Nga Dhërmiu në Theth - një aventurë malësore me lebër

Nga Dhërmiu në Theth - një aventurë malësore me lebër

Written by Kastriot Faci on Wednesday, 05 February 2014. Posted in Itinerare

Udhëtimi në Alpe, është një kënaqësi e përhershme që duhet përsëritur

Nga Dhërmiu në Theth - një aventurë malësore me lebër

Thethi si Dhërmiu…
Thethi është një nga vendet më të bukura të vendit tonë. Ai duhet vizituar nga të gjithë ata që e duan natyrën qofshin ata nga Vlora, Tirana apo nga Shkodra. Lona dhe Tani e vajza e tyre Eridjona 2vjeçare, janë nga Orikumi i Vlorës. Ata janë miqtë e mi tashmë. Me ta jam njohur në Dhërmi gjatë pushimeve, pasi janë pjesë e stafit menaxhues të hotel Lucianos. Unë u pata folur atyre shumë për Thethin. Ata për herë të parë vendosën ta vizitojnë këtë verë. Përjetimet e pushimeve të tyre mes malësorëve të Thethit, mikpritja, kujdesi e deri tek bukuritë e Alpeve Shqiptare, ishin një përvojë e bukur që ia vlen ta ndash me çdokënd. Të nesërmen do të udhëtojmë për në Theth…

