Berlini, qyteti i ndarë në mes

Berlini, qyteti i ndarë në mes

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 02 October 2013. Posted in Outgoing

Në kryeqytetin gjerman për stinë panairesh dhe jo vetëm....

Berlini, qyteti i ndarë në mes

 Ideja se do të udhëtosh për në Berlin të çon vetvetiu në mendje dy gjëra; Murin e Berlinit dhe Portën e Brandenburgut, dy detaje që i njeh çdokush, edhe nëse s’ka qenë asnjëherë në Berlin, ashtu siç njohim Kullën Eifel ndonëse s’kemi qenë në Francë apo siç njohim Statujën e Lirisë megjithëse s’e kemi vizituar kurrë Amerikën. Mirëpo, duke qenë se të paktën këtë herë një pengesë tjetër të shoqëron kudo e nuk të lejon që të zbulosh më shumë nga ky qytet shumë interesant, është fakti se ne po shkojmë në panairin e turizmit, që do të thotë dyzimi është i madh; ta harxhojmë  kohën duke parë  gjithë botën të mbledhur në një vend, apo të shohim sa të mundemi prej Berlinit, që është një joshje jo e vogël. Megjithatë edhe këshillat që morëm me vete prej atyre që kishin jetuar me vite në Berlin, nuk ishin fjala vjen “mos lini pa e parë Bundestagun” apo Brandenburgun”, por: “Bëni një xhiro në Alexander Platz, apo në Potsdamer Platz.

 

Vizita në Berlin për ne, ishte një dhuratë e përfituar nga Ministria e Turizmit dhe Shoqata Shqiptare e turizmit ATA, si pjesë e Çmimit të Turizmit, me të cilën u nderuan disa subjekte dhe organizma privatë dhe shtetërorë, në Konferencën e fundit të Turizmit, që u mbajt në Tiranë dhjetorin e shkuar.

Blerina ishte shoqja ime e udhëtimit dhe në fakt shqetësimi i saj kryesor nuk ishte fjala vjen udhëtimi me avion apo të tjera të kësaj natyre por nëse kishte marrë me vete sa duhet broshura për kompaninë e saj Alb Rafting, që do ta prezantonte në panair. Natyrisht takimi me Berlinin ishte ende larg disa orë udhëtim dhe një ndalesë në Mynih.

Impakti i parë pas zbritjes nga aeroporti ishte zhgënjyes. Ndërtesa të zymta vraponin anash xhamave të ditares së taksisë (taksisti ishte turk dhe ndonëse makina ishte pajisur me taksimetër, ai bëri pazar me ne, që qeshëm se na u duk vetja si në Shqipëri) dhe kryetari i bashkisë Pogradecit, që nuk e kishte të parën këtë vizitë na tha se ky ishte Berlini Lindor dhe natyrisht që do të kishte fytyrën e ish-regjimit të dikurshëm. U habitëm se sa shumë ngjanin ndërtesat me pallatet tona, sa të zymta e të ngushta ishin lagjet dhe rrugët, ndonëse jo plotësisht të mjera e të lodhura siç ishin fjala vjen pallatet tona dikur pesëkatëshe në Shqipëri. Ideologjia e atëhershme ishte të mbyste sa më shumë të bukurën dhe të unifikonte me uniformizim çdo gjë që të shihte syri. Edhe kur zbritëm ishte i njëjti zhgënjim, madje i përforcuar prej mbeturinave të hedhura përtokë nëpër rrëzat e ligustrave, tamam si në Shqipëri, qese patatinash apo kartona paketash boshe. Kryetari i bashkisë përpiqej të na shpjegonte me atë që kishte përjetuar vetë nga berlinezët lindorë, se ata nuk e respektonin edhe aq shumë ambinetin publik, një alergji edhe kjo e mebtur nga vitet e diktaturës për shkak të saj që dikur quhej pronë e përbashkët. Rregullat e Perëndimit që sundonin fuqishëm mbi pjesën tjetër të qytetit, akoma nuk kishin depërtuar nëpër mendjet e banorëve të kësaj ane, në këto dy dekada e më shumë.

