Zonat e Pambrojtura të Shqipërisë

Zonat e Pambrojtura të Shqipërisë

Written by Irhan Jubica on Wednesday, 09 January 2019. Posted in Editorial

Një vështrim mbi gjendjen e mjedisit dhe natyrës shqiptare

Zonat e Pambrojtura të Shqipërisë
Me një rrjet të pasur zonash të mbrojtura të disa kategorive, përfshi UNESCO, Ramsar, parqe kombëtare, rezervate natyrore strikte dhe të menaxhuara tokësore dhe ujore, si dhe një listë të gjatë gjeo, bio dhe hidromonumentesh të shpërndarë në të gjithë territorin, Shqipëria prin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mesatarja e Zonave të Mbrojtura të këtij rajoni nuk i kalon 10% të territorit. Sipas protectedplanet.net, e cila i referohet të dhënave të Bankës Botërore, sipërfaqja totale e këtyre Zonave të Mbrojtura në Shqipëri është pranë objektivit të BE, duke mbërritur 20.45% të territorit të Republikës. Meqenëse kjo shifër është rreth 4% më e lartë se ajo që raportohet nga autorietet shqiptare, faqja e Qendrës së Monitorimit të Ruajtjes së Mjedisit të Kombeve të Bashkuara vëren se ndryshimi në shifra vjen nga metodologjitë e ndryshme të llogaritjes së sipërfaqeve të Zonave të Mbrojtura.
Gjithashtu Shqipëria prin në rajon edhe me Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të miratuar në Maj të vitit të kaluar, i hartuar sipas shembullit të vendeve me përvojën më të mirë në mbrojtjen e natyrës. Më i plotë se ai i vitit 2002, Ligji i 2017 është i qartë në përcaktimin e aktiviteteve të ndaluara në një Zonë të Mbrojtur, ku përfshihet madje, në rastin e Luginës së Gashit, psh, edhe ecja e vizitorëve nëpër shtigje!
Sigurisht që ndërtimi i çfarëdo objekti, kërkimi apo nxjerrja e çfarëdo minerali dhe lënde tjetër nga natyra në këto zona është rreptësisht i ndaluar.
Mirëpo ajo çka po ndodh prej vitesh tashmë në disa prej Zonave të Mbrojtura të vendit, sidomos në rastin e Valbonës e jo vetëm, dëshmon se edhe në aspektin mjedisor, Shqipëria i konsideron ligjet si një kriter që duhet vetëm për të mbushur dosjet e burokratëve të BE-së.
Nisur nga rastet e Cemit, Lumës, Shalës, Devollit, Osumit e Vjosës, Shqipëria duket se nuk do t’i shpëtojë garës energjitike të Ballkanit, për të ndërtuar mbi lumenjtë e saj mbi 500 nga afro 3.000 hidrocentralet e paraparë për krejt rajonin. Riverwatch ka akuzuar institucionet më të mëdha financiare ndërkombëtare, duke përfshirë Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin, Bankën Europiane të Investimeve, Societe Generale, UniCredit, Raiffeisen, Erste Bank, KFw etj., si financuese direkte ose indirekte të këtyre projekteve. Nga ana tjetër, ajo çfarë konstatohet lehtësisht në Shqipëri është se zëri i komunitetit, edhe pse i pakët e tej mase i moderuar për të kundërshtuar projekte të tilla arrogante, është mbytur në mos me polici - me gjykatë. E përfshirë apo e dorëzuar te presioni i këtij biznesi miliardësh, qeveria u ka mundësuar boss-ëve të infiltrojnë vendas në këto projekte përmes dhënies së një pjese aksionesh, me qëllim kontrollin mbi çdo reagim të mundshëm të vendasve. Fort e ngjashme me filozofinë e ligjit 7501 që vazhdon të gjenerojë konflikte sociale, edhe strategjia e shtrirjes së PPP-ve në rastin e ndërtimit të disa hidrocentraleve rrezikon të sjellë, herët a vonë - varësisht nga ndërgjegjësimi i komuniteteve lokale - të njëjtat pasoja.
Nuk është vendi për ngushëllim meqë të gjithë lumenjtë e Ballkanit do të rrjedhin në tuba të njëjtë, sepse pas disa lagunave që e kanë pësuar apo po e pësojnë prej ndërtimit të resorteve turistike, në Shqipëri po preken edhe parqe të tjera kombëtare. Gurorja brenda Rezervatit Natyror të Menaxhuar Gërmenj-Shelegurë (kategoria IV IUCN, me sipërfaqe 430 ha në lindje të Leskovikut, Qarku Korçë, shpallur që më 1996) është i fundit por jo i fundi i vënies dorë mbi një pasuri kombëtare, sikurse janë Zonat e Mbrojtura. Përveçse varros investimin shpirtëror dhe financiar 20-vjeçar të një komuniteti të tërë që e ka renditur zonën në destinacionet më të rekomanduara në Shqipëri nga liderët botërorë të turizmit, nxjerrja e mermerit për një periudhë 25-vjeçare brenda kësaj Zone të Mbrojtur nuk është vetëm dhunim i Ligjit për Zonat e Mbrojtura, por edhe shkatërrim shekullor i natyrës. Në këtë mënyrë, industrializimi i Zonave të Mbrojtura bie ndesh me propagandën e turizmit të qëndrueshëm dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht objektivin e dëshiruar për kthimin e Zonave të Mbrojtura në motorë të rritjes së turizmit në vendin tonë.
4.6/5 rating (5 votes)

Hits

13663

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.