Mehdi Hafizi: "Në Muzeun e Skënderbeut hyn vizitor e del mik"
Intervistë me drejtorin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës
16 vjet në krye të Muzeut unik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e 24 vjet si punonjës i këtij muzeu e kanë bërë Mehdi Hafizin nji simbol më shumë për qytetin historik të Krujës. Në këtë intervistë për revistën Travel, ai flet me modesti dhe mirënjohje për kolegët, bashkë me të cilët ia ka dalë t’i kthejnë vizitorët - që për të nuk janë të rastësishëm - në miq të Muzeut.
Hafizi është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë si atëherë kur thotë se me aftësitë e tij mund të drejtojë cilindo muze tjetër në vend, e si atëherë kur pranon se Muzeu që ai drejton nuk është në rrjetet ndërkombëtare të muzeve. E i tillë është Hafizi kur thotë se skuqet pa qenë fajtor nga vërejtjet që turistët e huaj bëjnë në Muze për ndërtimet pa kriter në qytetin e tij, apo edhe kur thotë se ndjehet si përpara ndonjë provimi të vështirë, sa herë që shoqëron vizitorë në Muze, qofshin ata personalitete të larta, apo nxënës shkollash.