Majat e Ballkanit – një aventurë pa kufij
"Fondi i hapur rajonal për Europën Juglindore", dhe "Nxitja e Tregtisë së Jashtme", GIZ, organizoi udhëtimin e ecjes malore “Nëpër Majat e Ballkanit”. Nga data 15- 19 Qershor 2011, me pjesëmarrjen e grupeve të tre shteteteve kufitare, Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria. Qëllimi i këtij rrugëtimi ishte promovimi i një shtegu të ri për ecje ndërkufitare për turizmin malor. Unë ftohem të marr pjesë në këtë ecje malore nga Shpresa Smajli e GIZ, në Shkodër. Peisazhet, intinerari si dhe fryma e bashkëpunimit të secilit prej anëtarëve të grupit ishin arsyeja që ky udhëtim ishte aq i bukur e i suksesshëm. Mbeta i mahnitur nga bukuria e këtyre maleve, gjatë këtij shtegtimi, nga përzermërsia dhe bujaria e njerëzve të krejt vendeve nga kaluam. Kjo bëri që ky udhëtim të ishte një ndër më të bukurit që kam patur në jetën time e për këtë t’jua rekomandoj dhe juve. Është e pamundur të sjell plotësisht çfarë unë kam përjetuar në këtë shtegtim, por disa detaje të kësaj përvoje, me shumë kënaqësi mund t'i përshkruaj...
Dita e Parë:
U nisëm me një furgon nga Shkodra, pasi rrufitëm shpejt e shpejt kafen e mëngjesit, duke e përdorur si pretekst për t'u prezantuar me shokët e aventurës. Nga më parë njihja Rozë Rupën dhe Gjonin e restorant "Traditës". Njëri prej djemve nga Tirana e shkrepi një foto me sfond Kalanë e Rozafës. Teksa ne
pregatiteshim për shkrepjen mbi urën e Drinit në Bahçallëk, Shpresa, përfaqësuesja e zyrës së GIZ, na telefononte herë pas here, pasi ndodhej në një mjet tjetër, bashkë me pjesën e mbetur të grupit, ku ishte dhe Tina, vajza simpatike gjermane, drejtuesja e këtij projekti me qendër në Bosnje Hercegovinë.
Udhëtimi ka marrë formë, ndërkohë në krahun e majtë të rrugës na shfaqen një e nga një të tria urat e lumit Mat, i cili herë e mbledh dhe herë e hap shtratin e tij. Kreshniku, një nga djemtë shkodranë por pjesë e grupit nga Tirana, me zanatin e tij të inxhinierit na flet për Urën e Zogut. Është ndërtuar nga italianët me teknikën më bashkëkohore të kohës, si një eksperiment që t'i rezistojë kohës - thotë ai.
Autostrada Milot-Morinë, ofron një panoramë të mrekullueshme nga të dy anët e saj. Pastërtia e asfaltit të zi dhe dekoracionet e bardha të sinjalistikës, i japin peisazheve një estetikë ku çdo shkrepje do t'ia vlente. Sapo kemi lënë doganën e Morinës e tashmë jemi në shtetin më të ri të Europës, në Kosovë, ku edhe takohemi me pjesën tjetër të grupit nga Tirana. Pasi mbërrijmë në Pejë, marim rrugën për në grykën e Rugovës. E, ndalesa e parë sigurisht është tek ujvara. Vazhdojmë përsëri me makinë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes në lokalin “Mulliri”. Aty marrin pjesë autoritet lokale, të cilët kanë shtruar edhe një drekë për këtë rast, duke na bërë të shijojmë të kënaqur produktet e zonës.
Menjëherë pas dreke rreth orës 16.15 nisemi në këmbë dhe ecim rreth dy orë, duke përshkuar distancën prej 4,2 km në ngjitje, deri në kompleksin "Guri i Kuq" ose ndryshe "Liqenaku". Të dhënat unë i marr nga Endrit Shima, djali nga Tirana, që ka me vete një aparat GPS.
