Shqipëria, nëse e zbulon, është një surprizë!

Shqipëria, nëse e zbulon, është një surprizë!

Written by Brunilda Licaj on Thursday, 01 March 2012. Posted in Itinerare

Mbresa nga Winter school “Tourism & Culture” Durrës - Gjirokastër shkurt 2011

Shqipëria, nëse e zbulon, është një surprizë!

Brunilda Licaj

Shqipëria nga pikëpamja turistike, përfaqëson rajonin më interesant të Evropës. Ky konstatim  nuk bazohet në shkëlqimin e pallateve apo luksin e hoteleve, por sepse vendos njeriun përballë natyrës ”.


 Më pëlqeu ta nis këtë itinerar me një fragment  të shkëputur nga guida e parë turistike e territorit  shqiptar realizuar nga Touring Club Italiano në vitin 1939. Duket se me kalimin e kohës, pavarësisht ndryshimeve të shumta me të cilat jemi përballur nëpër vite, akoma kjo shprehje mbetet aktuale. Ajo çfarë është më e rendësishmja, bazohet në faktin se vetë ne dhe brezat që vijnë, duhet  të bëjmë të mundur vazhdimësinë e këtij realiteti. Zhvillimin e një turizmi në mënyrë të përgjegjshme duke përdorur sa më mirë resurset që disponojmë.

 

 Ky ishte dhe një prej qëllimeve kryesore të zhvillimit të kursit një javor me temë “ Turizmi dhe kultura” realizuar si një bashkëpunim midis Universitetit të Padovës (Itali), Universitetit “A.Moisiu” Durrës dhe Universitetit “E.Cabej” Gjirokastër nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

 

Është pothuaj ora 9 e mengjesit e datës 21 shkurt kur studentët e ardhur nga Gjirokastra, mysafirë për tre netë në  qytetin e Durrësit, mbërrijnë në auditorin ku do zhvillohen leksionet, duke u bashkuar me studentët e qytetit bregdetar. Një mëngjes i qetë, pasi pushimet pas mbylljes  së semestrit të parë sapo kanë filluar. Qetësi e prishur nga zhurma e shiut të rrëmbyer, e cila na shoqëron gjatë gjithë programit të asaj dite.

 

Gjithë kursi është konceptuar i ndarë në 3 faza të cilat gërshetohen natyrshëm me njëra-tjetrën. Faza e parë e programit përfshin leksione dhe workshop-e në auditore, vizita në sitet më të njohura kulturore, historike dhe arkeologjike të qytetit të Durrësit.

 

Pas një ceremonie të shkurtër, pa humbur kohë fillon prezantimi i leksionit të parë kushtuar marketingut të territorit dhe krijimit të imazhit të destinacionit turistik, atij imazhi që ne si komb po e ndërtojmë mes shumë vështirësish e që tashmë ka filluar të japë frytet e para. Turizmi ndërkombëtar dhe gjendja aktuale e tij në Shqipëri, ishte fokusi i leksionit pasardhës, i cili do vazhdonte me marrjen në shqyrtim të faktit se si justifikoje mosinteresimi për zhvillimin e turizmit gjatë periudhës së nomeklaturës, duke u bazuar në teorinë e Marksit sipas së cilës “ Shërbimet nuk ndikojnë në formimin e Produktit të Brendshëm Bruto”.

 

Leksionet pasdite zhvendosen në një auditor të veçantë, në hapësirat e muzeut arkeologjik , ku profesor Afrim Hoti, shpjegon dhe sjell fakte nga historiku i Durrësit antik 2700-vjeçar të rrethuar nga amforat e shumta, duke vazhduar në rrënojat e amfiteatrit romak, i cili me një kapacitet 15.000 vende, renditet ndër të parët në Evropë, pas Colosseut në Romë ( 25,000 vende) dhe Arenës në Verona me kapacitet 22.000 vende.

 

Turizmi dhe kultura, si pjesë e identitetit kombëtar së bashku me workshop-in e organizuar nga Giulia del Bò, krijon urën mbi të cilën do kalonte prodhimi dhe  marketimi i  produktit turistik, duke u bazuar në folklorin dhe pasuritë e tjera kombëtare.

