Bushcraft, sporti më aventurier drejt “së egrës” së natyrës

Bushcraft, sporti më aventurier drejt “së egrës” së natyrës

on Thursday, 22 August 2013. Posted in Outdoor

Për pak më shumë adrenalinë dhe përvojë "primitive" në natyrë...

Bushcraft, sporti më aventurier drejt “së egrës” së natyrës

 

Elmar Saraçi
Për ata që e aplikojnë dhe e njohin, është padyshim mundësia e papërsëritshme për t’u bërë njësh me natyrën. Mundësia për të marrë më të mirën dhe për ta kthyer bujarinë e saj në qendër të një hobi ku adrenalina lind nga simbioza me të. 
Ju prezantojmë me Bushcraft-in! Një aktivitet që thuajse nuk është dëgjuar më parë në Shqipëri . Termi në fakt për vendet nga buron, përdoret për teknikat e mbijetesës dhe aftësitë primitive për të ndërtuar  jetën. Por të veshësh një xhaketë kamuflazhi e të rendësh pas natyrës së egër, të ngjeshësh në brez një sopatë e të ndërtosh strehëzën e një nate përmes drurit, kur në të vërtetë mund të lesh pas një jetë shumë luksoze, i jep një këndvështrim shumë më intrigues gjësë. 

 

 

