Polonia, plot ngrohtësi e dhimbje

Polonia, plot ngrohtësi e dhimbje

Written by Idit Riza on Friday, 24 February 2012. Posted in Outgoing

Polonia, plot ngrohtësi e dhimbje

E përmendur largazi nëpër librat e historisë, ndonjë bisedë e rastësishme, një mik i largët i cili studion aty, nxitjet e shpeshta nga miqtë e rinj, Polonia u kthye në një destinacion për të mos u humbur. Bileta e printuar e futur mes pashaportës Biometrike, një valixhe gjigande, që tërhiqej zvarrë, stërmbushur me rroba për të përballuar dimrin e ashpër Polak, ishin episodet e para të udhëtimit të shumëpritur.

Hapat e para në kryeqytetin e famshëm të Varshavës, vërtetuan atë ç’ka lehtësisht mund të pikasje nga avioni; një organizim i rregullt urbanistik, tipik për cdo qytet/kryeqytet i cili ka kaluar nën një regjim totalitar. Bulevardet e gjera, format mbizotëruese kuadratike, arkitektura soc-realistike dhe imponimi i godinave të përmasave madhështore. Gjithsesi i kish hije një qyteti i cili në pamje të parë, dukej të kishte shtrirje të madhe.

Vodka, birra, salçiçet e gatimet e shijshme, pa përmendur edhe jetën e natës, ishin ato çka më kishin propaganduar më shumë për Poloninë. Gjithsesi, një interes i kohëve të fundit mbi ndodhitë e Luftës së Dytë Botërore dhe fati i një udhëtimi pikërisht në vendin ku nisi gjithçka më 1 shtator 1939, më bëri t’i drejtohem Muzeut të Kryengritjes së Varshavës. Një muze modern, interaktiv dhe mjaft i veçantë në llojin e tij, i cili përdorte metodikat klasike të ekspozimit muzeal paralelisht me teknologjinë e fundit të grafikës dhe artit modern për të shprehur me krenari rezistencën e organizuar të ushtrisë polake kundra frontit gjerman gjatë LIIB. Gjithashtu në një kinema të impovizuar, pata mundësinë të përjetoja një “fluturim” të shkurtër mbi Varshavën e pasluftës. Një rindërtim i mrekullueshëm në 3 dimensional, paraqiste pamjet rrënqethëse të një qyteti, që pas urdhërit të Hitlerit për shfarosjen e saj nga hartat, 85 % do të rrënohej nga bombardimet e vazhdueshme gjermane. Në këtë moment kuptova strukturën komuniste që mbizotëronte qytetin. Nevoja për një rindërtim të plotë gjatë periudhës së diktaturës së pasluftës, i kishte dhënë formën e sotme qytetit.

Gjithsesi, historia e luftës nuk mbaronte këtu. I frymëzuar nga muzeu i kryengritjes, drejtohem në atë të rradhës: Muzeun e Ushtrisë Polake. Një histori plot beteja e luftëra, kish përndjekur këtë popull mjaft krenar dhe “kokëfortë”. Kryengritjet e tyre të shumta do të linin gjurmë në historinë botërore. E për t’i rikujtur sërish në kohët moderne, muzeumet, fakultetet e historise dhe arkeologjisë si dhe individë e grupe të përkushtura zhvillojnë shpesh shfaqje ri-dramatizimi. Rikthimi në skenë i personazheve, vendodhjeve apo ngjarjeve të shënuara historike të shoqëruara me veshje, armatime dhe sjellje origjinale të kohës për të cilën po flasim, Polonia është bërë e famshme në mbarë botën për ri-dramatizimet e saj, duke filluar nga periudhat e perandorisë romake, ato mesjetare e deri në LIIB, shpesh duke shfaqur përballjet e pareshtura me fqinjët e fuqishëm Gjermani dhe Rusi.

Ngarkesë e madhe me informacione dhe dije për një ditë. Vendimi i radhës: t’i drejtohemi tavernës më të afërt për birrën dhe salçiçet e famshme.

