Marin Mema:  Shqipëria tjetër është ajo e vërteta

Marin Mema: Shqipëria tjetër është ajo e vërteta

Written by Ilirjan Gjika on Monday, 26 September 2016. Posted in Intervista

Gazetari i njohur sjell një Shqipëri ndryshe, përmes cikleve televizive historike dhe turistike

Marin Mema:  Shqipëria tjetër është ajo e vërteta
Turizmi historik dhe ai kulturor përbëjnë dy nga komponentët më të rëndësishëm që sjellin prurjet më të mëdha të vizitorëve në sektorin e turizmit në botë. Në këtë drejtim nuk bën përjashtim edhe vendi ynë. Janë me mijëra turistë që në çdo stinë të vitit “mësyjnë” drejt parqeve dhe siteve arkeologjike, kishave dhe manastireve mesjetare, xhamive dhe teqeve, kështjellave dhe kullave, monumenteve dhe rrënojave, atje ku vijojnë të ruhen vlerat e së kaluarës. Dhe nëse nuk do të ishte puna e albanologjisë, jo vetëm të huajt por edhe shqiptarët nuk do ta njihnin Shqipërinë, së bashku me historinë, traditat, monumentet, kulturën materiale dhe folklorin e saj. Por “Jeta është e shkurtër dhe shkenca e gjatë”, thotë një proverb i huaj, fakt që përshtatet me realitetin. Nëse nuk do të ishte televizioni, ky mjet i fuqishëm i komunikimit masiv, albanologjia, pavarësisht botimeve të shumta nuk do të siguronte “marketingun” e duhur të kulturës sonë. Këtu, meritë të madhe kanë televizionet kombëtare dhe natyrisht edhe gazetaria televizive. Pikërisht një nga njerëzit që ka bërë më shumë në këtë drejtim është padyshim gazetari i mirënjohur Marin Mema. Për mëse një dekadë, nëpërmjet dy emisioneve të tij ‘’Shqipëria tjetër’’ dhe ‘’Gjurmë shqiptare’’, ai ka sjellë përpara ekranit atë anë të panjohur të historisë sonë. Nëpërmjet një pune kolosale dhe të jashtëzakonshme ai dhe ekipi i tij i kanë rënë kryq e tërthor territorit të shtetit shqiptar por edhe  të hapësirës ku  jetojnë shqiptarët, për të dëshmuar thesaret e mëdha të kulturës sonë, të krijuara me aq mund dhe durim ndër shekuj. Pikërisht për zbulimin dhe evidentimin e tyre, gazetari i njohur, tregon eskluzivisht për revistën Travel punën dhe përpjekjet e tij.
1-Gjithmonë në lëvizje plot ritëm, vrull dhe ambicje për zbulime të reja, fakte që duket se tregojnë që  nuk do të ndaleni kurrë. Kaq e fortë është lidhja juaj me këtë profesion?
 
Nuk është thjesht lidhje me profesionin por edhe dëshirë per të treguar vendin tim. Shqipëria është një vend i bukur që fsheh mrekulli, të cilat presin të tregohen, të dalin në dritë, të ruhen e të kthehen në destinacione të vërteta turistike. Nga sa kam patur mundësine të udhëtoj në këto vite mund të them me siguri se ne përdorim vetëm 1%  të burimeve tona të vërteta. Shpesh them se këtë vend zoti e ka dashur pafund, sepse pavarësisht sesa shumë e kemi shkaterruar në këto 25 vjet, bukuritë nuk i mbarohen. Le t`i japim pra më shumë frymëmarrje, më shumë dashuri, më shumë forcë e mbi të gjitha, më shumë zë këtyre vendeve.
 
 
2-Vetëm në terren dhe asnjëherë në studio. Diçka e çuditshme për një gazetar. Mos ka të bëjë me ushtrimin e sportit, sepse që pas shkëpujtes nga pasioni i fëmijërisë dhe rinisë suaj të hershme, futbolli, nuk ju shohim më të stërviteni?
 
Vazhdoj të stërvitem rregullisht, atëhere kur mundem. Sigurisht sporti është një dashuri e madhe, ashtu siç është po aq e madhe edhe dëshira për të sjellë të renë, e sigurisht e reja nuk është as në studiot e ftohta e as në baret e restorantet luksoze. Është bukur të baltosesh për të sjellë diçka të ndryshme, diçka që mbetet dhe nuk harrohet menjëherë sapo fiken dritat. Media ka nevojë për oksigjen, e sigurisht në sallat e mbyllura ai mungon ose është i kufizuar.
 