Luani, koordinatori i GIZ që kishte marrë përsipër të bënte guidën tonë në Berlin, na premtoi se do të merrnim “The best”, brenda mundësive që kishim dhe ditëve të qëndrimit. Është pasdite, (në fakt sapo ka rënë mbrëmja) dhe pasi mbërrijmë në hotel, nuk humbim kohë, duam të fillojmë me vizitën e qytetit.  Objekti i parë që deshëm të vizitonim ishte Porta e Brandenburgut - ne jemi tradicionalë, nuk pretendojmë të bëjmë trend për kaq pak ditë në Berlin.

Kur e sheh nga afër, ajo është krejt tjetër gjë nga ç’jemi mësuar ta shohim nëpër imazhe, pra si mur të sheshtë me kolona të gjata dhe me kuaj të majë. Përveçse  mbresëlënëse, ajo është edhe ftuese - natyrisht është një portë - dhe kolonat nuk janë thjesht kolona por koridore të gjera të gdhengura prej mermeri ku mund të kalohet për në anën tjetër të qytetit. Karroca e perëndeshës Viktoria me kuajt e bronxtë është thjesht madhështore, por edhe me një histori interesante, që nuk lidhet thjesht me ndërtimin e Portës, në vitin e largët  1791, ndërtim i cili u bë pa zhurmë e bujë por thjesht si një portë e qytetit. Karroca u vendos mbi portë dy vjet pas ndërtimit të saj dhe ka krijuar më shumë histori se vetë porta. Në kohën e Napoleonit, ky  fundit e paketoi karrocën në 12 kuti dhe e çoi në Paris si trofe lufte. Tetë vjet më pas, trupat prusiane e risollën në shtëpi dhe gjatë luftës së Dytë Dotërore ajo u dëmtua rëndë dhe u riparua nëpër fonderitë e Berlinit, më 1958. Riparimi nuk përfshiu emblemën që Viktoiria mbante në dorë. Në vitet ’90 karroca u çmontua sërish prej dëmtimeve dhe kur u rivu për të distatën herë në vendin e saj, kishte më në fund me vete edhe emblemën e perëndeshës, siç  e shohim sot.

Shkojmë drejt Bundestagut, një ndërtesë hijerëndë që jo më kot të kujton Hitlerin. Ne nuk mund ta shohim shumë mirë, por hija e saj e rëndë bie mbi Shpre, duke na kujtuar rreptësinë gjermane, që duhet thënë se ne shqiptarëve na pëlqen ndonëse e kemi të vështirë ta zbatojmë vetë.

Është e mundur ta vizitosh Berlinin edhe në këmbë, natyrisht duke parë shumë pak prej tij – ai është një qytet me më shumë se tre milion e gjysëm banorë - pra një Shqipëri e pak më shumë. Luani thotë se Berlini është një ndër qytetet me më shumë muzeume në botë, janë më shumë se gjashtëdhjetë të tillë me statusin e muzeut kombëtar, pa llogaritur muzetë e vegjël lokalë që janë të panumërt. Qyteti nuk është vetëm një qendër e gjithëvitshme panairesh por edhe një kryeqytet aktivitetesh të mëdha kulture në botë, ndonëse duket sikur këto statuse i gëzojnë Parisi apo Londra. Berlini në këtë mes është ai profesionisti i padukshëm që bën punë të mira por nuk ka shumë dëshirë të jetë protagonist.

Natyrisht që për të marrë diçka me vete nga ky qytet duhet patjetër që të provojmë salçiçet e famshme gjermane dhe pak birrë vendi. Gjermanët të gjithë kanë një zakon; nëse i pyet se ku bëhet birra më e mirë në Gjermani, ata të thotë pa hezitim: në qytetin e tyre. Ju nuk besoj se keni dëgjuar për ndonjë birrë të famshme berlineze, por ja që ata ta thonë me plot gojën se birra më e mirë në gjermani është pikërisht Berliner Bier. Anipse ju mund të njihni Bavarinë e famshme (gjithë bota jo vetëm ju), ata nuk duan t’ia dinë për të.

