Çel siparin Panairi Ndërkombëtar i Turizmit 2019 në Tiranë
Event i rëndësishëm i hallkave të ekonomisë, duke e kthyer Prillin në një periudhë të përshtatshme për të vizituar Shqipërinë
Expocity Albania sjell Edicionin e 3-të të Panairit Ndërkombëtar i Turizmit 2019, që do të organizohet në datat 5-6 Prill 2019, në ambientet e Expocity Albania. Këtë vit ky organizim do të ketë edhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Ky panair, i cili çeli sot siparin, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të turizmit rajonal me qëllim inkurajimin e bashkëpunimit dhe promovimit të destinacioneve turistike shqiptare dhe rajonale.
Më në fund, duke hyrë në edicionin e tij të tretë, Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Tiranë mund të konsiderohet një traditë dhe të hyjë natyrshëm në axhendat botërore, duke u quajtur Panairi i Tiranës, siç themi "i Berlinit, i Londrës, i Milanos, i Moskës, i Kievvit, i Nju Jorkut" etj.. Shqipëria, e cila prej tri dekadash ka hyrë në industrinë e turizmit, u pajis shumë vonë me një panair të sajin por tani që e ka, është shumë e rëndësishme që ta ruajë, ta zgjerojë dhe ta shtojë në ditëqëndrime, me qëllim që ta kthejë në burim fitimi për ekonominë, përpos përfitimeve të tjera që vijnë prej takimeve partneriale.
Shpresojmë që vitin e ardhshëm të shikojmë një panair të vetëm e të madh për turizmin me tri ose katër ditë, në vend të tre panaireve rresht njëri pas tjetrit në tre muaj, një për hotele, një për turizmin e një për food and drink. Tre përrenj të rrëmbyer bashkë, e bëjnë lumin më të fuqishëm. Pjesëmarrja e operatorëve të huaj, e bën plotësisht të mundur edhe ardhjen e vizitorëve nga vendet e rajonit dhe lëvizjen përmes këtij eventi të rëndësishëm të shumë hallkave të ekonomisë, duke e kthyer Prillin në një preiudhë të përshtatshme për të vizituar Shqipërinë. Suksese operatorëve dhe partnerëve tanë!