Nuk kishim shumë kohë, por do të përpiqeshim të preknim gjithçka nga pak, aq më tepër që miqtë që kishim marrë këtë herë me vete, kishin parë vetëm gjysmën e Rivierës shqiptare, atë të segmentit Vlorë-Qeparo. Është një kohë shumë e mirë për pushime kjo e fillimshtatorit, kohë e cila thuajse të ripërtërin, ndoshta më shumë se dhjetë ditët e gjata që mund të kalosh i shtrirë nën çadër duke shijuar freskuese në shezllon.
Për një kafe te Sofoja
Nuk ishim as vonë as herët, ndalesën e parë të gjatë, e kishim lënë ta bënim në Drimades, në plazhin ku verën e fundit “kanë guxuar” të pushojnë edhe familjet me fëmijë të vegjël, për shkak të ndërtimit të shëtitores së re buzë detit, e cila të jep frymëmarrje dhe të fton t’i shfrytëzosh mirë pasditet e vona dhe mbrëmjet e gjata, pa patur nevojë të ulesh e të pish kafe por edhe thjesht duke i rënë asaj kryq e tërthor e duke thithur ajrin e freskët të Jonit. Mirëpo nëse kalon në Llogora, nuk mund t’i rezistosh as gjelbërimit e as freskisë, për të pirë së paku kafen e mëgjesit nën hijen e pishave të zeza shekullore. Në oborrin e Sofos ato janë të mahnitshme - nuk më erdhi mirë që kishin vënë çadra, sepse duket sikur u prish bukurinë kurorave. E ke të pamundur të mos e pish kafen me kokën përpjetë, teksa freskia e ajrit të detyron se s’bën të hedhësh diçka krahëve. E, natyrisht në Llogora nuk ke nevojë as për ujë me gaz e as për atë pa gaz, kafeja shoqërohet me ujë mali, që ta sjellin me një kanë qelqi e që lebërit i thonë “kabash”. Në mos, mund ta pini drejt e te burimi që Sofoja e ka qëndisur aq bukur.
Në Drimades - vetëm ne dhe deti
Panorama përherë tronditëse e Palasës dhe Dhërmiut, poshtë këmbëve të Llogorasë na shoqëron edhe neve - s’mund të bëjmë përjashtim nga të tjerët - sa herë që zbresim të tatëpjetat gjarpëruese. (Zymtas kujtoj guroren që po shqyen fshehtas Palasën, dashtë zoti e ndalin edhe atë si ca gjëra të tjera që kanë zënë të ndryshojnë). I vetmi që nuk i shijon dot deri në fund nuancat e Jonit, është shoferi. Por dikush duhet të sakrifikojë që të shijojnë të tjerët.
Duke parë smeraldin e ujit që sa më shumë zbret aq më këmbëngulës bëhet, u matëm të kthejmë në Palasë, tek ato rruginëzat e bardha që të çojnë drejt e në det por pastaj ndërruam mendje sepse kishim lënë pa shkelur me këmbë pjesën e fundit të plazhit në Drimades, nga ku përmes një dritareje natyrale mund të shijonim një plazh të magjishëm, fare të pazbuluar. Dhe ashtu bëmë. Çamë përmes ullinjve ku fatkeqësisht jo gjithçka po mbetet e virgjër por gjithsesi e bukur, dhe mbërritëm.
Kush ka shkelur nëpër brigjet e bruzta të Dhërmiut dhe nuk i janë copëtuar këmbët nga gurët e mëdhenj e të vegjël! Por ajo bukuri mahnitëse ta kishte marrë mendjen që atje në fillim të plazhit dhe sandalet e llastikta kishin mbetur në valixhen e udhëtimit, kështu që nuk kishte kuptim të ktheheshe mbrapsht. Vazhduam deri tek fundi i gjirit, aty ku shkëmbi konglomeratik përzihej me dhe të kuq dhe iu ngjitëm rrëpirës së vogël. Miqtë tanë mbetën. Ne e kishim parë disa herë atë peisazh por gjithaq herë ishim shtangur edhe ne. Një plazh i vogël me gurë të imët thuajse të bluar, flinte mes dy qosheve shkëmbore dhe e vetmja gjë që mund të bëninm ishte të zbrisnim poshtë. Kur këmbët na prekën sërish ujin, kthyem kokën nga kodra dhe pamë me trishtim se ne nuk ishim mysafirët e parë të këtij gjirthi. Zgavrat e shkëmbit ishin mbushur plot me plehra, mbeturina ushqimore që kishin mbetur aty nga pushuesit e fundit. Ata me siguri e kishin marrë gjithë lumturinë e mundshme të verës prej atij gjiri dhe zor se do kujtoheshin që çfarë s’hahej e kishin lënë në gojë të shkëmbit. Dhe sipas shumë gjasash, do t’i gjenin sërish aty kur të riktheheshin në verë, natyrisht të zgërlaqura prej motit, nëse bashkia e Himarës nuk kishte vënë dorën në zemër për një pastrim të plazhit në prag sezoni. Edhe dëbora është e bardhë por e dhj… qentë, më erdhi në mend një shprehje popullore teksa hiqja sytë nga plehrat. E për të hequr ndjesinë e pistë, futemi në det. Ai, natyisht bujar e i kristaltë, plot jod e kripë, është i zoti të heqë ndjesinë e pisllëkut e ta zëvendësojë këtë të fundit me atë një çlirimi të plotë e dëshire për t’u kredhur në pafundësi.
