishëm Sali Berisha hodhi shashkën tymuese për sjelljen e kokës së tij në Tepelenë.
Por pa u shuar akoma jehona e piskajës së tij, shkova për të parë se çfarë po bënte ministria e tij e Kulturës me Kalanë e Vezirit.
Pamja që më doli para syve nuk ka fotograf që mund ta japë realisht, megjithëse u mundova të kapja të paktën shtrimin e hyrjes së portës kryesore të Kalasë. Pasi kishin gërmuar me ekskavator hyrjen e kishin shtruar me çimento dhe gur me gunga sikur të ishte parking fshati. Firma që përdor taksat e shqiptarëve të dhëna nga MTKRS pasi kishte shqepur kalldrëmet origjinale, që çuditërisht i kishin rezistuar kohës, kishte hedhur çimento të trashë dhe me një shpejtësi që vetëm firmat që vjedhin mund ta bëjnë e kishin mbyllur “restaurimin” alla MTKRS të këtij monumenti të rëndësishëm.
Ky restaurim i trashëgimisë së Vezirit është prova më e mirë se sa seriozisht e ka nacionalizmin Berisha ynë, i cili si gjithmonë para turmave përbetohet për çështjen shqiptare. Përpos që tallet me shqiptarët duke shpërfytyruar deri edhe flamurin kombëtar, tashmë me lekët e qeverisë prish edhe ato pak gjëra që i kanë mbetur kësaj trashëgimie.g.sh