Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Written by Ilirjan Gjika on Thursday, 15 March 2012. Posted in City Guide

Atje ku shkrihet kaltërsia e detit me gjelbërimin e përhershëm.

Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.  Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse  të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë si dielli, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie dhe relaksi.

 

Vlora ndodhet në J-P të Shqipërisë përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij shkëmbor të Jonit. Me një sipërfaqe prej 1609 km2 dhe një popullsi prej 200 000 banorësh, rrethi i Vlorës kufizohet në veri me Fierin, në lindje me Mallakastrën dhe Tepelenën, ndërsa në jug me Sarandën dhe Gjirokastrën. Në perëndim ujërat e ngrohta të Adriatikut dhe Jonit lagin një vijë të larmishme  bregdetare, ku mund të ndeshësh laguna, gjire, ishuj, gadishuj dhe plazhe të shumtë. Vlora është rrethi ku alternohen midis tyre të gjitha format e relievit, si ai i ulët fushor, kodrinor dhe malor. Relievi përbëhet nga fusha e Myzeqesë së Vlorës , luginat e Dukatit dhe Shushicës, disa masive kodrinore, malësia e Kurveleshit dhe vargmalet Shashicë-Lungarë-Cikë (2045 m), si dhe Gribë-Çipin-Pleshevicë. Hidrografia përfaqsohet nga rrjedha eposhtme e lumit Vjosa, lumi i Vlorës apo i Shushicës, përroi i Dukatit, etj. Pjesë të tjera të hidrografisë së pasur janë edhe dy liqenet detare të Nartës dhe Orikumit, si dhe një sërë përrenjsh malorë.

Klima është tipike mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimër të butë dhe të lagësht, ku gërshetohen ndikimi zbutës i detit në perëndim dhe ai i relievit malor në lindje.Temperaturat mesatare arrijnë në 16o, ku ajo e korrikut dhe janarit kapin shifrat 24 dhe 6 gradë celcius. Klima regjistron 2000 orë rrezatim diellor në vit, ndërsa reshjet bien përgjithësisht në formë shiu dhe pjesërisht në formë dëbore në malet e larta. Sasia maksimale e tyre arrin në shpatet e maleve të larta shifrën 2405 mm.

Qyteti i Vlorës është qendra administrative e Qarkut. Ai shtrihet buzë gjirit detar me të njëjtin emër duke nisur nga pusi i Mezinit në veri dhe deri në Ujin e Ftohtë në jug. Githsej me një sipërfaqe prej 30 km 2 qyteti ka një gjatësi veri-jug prej 19 km dhe gjerësi lindje-perëndim prej 16 km.

 Popullsia.  Dialekti tipik, kultura dhe traditat i dallojnë lehtësisht vlonjatët, të cilët shquhen dhe për temperamentin e zjarrtë dhe humorin e hollë dhe plot shije. Qyteti së bashku me rrethinat ka një popullsi prej 200 000 banorësh shumica e së cilës banon në katër bashkitë e këtij rrethi si Vlora, Orikumi, Selenica dhe Himara. Vlora është një nga 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë dhe përfshin rrethet e Vlorës, Sarandës dhe Delvinës. Vetë Vlora përbëhet nga katër bashki, dhe 96 fshatra të përqendruara në nëntë komuna. Njerëzit janë mikpritës, komunikues, të ngrohtë dhe me një botë të pastër shpirtërore. Ndoshta natyra ka krijuar si askund tjetër një ekuilibër midis malit, detit dhe gjelbërimit, duke ndikuar drejtëpërdrejt tek karakteri i njerëzve. Mjedisi gjeografik dhe shoqëria e bëjnë Vlorën një vend të dashur që i tërheq si me magji vizitorët dhe turistët. Nga ky komunitet kanë dalë një sërë personalitetesh dhe njerëzish të shquar, ku mund të përmendim emrat e Ismail Qemalit, Jani Mingës, Eqrem Vlorës, Ali Asllanit, Petro Markos, Drita Pelingut, Shaban Demirajt, Fatos Arapit, Liza Laskës, Bardhosh Gaçes, Mexhit Haxhiut, etj

