Jezerca, një përvojë  fantastike dhe e vështirë...

Jezerca, një përvojë fantastike dhe e vështirë...

Written by Kastriot Faci on Thursday, 22 August 2013. Posted in Itinerare

Itinerar mbresëlënës mbi mbretëreshën e Alpeve Shqiptare...

Jezerca, një përvojë  fantastike dhe e vështirë...

U ndjeva i privilegjuar, pasi furgoni u ndal para zyrës sime për të më marrë - jam me vonesë. Pasi përshëndetem me pasagjerët e tjerë, rrasem në sediljen e fundit, si e vetmja mundësi që i kisha lënë vetes. Disa i njoh, pasi kisha qenë më parë në rrugëtime të tjera me ta, por po shoh dhe të tjerë që nuk i njoh fare. Të gjithë në humor të mirë, bëjmë një ndalesë për të blerë në një nga dyqanet në Dedaj, aty ku rruga merr kthesën për në pikën turistike të Razmës. Fshati i Bogës është kufiri ku rrugës së mirë e me asfalt i themi lamtumirë. 

 

 Tashmë furgoni dalëngadalë fillon t’i ngjitet rrugës me “thonj” sikur të ishte një mace e egër. Unë i kërkoj shoferit të bëjmë një ndalesë në Qafë Thore, tek liqeni. Pas zhgënjimit nga liqeni, të cilin thatësira e kishte shterrur deri në fund, marr nismën për të bërë një foto grupi, të parën foto grupi. Qafa e Thores njhet si pika më kritike e rrugës për në Theth. Çdo vit ajo bllokohet nga bora dhe hapja e saj bëhet e mundur vetëm në pranverën e vonë. E natyrshme, ndalojmë tek momunemti i Miss Durhamit, “Krajlicës së Malësorëve”. Nisemi në këmbë, do të vazhdojmë të zbresim deri poshtë në Theth. Roza, guida jonë, këmbëngul që të na shoqërojë, pasi së shpejti do të bjerë nata e udhëtimi ynë mund të vështirësohet. Sonte ne do të strehohemi në shtëpinë e saj. Ajo është një vajzë me humor të hollë dhe energjike. Me krenari ajo na “mburret” që ky vit ka qenë vit shumë i mirë. “Kemi pasë një numër më të madh turistësh këtë vit në Theth. Arsyeja që njerëzit e vizitojnë Thethin është sepse është një vend shumë i bukur. Ai ëshë Park Kombëtar e ndodhet në zemrën e Alpeve Ilirike, më pëlqen ti quaj kështu siç i quan Pr. Ahmet Osja. Thethi tashmë është edhe pjesë e Parkut Natyror të “Parkut të Paqes”, i cili përfshin tre shtete kufitare, Malin i zi, Kosovën dhe vendin tonë”.