 

Organizatat e menaxhimit të destinacionit - leksion  nga Stefano Marchioro - na njeh me funksionimin e organizatave të cilat kanë si objektiv  kordinimin e punës midis aktorëve  turistikë  me synim rritjen e performancës dhe  promovimin  e destinacioneve turistike në hapësirën  rajonale, kombëtare apo ndërkombëtare. Udhëtimi imagjinatë nëpër web –sitet e top destinacioneve botërore Viena, Montreal, Oslo, New York shton kureshtjen e studentëve, por dhe njohuritë për tendencat e fundit për teknikat e promovimit të territorit dhe burimeve të tij.

 

Ashtu si pa kuptuar vjen mbrëmja që të gjithë së bashku e kalojmë në një prej lokaleve të Durrësit, ku atmosferës së krijuar i shtohen tingujt dhe meloditë tradicionale. Atmosferë e cila përfundon herët, pasi një udhëtim i gjatë na pret me agimin e ditës në vijim.

 


* * *

Vendosur në një kodër, rrezja e vështrimit prej së cilës saj arrin shumë kilometra larg,  manastiri i Ardenicës është pika jonë e parë e vizitave në terren.  Mbi një shesh, rrethuar nga qiparisat, manastiri duket sikur është futur në një kornizë, për ti rezistuar kohërave. Ndërsa ciceroni flet për historinë e tij, ikonat dhe shenjtorët, na duket sikur jetojmë  ato vite larg mes riteve fetare. Manastiri i Ardenicës, jo vetëm do arrinte t’i rezistonte kohërave por nuk mbeti në harresë. Si padashur më vijnë  ndërmend  fragmentet nga filmat “ Udha e shkronjave”,” Kur zbardhi një ditë”, ”Emblema e dikurshme” etj., të cilat  e kanë kthyer dashur padashur në një simbol këtë manastir, për shkak të atmosferës karaketristike fetare, ndonëse përfshirja në filma ishte me tendenca negativiste.

Lëmë pas manastirin dhe nisemi për në destinacionin tjetër, Apolloninë.  Gjatë hyrjes në park, ndihen zhurma të lehta. Nëpër rrënoja vazhdojnë gërmimet e arkeologëve, të cilët jo shumë ditë pas vizitës sonë,  bënë zbulimin e radhës, statujën e një prirësi ilir. Mozaikët dhe statujat duket sikur pëshpërisin historinë e Pompeit shqiptar. Ndërkohë koordinatorja e grupit, Elda Omari, fillon të bëjë ciceronin. Përfytyrojmë veten të ulur mes auditorëve të shkollës së famshme të Apollonisë, në të cilën studionte  perandori romak Augusti, në momentin kur mori lajmin e vrasjes e xhaxhait të vet, Jul Cezarit. Apollonia, mbart në  rrënojat e saj akoma histori të pazbuluara. Muret e vjetra, mes gjelbërimit të parakohshëm të fundshkurtit, duket sikur thonë: jemi këtu mes jush, mos na braktisni!

Në përfundim të këtyre dy itinerarëve, me shpirtin për të zbuluar dhe rivlerësuar thesare të tjera, jo rastësisht vazhdojmë udhëtimin drejt një destinacioni të ri, Vlorës. Një udhëtim i cili shoqërohet herë pas here nga këngët e studentëve. Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe. Duket sikur Vlora na pret të hyjmë në territorin e saj nën efektin e polifonisë labe, por tani të kënduar nga grupi i studentëve të Gjirokastrës. Pas një vizite të shpejtë në muzeun e Pavarësisë, mbrëmja na gjen në Radhimë. Aty në qetësi, fare pranë detit, duket sikur koha nuk ekziston dhe padashur stina e verës shfaqet e vakët në memorje. Jemi mësuar ta shohim Radhimën dhe gjithë rivierën gjatë sezonit turistik,  të mbipopulluar e plot çadra në plazh, ndërsa po humbasim kontaktin me bukurinë, e cila e shoqëron  atë në çdo stinë. Kush nuk e ka parë bregdetin e Vlorës në dimër, ka humbur pamje të mrekullueshme.

Një vizitë në Porto Palermo dhe ndërsa eksplorojmë këshjellën e Ali Pashës, sjellin ndërmend Vasiliqinë të cilës iu dhurua kjo kështjellë. Prej së largu ish baza ushtarake zgjon kureshtjen e mysafirëve italianë të cilët duan të mësojnë më tepër për historinë e kësaj baze. Ndërkaq, shtëpitë ekologjike përballë kështjellës, konfirmojnë se iniciativat për turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, janë prezente edhe në territorin shqiptar. Jo rastësisht këto shtëpi janë ngritur nga një ambinetalist i njohur për Shqipërinë, si Xhemal Mato.

