I dëshmuar në shek. e dytë para Krishtit.
Nuk dihet se sa mijë vjet më parë njerëzit u ndalën në këto anë dhe u mahnitën nga relievi i përthyer por mrekullisht i bukur. Pastaj hoqën gurët, ngritën ledhe e ndërtuan tarraca. Thuhet se vetëm për një hektar tokë atyre u është dashur të zhvendosin rreth 3000 metra kub gurë! Ishin njerëz të punës, me vështrim drejt së ardhmes, trima, të besës, plot pasione dhe shumë të bukur.
Banorët e Kaonisë, siç thirreshin në kohë të lashta, shtëpitë i ndërtuan rrëzë maleve si për t’u mbrojtur nga piratët e detit dhe për të kursyer ato ngastra toke që i përftonin me mund të madh.
U ngritën fshatrat e Rivierës, njëri më i bukur se tjetri, gati-gati qytete të vegjël, të gjithë në një harmoni të habitshme ndërtimesh, që i dallon në gjithë vendin.
Vunoi është një nga këto fshatra që i bën nder krahinës për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën tonë kombëtare.
Fshati është vendosur në shpatullat e malit të Mjegulloshit, me shtëpi të gurta dy a tre katëshe, ku do të ndeshesh me atë dukuri që vëren Kadareja për Gjirokastrën “nëse do të rrëzohesh nga çatia e një shtëpie do të biesh në çatinë e një tjetre më poshtë!”
Ndërtesat “shohin” të gjitha nga deti, por pa ia zënë dritën njëra-tjetrës. Ato lidhen me rrugë të kalldrëmta duke krijuar një konfiguracion të përsosur, madje shpesh ato gjarpërojnë poshtë qemerëve mbi të cilat ngrihen shtëpitë e banimit.
Harqet dhe qemerët i sheh në faqet e jashtme të dyerve dhe dritareve, në raste të tjera ato shërbejnë si konstruksione mbajtëse të kateve të mësipërme të shtëpive. Banesat e fortifikuara, apo kullat, i gjejmë si në Vuno ashtu dhe në fshatrat e tjerë të bregdetit. Kulla në lagjen e poshtme të fshatit, një kompozim vertikal, me bazë katërkëndëshe, tri katëshe, me frëngji, është shpallur prej vitesh monument kulture.
Në vizionin e ditëve të sotme të bën përshtypje fryma qytetare dhe ndjenja e komunitetit, vizioni për një fshat “të të gjithëve”, ku “ligjet” e bashkëjetesës i kanë respektuar pa marrë parasysh interesin e ngushtë të njërit a tjetrit. Të gjithë thonë se në krye të fshatit kanë qenë njerëz të urtë e të mençur, të drejtë e largpamës.
Dy shekuj më parë në familjen e njohur të Kasnecëve në Vuno qëndroi Eduard Liri, piktor i njohur anglez: “U çudita me llojin e ndërtesave në Vuno disa prej të cilave, si ato të Kasnecëve, në veçanti, qenë më tepër si “palazzit” e shumë qyteteve provinciale në Itali”- shkruan Liri. Më tej vazhdon: “Himarjotët përdorin gjuhën italiane më tepër se çdo banor i Shqipërisë; të gjithë fshatrat që kam kaluar, ndonëse të krishterë, janë të tërë shqiptarë me përjashtim të pak familjeve…”
Njerëzit e diellit të Jugut
Kjo shprehje metaforike i ka rrënjët në legjendat e hershme të këtij fshati. Kështu prej shumë e shumë kohësh, nuk mbahet mend se kur, në kambanoren e fshatit është një qiparis i vogël, që as hedh shtat, por as thahet. Të moçmit thonë se është simbol i vazhdimësisë së jetës.
Tregime epike lidhen me përroin e Mardhës, në krye të kanionit të mrekullueshëm të Gjipesë, ku u hodhën drejt vdekjes një tufë vajzash për të mos rënë në duar të pushtuesve; thuhet po ashtu se Jeronim De Rada, me rrënjë të hershme nga Himara, i ka vendosur ngjarjet e poemës së tij “Këngët e Milosaos” në Skutara të Vunoit. Skutarai është një kodër në dalje të fshatit, drejt Himarës, ku shihen ende gjurmët e një banimi të hershëm, një mjedis pastoral, sikurse duken rrugët e gurta, shkurrnajat, lisat dhe poshtë bregu poetik i Jonit, teksa pulëbardhat fluturojnë mbi det.
Por nëse këto mund të merren edhe si pandehma tashmë është e provuar se Odise Kasneci nga Vunoi dhe Jani Kocani nga Dhërmiu morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Në rrjedhat e kohërave vunjotësit kanë qenë të ndjeshëm dhe aktivë ndaj ngjarjeve historike, në krahinë, në tokën e të parëve të tyre, ashtu edhe te fqinjët, në Greqi, gjë që jo rrallë e ka patur koston e vet.
Në mesin e shekullit të shkuar ata morën pjesë në luftën antifashiste, ku simbol i fshatit mbetet Zaho Koka. Në reflektimet e ditëve të sotme ai është pa mëdyshje hero dhe viktimë, pasi luftoi trimërisht kundër pushuesve, sikurse u bë kurban i atyre me të cilët e bashkoi çlirimi i vendit. Zaho Koka në ato vite u lidh në një dashuri të madhe me Ramize Gjebrenë, gjithashtu në forcat partizane, gjë që i kushtoi jetën si njërit dhe tjetrit.
