300 ditë me diell në vit,   për të vizituar “Qytetin e Bardhë”

300 ditë me diell në vit, për të vizituar “Qytetin e Bardhë”

on Thursday, 02 March 2017. Posted in Destinacione

Berati i UNESCO-s shton numrin e turistëve

300 ditë me diell në vit,   për të vizituar “Qytetin e Bardhë”
I shtrirë krah dy brigjeve të Osumit, me Tomorrin në lindje e Shpiragun në perëndim, Berati mbështjell historinë e vet mbi 2400-vjeçare rreth lagjeve të bardha të Goricës dhe Mangalemit. Ato kqyren nga Kalaja e banuar pa ndërprerje, qysh prej shekullit të IV-t para Krishtit, dhe japin e marrin nëpër Urën e Goricës e cila i i jep domethënien peisazhit historik të qytetit.
Historia e ka njohur qytetin e Desaratëve me emra të ndryshëm, për tu ndalur në shekullin e VII-të pas Krishtit kur pushtuesit sllavë e më tej Bizanti do e njihnin Antipatrean e hershme si Belgrad, Qyteti i Bardhë, nga rrjedh edhe emri Berat me të cilin e njohim qytetin sot.
Në vitin 2008 Berati hyri në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si një kompleks historik i cili përcjell të ruajtura, traditat e arkitekturës, arteve, zejeve dhe besimit, të trashëguar nëpër shekuj brenda shtëpive të tij të bardha.
Berati është i gjithi për tu vizituar. Ai mbledh bashkë rreth emrit të tij shumë legjenda dhe histori. Kishat, xhamitë dhe teqetë popullojnë lagjet historike të qytetit e periferitë e tij, pa u shqetësuar nga hija e njëra – tjetrës, si shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës fetare që ruan gjurmë të forta kombëtare, vlerë për të cilën Berati është njohur në shekuj, qysh kur ishte një nga qendrat më të rëndësishme të Despotatit të Epirit, (menjëherë pas rënies së Bizantit), apo nën Muzakajt, (përpara pushtimit nga Osmanët në shekullin e XIV-të,) e deri në ditët e sotme.
Qendra mesjetare, Katedralja e Shën Marisë, ku sot ruhet koleksioni unik ikonografik i Muzeut “Onufri”, kishat e Shën Kollit, Shën Mëri Vllahernës, Shën Triadhës, të zbukuruara me artin e mjeshtrave të pikturës mesjetare, janë dëshmi të besimit dhe trashëgimisë kulturore e arkitekturore të qytetit, ashtu si Xhamia Mbret dhe Xhamia e Plumbit apo Teqeja Helvetive dhe e Xhelvetive, që mbajnë brenda histori të qytetit, të prijësve dhe pushtuesve të tij.
Me morinë e mundësive që të ofron, Berati mund të konsiderohet si rezidenca juaj për një pushim më të gjatë. Ai mund t`ju njohë më tej me destinacione të rralla për mos u humbur, dhe t`ju ofrojë përvoja unike si: Tomorri mistik apo Qyteti Antik i Dimalit - 20 km në perëndim të qytetit, Kanionet e Osumit që ndodhen pranë Çorovodës vetëm 60 km larg Beratit, ku mund të provoni emocionet dhe adrenalinën e rafting-ut, Shpella prehistorike e Pirogoshit - 55 km në lindje, Kisha e Ungjillëzimit Kozarë, monument i rrallë i shekullit XVIII-XIX - vetëm 25 km në veri, Ura e Kaurit, e trashëguar prej periudhës romake që gjendet 14 km në veriperëndim apo Kisha e Shën Kollit, nga më të vjetrat në Ballkan e që i përket shekullit XI, që gjendet në fshatin Perondi - 15 km në veri të qytetit.
Me një traditë të fortë tregtare, Berati ka ruajtur ende mendësinë dhe infrastrukturën e qendrës së rëndësishme tregtare që në fillimet e shekullit të XX-të shërbeu si nyje lidhëse me Konstandinopojën në lindje dhe Janinën në jug.
Në frymë të kësaj tradite, këmbësorja qëndrore është shndërruar sot në Zonën për Zhvillimin të Biznesit apo siç e njohin të gjithë, BID Berati. Një investim i Fondacionit Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim dhe Bashkisë Berat, zona BID shtrihet natyrshëm mes lagjeve historike dhe është me siguri gjurma më domethënëse e urbanistikës së ditëve tona, ku tradita ndërthuret me investimet moderne, me shumë-llojshmërinë e bizneseve, me eventet artistike dhe gjallërinë e qytetit.
Zona BID fillon aty ku qyteti i vjetër i lë vend gjurmës së qytetit të ri. Arkitektura e ndërtesave kryesore social-kulturore dhe administrative si; Pallati i Kulturës, Kinemaja e vjetër, Hotel Tomorri, Bashkia, Prefektura dhe Biblioteka “Vexhi Buharaja” më tej, përkufizojnë karakterin e qytetit të ri.
Zyra e Informacionit Turistik vendosur në Sheshin “Teodor Muzaka” është në dispozicion të vizitorëve për çdo informacion të nevojshëm përpara vizitës së tyre turistike.
Një Zonë për Zhvillimin e Biznesit është një partneritet publik-privat, në të cilin krijohet një organizatë me mbështetje publike, por e menaxhuar privatisht, me qëllim përmirësimin e mjedisit fizik, rritjen e shërbimeve publike dhe investimeve në lagje qytetëse tregtare. Qëllimi kryesor i zonës është përmirësimi i mundësive ekonomike, i sigurisë dhe krijimi i një klime biznesi midis anëtarëve të Zonës BID. Administrimet e suksesshme te zonave BID shkojnë përtej rregullimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës. Ato krijojnë edhe një bashkësi, rrisin sigurinë në zonë, çojnë në rritjen e veprimtarisë së biznesit dhe në rritjen e vlerës së pronës. BID-et efektive mund të rigjallërojnë qendrat e qyteteve dhe mund t’i bëjnë ato më tërheqëse për turistët. AADF ka ndihmuar komunitetin e biznesit dhe bashkinë Berat në krijimin e shoqatës BID Berati dhe ka ofruar grante dhe shërbime këshilluese për bizneset në zonën BID. AADF e zbaton projektin “BID Berati” në bashkëpunim me Bashkinë Berat përgjatë bulevardit “Republika” dhe sheshit “Teodor Muzaka”. Shoqata BID Berati dhe Bashkia bashkëpunojnë për të organizuar veprimtari, të cilat përfshijnë komunitetin dhe promovojnë zonën.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14463

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.