Transorti  Duke qenë porti i dytë i vendit, Vlora gjendet 72 km larg nga Otrantoja (Itali) dhe 123 km nga ishulli i Korfuzit (Greqi). Transporti detar funksionon rregullisht në linjat me portet e Barit dhe Brindizit. Në funksion të transportit të mallrave dhe udhëtarëve në këtë port përpunohen 3 milion ton mallra në vit. Gjithashtu Vlora komunikon me Tiranën (135km) dhe Durrësin (100) edhe nëpërmjet autostradës dhë arteries së Hekurudhës Shqiptare. Në linjat e brendshme kryhet nëpërmjet mjeteve autobus, taksi dhe furgon. Itinerarët turistikë më të rëndësishëm janë Vlorë-Kaninë, Vlorë-Llogora-Himarë dhe Vlorë-Amantia dhe Vlorë-Zvërnec. Shërbimi postar bëhet nga Posta Shqiptare e cila kryen disa shërbime, ndërsa kompanitë e njohura ofrojnë shërbimet postare DHL, Visa Card, Money Gram, Western Union,etj.

Kultura dhe Trashëgimnia.  Vlora njihet si një nga qytetet që ka dhënë kontribut të shquar në kulturën kombëtare. Janë të shumta fushat nga ku ky qytet ka nxjerrë personalitete. Këtu u hap muzeu i parë arkeologjik në vitin 1936, në të cilin u ekspozuan objektet e zbuluara në Apoloni nga arkeologu francez Leon Rei. Gjithashtu Vlora është quajtur edhe qyteti i statujave dhe monumenteve ku mund të përmendim atë të Luftëtarit Kombëtar, Avni Rustemit, Monumentit të Pavarësisë, Marigo Poisos, Jani Mingës, etj. Sot Vlora është qytet universitar dhe janë të shumta institucionet arsimore, kulturore dhe sportive si Biblioteka Shevqet Musaraj, Teatri Petro Marko, Gjimnazi Ali Demi, muzetë e shumtë, si ai historik, etnografik apo ai I pavarësisë. Çdo vit këtu zhvillohen aktivitete të rëndësishme kombëtare si Festivalii i Polifonisë Mesdhetare, Panairi i librit, Festivali Kombëtar i Teatrove të Estradave. Dy nga vlerat e trashëgimnisë kulturore që mbart rajoni i Vlorës janë edhe Polifonia Labe, e vlerësuar si pasuri e UNESKOS, apo këngët qytetare vlonjate. Vlora për vlerat e shumta që mbart dhe falë vendodhjes gjeografike vizitohet nga turistët gjatë gjith vitit, duke ofruar disa lloje turizmi si atë kulturor, historik, malor, sportive, bregdetar, etj.

