Të skijosh në Valbonë është një kënaqësi e rrallë, për një skiator apo snowboard-ist me përvojë ski-alpinistike. Terreni është i jashtëzakonshëm dhe sasitë e dëborës që grumbullohen gjatë periudhës Dhjetor - Prill, “konkurojnë” luginat e Zvicrës dhe Austrisë.
Valbona në dimër fle nën petkun e dëborës derisa, shkojmë ta zgjojmë rregullisht prej disa vitesh, së bashku me miq të vjetër dhe të rinj nga të katër anët e botës, të etur për të skijuar terren të pjerrët e të pashkelur.
Chamonix në zemër të Ballkanit
Lajmi i një lugine spektakolare “të virgjër” , është tashmë përhapur në komunititetet e skiatorëve të jashtë pistës në shumë vende, pasi fotografët dhe gazetarët mbi ski kanë bërë një punë vërtet të shkëlqyer - në Europë dhe Amerikë në tre vjetët e fundit është botuar një mori artikujsh dhe reportazhesh në revista prestigjoze për Valbonën tonë.
Atletë dhe profesionistë të njohur të skijimit të lirë 0 si Eva Walkner, Maxime Rey, Adam U, Martin Winkler, etj., kanë shtuar në CV-të e tyre edhe lëshime të para marramendëse në shaptet e thikta të Valbonës.
Pra interesi sa vjen dhe po shtohet, dhe nëpërmjet kësaj pune zbavitëse po synojmë të bëjmë të mundur që pas disa vitesh lugina të ketë të njëjtën gjallëri në dimër e pse jo edhe më tepër se gjatë muajve të verës.
Edhe unë dua të skijoj!
Gjatë ekskursioneve tona - shpesh ekstreme - nuk mund të anashkalonim vështrimet plot kureshtje të vogëlushëve të Valbonës të cilët në dimër jetojnë përbri një cirku dëbore të mrekullueshëm - por “pa pasur bileta hyrjeje’ për në të, pasi përveç dikujt që mund ti ketë gdhendur babai ndonjë palë ski artizanale, askush nuk kishte pajisje për të skijuar.
Miqtë nga Chamonix - Francë, grumbulluan me shumë dashuri një makinë plot me ski, sërfe dëbore (snowboard), rrathë dëbore, slita, dhe veshje dimërore, e cila pas një udhëtimi të gjatë kaloi si me magji bezdirat doganore për t’u shpërndarë në zemër të Valbonës në duart e fëmijëve të luginës.
Qenë çaste vërtet të lumtura, dhe sivjet synojmë sërish të sjellim edhe më tepër pajisje, shoqëruar dhe me një kurs pregatitor për gjeneratën e re të skiatorëve alpinistë shqiptarë!