Disa prej teatrove dhe muzeve i shohim rrugës dhe e dimë se nuk kemi kohë t’i vizitojmë brenda, na pret një ditë e gjatë në panair dhe në njëfarë mënyre, programi është i përcaktuar.  Një detaj që na pëlqen janë statujat shumëgjyrëshe të arinjve, që i gjen kudo nëpër parqe publike - ariu është simboli i qytetit, të cilit i ka dhënë dhe emrin.

Në fakt nëse do të ishte e mundur të zgjedhësh, Berlini nuk duhet vizituar në kohë panairesh sepse do të jesh vazhdimisht midis dyzimit për të shkuar e për të parë botën në një anë, apo për të ngopur vështrimin me  Berlinin nga ana tjetër. Ah, këtë fundit filluam ta mendonim kur gradualisht e pa u ndjerë, kishim kaluar në Berlinin Perëndimor. Këtë e kuptuam edhe sepse në anë të trotuarit që të çote në Potsdamer Platz, kishin lënë disa fragmente të murit, natyrisht për relike. Kur thua Muri i Berlinit, mendja të shkon tek një mur i ngjashëm me atë kinez, i trashë e me shumë gurë. Në fakt, tani thuajse të gjithë e dinë që Muri ishte një montim i rrufeshëm e me shumë urgjencë, i pllakave të mëdha prej betoni, që kishin një bazë të gjerë ku u fiksuan bullonat e mëdha të çelikut. Muri u ndërtua brenda një nate dhe natyrisht ai nuk mund të ndërtohej me llaç e tulla, çka do të kërkonte një kohë më të gjatë.

Berlini Tjetër

Rrugë më të gjera, ndërtesa me arkitekturë të bukur, skulptura bashkëkohore që kombinonin me fasadat e shumta prej xhami. Berlini Perëndimor ishte një qytet krejtësisht i ri e kryesisht prej xhami, i cili ishte ndërtuar vetëm vitet e fundit me ritëm marramendës. Luani na tha se gjithçka që ndodhet në Potsdamer Platz, është ndërtuar vetëm vitet e fundit. Qendrat tregtare, qendrat e biznesit, institucionet shtetërore me arkitekturë moderne, gjithçka. Dhe është investuar në mënyrë të pallogaritshme për të kapur kohën. Natyrisht gjithçka mbi një rregull urbanistik. Sa mirë do të kishte qenë sikur edhe Shqipëria në këto njëzet vjet ta kishte pasur zhvillimin në këtë mënyrë. Kaosi i lëvizjes së automjeteve apo njerëzve, (që dukej krejt i ndryshëm me atë të Berlinit lindor), dukej i gëzueshëm, shumëgjyrësh, intensiv, por kishte vend për gjithçka, edhe për stola ku të uleshe, qoftë edhe mbi bulevard, edhe sheshe ku të rrinin të rinjtë e shumtë si psh. në Alexander Platz.

Ishte vonë. Të nesërmen kishim në program të vizitonim botën. Dmth, stendat e më shumë se tetëdhjetë shteteve të botës, që kishin ardhur të tregonin veten në Panairin e radhës në Berlin.

Panairi, ky gjigand më vete i industrisë së turizmit botëror, i cili çdo vit prodhon rekorde të reja të të gjitha fushave. Rreth 6,000 gazetarë, 250 blogera, 350 politikanë dhe diplomat nga Gjermania dhe shtete të tjera, 77 ambasadorë, 98 delegacione të huaja, 47 ministra, 110 vizitorë biznesi, 188 subjekte nga 80 shtete e shumë të dhëna të tjera, ishin disa prej shifrave që regjistroi ky eveniment, shifra të cilat ishin 20-25 më të larta se vitin e shkuar. Të ardhurat që ky panair gjeneron për ekonominë e Gjermanisë janë ndjeshëm të konsiderueshme.

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15908

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.