Historia.  Në periudhën e antikitetit qyteti i Vlorës njihej me emrin Aulona dhe shtrihej atje ku sot ndodhet vendi i quajtur Treport. Në një pozicion të favorshëm gjeografik, Aulona u përfshi shpesh herë në territorin e shtetit Ilir, Epirot dhe të Maqedonisë. Pas vitit 229 pk, kur Roma theu mbretëreshën Ilire Teutën, Aulona u bë pjesë e këtij shteti. Më pas ajo dhe rajona përreth përmendet si ‘’teatër’’ i luftërave civile të zhvilluara midis Çezarit dhe Pompeut të madh, ku qytetet e Thronit (Kaninës), Amantias dhe Orikut, u bënë baza të Çezarit gjatë operacioneve të tij ushtarake. Gjeografi nga Aleksandria, Klaud Ptolemeu, e përmend Aulonën në shekullin e II-të, ku thekson edhe koordinatat e saj gjeografike prej 40o45'. Peshkopata e Vlorës u krijua gjatë shekullit të II-të dhe këtu ushtroi aktivitetin e tij Shën Lefteri, një nga shënjtorët e Kishës. Rëndësia e Aulonës u rrit sidomos në fund të shekullit të V-të, kur pas braktisjes së Apolonisë ajo doli si piknisje rrugës Egnatia. Ndërkohë që gjatë mesjetës së hershme qyteti zhvendoset nga Treporti duke u vendosur atje ku është sot duke vijuar jetën qytetare pa ndërprerje. Burimet historike e përmendin në shekullin e IX përsëri me emrin Aulona si një ndër qytetet e Themës bizantine të Durrësit . Do të jenë fushatat e Dinastisë normane Altavila ku ky rajon do të jetë përsëri ‘’teatër’’ i përplasjeve midis Bizantit dhe normanëve. Më pas pushtimet normane do të pasohen nga ato të Despotatit të Epirit, princi Mihali i II-të, ja dha Vlorën dhe rajonin e saj si prikë të martesës të së bijës me Manfredin mbretin e Napolit në vitin 1258. Në vitin 1345 Vlora do të pushtohet nga Perandoria Serbe e Stefan Dushanit. Me vdekjen e Stefan Dushanit në vitin 1455 do të krijohet Despotati i Vlorës. Në vitin 1468 në prani të despotit Aleksandër të Vlorës nënshkruhet dokumenti me Republikën e Raguzës, në të cilin përmendet edhe i pari i familjes së Kastriotëve si kështjellar i Kaninës. Më pas Vlora bie në duart e Muzakajve, Balshajve dhe së fundi Arianitëve. Në kalanë e Vlorës, në Kaninë u zhvillua edhe dasma e Donikës, vajzës së princit Gjergj Arianiti, me Heroin tonë kombëtar Skëndërbeun. Turqit e pushtuan Vlorën në 1417 duke e zotëruar deri në vitin 1912. Gjatë shekujve të mëvonshëm Vlora u bë bazë e marinës turke për pushtimin e Italisë. Në 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit Kuvendi Kombëtar shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Vlora u bë në vitet 1912-1914 kryeqyteti i parë i Shtetit Shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore Vlora u pushtua nga Italia. Gjatë vitit 1920 lufta e Vlorës si luftë popullore i detyroi Italianët të tërhiqeshin nga ky rajon.   Gjatë Luftës së Dytë Botërore krahina e Vlorës shërbeu si baza kryesore e rezistencës antifashiste, ndërsa gjatë viteve të luftës së ftohtë regjimi komunist e ktheu Vlorën në bazën më të madhe ushtarake detare të traktatit të Varshavës në detin Mesdhe.

Për tu vizituar.  Kurora e Uliinjve ndodhen në hyrje të Vlorës në kodrat e Bestrovës, përgjatë rrugës së vjetër automobilistike. Janë me dhjetra ullinj shekullorë, të cilët të japin një kënaqësi mbresëlënëse të kësaj mrekullie njerëzore. Midis tyre gjejmë edhe llojet e tipit kalinjot dhe vlonjat të përmendur për frutat dhe vajin.

Sheshi i Flamurit përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. I ndërtuar në vitin 1972 ai është 17 m i lartë dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale. Midis gjashtë figurave të bronzta spikat ajo e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë Kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit, një piedestal në formë kolone me faqe të dekoruara nga data e pavarësisë dhe shqiponja kombëtare. Ajo u ndërtua në vitin 1937 nën kujdesin e kryetarit të atëhershëm të bashkisë, poetit lirik Ali Asllani. Pas shtizës së flamurit, disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit.

Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër tij qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali.

Në këndin perëndimor të Sheshit të Flamurit në vitin 1988 arkeologët nxorën në dritë një pjesë të murit të kështjellës romake të qytetis të Aulonës. Nga gërmimi doli një trakt i gjatë muri prej 40 m, i cili mund të shihet nga vizitorët edhe sot.

