Kledi Kadiu: Gjithmonë duhet të kthehemi pas, të shohim nga e shkuara

Kledi Kadiu: Gjithmonë duhet të kthehemi pas, të shohim nga e shkuara

Written by Flora Xhemani Baba on Tuesday, 16 April 2013. Posted in Intervista

Balerini i njohur shqiptar - personazh real i "La Nave Dolce"

Kledi Kadiu: Gjithmonë duhet të kthehemi pas, të shohim nga e shkuara

 

Ajo ishte një anije e mbushur me sheqer por më shumë se me çdo gjë tjetër, u mbush me njerëz, pikërisht njëzet vjet më parë, dhe u nis nga brigjet e Shqipërisë, drejt Italisë, drejt ëndrrës, drejt Tokës së Premtuar, atje ku askush nuk e dinte se çfarë do t’i priste, por që të gjithë e shpresonin si parajsën e munguar.
Njëzet vjet më pas, regjizori Italian Daniele Vicari, skenaristët Ilir Butka e Genc Përmeti, u mblodhën bashkë, rrëmuan në arkivat e kohës, thirrën për bashkëpunim disa prej njëzetmijë të ikurve të dikurshëm, një pjesë e të cilëve sot janë persona të njohur e të suksesshëm këndej e andej vendit, dhe realizuan dokumentarin “La Nave Dolce”, nisur prej ngarkesës së saj por edhe prej ëndrrave që përkundën para dy dekadash shumë prej atyre që kacavirreshin dikur direkëve e litarëve të saj. Një film i arrirë, që më shumë se një dokumentar i ngjan realizimit të një filmi të vërtetë, një vepër dinjitoze, që tërhoqi gjithë vëmendjen e kritikës në festivalin e Venecias dhe ndonëse nuk ishte pjesëmarrës, u vlerësua me çmimin e kritikës. Në këtë multiintervistë, nuk kemi dashur të sjellim triumfatorët apo realizuesit por pikërisht ikanakët e dikurshëm, për të kuptuar pakëz nga emocionet dhe përjetimet e tyre të dy dekadave më parë.

 