Rruga e re për në Theth
Është mëngjes ora shtatë, një furgon i tipit benz ka ardhur të marrë familjen nga Vlora. Ndërtimi i rrugës së re për në Theth është arsyeja që udhëtojnë në këtë orë. Rruga bllokohet pas orës 10.00, megjithatë kjo nuk i pengon aspak pushuesit, të cilët duket sikur e sfidojnë këtë. Ata janë shqiptarë dhe të huaj, në motorë apo makina 4 x 4, në këmbë apo në biçikletë. Segmenti nga Boga është rregulluar dukshëm, ndërkohë që gjatë udhëtimit hasim dy brigada me makineri që po punojnë në dy segmene të tjera deri diku në afërsi të Qafës së Thores. Pas tre orë e gjysëm udhëtimi, ata kanë mbërritur në Theth, janë në qendër të tij, tamam para Kishës. Në afërsi të saj jo më larg se 200 metra, është shtëpia e Paulin Polisë, ose siç e njohin në zonë e më gjerë, Paulinit të Big Brother.
Paulini, kampioni i Thethit
Sapo futesh në oborr të bën përshtypje një furgon i parkuar aty. Ajo që të shkon nëpër mend, është se ç’ka hequr shoferi dhe pasagjerët e tij për të ardhur deri këtu. Nga një barakë e vogël në krahun e majtë sikur shpërthen një erë e mirë e shumë ngacmuese e ushqimeve të freskëta që po gatuhen aty për mysafirët. Vazhdojmë më tej nëpër oborr e hyjmë në dhomën e bukës. Në një tavolinë gjigande druri qëndrojnë të shtruara rreth 40 pjata supe boshe që “presin me gojen hapur të gëlltisin” ushqimin erëmirë. Thërrasim Paulinin , i cili me del nga dhoma ngjitur me një përparëse dhe me krahë të shpërvjelur. Ai po gatuan për 40 turistët të cilët kryesisht janë nga Tirana e ndër ta ka dhe të huaj. Megjithëse është shumë i zënë ai na fton të ulemi në një tavolinë në oborr. Buzëqesh ndërkohë që na përshëndet duke na uruar mirëseardhjen të gjithëve me radhë. Na qeras me nga një “thanak”, pije lokale e përgatitur me fruta të thanës. Sonte tek Paulini nuk ka vende, pasi ai po punon me një agjensi nga Tirana, sigurisht që ai është kampinoni i Thethit. Çiftit i duhet të akomodohet tek shtëpia e Rozës, aty pranë shtëpisë së tij.
Gratë e Thethit
Eshtë mëngjes herët dhe dielli nuk ka depërtuar akoma në luginën e Thethit. Ajri i pastër të mbush mushkëritë si në asnjë vend tjetër.  Ndjekim shtiget gjatë shëtitjes nëpër luginë, ato herë kalojnë krejt në afërsi të arave të mbjella me misër e herë në afërsi të kullave të gurta. Përshëndetemi me banorët e zonës, ato janë kryesisht gra, janë gratë e Thethit, të cilat e kanë filluar punën para se ne të zgjohemi. Njëra që po mjel lopën në oborr apo tjetra që e ngarkuar me një barrë dru në kurriz, sapo ka zbritur nga mali, për të ndezur zjarrin e për të gatuar për familjen dhe mysafirët e saj. Ato janë gratë e Thethit, gra të jashtëzakonshme, mikripritëse, punëtore, të pastërta me humor dhe shumë të dashura. Janë shumë të forta, mund ti krahasosh me një burrë nga mençuria dhe forca. Çdo gjë nga produketet lokale si kumbulla, thana, lajthia, mana toke, dardha, qepë, groshë, misër, qumësht, djathë, mazë, kos, reçeli e mjalti, janë produkte që janë përpunuar me përkujdes dhe dashuri e duart e arta të grave të Thethit.
Vendet që duhet të vizitoni në Theth
Sot çifti vlonjat me vajzën e tyre të vogël në supe i ngjiten ujëvarës së Thethit. Në fakt ato janë tre ujëvara, por destinacioni për sot është ujëvara e Grunasit, më e vizituara nga turistët. Ndjekin shenjat e shtigjet për në destinacionet turistike e vendet atraktive, ku pas ujvarës, radhën e ka Syri i Kaltër në Kaprej. Kulla e Ngujimit e Kisha janë lehtësisht të vizitueshme për shak të vendndodhjes së tyre. Vende të tjera që duhet vizituar janë, Qafa e Pejës, Shpella e Pejës, Maja e Arapit, Qafa e Valbonës, Fusha e Denellit, Shtegu  i Dhenve, Maja e Jezercës etj. Pa vizituar të paktën këto vende, zëre se nuk keni qenë në Theth. (Foto e majes se Arapit.)
Të huajt në Theth
“Dëshirojmë të kthehemi përsëri në këtu, ndaj dhe nuk i kemi vizituar të gjitha atraksionet e Thethit”, i thotë Klaudia dhe Joe, një çift i ri nga austriakësh Tanit dhe Lonës. Ata kishin me vete dy guida në gjuhen Gjermane që flisnin për vendin tonë e për Thethin. Sipas tyre ka mungesë të hartave dixhitale për të treguar shtigjet e ecjeve në mal. Në Austri ne kemi vende shumë të ngjashme me Thethin, por janë me infrastrukturë të zhvilluar, që tek ju mungon. Një gjë e tillë e bën Thethin më të veçantë në tregun e turizmit të huaj. Çekët dhe polakët në fakt, janë më të shumtit ndër turistët e huaj që ndër vite e kanë vizituar Thethin. Ata janë të thjeshtë dhe nuk kërkojnë shumë kushte si shqiptarët, na thonë vendasit. Ne tashmë jemi të përgatitur dhe të gatshëm për t’i shërbyer e pritur jo vetëm turistët e huaj por edhe ata nga vendi ynë.
Ndërtimet në Theth
Eshtë ndërtuar shumë në Theth sidomos dy tre vitet e fundit. Nëse ndërtimet do të vazhdojnë me këtë ritëm, pas dy tre vitesh lugina e bukur e Thethit nuk do të jetë më ajo me jeshillëkun e saj e me arat me misër. Kullat e gurta dykatëshe mjaft karakteristike të Thethit e me çati druri po zëvendësohen me shpejtësi nga ndërtimet me tullë e beton. Pushtetit lokal dhe atij qendror i duhet të ndërmarrë një aksion të përbashkët me komunitetin aty. Një aksion të shpejtë për ta ndaluar këtë e orientuar Thethin drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Një gjë e tillë i mban dyert e turizmit thethian të hapura dhe e kualifikon atë drejt turizmit elitar. E duam Thethin si Dhërmiu, është ky urimi që unë dhe miqtë e mij nga Vlora urojmë e që dëshirojmë për Thethin e thethjanët.
Për ata që dëshirojnë të vizitojnë Thethin:
Distanca nga Shkodra: 77 Km
Çmimet e transportit: Furgoni 1000 Lekë vajtje, 1000 Kthimi
Kohëzgjatja: Me furgon ose makina 4x4, rreth 3-4 orë
Çmimet: fjetje dhe ushqim 25-30 Euro.
Akomodimi në çadra: 5 euro
Koha më e përshtashme: nga Qershori deri në shtator-tetor

4.0/5 rating (1 votes)

Hits

18381

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.