2013, turizmi ka rënë me 13%
Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë se rënia e të ardhurave është reflektuar në mungesë investimesh
Turizmi në vend ka pësuar rënie rekord duke shënuar vitin më të vështirë për industrinë turistike. Gjatë 9 muajve të parë të 2013-s, sipas Bankës Qendrore rënia e të ardhurave në turizëm ishte në masën 13 % ndërsa shpenzimet e të huajve shënuan rënie prej 18 për qind.
"Duke qenë se ne kemi taksat 300 për qind më të larta se rajoni, sigurisht që kjo përkthehet në standarde dhe cilësi. Të njëjtën pagesë që paguajnë turistët në Maqedoni nuk mund ta marrin me të njëjtin çmim edhe në Shqipëri. TVSH-ja rekomandohet nga 5 në 15, pjesa më e madhe e vendeve e kanë gati tek 5 deri në 7 dhe ka shumë vende të Europës që e kanë çuar nën 5. Kjo është thjesht një taksë e pamerituar, e cila nga 0 bëhet 20 për qind", tha Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hotelieri-Turizmit.
"Ne pretendojmë që nëpërmjet zbutjes së taksave rregullimi i parë është rregullimi i formalitetit të tregut, i cili në të vërtetë prodhon taksa me te ardhura reale në burime të tjera për shtetin", tha Enver Mehmeti, president i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.
Paketa e re fiskale sipas Shoqatës së Turizmit jo vetëm nuk lehtëson barrën e taksave për këtë industri, por e rëndon më tepër atë me rritjen e tatimit të fitimit të biznesit të madh në masën 50 %. Në rast se nuk do të merret asnjë masë në favor të këtij sektori, sipas shoqatës viti 2014 do të jetë edhe më i vështirë cka do të jepte efekt direkt në ekonominë e vendit dhe do të reflektohej në mijëra të papunë.