 Xhamia e Muradies ndodhet në qendër të qytetit, në fillim të zonës së vjetër historike të qytetit. Është ndërtuar në vitin 1537 nga arkitekt Sinani, i cili shoqëronte në Vlorë sulltan Sulejman Madhështorin. E ndërtuar me një teknikë të përzier ku gurët e bardhë të ndërtesës janë kombinuar me tulla të kuqe dhe llaç. Xhamia është e paisur me kupolë të mbuluar me tjegulla të kuqe e cila bën kontrast me minaren të ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë.

Kuz-Babai është në Vlorë kodra më e lartë e cila bie thikë në pjesën lindore të qytetit. Ndërkohë që në këto vite të fundit është rindërtuar edhe tyrbja–mauzoleum e Kuzum babait, një kleriku të mbështjellë nga legjenda, arkitektura monumentale e së cilës ku mbizotëron ngjyra jeshile, është një nga simbolet e sektit bektashi.

Muzeu i Pavarësisë ndodhet në Skelë përballë portit detar. Përbëhet nga një ndërtesë e thjeshtë me disa dhoma, e cila ka shërbyer si seli e Qeverisë Shqiptare në vitet 1912-1914. Midis sallave dhe relikeve në katin e dytë ndodhet edhe studjoja e kryeministrit Ismail Qemali.

Stadiumi Flamurtari bie lehtë në sy nga ngjyrat kombëtare kuq e zi. Me një kapacitet prej 15 000 vendesh ai është i njohur për triumfet e Flamurtarit në vitet 1980 dhe ndeshjeve të paharruara në përballjet historike me Barcelonën.

Universiteti teknologjik Ismail Qemali u themelua në 10 tetor 1994. Përbëhet nga disa fakultete nga të cilët mund të veçojmë atë të lundrimit detar.

Të tjera objekte me vlera për tu vizituar në qytet janë edhe rruga historie Justin Gotard, ku kaluan delegatët e kuvendit të pavarësisë; shtëpia e familjes Vlora, e cila sundoipër 400 vjet qytetin; rruga e Hebrenjve, Kulla e Sahatit, Bashkia, e ndërtuar në stilin neoklasik, Teatri Petro Marko, etj.

Kalaja e Kaninës ndodhet në pjesën J-L të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m. Ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike që I përkasin stileve dhe teknikave të ndyshme. Sipërfaqja e konsiderushme prej 3.5 ha tregon për arsenalin ushtarak dhe njerëzit që mund të strehonte. Nga bedenat e saj kontrollohej gjiri i Vlorës, fusha bregdetare dhe lugina e poshtme e Shushicës. Janë të shumta historitë e mbështjella në formë legjendash për këtë kështjellë, të cilat bëjnë fjalë për gruan vrastare të kështjellarit, për princeshën Rugina, apo për martesën e Donikës me Skëndërbeun.