Por mbi të gjitha Vunoi është vendi i arsimdashësve dhe njerëzve të dijes, i intelektualëve të shquar që i kanë dhënë shumë kulturës sonë kombëtare. Nga ky fshat është Odise Grillo, shkrimtari i talentuar i letërsisë për fëmijë, autor i shumë librave, këngëve, botimeve enciklopedike.
Po të shkosh ditëve të verës në Jal, një plazh i bukur dhe kurativ, do të takosh regjisorin e madh, Dhimitër Anagnostin me të shoqen, aktoren e mirënjohur Roza Anagnosti. Dhimitri është “djalë bregu”- siç thonë në ato anë - dhe krijimtaria e tij i ka rrënjët në Bregdet, në historinë e familjes së tij e mbushur plot me patriotizëm. Pa e tepruar mund të themi se Anagnosti është një personalitet dhe vepra e tij i bën nder Vunoit, Himarës dhe gjithë Shqipërisë. Krijimtaria e tij është një gur themeli në artin shqiptar që do t’u mbetet kohërave. Në vitet vitet ’30-të të shekullit të kaluar shtëpitë e Anagnostëve ishin shkollë dhe internat, ku vinin vajza nga Jugu i vendit dhe mësonin zanate: qëndismën, tezgjahun, gatimin.
Nga ky fshat janë edhe aktorët e njohur të teatrit dhe filmit shqiptar: Robert Ndrenika dhe Anastas Kristofori. Ata kanë lënë një trashëgimi të pasur rolesh, karakteresh, dhe pa mëdyshje janë produkt i shpirtit himarjot në gjithë gamën e vet.
Atdheu fillon nga prona
Pamjet e fshatit të sotëm mund t’i gjeje edhe para 20 a 30 vjetësh, sepse Vunoi pak ka ndryshuar. Thuajse po ato shtëpi, po ato rrugë, ku ndonjë ndërtim i ri më shumë ia ka prishur bukurinë duke zhbërë atë traditë të mrekullueshme të ndërtimeve në Rivierë. Kisha e fshatit u dogj gati 10 vjet më parë, në ditët kur kishte mbaruar restaurimi i saj!
-Kush i vuri flakën – pyeta një të njohur aso kohe.
-Ne e ruajtëm në ditët më të vështira…pyesni më mirë ata që shkuan! - dukej që burri ish prekur në sedër.
Si për ironi kisha kish qenë monument kulture!
Para ca vitesh në Jal të Vunoit u prishën disa ndërtime, pa leje, siç u tha, duke hedhur në mes të detit miliona lekë të mbledhura me mund dhe djersë në mërgimin e vështirë. Natyrisht shteti s’kish pse bënte sehir dhe një ditë të bukur të bënte gjëmën!
Të moshuarit jetojnë me brengën e viteve të rinisë, të asaj kohe të largët kur nga çdo rrënjë ulli merrej gati një kuintal prodhim, kur në dimër bregu zverdhte nga portokallet dhe gjithë vitit karvanët e ngarkuar me djersën e njerëzve të punës ngjiteshin në fshat.
“Kanë ikur djem e vajza, nuk punon më rinia dhe fusha ka mbetur e shkretë!”
Të gjithë në një emigracion të çuditshëm si jashtë ashtu dhe brenda vendit.
Në fakt emigracioni ka qenë pjesë e Vunoit, si edhe gjithë krahinës. Po ai i shekullit të kaluar ka qenë me të vërtetë dramatik. Në vitet ’60 kur kish mbaruar kolektivizimi filloi braktisja e madhe: të gjithë donin të iknin dhe u turrën drejt Vlorës, Tiranës, Fierit, Elbasanit, deri në Shkodër.
Fusha, sakrificat e breznive të para nuk kishin asnjë kuptim për të rinjtë që e ndjenin veten të huaj në pronën e të parëve të tyre. Pas viteve ’90 ia behu braktisja e dytë më e madhe dhe sot për sot gati e pakthyeshme. Kështu thuajse “të dy palët” ndihen “të huaj” në vendlindje, madje jo rrallë e shohin njëri-tjetrin shtrembër, në mos me armiqësi sepse ligji i jep të drejtë njërës palë të marrë pronë të prindërve të vet, kurse tjetrës jo!
Kështu shpeshherë të duket sikur Vunoi i takon së kaluarës, sepse historinë, jetën, të ardhmen e bëjnë njerëzit nën fjalën e mençur “atdheu fillon nga prona” përndryshe s’u mbetet gjë tjetër veçse të mbeten të largët!.
“Ne kemi mbetur në mes të detit - më thoshte një emigrant nga Vunoi - dikur mësues. Matanë, në Greqi, Itali a gjetkë ndihemi të huaj, por edhe kur vijmë këtu prapë të huaj mbetemi.”
“Na duket sikur na kanë vënë traun e kufirit në rrugën e Llogorasë!. Duam të shkojmë, po ku? Të tjerë po bëhen zot në djersën e të parëve tanë!