Tuzi – Malësia e Shqiptarëve

Tuzi – Malësia e Shqiptarëve

on Tuesday, 13 March 2012. Posted in Destinacione

Tuzi – Malësia e Shqiptarëve

Malësia e Tuzit është më e madhja dhe më e rëndësishmja krahinë shqiptare e Malit të Zi. Shqiptarët e Tuzit të sotëm e kanë origjinën nga krahinat e Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojës. Malësorët shqiptarë e konsiderojnë Tuzin një krahinë të rëndësishme kulturore dhe një qendër tradicionale për njerëzit e tyre. Gjithashtu, Tuzi ka qenë historikisht një qytet shqiptar, por edhe shtëpia e një grupi të vogël etnish boshnjake dhe malazeze. Në vitin 1911, për herë të parë që nga periudha e Skënderbeut, flamuri shqiptar u valëvit në majë të malit të të Deçiqit në Tuz, gjatë betejës në këtë zonë, ku Dedë Gjo Luli, udhëhoqi shqiptarët drejt fitores kundër turqve, betejë e cila shënoi edhe fillimin e pikënisjes së kthesës historike, drejt Pavarsisë më 1912-ën

Tuzi ndodhet në veriperëndim të Liqenit të Shkodrës, 10 km nga Podgorica, 150 Km nga Dubrovniku dhe 130 km nga Tirana. Qyteti ka një pozicion shumë të mirë gjeografik, është vetëm 40 min larg nga deti Adriatik dhe pothuajse në një distancë të tillë, ndodhet larg maleve në veri të vendit. Tuzi është i rrethuar nga pyje plot gjelbërim, dhe maja malesh të larta, që më përtej lidhen me Alpet Shqiptare. Një bukuri e spikatur natyrore në Malësinë e Tuzit është Lumi i Cemit, i cili në segmente të caktuara, ka brigje të larta shkëmbore e kanione të thella që ngjajnë me ato të Kolorados. Malësia e Tuzit ka rreth 11000 banorë, ndër të cilët 4000 jetojnë brenda në qytet. Pjesa më e madhe e banorëve janë të fesë katolike dhe myslimane. Për njohur më mirë malësinë e Tuzit, ju duhet të vizitoni një personazh të veçantë, një enciklopedi të gjallë në Tuz, përmes të cilit mund të njihni historinë, kulturën etnografinë, panoramikën dhe zakonet e Tuzit. Ky është Shtjefën Ivezaj, fotograf, etnolog, filatelist, artdashës e një nga njerëzit më të apasionuar pas artit në përgjithësi, i cili nuk ka ngurruar të përdorë pronën e familjes, për të akumuluar vlera të rralla të një pune dyzetvjecaree për të hapur institucione arti e kulture në Malësinë e Tuzit. Shtjefën Ivezaj ka themeluar Galerinë e Artve, Muzeun Etnografik, Fototekën e Tuzit, Filatelinë e Malësisë, dhe ka kontribuar në shumë fusha të artit e të jetës shoqërore në Tuz, duke ofruar për vizitorët një gamë të gjerë institucionesh ku mund të njihet nëpërmjet vlerave të shumta historia e Tuzit.

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

19509

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.