Dita e dytë:
Eshtë ora 07.15 dhe grupi ynë miks jo vetëm nga shtetësia dhe gjinia, niset për rrugëtim me destinacionin Babino Polje, Mali i zi. Informohem nga Gjemajl Kelmendi, pjesë e grupit kosovar dhe njëkohësisht nënkryetar i Federatës së Bjeshkëtarëve e Alpinistëve të Kosovës, që terreni do të jetë shumë i thyer, pasi do të ngjitemi mbi 1000 metra nga lartësia aktuale, për të zbritur më pas rreth 500 metra. Stacioni i parë i pushimit është një krua jo larg dy liqeneve në afërsi të Lugut të Shkodrës, në Bjeshkët e Roshkodolit. Lugu i Shkodrës ka marrë këtë emër pasi ka qenë rruga lidhëse mes Pejës dhe Thethit të Shkodrës. Në vendin e quajtur Zavojë bëhet edhe diferenca mes atyre që e kanë për herë të parë dhe profesionistëve, të cilët "na e lenë hijen" duke kapur të parët kufirin me Malin e Zi. Sipas Endrit GPS tregon që lartësia në pikën e kalimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është 2470 metra. Në orën 16.15 mbërrijmë në Babino Polje, ku Stanica, përfaqësuesja e GIZ në Mal të Zi na prezanton me forcat e policisë të cilët miqësisht na urojnë mirseardhjen në gjuhën serbokroate. Meqë kalimi nuk bëhet në pikat e kalimit kufitar zyrtar në të tre shtetet, forcat e policisë na e kanë ofruar këtë shërbim ekstra, pas një kërkese të GIZ tek të gjitha shtetet ku do të kalojë shtegtimi ynë. Në Babino Polje, akomodohemi në një shtepizë dykatëshe druri, që sapo është ndërtuar, pronë e Vasvije Alija, 61 vjeçe. E gjithë familja e saj na mirëpret shumë perzemërsisht dhe aty kalojmë natën, duke pushuar për tu bërë gati për të nesërmen.
Dita e trete:
Vasvija, e zonja e shtëpisë na ka përgatitur për mëngjes kaçamak, pasi është një gatim tradicional, me vlera ushqyese, e që të mban gjatë, thotë ajo, se ju keni shumë rrugë për të bërë. Destinacioni ynë sot është qyteza e Plavës, e pozicionuar buzë liqenit që mban të njëjtin emër. Organizatorët kanë menduar t’ia marrim më shtruar sot pasi shumë nga ne i ndjejnë dhimbjet nga plagët e lehta të shkaktuara nga ecja e një dite më parë, me distancën prej 16 km, e përshkuar për rreth 8 orë. Nisemi në orën 10.30 në rrugën tatëposhtë me asfalt, e cila është tërësisht nën hijen e pemëve të larta në të dy krahët e rrugës. Pasi kemi ecur rreth 40 minuta, ngjitemi në një degëzim në krahun e majtë, duke lënë asfaltin dhe ecur në një rrugë të pashtruar, por sërish në mes të gjelbërimit të pemëve. Mbërrijmë në Plavë rreth orës 13.00. Akomodohemi në kompleksin "Aqua", buzë liqenit të Plavës, që për nga gjeneza është liqen akullnajor, që shtrihet 901 metra mbi nivelin e detit. Këtu ashtu si edhe ne Pejë, ka ardhur për të na përshëndetur kryetari i komunës, z. Skënder Šarkinović, dhe autoritete të tjera nga Plava dhe qeveria e Malit të Zi. Pasdite vizitojmë krojet e Ali Pashë Gucisë, një burim natyror shumë madhështor rreth 5 km larg qytezës së Plavës. Uji i kristaltë i burimeve sikur bashkohet dhe qëndron në ekuilibër me ndërtesat e dy mullinjve të ndërtuar që nga koha e ish-Jugosllavisë. Ata janë jashtë funksionit, gjë që më bën të mendoj se akoma nuk kanë kaluar në procesin e privatizimit. Buzë tyre ka marrë jetë një biznes i ri, restoranti "Krojet", një ndërtesë shumë madhështore, e ndërtuar gjysmë xham dhe gjysmë gur.