Megjithëse kushtet atmosferike nuk janë në favorin tonë, ditën e katërt vazhdon vizita në parkun arkeologjik të Orikumit. Shiu i rrëmbyer na shoqëron sërish, por ai nuk ndikon në zgjedhjen për të vazhduar udhëtimin nëpër rivierë. Ndërsa mbërrijmë në lartësitë e qafës së Llogorasë, shpaloset para nesh një ngjyrë e thellë deti. Është një eksperiencë që të mbetet në kujtesë. Pas nesh, malet e mbuluara nga dëbora, ndërsa përballë një det i mrekullushëm ku nuancat blu do t’i kishin vështirë t’i imitonin dhe piktorët më të mirë të kohërave. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo bukuri, pemët e lulëzuara para kohe nën kurorat e të cilave pushon bagëtia plotësojnë dekorin. Ndërkaq, ashtu papritur, vendin e shiut e zë dielli dhe ndihemi paksa të përkëdhelur. Ndihet kudo era e malit dhe ndërsa marrim frymë thellë, jemi të përpirë nga emocionet. 

Si të dehur nga natyra, me keqardhje që do lëmë pas këtë bukuri, rinisim  udhëtimin në drejtim të Finiqit. Nuk do ia ndanim gjithë kohën sytë bregdetit, ndërsa në sfond na shoqëronte historia e Phoinikes, e treguar me aq  mjeshtëri nga Elda. Ndonëse e gjatë dhe plot gjarpërime, Riviera ishte mahnitëse dhe nuk kishte kilometër ku nuk dëshiroje të ndaleshe për të admiruar thyerjet e shkëmbinjve, ujin në ngjyrë smeraldi dhe shkurret e përhershme - fytyrë e bregut shkëmbor vlonjat. Ndalesa e radhës ishte në kishën bizantine të Mesopatimit, të cilën nuk arritëm ta shihnim nga brenda, për arsye rikonstruktimi. Pas një ndalese të mrekullueshme në Syrin e Kaltër, pasditja na gjen në Gjirokastër.
Ndërsa ngjitemi ngadalë në kala dhe hedhim sytë mbi qytet, refreni mendor i secilit prej nesh është pa dyshim  Ismail Kadare me përshkrimet e tij në romanin “ Kronikë në gur”, që shumë njerëz në botë i ka bërë tashmë kureshtarë, për të vizituar këtë “qytet të çuditshëm prej guri”. Qyteti këtë pasdite është i ndarë në dy pjesë, gjysëm hije e gjysëm diell. Teksa përfaqësuesi i BE (UN Joint Programme Team) Stephan Doempke shpjegon për projektet për promovimin e Gjirokastrës, studentët bëjnë çudi se si një i huaj, njeh kaq mirë vlerat tona historike kulturore dhe flet me kaq pasion për to. Prej bedenave të kalasë  mundohemi të dallojmë se si ka ndryshuar Gjirokastra përgjatë viteve. Disa pika orientimi tashmë nuk ekzistojnë më, por ato më të bukurat janë ruajtur me fanatizëm.
Ndërsa drejtohemi për në muzeun etnografik, duke ecur kalldrëmeve shohim se si Qafa e Pazarit, arrin të ruajë akoma origjinalitetin dhe pse aty-këtu ka shenja mplakjeje, të cilat artizanët mundohen t’i sjellin në jetë me ristrukturimet. Për të përshkruar këtë qytet duhen ditë të tëra, dhe ne do ta bëjmë këtë patjetër, por gjithsesi mund të themi të paktën atë që na bëri më shumë përshtypje, e që nuk mund ta ruajmë për ta thënë në një reportazh të mëvonshëm. Kishte shumë mikpritje. Ka një lloj afërsie shpirtërore në këtë qytet që të bën të ndihesh mirë, një përshtypje të cilën e konstatova në gjithë grupin e udhëtimit. Të ulur në restorant “Fantazia”, pozicioni gjeografik i të cilit dominon mbi gjithë qytetin, të krijohet përshtypja sikur po fluturon mbi të. E ndërsa sodisnim këtë pamje, gatimet tradicionale të zonës së jugut, do të hapnin një temë bisede në tavolinë për kuzhinën  shqiptare. Ka shumë krahina, ku gatimet tradicionale ruhen me fanatizëm. E ndërsa diskutojmë, profesorët italianë, shprehin dëshirën të rikthehen dhe të shijojnë gatime të tjera të kësaj zone.