Ra nata plotësisht dhe errësira ka pushtuar tashmë Thethin. Ndërkohë tani i jap të drejtë merakut të Rozës, ne sapo kemi mbërritur në oborrin e shtëpisë së saj. Shtëpia dykatëshe me çati të pjerrët, ndërtim tipik i kësaj zone është e vendosur midis pishash e të tjera pemë të larta, të cilat nga larg i rrethojnë kurora majash të thepisura. Në krah të saj kalon lumi i Shalës, me ujin e tij të rrëmbyeshëm e të ftohtë akull. Shoh dy çadra të ngritura në oborr si dhe shokët e mi të grupit që kanë zënë vend rreth flakëve të zjarrit, kërcitjet e zhurma e të cilit shkon në harmoni me flakët e tij. Shkëndija të ndezura shkëputen e fluturojnë drejt qiellit të errët të natës për t’u shuar e humbur në errësirë. Do të ishte një mbrëmje e bukur.
Është ditë e re, mëngjes herët, mëngjeset në Theth janë shumë të bukura, rrezet e diellit që depërtojnë ndër maja krijojnë peisazhe fantastike. Mendoj, se një nga arsyet pse udhëtoj është edhe për të pasur “të miat” këto pamje të paharrueshme. Pas mëngjesit të bollshëm pijmë kafenë në një nga lokalet e fshatit, ku nuk jemi të vetmit klientë, pasi përshëndesim dy-tre grupe vizitorësh të tjerë të huaj.
Kemi ecur 1500 hapa nga vendi ku na la furgoni deri tek burimi i Shtrases, në Okol, ku bëjmë ndalesën e parë për t’u furnizuar me ujë. Hapat nuk i numëroj unë pasi për këtë ka menudar Çimi. Ai punon në një kompani me emër dhe ka marrë me vete hapanumëruesin. Nga ai mësoj që një njeri aktiv duhet të ecë të paktën 10000 hapa në ditë. Gladiola, është bashkëshortja e tij, ata janë çift i sapomartuar dhe po e konsiderojnë këtë udhëtim si një muaj mjalti. Pjesa tjetër e miqve të grupit janë Jozefina, vajza që për herë të parë merr pjesë në një udhëtim të tillë, Çapalikja, vajza e profesor Alfredit, Vitori, Sidi dhe motra e saj shumë simpatike, si dhe guida shtesë, Marashi nga Thethi, i cili shoqërohej nga Thimja, një pelë me trup të vogël. Edhe Thimja është pjesë e grupit tonë, pasi na ndihmoi shumë gjatë rrugëtimit.
Flladi i freskët që e quajnë era e Pejës na shoqëron teksa ngjitemi Qafës së Pejës, kemi bërë 5000 hapa. Ndalojmë tek Shpella e Pejës ku vendasit kanë vendosur një kryq dhe disa shenja që tregojnë devijimin e rrugës për në Jezercë. Ne për atje do të marrim një rrugë më të lehtë dhe më të parrezikshme sipas Rozës. Pasi kalojmë qafën e Pejës, fillojmë të ulemi e para nesh shfaqen gurë masivë, pjesë e liqenit të Pejës. Aty takojmë dy barinj të cilët janë nga zona e Gruemirës e që na tregojnë se burimet kanë shterur e bora në afërsi të ndërtesës së ish-postës ka shkrirë. Duhet të ngjitemi rreth 30 minuta për të arritur tek një masiv bore, i cili është dhe burimi ynë i radhës për ujë. Këtë e bën Marashi, që është i papërtueshëm e sidomos kur ndihet i përkëdheluri i vajzave të grupit tonë. Ai i përgjigjet thirrjeve tona herë me fishkëllimë e herë me zë, ndërkohë që pret që pikat e ujit të borës të mbushin enët tona.
