Shqipëria me dy sy të kaltër

Shqipëria me dy sy të kaltër

on Friday, 25 January 2019. Posted in Traveller

Mbresat e dy turistëve

Shqipëria me dy sy të kaltër

Nga Karen Alexis Ertrachter & Jacob Wade Turner

Një vit pas vizitës në Kosovë, na thanë se duhej të vizitonim Shqipërinë. Nisëm të kërkonim për fotografi dhe u bindëm menjëherë. E vizituam Shqipërinë dhe padyshim se ai mbetet udhëtimi i preferuar i vitit. Arsyet? Natyrë e bukur, ecje të jashtëzakonshme malore, qytete historike, mot i ngrohtë, byrekë të shijshëm dhe çmime të lira ... Çfarë tjetër mund të kërkoni në pushime? Kur ishim në Kosovë, të gjithë na thanë që duhet të vizitonim Thethin pasi të kalonim në këmbë, duke bërë hiking përmes maleve që vazhdonin përtej Prizrenit. Në të vërtetë nuk kishim dëgjuar për Thethin deri asokohe, por kur vendosëm për të vizituar Shqipërinë, u obsesionuam prej shtigjeve për ecje malore në Theth. Nuk jemi më të mirët në ecje malore, por ta provoje këtë gjë në Theth ia vlente vërtet.

Nga Thethi në Valbonë

Shtigjet mes Thethit dhe Valbonës janë absolutisht mahnitës, e prandaj inkurajojmë këdo që vjen në Shqipëri, që ta vizitojë këtë rajon të bukur. Niveli i vështirësisë së ecjes malore është mesatar. Nuk do t'ju këshillonim të mbanit me vete çanta të mëdha apo këpucë të papërshtatshme, sepse ndonjëherë rruga është mjaft e pjerrët.

Kulla e Ngujimit është kulla e gjakmarrjes. Veriu i Shqipërisë kishte vendosur ligjet e veta që njihen me emrin Kanun, i cili përcakton etikën ndaj dënimeve për vrasje. Historikisht, kjo përfshinte aftësinë për të marrë gjakun (megjithëse vetëm burrat mund të vriteshin; jo gratë, të moshuarit, fëmijët, apo virgjëreshat e betuara). Në përgjithësi kulla është e fortifikuar, megjithatë ajo është përdorur për të negociuar falje gjaqesh, të cilat mund të zgjasnin me breza. Gjakmarrja u ndalua gjatë komunizmit dhe tani kulla është një atraksion turistik.

Në Shqipëri ka dy sy të kaltër: një në Veri dhe një në Jug. Ne nuk arritëm të vizitonim Syrin e Kaltër në Jug, por Syri i Kaltër i Thethit ishte absolutisht i bukur (edhe pse akull i ftohtë).

Zona rurale në Shqipërinë Veriore

Është pothuajse e pamundur të bësh një fotografi të një fshati shqiptar pa përfshirë një foto të një bunkeri.

Vlerësohet të ketë mbi 173,000 bunkerë në Shqipëri për shkak të paranojës së Enver Hoxhës, që do të shpërthente një luftë me Jugosllavinë ose Bashkimin Sovjetik.

Liqeni i Komanit është një nga atraksionet më të mëdha në Shqipërinë Veriore. Kisha supozuar se liqeni kishte ekzistuar në mënyrë natyrale për një kohë të gjatë dhe kur pamë fotografi të bukura të liqenit të Komanit, u bindëm kur organizatori i udhëtimit tonë drejt Thethit na rezervoi bileta trageti për rrugën e kthimit. Në të vërtetë, Liqeni i Komanit është një rezervuar i formuar artificialisht në vitet 1980. Tragetin e Komanit do ta quanim më shumë anije turistike sesa traget, përderisa ai çan ujin ngadalë duke ju mundësuar të shijoni pamje të mrekullueshme të Shqipërisë. Shkodra është një nga qendrat kulturore të Shqipërisë dhe një qytet i bukur në mënyrën e vet, pasi të hyni në qendrën e tij historike. Është plot me kafene të admirueshme, bare të gjalla dhe dyqane komode. Në mbrëmje, qendra kthehet një pasarelë për vendasit me veshje të bukura, që dalin për shëtitje. Ata që shkojnë në Theth ose në Mal të Zi me shumë gjasa do të kalojnë nëpër Shkodër me autobus, kështu që merrni një ditë ose dy shtesë për ta eksploruar siç duhet këtë qytet, pasi është më i hijshëm sesa prisinim; aty shërbehet ushqim i shijshëm.

Tirana, Berati

Është pothuajse e pamundur të shmangësh Tiranën, kryeqytetin e gjallë të Shqipërisë. Qyteti është shumë modern, por ne na pëlqeu Piramida. Ajo u ndërtua në nder të Enver Hoxhës dhe u projektua nga e bija. Piramida përdoret pjesërisht për transmetime televizive, edhe pse pjesa më e madhe është e braktisur. Për ata që e duan arkitekturën postkomuniste, fotografimi i Tiranës do të jetë një përvojë më vete.

Berati është një qytet në Shqipërinë Jugore i njohur nga UNESCO dhe absolutisht BEFASUES. Qyteti vlerësohet të jetë mbi 2.000 vjeçar dhe shumë e quajnë "Qyteti i Një Mbi Një Dritareve". E thënë në mënyrë komike, nëse qëndroni në një nga bujtinat historike (ne qëndruam në një bujtinë në Kala për 30 euro nata), praktikisht ju mund të ecni në çatinë e një shtëpie tjetër. Të gjitha rrugicat e Beratit janë absolutisht mahnitëse dhe Kalaja është çmimi që fitohet për t’ia dalë deri atje.

Kini parasysh se kodra deri në Kalanë e Beratit është e thikët dhe e gjatë, prandaj mos u ngarkoni shumë, ose merrni valixhe me rrota. Gjithashtu, Berati ka shumë mace të adhurueshme.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

12022

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.