3-“Shqipëria Tjetër” është një nga emisionet më të dashur dhe më të ndjekur nga publiku. Përse e keni titulluar kështu?
 
Pas Shqipërisë tjetër, fshihen njerëzit e thjeshtë, problemet e tyre, fshihen zona të tëra , fshihen monumente natyre dhe kulture, fshihen histori të harruara. Në thelb të gjithçkaje është ajo Shqipëri që ne ose kalojmë shpeshmi pa e vënë re, ose e konsiderojmë shumë larg nga realiteti ynë. E pra, Shqipëria nuk është veç qytete të mëdha, por edhe ato zonat e humbura, ato zonat pa mundësi, ato zona ku zëri i banoreve nuk dëgjohet kurrë. Shqipëria tjetër është në Lure, është në Vithkuq, është në Bulqizë, është në Kelmend, është në Luaras, në Martanesh, në Nikaj Mërtur, është në Lekas, ashtu siç është në Gjirokastër, në Shkodër në Ersekë , Tropojë e kudo. Është një hapësirë që synon të sjellë të vërtetat pë doreza dhe pa ngjyrime. Shqipëria tjetër është Shqipëria e vërtetë.
 
4-  “Gjurmë Shqiptare” është një tjetër titull i goditur , por më specifik për nga karakteri si emision historik, i cili i ka shërbyer shumë edhe promovimit të turizmit kulturor. Pse hape një rrugë të re në rrëfim ?
 
“Gjurmë Shqiptare” është një hapësirë për të treguar historinë e kombit tonë, pasuritë që ai fsheh. Ju siguroj se ne e njohim shumë pak këtë histori, ose njohim vetëm disa elmentë të saj. Çdo zonë nëse studiohet ka ç`të tregojë dhe të sjellë nga e shkuara e saj. Kemi shumë nevojë të njohim vetveten, sepse pa njohur të shkuarën si mundet të ndërtojmë të ardhmen?
 
5- Si një nga njohësit më të mirë të hapësirës shqiptare, çfarë do t`u rekomandonit të apasionuarve pas këtij lloji turizmi ? Përse turistëve të huaj dhe vendas do t`u duhej të vizitonin pasuritë tona kulturore ?
 
Sepse Shqipëria është një perlë që 25 minuta nga kryeqyteti të ofron detin e Durrësit, 1 orë e 30 minuta liqenin e Shkodrës, për të pasuar më pas në Theth, Kelmend e me radhë. Dy orë nga kryeqyteti mund të shkosh në Pogradec, dhe përreth 3 orë në Korçë e më pas në Kolonjë. Për jo shumë km jë në Divjakë apo në bregdetin e Fierit , Vlorë e në jugun e magjive. Për po aq je në Gjirokastër. Por Shqiperia ka edhe Berat, ka edhe Lezhë, ka edhe Shëngjin. Mund te rrish edhe në kryeqytet dhe të zbulosh kalanë e Dajtit, atë të Petrelës, qytetin antik të Persqopit, atë të Ndroqit, Tujanit, Vaqarrit e kështu me radhë. Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm që siç thashë edhe më sipër, deri me sot ka shfytëzuar shumë pak nga mundësitë e saj.
 
6-Duke prekur, njohur dhe dokumentuar gjithçka që keni vizituar në terren, cilat do të ishin disa nga këshillat tuaja për mirëmbajtjen e vlerave tona historike dhe arkeologjike?
 
Së pari duhet të fillojme t`i njohim, t`i studiojmë siç duhet, të analizojmë atë që këto monumente na sjellin e më pas të ringreme vlerën e tyre. Shteti duhet domosdoshmërisht t`u japë rëndësine që u takon. Të jeni të sigurtë se ata turistët e huaj që ne i citojme kaq shume, nuk vijnë për pallatet e larta dhe betonin mbytes, por vijnë për natyrën e paprekur (aty ku ka mbetur e paprekur) dhe këto monumente historike. Fatmirësisht Shqipëria ka pa fund monumente që duhen kthyer në vende të vizitueshme dhe që sot pak njihen nga publiku i gjerë. Tani më vijne në mend shumë të tilla, duke filluar nga Kalaja e Matohasanajt jo larg Tepelenës, ajo e Olimpes në Lumin e Vlorës, Drishti i famshëm, Albanopoli, vetëm pak km nga kryeqyteti, qyteti i Hijes së Korbit në Maliq, Guri me Qiell apo Sofra e Zotit në Vranisht, kalaja e Shën Triadhës, jo larg Gjirokastrës, kalaja e Grezhdanit në Dibër, ajo në Kardhiq,  Palokastra, kalaja e Hollmit në Qinam të Kolonjës, ku është gjetur një nga thesaret më të famshëm , kalaja e fshehte e Skënderbeut jo larg Laçit por edhe vetë fortifikimi i këtij qyteti, kalaja e Zhulatit, apo rezidenca e Kastriotëve në Gur të Bardhë, jo larg Klosit. Sa të tilla ka. Janë pa fund. E të gjitha presin të flasin me gjuhën e shekujve. Ne duhet t`u japim zë…
 
7- Së fundmi ndonjë mesazh për revistën Travel dhe lexuesit e saj, meqë ata janë të gjithë të lidhur me turizmin.
 