Kledi, ti je një nga njëzetmijë të ikurit mbi anijen e ëmbël që përgjatë viteve dolën prej anonimatit dhe sot janë njerëz të rëndësishëm publikë. E kishe menduar ndonjëherë se do të të ndodhte kjo?
Tashmë është  një fakt, të cilit nuk mund t’i shmangesh dot me një përgjigje të shkurtër për të kaluar rradhën, sepse të gjithë në atë anije, pra të njëzetëmijë të ikurit, sikundër Ju e keni cituar në  pyetjen Tuaj, pavarësisht se nuk njiheshim më parë me njëri- tjetrin, e ndjenim se kishim një gjë të përbashkët dhe unike për të gjithë; “ëndrrën tonë për të qënë të lirë”. Duke e parë filmin “La dolce Nave”, një anije shumë të madhe e “ngarkuar” në çdo pëllëmbë të saj me qenie njerëzore, nuk arrij ta besoj për atë sipërmarrje sa të guximshme aq edhe tragjike që kishim ndërmarrë, sikundër edhe për çfarë do të ndodhtet  me mua në një të ardhme jo të largët.
Por, ashtu si dhe ndodhi në të vërtetë; u deshën shumë sakrifica, që për hir të vërtetës për mua kishin nisur që në vitet e para të akademisë së baletit në Tiranë. Profesioni që unë kisha zgjedhur kërkonte një angazhim të përditshëm me mjaft lodhje dhe sakrifica, të cilat kanë qenë ndër  shtysat kryesore që  përgjatë  viteve prej një  anonimati të shkel drejt suksesit profesional dhe sot njeri me një vlerë  për publikun italian.
Gjithashtu, është po aq e vërtetë se asnjëri nga ne nuk e kishte të “përcaktuar fatin”, të cilin shpesh e ngatërronim me gjithçka shihnim në TV-të  italiane, se përtej atij deti një jetë  tjetër  shumë më e mirë  na priste.
Si ndjehesh kur përshkon me mendje këtë rrugë 20-vjeçare, nga ku u nise i panjohur në një anije plot klandestinë  dhe sot je një nga pesonazhet më të dashur të Italisë?
Dua ta theksoj edhe në këtë intervistë me Ju, se u jam shumë  mirënjohës atyre që më krijuan mundësitë për t’u punësuar nga njëra anë, por gjithashtu sepse  më krijuan mundësitë për të vënë në pah cilësitë dhe teknikën individuale  të artit të bukur të kërcimit, nga ana tjetër.  Për sa kam arritur deri më sot, unë e ndjej veten  të lumtur dhe mund ta cilësoj këtë si një  kurorëzim të të gjitha mundimeve dhe përpjekjeve të bëra nga mosha 10 vjeç. Mjeshtria e të kërcyerit tashmë është  bërë pjesë e jetës sime, madje do të thoja që jam shumë i përkushtuar, jo vetëm në momentet gjatë interpretimit në skenë por edhe gjatë gjithë periudhës, përfshi edhe kohën e lirë, të cilën e kam me kursim.  Dikur një miku im gazetar italian më bëri një pyetje:”Kledi,  a keni qenë dakord me zgjedhjen  e titullit të  vënë librit tënd  “Jeta ime më e mirë se një përrallë”, botuar në vitin 2009 nga ana e shtëpisë së njohur  botuese ”Mondadori”?. Shumë e thjeshtë dhe e shkurtër ka qenë përgjigja ime “ faleminderit publikut italian që më pranoi të realizoj ëndrrën time”.
Kur more vesh se po bëhej një film mbi anijen ku ti kishe hipur dikur, e ndjeve që edhe ti duhej të ishe patjetër mes protagonistëve?
Regjisorin italian të filmit Daniele Vicari, të cilin e falënderoj shumë,  e kam takuar rreth 1-2 vjet më parë, më njohu me sipërmarrjen e tij për të skalitur në film gjithçka që njëzetmijë shqiptarë përjetuan në udhëtimin  apokalitik drejt Italisë në vitin 1991. Por, kur mora ftesën për t’u bërë personazh konkret i këtij filmi, Ju them me sinqeritet se kam ndjerë emocion dhe  përgjegjësi të veçantë, pasi  do të dëshmoja  pas 20 vjetëve në film shumë prej ndjenjave, ëndrrave, mendimeve, sakrificave nga momentet e hipjes në anije në Durrës, udhëtimin në det të hapur për shumë orë deri në arritjen në portin e Barit në Itali, e për fatin tonë të keq dhe kthimin përsëri në Shqipëri. Duke qenë një prej protagonistëve në anije, pranova këtë sfidë. Dua të them se pjesëmarrja ime në film ka ardhur natyrshëm dhe jam përpjekur që të tregoj të gjitha faktet që në realitet unë dhe të tjerët kemi përjetuam në këtë udhëtim. Ajo që unë dhe personazhet e tjerë realë në këtë film mendojmë tani, është se çfarë impresionesh do të përjetojnë  këta njerëz në  ekranin e magjishëm të kinemasë duke filluar nga 8 Nëntori 2012.
Çfarë do të thotë për ty ta fillosh nga zeroja dhe të shkosh në “top”?
Eshtë një pyetje që shpesh ma bëjnë mjaft njerëz sot në Itali, madje tani edhe shumë prindër në shkollën time të baletit në Romë, të cilët më kanë besuar fëmijtë e tyre për të mësuar artin e bukur të baletit. Në moshën 8 vjeçare në shtëpinë time ka bërë një vizitë një nga profesorët e mi të ardhshëm të baletit i cili tani nuk jeton më. Kur është bërë gati të largohej, i thotë gjyshit tim Xhavid dhe gjyshes sime Kimete se a mund të “duroni” të shihni nipin tuaj të bëjë një sparkatë. Unë me dëshirën që e kisha të madhe, në koridorin e ngushtë të shtëpisë në qendër të Tiranës, u përpoqa të demostroja atë që për shumë balerinë është mjaft e vështirë. Më vonë, pas një bisede edhe me prindërit Prof. Miltiadh Papa, rekomandoi që Kledi mund të konkurojë në shkollën e baletit, tani Akademia e Baletit e Tiranës.
Gjatë periudhës së shkollës 8-vjeçare por edhe asaj të mesme, në mënyrë të natyrshme, ditë pas dite duke parë dhe mësuesit e mi në shkollë dhe jashtë saj, me ngulitej në mendje se përveç punës sistematike, një djersitjeje të përditshme nuk do të ketë arritje. Me përfundimin e studimeve dhe emërimin si balerin i parë në Teatrin e Operas dhe Baletit të Tiranës, fillojë një jetë e re me shumë ngritje dhe zbritje për të plotësuar dëshirat dhe kërkesat që kanë të gjithë balerinët. Në Itali, nuk ka qenë e lehtë për mua dhe tre kolegët e mi Julian Shtino, Olta Bitri dhe Alma Mushani, të gjithë  balerinë të TOB-it në Tiranë. Fillimisht, sistemimi pranë një kompanie të baletit dhe qëndrimi për disa kohë "pa dokumenta të rregullta" në qytetin  e Mantovës,  sigurova më vonë një kontratë të rregullt pune në një kompani baleti në Rovereto. Më pas, kalova në Milano dhe së fundi në  Romë, falë një pune të palodhshme dhe të përkushtuar ndaj artit të  bukur të baletit. Pak e nga pak filluan të më plotësoheshin dëshirat dhe ajo më kryesorja për të cilën kisha ëndërruar, të respektohem i barabartë me kolegë e artistë italianë. E gjithë kjo maratonë ka poshtë një emërues të përbashkët; punë dhe djersë.
Një anije të çon drejt së panjohurës dhe një tjetër të sjell po mbi det  drejt njohjes së vlerave por edhe rikujtesës. Çfarë ka mes këtyre dy ekstremeve  Kledi?
Sapo dëgjova pyetjen tuaj, në moment më lindi  ideja të bëj një krahasim sikur le të përpiqemi të bëjmë bashkimin e dy ekstremeve të  shufrës për të krijuar një rreth, njëri skaj i të cilit përfaqëson fillimet e hershme të përvojës ndërsa skaji tjetër arritjet  në një moment të caktuar të jetës. Që ky rreth të  përshkruajë një distancë jetësore të qëndrueshme,  nevojitet që  këto dy ekstreme , që në fakt përfaqësojnë kualitete  të ndryshme, duhet të jenë të “salduara”, ose  që unë shpesh e theksoj në unitet, që nënkupton nevojën dhe domosdoshmërinë për të ecur përpara duke mos harruar motivin e  sakrificave në të shkuarën. Pra Kledi, ose kushdo tjetër që pretendon të ecë drejt të panjohurave, nevojitet ajo që theksova edhe në pyetjen e mëparshme, se duhet t’i  kthehet vazhdimisht fillimeve të tij.   Faleminderit

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15649

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.