Padyshim, udhëtimi vazhdon diku gjetkë. Treni komod po linte pas hijen e qytetit të madh duke u drejtuar për në destinacionin e rradhës: Vroclav. Qyteti kryesor i Polonisë jugperëndimore, aty ku përflitej të ishte esenca ende e gjallë historike dhe kulturore. Përshtypja e parë ishte mbresëlënëse. Ndryshe nga kryeqyteti gjigand, ky qytet mjaft i “ngrohtë” dhe shumëngjyrësh të jepte një kënaqësi të veçantë ndërsa ecje në rrugët e tij. Mbase prej gjallërisë së shoqërisë, formave interesante te godinave që kishin shpëtuar prej luftës, prania e ujit me lumenj e kanale të shumtë që përshkojnë qytetin…ndjehesh mirë këtu. Mikpritja polake ishte një tjetër faktor që e bën këtë udhëtim akoma më interesant. Si kudo tjetër, guida miqësore vendase nuk të lejon të humbasësh asnjë moment pa spikatur bukuritë dhe veçoritë e qytetit. Tramvajet dhe autobuzët e shpeshtë të ndihmonin të komunikoje me shpejtësi me çdo skaj të qytetit, i cili, duhet përmendur, kishte gjithashtu një shtrirje të madhe. Universitete me traditë shekullore, kisha dhe këmbanore të larta të stilit barok, biblioteka, parqe e hapësira të shumta publike shoqëruar me një jetë sociale të pasur, përbëjnë një tërheqje të padiskutueshme për  çdo  turist. Sigurisht dhe këtu nuk mungonin muzeumet ku për tu përmendur është e famshmja Panorama Raclavice, një pikturë cikloramike e punuar në stil realist, e cila shfaq historinë e betejës me të njëjtin emër, pjesë e një tjetër kryengritjeje të famshe të fund shekullit të XVIII kundër Rusisë. E realizuar për 9 muaj nga një staf piktorësh për 100 vjetorin e fitores së kësaj beteje, stili realist i pikturës i shoqëruar me një ndriçim mjaft të përshtatshëm dhe ripunim i objekteve të shumta origjinale që i bashkangjiteshin pikturës, të përcillnin më së mirë historinë dhe frymën e kësaj ngjarjeje.

Sërish dita duhej mbyllur në mënyrë sa më tradicionale. Nuk mund të humbasësh kurrsesi produktin për të cilin Polonia shquhet si eksportuesi numër 1 në botë: VODKA!

Treni si mjeti më i përdorur i transportit në Poloni, përsëri po më çonte diku gjetkë. Qyteti i rradhës: Krakova. Dhimbja e kokës nga vodka e mbrëmjes së kaluar më bëri të ul kokën për të humbur peisazhin paksa monoton fushor.

Krakova si një ndër qytetet e Polonisë më në zë, e meritonte vëmëndjen e çdo turisti. E përngjashme me Vroclavën, një pjesë e madhe e historisë dhe karakteristikave të vendit gjendeshin në këtë qytet jugor. Kështjella madhështore në një nga pikat me predominuese të qytetit, përmbante nënvete edhe një kishë baroke ku gjenin prehje varre të mbretërve më të mëdhenj që njihte Polonia.

Qëllimi i vërtetë i ardhjes në Krakovë, do të ishte afërsia me kampin famëkeq të përqëndrimit: AUSCHWITZ. Nuk duhej humbur kjo mundësi. Një udhëtim një orësh me makinë për të mbërritur në Auschwitz dhe Birkenau. Do të ishin këto dy kampeve të cilat do të shënonin numrin më të madh të viktimave të Holokaustit. Tani isha në gjendje të materializoja në realitet, çdo pamje apo skenë të filmave të shumtë të cilët trajtonin këtë temë. Ruajtja e këtyre kampeve nën titullin Pasuri Botërore, i shërbejnë çdokujt si një vërtetësi e gjallë e tmerreve të luftës dhe çmendurisë njerëzore.

Për tu larguar nga ai vend i trishtë dhe për të ndërruar atmosferë, i drejtohemi minierës së kripës në Vieliçka. 62 m nëntokë fillonte turi prej 2 orësh në një nga minierat më të famshme në botë. 300 km tunele të gërmuar që prej shek. XIII për nxjerrjen e gurit të kripës. Gjatë këtyre shekujve, minatorët janë treguar dhe inxhinierë dhe artistë të vërtetë, çka e dëshmon teknologjia e nxjerrjes së gurëve të rëndë deri në sipërfaqe, gjithashtu edhe skulpturat e shumta apo kisha dhe salla madhështore të gërmuara dhe skalitura 100 m nëntokë.

Largohemi përsëri me qeskat plot suvenire. Një mbrëmje e zakonshme pret për tu shoqëruar me Vodka Sobieski (sipas emrit të mbretit polak të shek. XVII i cili zbrapsi me trimëri peranadorinë osmane) , më kujton konjakun tonë me emrin e heroit Skëndërbe dhe kontributin e ngjashëm.

Trashëgimi ushtarake, arkitekturore, fetare e kulturore, ushqim i shijshëm, vodka dhe birrë e pakrahasueshme, mikrpritje e shkëlqyer, njerëz të qetë e të sjellshëm,…më kaploi trishtimi ndërsa shihja tek i lija pas.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

16175

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.