Një ngrohtësi si kjo…
U dyzuam mjaftueshëm për një darkë në restorant apo një të tillë pranë zjarrit bubulak buzë detit, që netëve ka një tërheqje të papërshkrueshme. Të vjen të pjekësh misra, kokoshka (sadoqë këto dy kënaqësi të vogla na i kanë shpifur rëndshëm shitësit e plazheve dhe të parqeve) dhe të skuqësh fytyrën në të, pavarsisht se nuk është fare ftohtë. Fryn vetëm erë e dëgjohet zhurma e detit, muzikë e mrekullueshme për veshët tanë, që jemi lodhur me dumdumet e diskove nëpër plazhe, e që tani kanë reshtur më. Dhe, në luftë me restorantin, fitoi zjarri.
Saranda e bukur dhe e pabukur….
Turistët kur futen në Sarandë, vënë duart në kokë, thonë operatorët turistikë, pastaj kur i çojmë në Butrint, thonë “Oh my god!”. Si me thënë, i marrim me të mirë me Butrintin, se po të ishte vetëm për Sarandën, s’do vinin fare. Mysafirëve tanë po u pëlqen çdo gjë në fakt, sepse akoma nuk u janë vrarë sytë me çmendurinë e ndërtimeve, ata shikojnë vetëm detin dhe shëtitoren e bukur. Aty e pimë edhe kafen, që të mos i ngjisnim më lart për të parë më nga afër batërditë. Gjithsesi, vështirë se mund t’i shmangesh panoramës së përgjithshme, sepse apo hedh sytë mbi det, sheh Lëkurësin i cili është vetëm pak metra larg ndërtimit më të afërt, derisa ta mbulojnë fare edhe atë si grami vreshtin. Eh, Saranda është e bukur por duhet të shohësh vetëm detin.
Për Butrint apo për Ksamil?
Tek të dyja do shkojmë por këtej djathtas nga Ksamili duhet të ecësh sërish me syna, si kali, për të mos parë ndërtimet e shëmtuara, kështu bëjmë ne të stërviturit, derisa mbërrijmë tek ishujt. Miqtë mahniten nga ngjyra e ujit, që në fakt duhet thënë se ka një blu karakteristike shumë të thellë, që shpesh ia kalon edhe Dhërmiut. Një brez i madh resh të ngjeshura e borë të bardha, kishin zënë vend në fund të horizontit e dukej që kishin ardhur me mision për ta nxjerrë më në pah blunë e Jonit. Në breg ajo thyhej gradualisht me butësi, derisa bëhej e tejdukshme duke krijuar një pamje mbresëlënëse.
Do ta provonim pak aftësinë nga ishulli në ishull natyrisht. Më i afërti ishte diku tek 200 metra. Nuk kuptohej sa thellë ishte, për shkak të patërtisë së ujit që të gënjen e ta sjell fundin më afër. Atë fund të bukur plot gurë, guaska e korale, që mjerisht po e çrrënjosin me beton e një zot e si di se si do ta ketë fundin. Kemi frikë se mos kur të vijmë herën tjetër, do gjejmë mure betoni rreth e përqark ishujve.
Në Butrint
Vetëm këtu nuk kishim asgjë për të thënë, thjesht të shijojmë atë që kemi shijuar gjithmonë, një prej bukurive të rralla që kemi deri diku të plotë. Nuk është kot parku më i vizituar në Shqipëri. Natyrisht këtu askush s’mund të rrudhte buzët apo të shikone diçka me keqardhje. Heshtja e qytetit, kënga e gjinkallave që kujtonin se ishte ende korrik, fëshfërima karakteristike e eukalipseve në hyrje të parkut, flsinin për një botë tjetër. Të mrekullueshme pa dyshim.
Nën freskinë e përjetshme të rrepeve
Syri Kaltër është një vend ku askush nuk kthehet nga pushimet pa e vizituar. E si mund ta linim ne? Aq më tepër që edhe vapa kishte bërë të sajën dhe kishim nevojë edhe për pak pushim. Dhe nëse kishte një vend për pushim të plotë, ky ishte ai i duhuri. Zhurmat e natyrës s’po na mërziten fare, atje zhurma e detit, këtej zhurma e burimeve që dalin gjithandej me bubullimë e nuk të lenë shans të vendosësh muzikë, e ku ka muzikë më të bukur se ajo e natyrës?
Për fat të keq rrapi pranë burimit tek Syri i Kaltër është rrëzuar, ka mbetur vetëm trungu i tij. Por njerëzit aty janë sërish, bëjnë foto pranë trungut, hidhen e kridhen mbi ujin që nuk ka më shumë se shtatë gradë e të pret brisk, sa nuk mban dot këmbët brenda më shumë se një minutë. Me trishtim shohim se edhe këtu po vijnë shitësit ambulantë e në pak kohë do mbushin zonën e rrepeve jo vetëm me produkte por edhe me mbeturina. Megjithatë, nuk duam ta prishim kënaqëisnë e këtij fundpushimi.
Në kthim.... na presin sorkadhet
Jemi sërish në rrugë. Një fundjavë e ngjeshur, që do kishe qenë mirë të ishte më e shtrirë në kohë por ja që askujt nga ne nuk i tepron koha për të parë secilin prej këtyre vendeve me nge e nga një në çdo ditë. Fundja edhe sikur të kishin qenë më shumë ditë, një ditë do të mbaronin.
Nuk jemi të mërzitur, përkundrazi, jemi të çlodhur e të kënaqur, ndonëse rruga është shumë e gjatë. Por ne do ta bëjmë edhe një ndalesë tjetër. Në Llogora, sigurisht, ku do të kalonim natën e kthimit. Atje na presin sorkadhet.