Gardenland Resort, Barbullush - një xhevahir në zemër të natyrës...
Kthimi tek natyra, tek toka, tek e pastra, tregon se investuesit e kanë kuptuar se duhet të shkojnë drejt turizmit të qëndrueshëm
Kemi marrë segmentin e rrugës Bushat-Barbullush dhe po shkojmë tek Gardenland Resort, një strukturë e re pushimi dhe argëtimi që është ngritur së fundmi këtyre anëve. Në fakt është kënaqësi e madhe të shohësh se si investimet në turizëm janë aq serioze e të mirëmenduara. Por ajo që është pozitive, është se një pjesë e mirë e këtyre investimeve po fokusohen tek turizmi i natyrës dhe i traditës. Kthimi tek natyra, tek toka, tek e pastra, tregon se investuesit e kanë kuptuar se duhet të shkojnë drejt turizmit të qëndrueshëm. Kur u futëm në ambientet e Gardenland e kuptuam menjëherë këtë.
Rruga e asfaltuar vazhdon ende të çajë mes gjelbërimit e kodrinave por ne do të ndalemi këtu, ku një portë e madhe, në krah të së cilës shkruhet me germa të mëdha Gardenland Resort, të fton të hysh brenda. E në fakt kompleksi, është ashtu siç e kishim menduar; madhështor. Një shtrirje e tillë të krijon gjithmonë idenë e pafundësisë dhe të bën të shijosh ajrin e pastër me kënaqësi. Kompleksi ka lulëzuar mes një peisazhi të bukur plot gjelbërim, në një hapësirë prej dhjetëra hektarësh, ku kanë zënë vend të gjitha shërbimet e mundshme që të bëjnë të shijosh një ditë të plotë pushimi e më shumë. Hoteli me njëzet dhoma është strehuar brenda arkitekturës së bukur me ngjyrë pasioni, ndërkohë që ndërtesën e rrethojnë nga të gjitha anët, verandat, restorantet, këndet e lojrave për fëmijët, sera e perimeve dhe në pjesën e pasme, pishina e pamatë, ndërtuar bukur, që mund të pranojë lirisht së paku tetëqind pushues, secili në shezllonin e tij. E natyrisht nuk mund të mungojnë lulishtet me lulet shumëngjyrëshe, një resort që e ka fjalën “garden” pjesë të emrit të tij, nuk mund të imagjinohet ndryshe përveçse i stërmbushur me lule. Nëpërmjet ashensorit panoramik mund të ngjitesh tek bar restoranti i katit të fundit, ku dekorimi flet për shije moderne por ka kombinuar me kokëfortësi plot elemente që të kujtojnë traditën.
Ju do thoni që gjithçka është vetëm kaq? Jo, e bukura vjen më pas. Pa këto elemente të veçantë, Gardenland do të kishte qenë një vend pushimi i zakonshëm. Ajo që na solli ne deri këtu, është fakti që ky resort në mes të gjelbërimit është i lidhur në mënyrë organike me natyrën. Dhe sipas nesh, përveç standartit absolut të shërbimit dhe ambienteve, gjëja që mund t`i admirosh më shumë janë kopshtet me pemë, perimet që i rrisin vetë, në serën e oborrit apo jashtë në natyrë, vreshtat jo vetëm me rrush por edhe me kivi, por sidomos këndet natyrore që i shtojnë aq hijeshi resortit, ku të zotët kanë instaluar kampingun e rulotave për miqtëë e huaj që duan të bujtin këtu. Sepse ata e dinë mirë që të huajt - dhe duhet ta themi këtë - janë shumë të dashuruar me natyrën tonë. Ata adhurojnë t`i këpusin perimet në kopësht, frutat në pemë dhe çlodhjen ta bëjnë ndoshta drejt e në bar. Në një kohë më të vonë, ata edhe mund të peshkojnë për kënaqësi në basenin pas resortit ose në degëzën e Drinit, që kalon i fjetur bri shelgjeve e akacieve, pranë basenit, që nesër do të mbushet me peshq.
Megjithatë resorti kërkon standarte e kushte të një niveli të lartë që pavarësisht qasjes kah natyralja, duhet të jenë të padiskutueshme. Për këtë arsye dhomat janë luksoze, shërbimi në recepsion i patëmetë dhe djemtë e vajzat e stafit e dinë mirë se si duhet t`u shërbejnë klientëve. Ata duhet të jenë njësoj të disponueshëm edhe kur ka fluks të jashtëzakonshëm, edhe kur në tavolinat e resortit pushon dhe kërkon të shërbehet ekipi i djemve të Vllaznisë edhe kur vendin e pushtojnë fëmijët.
Mos mendoni se harruam të pyesim për ushqimin. Në fundoren e vet të gjithë ata që do të zgjedhin Gardenland për të pushuar dhe për t`u argëtuar, nuk do të duan të mjaftohen vetëm me ambientin e bukur e luksoz por edhe me cilësinë dhe shijen e ushqimit. Dhe për fat të mirë, vendndodhja pranë natyrës ia jep këtë favor resortit, që të shfrytëzojë ushqimet e pastra e natyrale që prodhon zona, e njohur për prodhimtarinë e saj cilësore. Mishi dhe gjedhët e rritura pranë fermerëve të vegjël, siguron jo vetëm shijen por edhe shëndetin, perimet që rriten të gjitha në serën dhe kopshtin e resortit por edhe shumë prej pemëve të kopshtit të madh, përfundojnë të gjtha në tavolinat e pushuesve. Edhe peshku vjen i freskët nga liqeni e lagunat, apo edhe nga deti i Velipojës, që nuk e kemi dhe aq larg. Kuzhina anon shumë kah tradita dhe nga mishi por gjithçka mund të ofrohet nëse klienti e do.
Po nesër? Nesër, çfarë ju sheh syri rreth e qark do të kthehet në një fermë të madhe ku do të mbillet akoma më shumë çdo bimë e pemë, ku do të rriten gjedhët, ku kampingu i rulotave dhe i çadrave do të zgjerohet me siguri nga miqtë e shumtë por mbi të gjitha ambientet e pushimit, këndet e lojrave, pishina gjigande, restoranti ku mund të shihni gatimet në zgarë e prush, bashkë me picerinë, dhe gjithçka që quhet Gardenland Resort, do të jetë përsosur në maksimum duke e bërë shumë më të bukur ditën tuaj të pushimit këtu. Ky është vetëm fillimi.