Mirëse vini në Gjinar, tek Shtëpia e Traditës, e mikpritjes dhe e vlerave
Rritet turizmi i bujtinave edhe në malësitë e Elbasanit
Sot, në vitin 2017, kur turizmi natyror e ai rural në Shqipëri, janë konturuar dhe po bëjnë hapat e parë të sigurt, disa zona e kanë të zhvilluar më shumë këtë ofertë turistike. Njëra prej këtyre zonave është edhe Shpati, me kryeqendër Gjinarin, i cili në pesëvjeçarin e fundit, gradualisht është kthyer në një fshat turistik shumë të preferuar për turistët e huaj, dashurues të natyrës, por edhe nga shqiptarët që tashmë po e shikojnë edhe ata mundësinë e shijimit të turizmit natyror. Për këtë arsye, shumë prej shtëpive të Gjinarit u kthyen në bujtina për të pritur turistët, madje u ngritën edhe struktura të reja pritëse, për shkak të fluksit që rritet çdo vit.
Kështu lindi në hyrje të Gjinarit edhe një shtëpi e vogël dhe e bukur, që në pamje të parë ngjan me një shtëpi përrallash. Është Shtëpia e Traditës, ajo që ju uron e para mirëseardhjen në fshatin e bukur malor, e që don t`ju tregojë se qëndrimi juaj këtu qoftë për një natë, qoftë për më shumë netë e ditë, do të jetë veçse i rehatshëm e mbresëlënës.
E ndërtuar sipas traditave të Shpatit, me kombinimin e gurit me dru, me arkitekturë të këndshme e ambiente të ngrohta e mikpritëse, Shtëpia e Traditës, pikërisht këtë ka si qëllim, që t`i ofrojë turistit ngrohtësinë e shtëpisë e jo thjesht një dhomë hoteli. Oxhaku në dhomën e ndenjjes, një gotë verë pranë zjarrit, bisedat me miqtë e rastësishëm që do të gjeni në bujtinë, e shton pa masë kënaqësinë e qëndrimit në Gjinar. Është shumë e rëndësishme që të ndjeheni mirë, për të qenë të çlodhur e të freskët, nëse për shembull keni vendosur që Gjinari ta vizitoni në mënyrë aktive, duke organizuar ture ose ekskursione në zonë. Ardjani do t`ju ndihmojë jo vetëm për qëndrimin tuaj tek Shtëpia e Traditës por edhe që të njiheni më mirë me të gjithë zonën e Shpatit, të vizitoni kishat, të bëni piknikë në natyrë e pse jo, të planifikoni edhe në ditët kur ka festa lokale, të cilat këtu organizohen me shumicë. E ku ka më bukur se pushimet tuaja të pasurohen me festën “Miqtë e Malit” ku përveç të gjitha gjërave të bukura që ka festa, si ushqimet tradicionale, panairet, lojrat, të shijoni edhe këngët dhe vallet e bukura të Grupit të Shpatit. Ky grup ka dhënë me dhjetëra shfaqje brenda e jashtë Shqipërisë dhe është pjesë e pandarë e të gjitha festave që bëhen në Gjinar dhe në të gjithë zonën e Shpatit.
Shtëpia e Traditës nuk është shumë e madhe e ndoshta nuk mund të presë shumë turistë njëherësh, por është një shembull i shkëlqyer se si duhet të ndërtohen strukturat pritëse në një fshat turistik, që të plotësojnë shumë standarte e jo vetëm atë të fjetjes, nëse nesër duam të kemi një turizëm të qëndruseshëm e me vlera. Investime të tilla duhet të shihen si modele për të ardhmen, kur Gjinari do të mbushet plot me turistë e kur shtëpitë e tjera që do të ngrihen të jenë si Shtëpia e Traditës, një shtëpi ku turisti ndjehet mik e ikën me mbresa të paharrueshme.
Në hyrje të Gjinarit, Elbansan, Albania; Tel.: +355 69 27 83 560
email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.; This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.