Dita e Katërt:
Aventura jonë vazhdon, këtë herë organizatorët kanë prenotuar dy mjete ushtarake me targa civile që bëjnë transportin tonë në drejtim të fshatit Vuthaj. Rrugës bëjmë ndalesën e parë në ujvarën e Crkos, në Vuthaj dhe më pas në Syrin e Kaltër. Mua m'u duk se ishte pothuajse i njëjtë me Syrin tonë të Kaltër në Sarandë, por terreni rreth tij ishte më i shtruar. Udhëtimi ynë me makinë merr fund pikërisht aty ku është i pamundur përdorimi I saj, pasi rruga është e dëmtuar nga ujrat e shumta të dimrit që kemi lënë pas. Pas një fotoje, grupi rinis rrugëtimin në drejtim të kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Pas rreth një ore ecjeje, arrijmë në piramidën 16/8, shenjë që na tregon se tashmë ne kemi hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Anduela, vajza nga Tirana me origjinë dibrane pozon për mua duke u ngjitur në piramidë. Pas një fotoje kolektive aty, ne vazhdojmë të ngjitemi në një terren të thyer nën hijen e pemëve të larta, ku cicërimat e zogjve të pyllit na shoqërojnë për rreth 30 minuta, aq sa zgjat edhe ecja jonë nën hijen e pemëve. Më pas na shfaqet një luginë e bukur malore me gropa të vogla, të shkaktuara nga dëbora e të mbushura me lule shumëngjyrëshe. Diku në fundin e saj, hasim stanet, të heshtur, pasi duket që nuk i kanë pritur akoma banorët e tyre për këtë vit. Vazhdoj të eci, në shoqërinë e Pr. Ahmet Osja, i cili ndalet lule më lule, duke u bërë foto atyre e duke më shpjeguar për bimësinë në secilin shtet, e cila ndryshon jo vetëm nga shteti në shtet, por edhe nga zona në zonë. Si për të më kujtuar se sa lart ishim, shpeshherë na dilnin para syve trungje të tharë e të djegur, mbetje të pemëve dikur në kohën e vet madhështore. Më së shumti janë pisha të goditura nga shkarkimet e rrufeve në ditët me shi. Heshtja dhe qetësia mitologjike e këtyre majave të maleve, thyhej aty-këtu nga zhurmat e motorrëve të aeroplanëve që fluturonin mbi këto kreshta, duke lënë nga pas përveç uturimës, herë një e herë dy shirita me ngjyrë të bardhë në qiellin me një blu të kthjellët të qershorit. Rreth orës 12.30 më në fund më zënë sytë bunkerin e parë, i cili edhe një herë më siguron që jemi në tokën shqiptare. Disa miq të mitë, të cilët vizituan vendin tonë pak ditë më parë më patën thënë që nuk është mirë që bunkerët të shkatërrohen, pasi kishin dëgjuar që qeveria shqiptare paguante rreth 140 Euro për të shkatërruar një të tillë. Vetëm pas disa metrash ngjitje, më tej shikojmë rrënojat e postës kufitare, e cila kishte funksionuar vetëm gjatë verës. Maja e Arapit me lartësi 2217 metra, këtu shfaqej shumë madhështore, ndërsa në luginën përballë ishin montuar tre katër çadra me ngjyra të ndryshme, të cilat ishin të mbyllura. Me siguri banorët e tyre duhej të ishin në ekspeditë tashmë. Pas shumë hapash të hedhur me kujdes në të tatëpjeten e rrugës për në Grykën e Pejës, vjen një moment ku duhet të jemi edhe më të kujdesshëm në uljen e saj, në rrugëtimin tonë, ndërkohë që shijojmë panoramën e mahnitshme të Thethit, destinacionit final për pjesën më të madhe të grupit tonë.
