Shebenik-Jabllanicë, Parku i parë shqiptar që troket në UNESCO
Si po kthehet kjo zonë e mbrojtur e Librazhdit në një destinacion të vërtetë turistik
Bëj kompromis. Këtë herë do të vizitoj pjesën veriore të Parkut. Marrim rrugën në Verilindje të qytetit të Librazhdit, rrugë e ndërtuar 80 vite më parë nga Mbreti Zog për të lidhur zonën me Dibrën. E rikonstruktuar vitet e fundit, edhe pse nuk ka përfunduar deri në segmentin e fundit të saj, rruga është e kalueshme edhe nga makinat e ulëta deri në Fushë-Studen.
Në hyrje të Parkut një tabelë e madhe të uron mirëseardhjen dhe tregon drejtimet që duhet të ndjekësh. Fatmiri, drejtori i institucionit përgjegjës për menaxhimin e Parkut, tregon me mburrje se edhe pse struktura që ai drejton ka vetëm dy vjet që është ngritur, ia ka dalë që, në bashkëpunim me grupet e të rinjve vullnetarë që janë ngritur në shkollat e rrethit, të plotësojë me sinjalistikë horizontale dhe vertikale çdo cep të Parkut. Jo vetëm tabelat buzë rrugëve, por çdo gur dhe dru është kthyer në sinjalistikë që të ndihmon të ndjekësh cilindo intinerar që dëshiron brenda Parkut.
Albert Kaleci, mësuesi i shkollës së vetme të fshatit me 70 nxënës e katër mësues, ka disa vite që bën guidën në Park. Ka ndjekur disa trajnime dhe para disa muajsh është liçensuar edhe nga Ministria e Ekonomisë si guidë lokale. Edhe pse e njeh zonën me pëllëmbë, Berti është gjithmonë të kërkim të zbulimeve të reja. “Një javë më parë zbulova një shpellë të re”, tregon.
Një tjetër ditë, një tjetër intinerar.
Rruga që të çon në Fushë-Studen gjarpëron shpateve, duke të ofruar një panoramë mbresëlënëse me maja të buta kodrash, të cilat ndërthuren me njëra tjetrën si valë deti, që shfaqen dhe zhduken pas çdo kthese. Ndalojmë në fshatin Llangë, ku një grumbull shtëpish tri-katër katëshe prej guri, të tipit kullë, me një dyzinë frëngjish të vogla në vend të dritareve, të përshëndesin nga faqja e kodrës. Përkundruall fshatit, në krahun tjetër të rrugës,një tabelë tregon shtegun për në shpellën e famshme tëKoshorishtit. Zbresim nga makina dhe ndjekim shtegun që pas disa minutash na zbret poshtë nëFushëne Letmit. Tridhjetë minuta më pas ndodhemi në hyrje të Shpellës së Akullit, gryka e të cilës duket si hyrja e një bunkeri të anuar djathtas. Hyrja në shpellë të jep ndjesinë e hyrjes në një frigorifer të madh katror që nuk i duket fundi. Konkrecionet e stalaktiteve dhe stalagmiteve janë të jashtëzakonshme, ndërsa gjithçka është e veshur nga akulli.
Destinacioni i radhës është Monumenti i Kulturës së Kategorisë së Parë, Shpella kishë e Koshorishtit, që ndodhet në mes të një shkëmbi, në faqen jugore të Malit të Letmit. Ngjitja për në grykën e shpellës, 300 m nëpër shkëmbin e thepisur,është një sfidë e vërtetë. Pasi kalon hyrjen rrethore të shpellës gjendesh në një si dhomë me përmasa normale. Ngremë kokën nga tavani për të soditur atë që e ka bërë të famshme shpellën: dy piktura rrethore që ngjajnë si medalione gjigandë, kornizuar me shirita të kuq të varur tek njëri-tjetri, paraqesin skena të njohura nga Bibla. Në rrethin e vogël që ndodhet më lart paraqitet figura e Krishtit, ndërsa në tjetrin, me përmasa thuajse sa dyfishi i të parit, dallohet Shën Mëria me Krishtin fëmijë. Ajo që të lë pa fjalë është se pothuaj edhe pas 1500 vjetësh nga krijimi i pikturave, ngjyrat janë po aq të plota si të ishin hedhur dje. E arta, e kaltra dhe e kuqja e pikturave shkrihen në mënyrë organike me nuancat që merr brendia e shpellës-kishë. Poshtë “medalioneve biblike” ndodhet një pikturë me 8 figura njerëzore, që të vret sytë teksa dallon që dëmtimet që ia ka kursyer koha, nuk ia kanë kursyer vizitorët e papërgjegjshëm, të cilët kanë zhgarravitur emrat e tyre.
Parku Shebenik-Jabllanicë ofron jo vetëm bukuri natyrore për t’u vizituar. Të apasionuarit pas sporteve të ndryshme gjejnë këtu vendin ideal për të ushtruar ecjen, marshimin, alpinizmin, kacavjerrjen, çiklizmin, hipizmin.
Parku ka shumë për të treguar për veten dhe pasuritë e tij. Përfshirja në UNESCO do ta kthente atë në destinacionin kryesor turistik në vend. Banorët e Parkut po përgatiten t’i përgjigjen një fluksi të tillë, duke ngritur infrastrukturën pritëse dhe akomoduese. Kushdo që bujt në Park gjen mikpritjen e banorëve dhe ka mundësi të shijojë një ushqim të pasur tradicional dhe 100% bio. Në Steblevë tashmë janë ngritur shtëpitë e para alpine të cilat ofrojnë të gjithë komoditetin e nevojshëm.
Zbulimi i Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë mbetet një sfidë edhe për njohësit më të mirë të tij. Këtë herë modestisht zbuluam vetëm një pjesë. Pa dyshim, do të ketë një herë tjetër dhe ndoshta do të kemi fatin që të mos vizitojmë thjesht Parkun Kombëtar, por pasurinë e re shqiptare të UNESCO-s.