Në Dumrenë e liqeneve, aty ku bujaria e tokës dhe njeriut bëhen një!

Në Dumrenë e liqeneve, aty ku bujaria e tokës dhe njeriut bëhen një!

on Tuesday, 12 March 2019. Posted in Destinacione

Drejt një destinacioni të ri turistik, vetëm një orë larg Tiranës

Në Dumrenë e liqeneve, aty ku bujaria e tokës dhe njeriut bëhen një!

Nga Alida Cenaj

Drejt një destinacioni të ri turistik. Vetëm një orë larg Tiranës aty ku historia, e reja dhe e vjetra, ëndrra dhe realiteti, bëhen bashkë.

Ndërsa Liljana reciton vargje të Esenin, Emineskut a Poradecit, bisedon gëzueshëm me gotën e verës ngjyrë rubin përpara, Fatmiri hyn e del nga kuzhina. Dielli i ngrohtë, krejt i pazakontë për këto ditë të ftohta janari, fusha e gjerë që shtrihet përpara qëndisur me vreshta, ullinj dhe agrume, dhe maja e zbardhur nga dëbora e Tomorrit atje tutje, janë peizazhi i çdo dite i çiftit të buzëqeshur që na ka mirëpritur në Seferan.

Të apasionuarit pas udhëtimeve në fundjavë dhe jo vetëm duhet të kenë dëgjuar për investimet infrastrukturore në Dumrenë e famshme të 84 liqeneve. Më shumë se 37 kilometër rrugë, të rehabilituara (një pjesë ende në proces) nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me fonde të Qeverisë Shqiptare e kanë sjellë këtë zonë të njohur, por deri tani të harruar të Shqipërisë, aq pranë Tiranës sa do të ishte mëkat sikur të mos eksplorohej. Për më tepër që nuk është vetëm natyra thesari që pret të eksplorohet në këtë trevë që shtrihet me qendër të Shqipërisë. Nuk janë vetëm liqenet apo qendra e zonës, Belshi – i rikonstruktuar gjithashtu – apo vetëm dashuria për natyrën shtysa që të drejton në ato anë. Aty të mirëpret edhe një çift si Liljana dhe Fatmiri Manushi, në bujtinën e tyre të vogël dhe mikpritëse apo të tjera të ngjashme përreth, të ndërtuara prej kohësh, por që vetëm tani kanë filluar të shijojnë efektin e dëshiruar të infrastrukturës së mirë që të afron me njerëzit. Zona e Dumresë nënkupton natyrë të bukur dhe bujare dhe bujtinat mikëpritëse të shpërndara nëpër të, pikat turistike apo restorantet që po lulëzojnë çdo ditë, të mirëpresin për një fundjavë ndryshe.

Ne kemi ndalur në njërën prej tyre. Në “Dumre Rubin”, memorja e jashtëzakonshme e Liljanës për vargjet e poetët, batutat që hedhin dhe presin me bashkëshortin, Fatmirin, ushqimi i mirë dhe natyra e mrekullueshme janë vetëm një pjesëz e asaj që ky çift ka për të treguar për çdokënd që troket në bujtinën e tyre. Në fillim ikja e tyre nga Tirana ishte një vendim i përbashkët për të gjetur një vend të qetë ku do të kalonin ditët e pensionit. Për qejfin e tyre, ndërtuan një kantinë, prodhuan verë të mirë nga vreshtat që shtrihen në oborrin e shtëpisë, të cilën më pas e shijonin me miq që prisnin e përcillnin shpesh. Por më pas ajo që nisi si tërheqje në jetën e qetë u kthye në një sfidë. Nevoja për të gjallëruar jetën e zonës e për ta kthyer atë në një destinacion turistik solli idenë e ngritjes së një bujtine, pikerisht në shtëpinë që Liljana i bleu xhaxhait të saj në vitin 2012.

“Ka diçka që nuk shkon, mendoj unë, kur flitet për bujtinat”, thotë Fatmiri ndërsa tregon se si e qysh lindi ideja e bujtinës. “Ndoshta falë reklamës diku më shumë a diku me pak, duket sikur kanë fluks të madh e të zhurmshëm njerëzish dhe vizitorësh. Në fakt bujtinat janë një ambjent i konsumit të artit dhe qetësisë. Është një vend ku ti vjen për tu larguar nga zhurma e qytetit dhe bashkë me familjen shijon jetën e fshatit dhe ushqimin e mirë, qetësohesh dhe shijon zemrën e natyrës. E theksoj me fanatizëm që këtu nuk bëhet fjalë për një restorant urban”.

Dhe nuk ka nevojë për të shkuar më tej për ta parë e kuptuar atë çfarë Fatmiri këshillon. Dy herë në vit në bujtinën e tij mirëpret piktorë të talentuar shqiptarë për të shijuar peisazhin, për të biseduar për artin, për tu frymëzuar për vepra të tjera. Po kaq shpesh ulet e diskuton me miq të tjerë që bujtin aty për të ardhmen e zonës, për formulën që do ta kthente atë në një zonë të vërtetë turistike siç edhe e ka mundësinë. Me një gotë verë të mirë, prej ngjyrës së të cilës i vunë edhe emrin bujtinës – Rubin – Fatmiri dhe Liljana bëjnë plane dhe janë optimistë se Dumreja do e fitojë vendin që meriton në hartën turistike shqiptare. Sidomos tani që distancat nga Tirana dhe jo vetëm janë shkurtuar

Vreshta përballë – dëshmitare e sekretit të tij për prodhimin e verës – kodrinat përtej, faqet e të cilave janë rënduar nga plantacionet me ullinj, toka e bereqetshme dhe peisazhi mahnitës janë argumentat e Fatmirit që Dumreja është dhe mbetet një destinacion.

Tani, një vit më pas që nga dita kur bujtina hapi dyert, Liljana dhe Fatmiri shijojnë frytin e investimit të tyre që më shumë se një shtëpi për të jetuar të qetë është kthyer në një strehë miqësore ku kushdo që shkel një herë, është e sigurt që kthehet sërish. Përveç takimeve me artistët, Liljana shpesh herë organizon edhe ecje me miqtë që bujtin aty, në pyllin pranë, ndërsa të dy bashkë rrëfejnë histori që i shkojnë aq shumë asaj gotës së verës ngjyrë rubin, sa të vjen keq kur vjen ora për t'u kthyer.

Dumreja – Një destinacion i ri turistik

Dhurata më e çmuar që natyra i ka bërë Dumresë janë 84 liqenet karstike, aq të lakmueshme për turistët. Kjo është një zonë e njohur dhe nga më të mëdhatë në Shqipëri. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 21 mijë hektarësh ku rreth 3 për qind të saj e zënë liqenet karstike. Infrastruktura e rehabilituar tashmë plotësisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me fonde të Qeverisë Shqiptare të çon deri në Urën Vajgurore dhe peisazhi e bereqeti i tokës të shoqërojnë ngado që udhëton. Ndalesa e parë është Belshi, të cilin rilindasi i madh Sami Frashëri e kishte projektuar të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, vetëm 70 km larg Tiranës. Kjo është ndër të paktat bashki të reja të cilat shtrihen tërësisht në zona rurale, një zonë kodrash të buta mbi të cilat është krijuar një panoramë piktoreske e që aktualisht po mbushet me destinacione turistike.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

12877

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.