Destinacione dimërore në Shqipëri

Destinacione dimërore në Shqipëri

Written by Flora Xhemani Baba on Saturday, 28 December 2013. Posted in Destinacione

për pushime të bardha, të bukura dhe me aromë Shqipërie...

Destinacione dimërore në Shqipëri

 Destinacione….argëtim….ski!

Natyrisht për çfarë mund të flitet tjetër dimrit përveçse, se ku janë vendet më të bukura për të shkuar e për t’iu gëzuar dëborës. Problemet hëpërhë i kemi lënë t’i mbulojë bardhësia e saj, e tani do të flasim vetëm për argëtim dhe kënaqësi.
Dimri tashmë është  shtruar këmbëkryq e na ka sjellë dëborë me shumicë anekënd trojeve tona shqiptare, në veri e jug, verilindje e juglindje të Shqipërisë. E kemi thënë tashmë shpesh e, e rithemi, Shqipëria nuk ka resorte skish. Ato nëse doni t’i kërkoni, mund t’i shijoni  në vendet fqinje, edhe në pronësi të shqiptarëve, në Brezovicë, ndanë Maleve të Sharrit apo në Kodrën e Diellit në Tetovë ku bukuritë natyrore janë ndërlidhur fort me ndërtimet e këndshme alpine.
Po ku mund të shkohet për turizëm dimëror në Shqipëri?
Juglindja dhe verilindja e Shqipërisë, po bëhen së fundmi destinacioni i synuar fort, pas ndërtimit të hoteleve dhe fshatrave turistikë modernë. 

 

 Dardha dhe Voskopoja janë dy prej fshatrave më të bukur dimërorë ku çdokush e çon mendjen vetvetiu kur mendon për dëborën. Gërshetuar me traditën, historinë dhe bukuritë që edhe dimrit mund të shijohen shumë, me mikpritjen karakteristike, Dardha dhe Voskopoja ofrojnë gjithashtu kuzhinën e mrekullueshme e të veçantë, zahiretë e pafundme të dimrit dhe byrekët e mrekullueshëm, gatuar nga amvisat dardhare e voskopojare. Por këto dy fshatra fare pranë Korçës, mund t’ju ofrojnë gjithashtu edhe kënaqësinë e skive në pista ndoshta jo fort të pajisura me komoditetin e resorteve të mëdha por që gjithsesi do t’ju falin kënaqësi. Pista e Skive  në Dardhë është bërë shumë e frekuentuar tashmë që kur aty është vendosur teleferiku i vogël që ju ndihmon për të ushtruar më mirë kënaqësinë e skive.

Por në zonën e Korçës, edhe Gërmenj-Sheleguri në Leskovik, është një vend i qetë e i bukur ku panorama dimërore të fal kënaqësi pa fund. Një shëtitje me kuaj, apo një bisedë me miqtë ndanë zjarrit të oxhakut, shkon shumë bukur kur është e shoqëruar me një gotë verë apo darkë të shijshme me zahire dimri.
 
Nëse jeni për një pasdite të shkurtër apo një fundjavë komode, Dajti është  destinacioni më i afërt me kryeqytetin. Me një shëtitje bardhoshe me teleferik, një lojë në dëborë, një shëtitje me kuaj apo edhe thjesht ecje përgjatë shtigjeve të Dajtit, do ta bëjnë ditën tuaj më të bukur e më të shëndetshme.
 
Malësitë e Elbasanit ruajnë në gjirin e tyre mjaft fshatra që kohët e fundit po zhvillojnë më së miri ofertën e tyre dimërore. Zona e Shpatit, me qendër komunën Gjinar, pret turistë edhe në stinën e dimrit, duke u ofruar atyre më të mirën e mikpritjes, kuzhinës dhe sidomos natyrës së mrekullueshme që rrethon zonën. Edhe Stebleva, qendra e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë, është një fshat malor që ju pret të shijoni bardhësinë e dëboorës
 