 Ora 12.20 e numratori lexonte 12150 hapa, ulemi për të ngrënë. Përreth nesh shijojmë panorama të bukura nga maja madhështore. Jemi në afërsi të ish-postës së kufirit dhe karshillëk na bën Maja e Harapit. Dikur në kohën e diktaturës këtu nuk bëhej më shërbim pas muajit tetor, për shkak të të borës. Unë kisha qenë dhe më parë këtu gjatë rrugëtimit në Majat e Ballkanit në qershor të vitit të kaluar. Vazhdojmë të ecim përsëri, ora shënon 16.30, kemi bërë 17500 hapa. Thimja kishte filluar të lodhej në terrenin shumë të thyer malor, një terren plot shkallare - siç i quan Marashi. Të gjithëmendojnë që ajo duhet të ndalet këtu, sidomos kur marrim vesh që është shtatzënë. E lamë Thimen dhe disa nga çantat e tepërta dhe vazhdojmë ngjitjen. Ashtu si Thimja edhe unë kam filluar të ndjej shumë lodhje. Çapaliksja, e bija e profesorit tim të letërsisë, autorit të tekstit të këngës “Xhamadani vija-vija”, kish qenë balerinë e nuk kishte aspak probleme me ecjen. Ndërsa Jozi më habiste me vullnetin e ecjen e saj, ngaqë punonte nëpunëse në një zyrë e që nuk kishte ecur ndër male asnjëherë më parë. Sa më lart që ngjitemi, aq më shumë dallojmë mprehtësinë e këtyre shkrepave ku dëbora shekullore qëndron rreth qafës së tyre si një qafore. Ndërkohë që ne ngjitemi e ngjitemi, në krahun e djathtë në një nga majat, shoh “një dritare të hapur”, diçka e krijuar nga natyra, një pamje shumë interesante. Më mbetën sytë atje.
Kemi thyer çdo rekord, atë të lodhjes ekstreme, me këmbë të enjtura dhe numrin e hapave, plot 31000. Të gjithë mendojmë se duhet të ndalemi tashmë, sepse është bërë natë. Kampingun e ngritëm buzë njërit prej liqeneve të Jezercës, i cili është i tharë plotësisht. Në skajin tjetër të liqenit të tharë, një grup tjetër ka ngritur një kamping, ata kanë mbërritur para nesh aty. Tre çadra janë shumë pak për të na strehuar të gjithëve. Prandaj unë vendos që të flej jashtë, e kështu bën dhe Ledioni. Sado i lodhur isha, nuk mund të mos e shijoja atë panoramë spektakolare, të një nate të kthjellët, ku yjet dukeshin aq afër sa mund t’i prekje me dorë...
Është ora 5.45 e mëngjesit, në pritje të zbardhjes së ditës së re, ngrihem i pari dhe bëj dy-tre shkrepje. Nata po ia lë vendin ditës së sotme, e dielli me rrezet e tij po përkedhel fillimisht majat e maleve përreth. Pasi paketojmë gjithçka. nisemi për rrugë, Maja e Jezercës  2694 m, e dyta pas Korabit, është edhe destinacioni ynë për sot. Duhet të ecim me shumë kujdes, Roza na këshillon të mos ecim mbi borë pasi mund të jetë e rezikshme e mund të përfundojmë në ndonjë nga gropat e honet e fshehta nën të. Interesant është fakti që këtu tashmë nuk shohim asnjë dru të lartë, madje mbrëmë nuk patëm rastin të ndiznim as zjarrin, pasi e gjithë zona përreth nuk kishte asnjë pemë. Të vetmet gjallesa ishin disa shkurre të vogla që i ngjiteshin shkëmbinjve.
Ndërsa ngjitemi në krahun e majtë, shohim një copëz mali që të bën përshtypje e që unë e pagëzoj me emrin “Puthja e Majave”.  Pak më pas përsëri në të njëjtin krah na shfaqet arusha me këlyshin e saj. Të dyja këto monumente natyrore janë shumë interesante.
Ngjitja ka filluar të vështirësohet e ne na duhet të bëjmë kujdes për njëri tjetrin. Dy nga vajzat kanë filluar të shfaqin shenja  lodhjeje, pasi e kanë të vështirë të ecin në një terren të tillë. Shpeshherë ne na duhet t’i japim dorën njëri- tjetrit për të kaluar në vende të vështira, për të vazhduar më tej drejt majës. Ora është 09.45, ndalemi në një bri mali, Roza na tregon me dorë luginën e Valbonës. Nga shkrimi në një shkëmb pranë kuptojmë që jemi në lartësinë 2306 m, deri këtu kemi bërë 5459 hapa. Filloj të shkëputem nga pak nga grupi, me justifikimin e bërjes së fotografive. Nga pas shoh që më është qepur Vitori, një djalë me shumë energji dhe aktiv. Pasi më kalon ai e shton hapin megjithëse terreni është vështirësuar shumë. Disa hapa pas meje është edhe Andi, i cili lëviz me të njëjtin ritëm