Gjiri i Vlorës. Gjiri i Vlorës është gjiri më i madh i bregdetit shqiptar, që nis që nga Kepi i Pllakës në Treport dhe vazhdon drejt jugut, duke krijuar formën e një krahu të hapur deri në gjirin e Shën Janit në veri të Karaburunit. Në hyrje të tij gjendet ishulli i Sazanit me një largësi prej 17 km nga qyteti i Vlorës. Gjiri i Vlorës ka një gjatësi prej 19 km, gjerësi prej 9.5 km dhe thellësi 54 m. Pjesa perëndimore e tij që shtrihet përgjatë gadishullit të Karaburunit përbëhet nga një bregdet shkëmbor ndërsa pjesa lindore përbëhet nga një bregdet i ulët ranor, I pasur me disa plazhe. Ujërat e Adriatikut që përbëjnë këtë gji arrijnë temperatura që variojnë nga 13oC në stinën e ftohtë të dimrit e deri në 25oC në muajt e nxehtë të verës, të cilat mundësojnë banjat detare dhe peshkimin pothuajse gjatë gjith vitit. Relievi përreth i mbart të gjitha format, duke nisur nga kurrizi i kodrave të Treportit, pasqyra e Lagunës së Nartës, Kodrat e Zvërnecit, gropa e Vlorës, kodrat rreth saj, kalaja e Kaninës, mali i Shashicës, mali i Lungarës, Llogoraja, për të vazhduar më tej me Rrëzën e Kanalit, luginën e Dukatit, Karaburunin duke e mbyllur unazën në Sazan, pikën më perëndimore të Shqipërisë. Gjiri i Vlorës është përdorur dhe vazhdon të përdoret edhe sot si një vend me mundësi të shkëlqyera për strehimin e anijeve të tipeve të ndryshme. Në të funksionojnë gjithsej gjashtë porte, të gjithë specifik për nga përdorimi. Porti i Vlorës është porti më i madh i Shqipërisë Jugore dhe i shërben të gjithë rajonit përreth, në transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Për nga karakteristikat ai është një port i hapur i përbërë nga dy mole kryesore, ku mbahen mjetet lundruese si: anije transporti dhe tragete. Nuk ka rryma të forta dhe zbatica që mund të ndikojnë në navigimin e mjeteve, prandaj ankorimi mund të bëhet edhe pranë tij jashtë sistemit të moleve. Në veri-perëndim të këtij porti ndodhet porti i Zvërnecit, i cili shërben për ankorimin e anijeve të flotës të peshkimit. Ndërsa në Jug të qytetit të Vlorës ndodhet porti i vogël i Radhimës, i cili u shërben anijeve të vogla të transportit. Në pjesën më Jugore të gjirit, atje ku fillon gadishulli i Karaburunit ndodhet porti ushtarak i Pasha Limanit. I quajtur me këtë emër nga Marina turke në shekullin e XVI, ai u bë një bazë e madhe ushtarake e Traktatit të Varshavës në vitet e luftës së ftohtë. Aty sovjetikët investuan miliona dollarë dhe për një periudhë disa vjeçare ajo u bë gati për ti shërbyer një skuadre detare të përbërë nga 12 nëndetëse dhe dhjetra anije të tjera ndihmëse. Sot ky port në kuadrin e marrëdhënieve të partneritetit me Naton është marrë nën kujdesin e marinës turke. Edhe Porti që ndodhet në Ishullin e Sazanit është përdorur për qëllime ushtarake. Sot ai përdoret nga Guardia di Finanza Italiane, për të patrulluar brigjet shqiptare, duke parandaluar trafiqet e paligjshme. Në Orikum ndodhet porti më i ri i gjirit të Vlorës i cili është i vetmi port Turistik i Jahteve në Shqipëri, quajtur Marina e Orikumit.

Karaburuni  Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet midis detit Adriatik( gjirit të Vlorës) dhe detit Jon . Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis midis këtyre dy deteve. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Midis tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit,etj, Maja më e lartë e Karaburunit është Koreta me lartësi 826m, kurse fare pranë saj ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950. Përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën pranë gjirit të Ariut, Shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e thellë, etj. Por shpella më e madhe dhe më interesante e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, e cila ka formën e një tuneli me lartësi 60 m dhe gjatësi 40 m. Sipas legjendës shpella dikur është përdorur nga pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte atij mundësinë e sulmit ndaj anijeve napolitane, turke, veneciane, apo dalmate. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë "shkrime". Me këtë emër njihet ky gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni ose Konsulli Tit Statit Tauri. Ndërkohë që interes paraqet edhe një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog. Mbishkrimet janë bërë kryesisht në gjuhën antike greke, latine, dhe greqishten Bizantine. Shpesh herë ato janë të shoqëruara edhe me vizatime të ndryshme dhe simbole nga më të larmishmet.