Mëngjesi i të premtes, na gjen midis auditorëve të Universitetit të Gjirokastrës. Dy ditë të ngjeshura me leksione dhe workshop-e, të bazuara kryesisht në zbulimin e burimeve turistike të zonës së Gjirokastrës. Miti i gjarprit dhe i shqiponjës, si  një element i indetitetit shqiptar të shpjeguara mjeshtërisht nga profesor Shyqyri Hysi, të shtonte kureshtjen për të mësuar akoma më tepër në të ardhmen. Më pas, një udhëtim-imagjinatë në historikun dhe ekzistencën e kështjellës së Gjirokastrës, do t’ia linte radhën karakteristikave të turizmit në luginën e Drinos dhe mundësive që ekzistojnë në të  gjithë zonën për një zhvillim të fuqishëm në këtë fushë.  Gjatë pasdites së të shtunës, profesorët Paola Zanavello dhe Stefano Marchiro me anë të workshopeve, do të krijonin  produktet e para imagjinare turistike të studentëve.  Ashtu, pak nga pak, nisën të shfaqeshin idetë, të cilat vazhduan konfigurimin e tyre më të plotë, drejt mbrëmjes dhe që në të shumtën e rasteve, ishin origjinale.
E ndërsa qytetin e kish mbuluar muzgu, lodhja i kishte lënë si padashje vendin një ndjenje tjetër, keqardhjes që gjithçka po shkonte drejt përfundimit. Si për të na sjellë humorin, Floriani, “paparaci i grupit”, na rikthen prapa në kohë, nëpërmjet montazhit të fotografive dhe ndërsa të qeshurat shoqëronin herë pas here shfaqjen e tyre, batutat nuk mungonin. Ishte pothuaj mesnatë, kur qetësia e rrugicave më kalldrëm të qytetit të gurtë, do të prishej  paksa nga zhurma e studentëve, në udhëtimin e tyre në drejtim të hotelit. Mëngjesi i fundit në Gjirokastër, do të kalonte shumë shpejt, nën efektin e ceremonisë së ndarjes së çertifikatave dhe përshtypjeve më të mira për këtë aktivitet. Ashtu si pa kuptuar, pas një fotografie të të gjithëve së bashku, mbërrin momenti i ndarjes i shoqëruar me emocione dhe me shpresën që kjo eksperiencë të vazhdojë në të ardhmen në destinacionet e tjera shqiptare.
 Ndërsa autobuzi merr drejtimin për në Durrës, ndihet zbrazëtia e krijuar. Vendet bosh, flasin me heshtjen e tyre. Heshtje që thyhet herë pas here, nga meloditë e celularëve të shoqëruara nga copëza bisedash të studentëve durrsakë, por tashmë në dialektin gjirokastrit. Janë këto momente, kur bindesh gjithnjë e më shumë se Shqipëria është një.
* * *
Në përfundim të këtij udhëtimi , nuk mund të rri pa falënderuar gjithë organizuesit dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, duke e  mbyllur  me impresionin e profesor Marchioro: “Para se të nisja këtë udhëtim, nuk e kisha idenë se si ishte Shqipëria, tashmë them me plot bindje: “ Nëse e zbulon Shqipërinë, gjendesh para  një surprize ”, slogan të cilin do t’ua trasmetoj me bindje kolegëve të mi. 
Duke u nisur nga ky slogan, ju ftoj të zbuloni Shqipërinë, së pari ju studentë të degës së turizmit, sepse do jeni ju ata, të cilët pasi ta keni zbuluar do të dini ta shdërroni në një suprizë në të ardhmen!!
4.0/5 rating (2 votes)

Hits

17162

About the Author

Brunilda Licaj

Lektore Departamenti i Turizmit, Universiteti A. Moisiu , Durres dhe Vleresuese Hotelesh per Marken e Cilesise " Authentic Albania" Ka kryer studimet e larta dhe master ne Shqiperi dhe Verona (Itali). Aktualisht eshte ne proces doktorature per Marketingun Turistik

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.