Bushcraft është bërë një nga lëvizjet më popullore të sporteve Outdoor në Britaninë e Madhe. Por Ray Mears me programet e tij televizive në BBC, e ka rritur shumë popullaritetin e Bushcraft-it. Ai e ka shndërruar atë në një lloj shoë, që të tregon se të hash krimbat e një peme, apo të konsumosh urinën kur uji mungon, janë teknikat më të zakonshmë në raste mbijetese. Mears është një prej aplikantëve më të famshëm në Britani, i ndjekur nga Bear Gryllrs, John Lofty Wiseman, Andreë Price, e shumë të tjerë. Madje ky i fundit ka shprehur dëshirën për të zhvilluar programe e guida në Shqipëri, duke e parë atë si vendin ideal ku mund të krijosh sipas stilit bushcraft.
Përtej Mbretërisë së Bashkuar, ky lloj sporti është duke u zhvilluar shumë në mjaft vende të botës, si Amerikë, Kanada, Zelandën e Re etj. Kjo tendecë është krijuar nga dëshira e çmendur që kanë shumë njerëz për të braktisur jetën e “komplikuar” të shekullit të 21-të dhe të kthehen në një botë më të “civilizuar”, në paqen e natyrës. Ndonëse kjo ndodh për një kohë shumë të shkurtër. Sepse Bushcraft ka një aktivitet aq të larmishëm sa s’mund të përvetësosh thuajse asgjë në një herë të vetme. Por është pikërisht të rendurit pas të pamundurës që e bën të paçmueshëm praktikimin e këtij lloj hobi. Hobi i bushcraft është si një lloj artizanati. Baza për të zhvilluar këtë aktivitet është: përdorimi i mirë i thikës  (kjo së bashku me sopatën dhe sharrat përbëjnë mjetet bazë të Bushcraft-it), të gdhenduruit, nga vjen edhe vetë origjina e fjalës (bush-shkurre dhe craft-gdhend). Por për të qenë një “bushmen” i mirë, duhet gjithashtu të dish të ndezësh zjarrin në mënyrë primitive (duke përdorur myshqe, gjethe të thara etj.) të njohësh bimët e ngrënshme dhe të dobishme, të ndërtosh kasolle, të hash ushqim të egër, të dish të orientohesh, të njohesh sinjalet ndërkombetare për të kerkuar ndihmë në raste mbijetese, si dhe të kesh aftësi të mira për dhënien e ndihmës së shpejtë në situata emergjencash shëndetësore .
E gjitha kjo tingëllon si një sfilitje po ta shohësh nga lart. Por nëse zbret në zemër të natyrës, ashtu siç bën shpesh Florian Merepeza, të gjitha këto njohuri të kombinuara bashkë te çojnë drejt shtegut unik të bashkimit me natyrën.
Flori është një i ri shumë i apasionuar pas natyrës dhe aventurës së egër të saj. Realizimin e këtij hobi e ka gjetur përmes bushcraft-it, këtij aktiviteti të panjohur më parë në Shqipëri madje edhe Kosovë e Maqedoni. Duke jetuar e mësuar rreth këtij sporti për më shumë se një dekadë e gjysëm në Londër, gjithë dijet e marra, i riu po i aplikon duke zhbiruar bukuritë e virgjëra shqiptare. Me një grup miqsh, që padyshim i ka bërë bashkë dashuria për natyrën, Flori del shpesh në gjuajtje të aventurave ekstreme, ku për të, të flesh një natë në qiell të hapur, e në vend të ushqimit të zgjedhur të hash ç’të të ofrojë natyra bujtëse; ndonjë breshkë, gaforre a fruta të egra, nuk është sakrificë, por kënaqësi e papërsëritshme. Pyjet e egra larg zonave të pabanuara, brigjet e virgjëra apo vende të braktisura ku nuk shkel më njeri, janë objektivi që gjëmon i riu për të zhvilluar bushcraft-in në Shqipëri. Dhe sipas Florit i yni, është vendi ideal për këtë sport kaq specifik.
Nëse të rastis të bëhesh pjesë e ndonjë organizimi të 38- vjecarit, kupton se me të pranë nuk të nevojitet guida, përvec shpirtit fluturak që i ndjekur nga pasioni të çon gjithmonë në shtegun e duhur.
I trajnuar me disa nivele për Bushcraft, Flori të mëson të përshtatesh në çdo lloj situate dhe të papriture ku të vërtit natyra. Në diell, shi a stuhi, çdo vend e ka një zgjidhje, një strehë a një sofër bujare. Por nëse ndjeheni gati të sakrifikoni kaq për pasionin tuaj, dijet janë vetëm njëra anë e bushcraft-it. Pjesa tjetër e profesionalizmit i takon pajisjeve dhe veshjeve të cilat janë të posaçme e madje të profilizuara për dimër dhe verë.
Pra, me shumë pasion e dashuri për natyrën dhe pak përkushtim, mund të krijoni gjithçka me bushcraft. Madje dijet e këtij sporti mund të kombinohen shumë mirë edhe me sporte të tjera si, hiking, tracking, backpacking, rockclimbing, kanotazh etj.  
Por për djalin e aventurave në natyrë, i cili ka marrë përsipër t’u servirë shqiptarëve bushcraftin, ky aktivitet nuk do të kishte kuptim nëse do të kishte një profil unik. Kështu organzimet e tij janë shpesh herë ecje të gjata drejt nje kampingu ala bushcraft në natyrë, e herë të tjera aventura për të zbuluar e njohur bukurinë e egërsisë shqiptare. “Të ecësh në natyrë,- thotë Flori,- të kërkosh prej saj bujarinë për të  të bujtur e për t’u ushqyer, janë ndjesi shumë ripërtëritëse, kënaqësi që s’mund t’i fitosh me asgjë tjetër”. Sepse të bësh bushcraft sipas tij, nuk ka në thelb vetëm mbijetesën, por të qenit njësh me natyrën.
Dhe pak vëmendje tani në fund!
Me kaq sa treguam, gjithkush mund të ushtrojë një sport kaq të lirë . Por nëse fitoni aftësi shumë të mira për të qenë një bushcraft i/e  zoti, ju i keni dhënë vetes garancinë për të mbijetuar në çdo lloj situate emergjente dhe të papritur. Shqipëria është një “arenë” shumë e përshtatshme për të provuar aftësitë tuaja!

 

4.0/5 rating (2 votes)

Hits

16679

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.