Oriku  Atje ku Karaburuni bashkohet me luginën e Dukatit ndodhen rrënojat e Orikut antik, i cili lindi si koloni e themeluar nga grekët e Eubesë në shekullin e VI.pk. Një nga autorët antikë, Plini, thotë se Oriku u themelua nga Kolkasit. I ndërtuar sipas stilit të Polisit grek ai mbështetej në shpinë të kodrës së Paleokastrës me pamje të gjerë nga gjiri i Vlorës. Gërmimet arkeologjike që janë kryer dikur kanë nxjerrë në dritë midis objekteve të tjera edhe një teatër të vogël, që merrte në shkallaret e tij rreth 500 spektatorë, disa shtëpi banimi, një mol disa shkallare, etj. Për tu përmendur në historinë e tij janë luftimet midis Çezarit dhe Pompeut gjatë vitit 48 pk.  Interesante është përshkrimi që i bën Çezari dorëzimit të qytetit në librin e tij Belli Civilis (lufta civile), ku midis të tjerave thotë: "Çezari zbarkoi ushtrinë po atë ditë u nis për në Orik. Këtu Luc Torkuati që sundonte në qytet me urdhër të Pompeut mbylli portat dhe u mat të mbronte qytetin, duke urdhëruar grekët të hipnin në mure, dhe të rroknin armët, por orikasit nuk donin të luftonin kundër Romës, bile qytetarët përpiqeshin të pranonin Çezarin vullnetarisht. Atëherë Torkuati çeli portat dhe u dorëzua tek Çezari me gjithë qytet.

Kisha e Marmiroit është një kapelë e një manastiri të vogël ndërtuar në shëkullin e XII-të. Quhet me këtë emër për shkak të gurëve të bardhë, dmth të mermertë (Marmiro) të marrë nga rrënojat e Orikut antik. Me një arkitekturë tipike për kishat bizantine në formë kryqi me kupolë, ajo ruan përreth edhe rrënojat e manastirit të dikurshëm.  

Sazani  Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli i Sazanit i cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 5.5 km2 ai ndodhet në hyrje të gjirit të Vlorës, 16 km larg kësaj të fundit dhe ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km. Iërbërë nga dy kodra pothuaj "binjake", Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit. Dikur autorët grekë dhe romakë e quanin me emrin Sason. Njëri prej tyre Ptolemeu jep edhe koordinatat e tij gjeografike prej 44o51’. Kurse Plini e përmend ishullin si qendër piratësh. Si pjesë e Perandorisë Romake e më vonë asaj Bizantine Sazani nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe. Ndërsa gjatë mesjetës do të bjerë nën sundimin e Venedikut. Në shekullin e XV ai do të pushtohet nga turqit, të cilët në vitin 1815 do tja dorëzonin atë Anglisë, që e mbajti deri në vitin 1864, kur Mbretëria e bashkuar do tja kalonte Greqisë  Gjatë viteve të luftës së I-rë Botërore pikërisht në vitin 1915 ishulli u pushtua nga Italia, e cila e mbajti atë deri në 8 Shtator të vitit 1943, kur Sazani u pushtua nga Gjermanët, të cilët u larguan që aty në 14 Tetor 1944. Që prej kësaj kohe e deri tani Sazani është pjesë e pandarë e shtetit Shqiptar, i cili e përdori atë vetëm për qëllime ushtarake. Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të Natos. Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave botërore nga Italianët. I quajtur Lepuri i gropave, kjo specie ka ardhur duke u shtuar sepse në Sazan nuk ka kafshë grabitqare.

Parku kombëtar i Llogorasë shtrihet atje ku nis lugina e Dukatit përgjatë shpateve të Lungarës dhë Rrëzës së Kanalit. Me një sipërfaqe prej 1010 ha kjo hapësirë shtrihet nga lartësia 500 m duke u ngjitur deri në lartësinë 1100 m. Brenda tij ndeshim një bimësi të dendur që nis nga shkurret mesdhetare, halorët e ndryshëm, drurët gjethegjërë, kullotat, etj. Llogoraja përmendet edhe për faunën e pasur të saj ku mund të përmendim shpendë të rrallë dhe gjitarë të ndryshëm. Brenda parkut, buzë rrugës në lartësinë 910 m ndodhet edhe monument culture shumë I veçantë, siç është pisha flamur, e quajtur kështu nga forma e degëve të përpunuara nga era.