Parku kombëtar i Llogorasë, të cilit aq shumë ia shijojmë freksinë edhe verës, bëhet më i bukur e më i magjishëm dimrit, kur pishat shekullore mbulohen me petkun e bardhë. Ngrohtësia e shtëpive alpine, mishi qengjit në hell, lojrat e ndryshme në dëborë por sidomos pamja e sorkadheve aq miqësore, do të bënte të lumtur çdo fëmijë që do të shkonte për fundjavë në Llogora. Për ata që duan të guxojnë pak më shumë, Majat e malit të Çikës, janë një sfidë për ngjitje, një nismë që do t’ju falë ndër të tjera edhe kënaqësinë e shijimit të panoramës mahnitëse të Jonit.
 
Shkodra përfshin një numër të madh setinacionesh dimërore ndër të cilat mund të shkëpusim dy të tilla që janë të përshtatshme për familjarët. Puka, një qytet i këndshëm rrethuar me pyje, është plotësisht e arritshme në dimër, për të kaluar aty një fundjavë në shoqërinë e familjes apo miqve, duke gjetur mikpritje në hotele apo edhe në shtëpitë pritëse të zonës. Pista e skive ka tashmë vite që funksionon, duke ju dhuruar çaste të vërteta kënaqësie.
Në Razëm të Shkodrës, mund gjithashtu të bëni ski, dhe pjesën e pushimit ta shijoni në zonë, duke shfrytëzuar strukturat pritëse atje, që fillojnë prej më luksozeve e deri tek shtëpitë pritëse. Maja e Veleçikut, është një pistë e mirë natyrore për të bërë ski, shëtitje, ngjitje apo çdo lloj sporti tjetër që mund të ushtrohet në dëborë.
 
Por nëse keni vendosur të hidheni drejt një aventure me sasi më të mëdha adrenaline sesa thjesht një lojë në dëborë apo ski të kujdesshme në pista të ndërtuara, ju mund të viheni në kërkim të kësaj aventure në të gjitha malet e Shqipërisë. 
Por si mund t’i përjetoni këto aventura?
Mjafton që t’i hidhni një sy rrjeteve sociale për të gjetur atje grupe të rinjsh dhe jo vetëm, që kanë filluar ta bëjnë tashmë traditë, ngjitjen dhe eksplorimin e majave të maleve kryq e tërthor vendit, duke i kthyer thjesht në sfida për udhëtimin e radhës.
 
Shqipëria ka shumë male, e për rrjedhojë ato kanë mjaft shpate të thepisura, të cilat, të mbushura me dëborë, kthehen në pista të mrekullueshme ku secili prej jush mund të shijojë aventurën. Thethi, Valbona, Nikaj Mërturi, Korabi, Bukaniku, Valamara, Këndrevica, Çika qorre, Tomori, janë vetëm disa prej majave që mund të dëshironi përgjatë udhëtimeve tuaja.
Korabi, si mali më i lartë i Shqipërisë, është një sfidë e vërtetë për të gjithë adhuruesit e sporteve ekstreme. Jezerca, një nga malet më të vështirë në Europë, ofron cirqet e saj të mrekullueshme ku mund të provoni aftësitë. Valbona e Thethi, ndoshta nuk janë të arritshëm për të gjithë, prej infrastrukturës së vështirë e rrugëve të bllokuara, por nëse keni shpirtin e aventurës, mund të tentoni. Dajti, nuk është vetëm një qendër e madhe resortesh tashmë, por edhe një vend sfidash për ata që duan të tentojnë.
Drejt malësive të Elbasanit, Gramshit e Librazhdit, Skraparit, mund të udhëtoni edhe për të eksploruar Valamarën, Tomorin, Bukanikun, kanionet e shpellat e shumta të kësaj zone dhe jo vetëm, duke i mbushur pushimet tuaja plot ritëm e adrenalinë.
Për një turizëm dimëror ndoshta jo ideal por të bukur e plot aventura, ia vlen ta rezervosh fundjavën tënde duke zgjedhur Shqipërinë…
 
 

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

19360

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.