Shebenik-Jabllanicë, Parku i parë shqiptar që  troket në UNESCO

Shebenik-Jabllanicë, Parku i parë shqiptar që troket në UNESCO

on Monday, 06 November 2017. Posted in Outdoor

Si po kthehet kjo zonë e mbrojtur e Librazhdit në një destinacion të vërtetë turistik

Shebenik-Jabllanicë, Parku i parë shqiptar që  troket në UNESCO
Alma Lahe
Nuk bëhet fjalë as për Parkun e Hotovës në Përmet, as për Parkun e Dajtit në Tiranë, as për Valbonën! Është Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, shumë më pak i njohur se të parëte edhe pse vetëm 100 km larg kryeqytetit, 2000 ha të të cilit pritet të përfshihen në listën e trashëgimisë botërore UNESCO në muajin qershor.
Nuk bëhet fjalë as për Parkun e Hotovës në Përmet, as për Parkun e Dajtit në Tiranë, as për Valbonën! Është Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, shumë më pak i njohur se të parëte edhe pse vetëm 100 km larg kryeqytetit, 2000 ha të të cilit pritet të përfshihen në listën e trashëgimisë botërore UNESCO në muajin qershor.
Masivi Shebenik-Jabllanicë e ka marrë statusin e Parkut Kombëtar në vitin 2008, duke u bërë kështu parku më i ri, por edhe më i madhi në vend. Ai është pjesë e brezit të gjelbër të Evropës dhe ka një sipërfaqe prej 33.900 ha. Ndodhet në lindje të Librazhdit dhe përbën kufirin lindor të tij me Maqedoninë, ndërsa kufizohet në Veri me Dibrën dhe në Jug me Pogradecin. Përveç masivit 500 vjeçar të ahut, Parku ruan në gjirin e tij thesare të tilla si, Mështekna e Qarrishtës, Bredhi i Fushë Kuqes dhe Pisha e Zezë. Parku është i bekuar edhe me një faunë mjaft të pasur, ku vendin e mbretit e zë me meritë rrëqebulli (Lynx Lynx Balcanicus), që njihet edhe si Tigri i Ballkanit, për shkak të ngjashmërisë me kushëririn e tij afrikan. Zona është e njohur edhe për 14 liqenet akullnajore si dhe shpellat me vlera të veçanta.
Mjafton informacioni që merr në internet rreth Parkut që të të ngrihet mendja: ”Këtë Park duhet ta vizitoj patjetër!” As i ftohti i ”Plakave”që ka pushtuar zemrën e pranverës nuk mund të më pengojë. Pas një udhëtimi që zgjat 1 orë e 10 minuta nga Tirana, mbërrij në Librazhd. Qyteti i përgjumur shtrihet në një gropë rrethuar nga male, të cilat ndahen dhe bashkohen nga lugina e Shkumbinit. Udhërrëfyesit e mi do të jenë ruajtësit e Parkut, punonjësit e administratës së Zonave të Mbrojtura, drejtor Fatmiri, Shyqoja, Armela, si dhe guida lokale, Alberti. Pra, pikërisht personat që e njohin Parkun si askush tjetër. Kam vendosur që në dy ditët e mia këtu ta eksploroj të gjithë Parkun. Me t’u njohur me ”axhendën” time, shoqëruesit më buzëqeshin dhe më ulin me këmbë në tokë: ”Duhen katër-pesë ditë të vizitosh të gjithë Parkun.”
Bëj kompromis. Këtë herë do të vizitoj pjesën veriore të Parkut. Marrim rrugën në Verilindje të qytetit të Librazhdit, rrugë e ndërtuar 80 vite më parë nga Mbreti Zog për të lidhur zonën me Dibrën. E rikonstruktuar vitet e fundit, edhe pse nuk ka përfunduar deri në segmentin e fundit të saj, rruga është e kalueshme edhe nga makinat e ulëta deri në Fushë-Studen.
Në hyrje të Parkut një tabelë e madhe të uron mirëseardhjen dhe tregon drejtimet që duhet të ndjekësh. Fatmiri, drejtori i institucionit përgjegjës për menaxhimin e Parkut, tregon me mburrje se edhe pse struktura që ai drejton ka vetëm dy vjet që është ngritur, ia ka dalë që, në bashkëpunim me grupet e të rinjve vullnetarë që janë ngritur në shkollat e rrethit, të plotësojë me sinjalistikë horizontale dhe vertikale çdo cep të Parkut. Jo vetëm tabelat buzë rrugëve, por çdo gur dhe dru është kthyer në sinjalistikë që të ndihmon të ndjekësh cilindo intinerar që dëshiron brenda Parkut.
Albert Kaleci, mësuesi i shkollës së vetme të fshatit me 70 nxënës e katër mësues, ka disa vite që bën guidën në Park. Ka ndjekur disa trajnime dhe para disa muajsh është liçensuar edhe nga Ministria e Ekonomisë si guidë lokale. Edhe pse e njeh zonën me pëllëmbë, Berti është gjithmonë të kërkim të zbulimeve të reja. “Një javë më parë zbulova një shpellë të re”, tregon. 