Poshtë Llogorasë ndodhet fshati i Dukatit i përmendur për folklorin, historinë dhe traditat. Këtu ndeshim një nga monumentet e kulturës popullore siç janë kullat e Dervish Aliut, një shtëpi-kështjellë e shekullit të XVIII-të.

Laguna e Orikumit ndodhet midis Karaburunit dhe qytetit të Orikumit. Dallohet për shpendët dhe speciet e shumta të liqeneve detare, ku nga veprimtaritë ekonomike mund të veçojmë peshkimin.

Kisha e Marmiroit në Orikum Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas ndodhet pranë rrugës atomobilistike. Është ndërtuar në shekullin e XVII-të dhe ka një formë klasike katrore e pajisur me dy kulla. Funksioni I saj ishte ruajtja e rrugës Vlorë-Himarë.

Zvërneci është një nga zonat turistike të Vlorës. Këtu ndodhet Triporti një bukuri natyrore e paeksploruar nga vizitorët. Në vitet 1970 arkeologu Vasil Bereti kreu këtu disa fushata gërmimesh, ku dolën në dritë porti detar, disa mure rrethuese, disa ndërtesa, karkasën e një anijeje dhe qeramika të ndryshme.

Manastiri i Zvërnecit ndodhet në një nga dy ishujt e lagunës së Nartës. Kisha ndodhet në ishullin më të madh i cili lidhet me bregun nga një urë druri me gjatësi prej 200 m. Ajo i përket shekullit të XII-të dhe ka shërbyer edhe si mauzoleum, sepse brenda saj ndodhet varri i gjeneralit bizantin Argjiro Karanxhas, varrosur këtu në shekullin e XI-të. Në varrezën e këtij manastiri ndodhet që nga viti 1932 varri i qëndistares së flamurit Marigo Pozios.

Laguna e Nartës me sipërfaqe 45 km2 është liqeni i dytë detar për nga madhësia në Shqipëri. Veçori e saj është numri i madh i shpendëve dhe peshqve që jetojnë në të. Prej disa shekujsh këtu jeton edhe një koloni pelikanësh. Edhe sot në këtë lagunë ruhet tradita e peshkimit me varka druri. Në kodrat përreth peshkatarët nartiotë kanë treguar se janë kultivues të famshëm edhe të vreshtarisë, e cila prodhon verën e njohur të Nartës.

Në brendësi të territorit të Vlorës gjendet edhe qyteti ilir i Amantias, 35 km larg qytetit. Sot ai përbën një nga parqet më interesantë arkeologjikë të Shqipërisë, në të cilin ndodhen objekte unikalë siç është rasti i stadiumit të saj. Rrënojat e qytetit të dikurshëm ndodhen në një kodër me sipërfaqe prej 20 ha, e cila rrethohej nga një mur me perimetër prej 2100 m. Autorët antikë që japin të dhëna për amantët janë të shumtë. Njëri ndër ta Stefan Bizantini tregon se qyteti kishte si legjendë themelimin nga abantët e luftës së Trojës. Pavarëssht historive të shumta monumentet e Amantias si tempulli dorik i Afërditës, stadiumi, muret rrethues, bazilika, etj, përbëjnë një tur tërheqës për vizitorët. 

4.3/5 rating (53 votes)

Hits

78778

About the Author

Ilirjan Gjika

Gazetar, historian, studiues. Nje nga bashkepunetoret e pare te Revistes Travel, mjaft aktiv ne shtypin e perditshem dhe botues i disa librave ne fushen e histori-arkeologjise. 

Comments (1)

  • Flori Brahimaj

    Flori Brahimaj

    10 October 2012 at 18:46 |
    Urimet e mija per shkrimin.Do doja tu pyes nese munde ta publikoj ne nje nga web e mire www.ireaproperty.com duke vendos dhe linkun apo emrin tuaj

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.