Dita e Pestë:
E nesërmja do të shënonte shpërbërjen përfundimtare të grupit tonë prej 34 personash, pasi një pjesë e vogël e grupit ka vendosur të vazhdojë sfidën për në Valbonë. Unë dhe një pjesë e madhe e grupit i japim fund aventurës këtu, me nje vizitë në kullën e ngujimit dhe në Ujvarën e Thethit, pasi të nesërmen me duhet t'i kthehem normalitetit. Pas udhëtimit me furgon për në Shkodër, miku im Gjoni i “Traditës” kishte përgatitur një darkë surprizë për të gjithë ne, grupin e djemve nga Tirana dhe nga Kosova në restorantin e tij. Pikërisht aty merr fund edhe aventura ime në shtegtimin ndërkufitar Majat e Ballkanit… Dhe shpresoj shumë që të mos jetë e vetmja....
Kacamaku: Ngrohet uji deri ne vlim, pastaj i shtojme miell misri dhe e perziejme me luge druri. I hapim ne mes te kusise nje ose dy vrima qe nxjerrin ajrin e ngrohte. Pasi e kemi lene per disa minuta duke e perzier ne temperature jo shume te larte i shtojme krype sipas deshires. Kur perzierja te kete marre nje forme e hedhim ne nje tepsi dhe e perziejme me djathe dhe me Kajmak. Kacamaku serviret i ngrohte duke e shoqeruar me kos. Kacamaku gatuhet ne Bosnje, Serbi, Mali I zi, Bullgari, Shqiperi. Sherbehet me qumesht , kos, mjalte, kajmak dhe nganjehere me mish te thate.
Fjalor:
KRUA: Burim uji, që në vendin ku del rregullohet e pajiset zakonisht me një lug, me një lëfyt ose me ndonjë mur të posaçëm; gurrë, burim, vendi ku del burimi;
SHTEG: Udhë e ngushtë këmbësore në mal a në pyll për njerëzit e për kafshët; udhë e ngushtë, e vështirë dhe zakonisht jo shumë e rrahur ose e panjohur, nëpër të cilën depërtojmë ose arrijmë diku;
SHTEGETAR: Ai që merr një rrugë të gjatë, ai që shkon, zakonisht më këmbë a me kafshë, nga një vend në një tjetër; ai që është gjithnjë në udhëtim.
BJESHKE: Mal i lartë me kullota verore. Bjeshkë të larta. Është si bjeshka është e bëshme e plot shëndet.
BJESHKETAR: Banor i bjeshkëve; ai që veron me bagëti në bjeshkë, stanar. Njeri qe frekuenton ecjen malore (KS)
KULLË: Shtëpi e lartë prej guri me dy a tri kate, e ndërtuar zakonisht në një vend të ngritur, me dritare të vogla dhe me frëngji, që shërbente si banesë dhe për mbrojtje; Ne Theth dkur ngujoheshin në kullë pas nje konflikti ne pritje te vendosjes se drejtesise.
KAÇAMAK: Mëmëligë me miell misri; përvëlak.
LUGINË: Vend i ulët midis malesh a kodrash, nëpër të cilin zakonisht kalon një lumë; lug mali; gropë e gjatë me anë jo shumë të pjerrëta. Luginë e bukur. Luginë malore.
PËRRUA: Rrjedhë uji më e vogël se lumi, që zbret nga malet, zakonisht me rrëmbim dhe derdhet në një lumë a në një liqen;
LIQEN: Pellg shumë i madh natyror ose artificial, zakonisht me ujë të ëmbël, që është i rrethuar nga të gjitha anët me tokë. Liqen i thellë (i cekët). Liqen
MAL: Vend shumë i ngritur mbi sipërfaqen e tokës që ka përreth, më i lartë se kodra, me majë a me kreshtë dhe me shpate zakonisht të pjerrëta, që zbresin në lugina.
Nga Kastriot Faci,
Shkoder, 22. 06.2011
Comments (1)
RevistaTravel
reply