Nisemi me Bertin drejt Majës së Shebenikut. Nga Librazhdi deri në Qafë Shapkë udhëtojmë me makinë ndërsa pemët e ahut, ashtu të drejta dhe elegante në të dyja krahët e rrugës, duket sikur na përshëndesin. Poshtë tyre qilimi lejla i luleve të shqopës së mishtë (Erica Carnea) shfaqet nën tisin e hollë të borës së rënë një ditë më parë. Mbi pesë orë ngjitje në këmbë nga Qafë Shapka deri në Majë të Shebenikut nuk është një sipërmarrje e lehtë. Pas dy orë ecjeje nëpër një rrugë të gjerë, bëjmë një ndalesë të shkurtër në Sereçin, për t’u freskuar dhe përgatitur për pjesën tjetër të rrugës. Nga Sereçini (1300 m) për në Majë të Shebenikut (2224m), ndjekim shtegun e shënuar nëpër një reliev kryesisht të pjerrët. Teksa i afrohemi kuotës së 2000 m, pas katër orë udhëtimi në këmbë, me lodhjen shtohet edhe adrenalina që të injekton magjia e panoramës së papërsëritshme, e cila të nxit të vazhdosh më tej. Arrijmë në një pllajë në shpatin verior të Majës së Shebenikut, ku panorama magjike plotësohet me shfaqjen e liqenit të epërm të Dragostunjës. 40 metra më lart shfaqet liqeni i Shebenikut. Dy liqenet me ujë të kulluar reflektojnë të gjitha nuancat e qiellit dhe mjedisit përreth dhe duken si sytë blu të malit që shohin dhe gjykojnë çdo gjë që ndodh mes tokës dhe qiellit. Dëshira për të parë më shumë e sfidon lodhjen dhe ne vazhdojmë drejt Majës. Pamja që të përshëndet në të gjitha anët e horizontit është shpërblimi më i mirë. Një tjetër liqen shfaqet poshtë në krah të dy të parëve, ndërsa qytetet e Librazhdit dhe Elbasanit duken si në pëllëmbë të dorës. Nga këtu mund të përshëndetesh me malet e Polisit, Katrafilit, Qafë Shapkës dhe Ryenit.
Një tjetër ditë, një tjetër intinerar.
Rruga që të çon në Fushë-Studen gjarpëron shpateve, duke të ofruar një panoramë mbresëlënëse me maja të buta kodrash, të cilat ndërthuren me njëra tjetrën si valë deti, që shfaqen dhe zhduken pas çdo kthese. Ndalojmë në fshatin Llangë, ku një grumbull shtëpish tri-katër katëshe prej guri, të tipit kullë, me një dyzinë frëngjish të vogla në vend të dritareve, të përshëndesin nga faqja e kodrës. Përkundruall fshatit, në krahun tjetër të rrugës,një tabelë tregon shtegun për në shpellën e famshme tëKoshorishtit. Zbresim nga makina dhe ndjekim shtegun që pas disa minutash na zbret poshtë nëFushëne Letmit. Tridhjetë minuta më pas ndodhemi në hyrje të Shpellës së Akullit, gryka e të cilës duket si hyrja e një bunkeri të anuar djathtas. Hyrja në shpellë të jep ndjesinë e hyrjes në një frigorifer të madh katror që nuk i duket fundi. Konkrecionet e stalaktiteve dhe stalagmiteve janë të jashtëzakonshme, ndërsa gjithçka është e veshur nga akulli.
Destinacioni i radhës është Monumenti i Kulturës së Kategorisë së Parë, Shpella kishë e Koshorishtit, që ndodhet në mes të një shkëmbi, në faqen jugore të Malit të Letmit. Ngjitja për në grykën e shpellës, 300 m nëpër shkëmbin e thepisur,është një sfidë e vërtetë. Pasi kalon hyrjen rrethore të shpellës gjendesh në një si dhomë me përmasa normale. Ngremë kokën nga tavani për të soditur atë që e ka bërë të famshme shpellën: dy piktura rrethore që ngjajnë si medalione gjigandë, kornizuar me shirita të kuq të varur tek njëri-tjetri, paraqesin skena të njohura nga Bibla. Në rrethin e vogël që ndodhet më lart paraqitet figura e Krishtit, ndërsa në tjetrin, me përmasa thuajse sa dyfishi i të parit, dallohet Shën Mëria me Krishtin fëmijë. Ajo që të lë pa fjalë është se pothuaj edhe pas 1500 vjetësh nga krijimi i pikturave, ngjyrat janë po aq të plota si të ishin hedhur dje. E arta, e kaltra dhe e kuqja e pikturave shkrihen në mënyrë organike me nuancat që merr brendia e shpellës-kishë. Poshtë “medalioneve biblike” ndodhet një pikturë me 8 figura njerëzore, që të vret sytë teksa dallon që dëmtimet që ia ka kursyer koha, nuk ia kanë kursyer vizitorët e papërgjegjshëm, të cilët kanë zhgarravitur emrat e tyre.
Parku Shebenik-Jabllanicë ofron jo vetëm bukuri natyrore për t’u vizituar. Të apasionuarit pas sporteve të ndryshme gjejnë këtu vendin ideal për të ushtruar ecjen, marshimin, alpinizmin, kacavjerrjen, çiklizmin, hipizmin.
Parku ka shumë për të treguar për veten dhe pasuritë e tij. Përfshirja në UNESCO do ta kthente atë në destinacionin kryesor turistik në vend. Banorët e Parkut po përgatiten t’i përgjigjen një fluksi të tillë, duke ngritur infrastrukturën pritëse dhe akomoduese. Kushdo që bujt në Park gjen mikpritjen e banorëve dhe ka mundësi të shijojë një ushqim të pasur tradicional dhe 100% bio. Në Steblevë tashmë janë ngritur shtëpitë e para alpine të cilat ofrojnë të gjithë komoditetin e nevojshëm.
Zbulimi i Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë mbetet një sfidë edhe për njohësit më të mirë të tij. Këtë herë modestisht zbuluam vetëm një pjesë. Pa dyshim, do të ketë një herë tjetër dhe ndoshta do të kemi fatin që të mos vizitojmë thjesht Parkun Kombëtar, por pasurinë e re shqiptare të UNESCO-s.
5.0/5 rating (1 votes)

Hits

18054

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.