me mua, ai ka qenë futbollist e këtu bëhet diferenca me ata që kanë ushtruar sporte. Para meje shoh tashmë Vitorin që nis e vrapon e hidhet si një dhi e egër në masive shkëmbinjsh e që mbërrin i pari në majë, pas tij unë, Andi e Sidi. Vitori na ndan nga një çokollatë të vogël si për të festuar kapjen e Majës së Jezercës, para se të tjerët të arrijnë këtu. Mbaj mend kur kam diskutuar me miq të mi nga Norvegjia për malet norvegjeze, mali më i lartë nuk e kap këtë lartësi. Prej këtu arrijmë të shohim shumë larg në horizont. Lugina e Valbonës dhe Rragami, në krahun e majtë shohim Plavën e Gucisë së Malit të Zi. Të dyja këto vende i kam vizituar më parë dhe ndihem shumë i privilegjuar që sot i shikoj nga lart nga maja e Jezercës.
Ndërkohë që po festojmë “kapjen e majës”,  dalloj dy persona të tjerë të cilët ecin në drejtimin e majës. Njëri është një burrë me mjekër e me kapele republikë e tjetri në dukje më i ri, kishte dalë në kostum banje. Ngjiten plot  energji,  teksa bisedojnë me njëri tjetrin, mbështetur në shkopinj gjatë ecjes. Janë shtetas bullgarë të cilët sfidojnë Majën e Jezercës dhe ne, pasi i kanë rënë rrugës më të shkurtër e më të vështirë për të ardhur këtu. Na sfidojnë edhe kur na ftojnë tek Hotel Argenti , në Shkodër sonte në darkë për të pirë një birrë. Mësoj se janë 66 vjeçarë paçka se nga dinamika nuk e tregojnë. Të gjithë lënë firmën në bllokun e kutisë për të vërtetuar që kemi qenë këtu. Kutia është prej alumini me ngjyrë jeshile si ato  ushtarake dhe e ka vendosur aty një organizatë nga Mali i zi. Në të ndodhet një bllok, ku kanë lënë shënimet e tyre "vizitorë" nga vende të ndryshme të botës, nga Kosova, Zvicra, Polonia, Austria, Serbia etj. Çimi më “raporton” që nga nisja sot në mëngjes e deri këtu në majë, kemi ecur 8120 hapa.
Është ora 12.15 e duhet të marrim rrugën e kthimit. Tek ulemi me kujdes vërej që ngjitja është e vështirë, por zbritja është edhe më e vështirë. Disa nga ne i shoh të ulen duke u zvarritur në segmente të veçanta shtigjeve të këtij mali. Tek cantat mbërrijmë në ora 15.00 e numratori shënon 16230 hapa. Pasi drekojmë mirë e shijojmë ujin e ftohtë të borës, nisemi përsëri. Marashit i dhuroj thesin tim të fjetjes si kujtim për të gjithë përkujdesjen e treguar ndaj nesh si dhe për faktin që ai nuk e kishte një të tillë.
 Ora 17.45 numratori i shënon 23715 hapa. Mbërrijme aty ku patëm lënë të “parkuar” Thimen. Ndihem mirë, pasi ia kam pasë merakun asaj, mendoja se mund të bëhej ushqim për egërsirat gjatë natës. E ngarkuam përsëri Thimen dhe filluam të ecim me hap më të shpejtë, pas pak do të bëhej natë. Unë jam i ngarkuar nga Roza t’i prij grupit. Me elektrikun e dorës të ndezur ndiçoj rrugën. Ora 19.55 kemi bërë 27377 hapa, jemi tek shpella e Pejës. Aty takohemi me një grup turistësh nga Polonia. Duke folur me ta i tregoj që vetëm dy javë më parë isha në Wroclav të Polonisë, në qytetin e bukur me 122 ura e 5 lumenj. Polakët do të kalonin natën jashtë rreth zjarrit.
Ne vazhdojmë të ecim në errësirë, drejt Thethit, të lodhur e të rraskapitur. Vështirësive të udhëtimit në këto momente i bëhet aleate edhe errësira e natës. Mendimi që po kthehemi pas triumfit të Majës së Jezercës për në shtëpi, pas këtij udhëtimi fantastik dhe të vështirë, na jep forcë të vazhdojmë të ecim përpara….

 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

17751

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.