Le ta duam pak më shumë vendin tonë. Mjafton vetëm pak. Të mos hedhim një mbeturinë sado e vogël qoftë, të mos presim një pemë, të mos ndukim asnjë monument, të mos gjuajmë kohë e pa kohë, të respektojmë këdo në rrugë, të ruajmë atë që na bashkon të gjithëve, Shqipërine tonë. Kjo është ta duash këtë vend.
             
Marin Mema  jetëshkrim.
Marin Mema lindi në Tiranë më 22 mars 1981, ku aktualisht banon edhe sot. Në vitet 1995-1999 ndoqi mësimet në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja "Asim Vokshi". Më pas studjoi në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua për gazetari në vitin 2003, ndërsa për dy vite të tjerë studion për master në shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Si përvoja profesionale mund të përmendim fillimisht atë të gazetarit sportiv, ku në vitet 1996-1998 e gjejmë në gazetën “Sporti Shqiptar”. Më pas për gati një vit punon në gazetën “Populli”, për të ardhur në vititn 2002, ku deri më sot punon si gazetar në televizionin Top Channel dhe gazetën “Shqip”. Është realizues i ciklit "Shqipëria Tjeter" që transmetohet çdo të hënë në Top Channel dhe çdo të martë në Top News.
Marin Mema është njëhkohësisht edhe autor i më shumë se 300 reportazheve mbi problemet sociale, të drejtat e njeriut dhe zhvillimet politike në Shqipëri, që prej kohës së komunizmit e deri në vitet e tranzicionit. Por ai ka realizuar edhe dhjetëra dokumentarë me karakter historik dhe aktual, ku janë përfshirë vende si SHBA, Greqia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, etj. Në fushën e krijimtarisë letrare, Marin Mema, ka publikuar  romanin “Qetësi shurdhuese” (2003) dhe përmbledhjen me poezi, “Çmenduria e Fundit” (2004).
Në vitn 2008 është trajnuar në Strazburg nga Këshilli i Europës dhe Universiteti Veror mbi demokracinë si dhe nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike dhe Këshilli i Europës. Në vitin vitin 2009 ka ndjekur trajnimin nga dhe Fondacioni AFP dhe FCI mbi gazetarine në media dhe integrimin europian
Marin Mema është fitues i disa çmimeve si: Çmimi i parë për reportazhin më të mirë investigativ mbi çështjen e vetëvrasjeve të femijëve në vitin 2005; Reporteri më i mirë në vitet 2011-2012, i zgjedhur nga Akademia e Pavarur e Audiencës; Një nga dhjetë personalitetet e vitit 2012, zgjedhur nga revista "Klan"; Ambasador i vullnetit të mirë për diversitetin kulturor nga PNUD në vitin 2013; Një nga dhjetë personalitetet e vitit 2013 i shpallur nga një sondazh i publikut, i realizuar nga Top Channel; Gazetari më i mirë për vitin 2014, zgjedhur nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë; Njeriu i vitit 2015 i shpallur nga Fondacioni Harpa, etj.
Në vitin 2015 me reportazhin mbi fshatin Malbardhë në ciklin ‘’Shqipëria Tjetër’’ renditet në vendin e pestë mes 100 kandidaturave nga e gjithë bota për çmimin “Jacques Chirac” në Francë.
Nën akuzën e rrezikut për sigurinë kombëtare shpallet “Non Grata” në vitin 2012 nga shteti grek si pasojë e emisioneve të realizuara në zona të ndryshme të Çamërisë. Ndërsa në vitin 2016 arrestohet për disa orë në Shkup nga njësia speciale maqedonase teksa përgatiste një dokumentar për historinë e vërtetë iliro-shqiptare të këtij qyteti.
5.0/5 rating (1 votes)

Hits

18415

About the Author

Ilirjan Gjika

Gazetar, historian, studiues. Nje nga bashkepunetoret e pare te Revistes Travel, mjaft aktiv ne shtypin e perditshem dhe botues i disa librave ne fushen e histori-arkeologjise. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.