Aurela Gace: Nuk me iken vera pa kaluar ne Vlore

Aurela Gace: Nuk me iken vera pa kaluar ne Vlore

Written by Irhan Jubica on Saturday, 03 March 2012. Posted in Intervista

Interviste me kengetaren e njohur vlonjate

Aurela Gace: Nuk me iken vera pa kaluar ne Vlore

“Kënga ime” apo “Feel the passion” përfaqësoi Shqipërinë mes 43 konkurrentëve të Festivalit të 56 të Këngës, Eurosong, në Dusseldorf të Gjermanisë. Aurela Gaçe ka dhënë një interpretim të shkëlqyer të kësaj kënge gjatë Krishtlindjeve të shkuara, në Festivalin e 49 të Këngës në RTVSH, ku dhe u shpall fituese e vendit të parë. Janë të shumta çmimet që Aurela Gaçe ka marrë gjatë karrierës së saj si këngëtare, por vlerësimi më i rëndësishëm - edhe se vetë Eurosong-u, është padyshim kujtesa e publikut: 

Klipi i këngës suaj pjesmarrëse në Eurosong është një spot promovues për turizmin shqiptar. Ishte ideja juaj kjo zgjedhje?

Ka qenë ideja e regjizorit të videos, Albert Malltezi, i cili sigurisht e shtroi si ide dhe ne, i gjithë grupi realizues i këngës, e mbështetëm atë. Duke e ditur sa shikues mund të marrë një video pjesëmarrëse në Eurovizion, dëshironim që t'i bënim të njohur Europës, brenda një klipi treminutësh, ato bukuri natyrore të vendit tonë.

 

Eurosong është i rëndësishëm për Aurela Gaçen apo për Shqipërinë? Pse?

Në momentin që unë ose një këngëtar tjetër përfaqëson vendin e tij, atëherë automatikisht paraqitja nuk bëhet më për veten tënde, por për atë shtet që ti përfaqëson.

Është i rendësishëm sepse është një moment prej tre minutash ku emri i vendi që përfaqëson ka mundësi të dëgjohet e shikohet nga miliona njerëz... Megjithëse një shtet i vogël, ne qëndrojmë mirë pranë shteteve të fuqishme dhe kjo nuk është pak: të tregosh se ke muzikë të bukur, ke njerëz që dinë të shkruajnë muzikë dhe performues të mirë.

 

A mendoni se zgjedhja e këtij videoklipi mund të ndikojë edhe tek emigrantët shqiptarë nëpër botë që të votojnë më shumë se vitet e tjera paraqitjen e Shqipërisë në Eurosong, të shtyrë natyrisht nga emocionet që i shkaktojnë çdo mërgimtari pamjet më të bukura të vendit të  tij?

Ne radhë të parë ne kërkonim që me anë të këtij klipi të krijonim miq të rinj për Shqipërinë, sepse mendoj që shqiptarët duhet ta mbështesin këngën e tyre edhe kur nuk janë shumë të kënaqur me të… Po s’e deshëm ne veten, në të mirë e në të keq, si mund të na duan të tjerët?

 

Gjatë prezantimit të këngës suaj në disa vende, cilët elementë janë çmuar më shumë nga opinioni i atjeshëm?

Po, ka pasur reagime të ndryshme. Dikush ka thenë se kënga nuk është tipike këngë Eurovizioni, por ka një tingëllim tjetër, dhe mua kjo më ka pëlqyer. Ka pasur reagime edhe për klipin, sigurisht për audion.

 

Gjatë realizimit të videoklipit ju është dashur të vizitoni disa prej vendeve më të bukura të Shqipërisë. Kishte ndonjë që e shihni për herë të parë?

Po, ishte kalaja e Ali Pashës në Sarandë. Të them të vërtetën, nuk kisha shkuar kurrë atje, pasi duhej të hipje në një varkë ose skaf që të mund të shkoje në atë vend ku ne xhiruam. Për këtë na ka ndihmuar shumë i apasionuari mbas fluturimeve e xhirimeve nga lart, Alket Islami. Ai e dashuron këtë vend dhe mundohet me të gjitha mënyrat ta promovojë.

 

 

Meqë jetoni prej disa vitesh në Amerikë, ktheheni në Shqipëri për të marrë pjesë në festivale, apo edhe për pushime? Sivjet, psh, ku do t’i  bëni pushimet?

Une tani nuk quhem më e ikur në Amerikë, pasi jam shumë prezente. Tani kanë ndryshuar rolet: më pak shkoj në Amerikë, e më shumë them se jetoj në Shqipëri... do të doja ta lexonin edhe gazetarët e tjerë këtë dhe të mos e përmendnin më faktin se ku jetoj unë. Unë jam një njeri i lirë, por e dua atë që bëj, dhe ajo që bëj është të krijoj, të jap në skenë. Përderisa jam gjithmonë prezente, do të thote se nuk jam e ikur.

Sa i takon pushimeve, akoma s´i kam menduar, por sigurisht kudo që të shkoj, pa kaluar në Vlorë, nuk më kalon stina e verës.

 Përveç nostalgjisë dhe rrethit shoqëror, ç’motive mund ta shtyjnë një shqiptar të kapërcejë Atlantikun për të bërë pushimet në Shqipëri? Po një amerikan, sipas jush, përse mund të vinte për pushime në Shqipëri?

Motivet janë shumë të forta. Ata që e kanë provuar largimin, emigrimin, e di që më kuptojnë kur flas. Motivi është në radhë të parë malli.  Njeriu mezi pret që ato para që ka mbledhur t’i blejë bileta udhëtimi me familjen dhe të vijë në atë vend ku ka lindur.

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

17593

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.