NË PYJET ME DËBORË (TË PUKËS) KA JETË…
Një ditë dimri mes skiatorëve pukjanë
Kur vendosëm që të bënim një udhëtim dimëror, fillimisht menduam se do të kishte qenë bukur të niseshim për në Dardhë ose Voskopjë të Korçës. Mirëpo në momentin e fundit ndërruam mendje dhe e lamë që udhëtimi ynë i radhës të ishte Puka. Për shumë arsye. E para sepse nuk kishim qenë asnjëherë në dimër, e dyta sepse Valbona, menaxherja e Hotel Turizëm Pukës, të cilën e kontaktuam edhe për të prenotuar, na siguroi që rruga ishte plotësisht e kalueshme edhe me makina jo të tipit 4 x 4, madje edhe pa qenë nevoja të vendoseshin zinxhirë. Pastaj ajo na dha edhe një ndihmë tjetër të madhe që na joshi veçanërisht. Na siguroi se mund të bënim ski, madje na dha edhe numrin e instruktorit të skive. Të entuziazmuar se do të mund të na jepej rasti të futnim për herë të parë këmbët në këpucët e skive, i telefonuam shpejt e shpejt instruktorit dhe e pyetëm nëse mund të bënim ski dhe a ishte e përshtatshme koha për një gjë të tillë. “Koha është shumë e bukur, dhe ka mjaftueshëm dëborë për të bërë ski”, - na siguroi ai. “Po sa kushton kjo?” - e pyetëm ne. “Nuk kushton asgjë, argëtimi është falas”. Falas? Kjo ishte shumë e bukur. Nuk e kuptuam sensin e kësaj por nuk e vramë shumë mendjen për arsyet. E rëndësishme ishte që do të bënim ski. Më vonë do ta mernim vesh edhe arsyen se pse ushtrimi i këtij sporti ishte gratis në Pukë.