Raduno Internazionale Italia-Albania-Montenegro

Raduno Internazionale Italia-Albania-Montenegro

on Monday, 27 April 2015. Posted in Outdoor

Një tur aventure i paharrueshëm, nëpër shtigjet e egra të natyrës

Raduno Internazionale Italia-Albania-Montenegro
Ilir Kolli
Natyra e egër, e paprekur, peizazhe mbresëlënëse, e gjitha kjo shoqëruar me një organizim dhe suport të shkëlqyer. Pas suksesit të dy edicioneve të para, këtë vit u vendos të zgjerohet gjeografia dhe në xhiro të përfshihet edhe Mali i Zi…
Eventi i tretë ndërkombëtar Itali-Shqipëri-Mal i Zi, i organizuar nga Desert Experience. Plot 45 automjete të tipit 4x4 dhe 92 persona të pranishëm, të ndjekur nga një staf prej 10 personash me 6 fuoristrada edhe këto të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për të përballuar çdo lloj të papriture. Formula parashikon një roadbook të përditshëm, me nisjen nga pikëmbërritja e ditës paraardhëse dhe mundësinë e vendosjes se pavarur për momentin e nisjes dhe ndalesat që dëshirohen të bëhen gjatë ditës.
Desert Experience është e para që organizoi një event të këtij lloji. Disa ekuipazhe kanë marrë pjesë dhe në edicionet e kaluara dhe janë rikthyer pasi kanë vërtetuar cilësinë e garës.
Një udhëtim epik që përshkon shtete pak të njohura por të pasura me peizazhe te mrekullueshme, plot bukuri të rralla.
Përshkuam pyje të virgjër, parqe kombëtare, lumenj e kanione që janë pasuri të UNESCO-s.
Dita 0: Bari-Durrës. Takimi për të gjithë ekuipazhet ishte në orën 19.00 në portin e Barit. Përfituam për t’u njohur me organizimin e Desert Experience dhe e kaluam kohën me biseda mes ekuipazheve. Nuk mungonte asnjë model i Toyota Land Cruiser nga modeli 70 deri tek ai 155, po ashtu një FJ Cruiser, model pak i përhapur në tregun italian. Të pranishme dhe disa pick-up Nissan dhe Toyota, disa Pajero V2 dhe Defender 90-110, tre Jeep dhe disa Patrol Gr. Automjeti i vetëm i prodhuar ne Itali ishte një Fiat Campangola i madh, diesel, prodhim i 1982, risi e kësaj gare.
Dita 1: Durrës-Parku i Lurës. Pasi zbritëm në portin e Durrësit filluam të përshkojmë qytetin dhe u ngjitëm ne një digë shumë të bukur. Duke vazhduar ngjitjen mundëm të admironim peizazhe të rralla bukurish dhe gjithë njerëzit e zonës që takuam duke kaluar nëpër fshatra, na përshëndesnin me kuriozitet e buzëqeshje. Panorama ndryshonte vazhdimisht, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur, ishin zotërit e natyrës. Gjatë zbritjes në një rrugë të ngushtë asistuam një mjet Jeep që doli disi jashtë rruge për shkak të shpërqendrimit te pilotit; falë ndihmës së Antonio Moschetto-s të M2 Custom Car dhe Davide Pante’ (offroadweb), automjeti rekuperoi me shpejtësi dhe karavani mundi të rinisej. Pjesa e fundit e shtegut të kujtonte peizazhet kanadeze, me pyllin e pishave dhe me ujëvarat e shpeshta. Hoteli që na priti natën e parë ishte i vendosur pikërisht në Parkun e Lurës, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 1300 hektarësh. Darka që na u servir ishte përgatitur me produkte lokale dhe na solli ne mendje shijet dhe aromat e dikurshme.
Dita 2: Lurë-Shëngjin. Ora 9.00, nisëm rrugëtimin përmes kodrave të Lurës, duke u ngjitur në shtigje të egra malore që përshkojnë të gjithë malin e lëshohen drejt lumit Drin, i cili kalon nëpër një kanion të mrekullueshëm derisa arrin qytetin e Kukësit. Hasëm shpesh pamje të urave të drurit, që na ndihmuan për të kaluar burimet e zonës. Udhëtimi i asaj dite, përgjithësisht në një terren me kthesa, na bëri të kalojmë nga malet tek deti, mbërritëm pikërisht në plazhin e Shëngjinit, i cili na fali të gjithëve mundësinë e rifreskimit në det dhe pak pushim në diell; uji transparent dhe rëra e mbushur me guaska na nxitnin të mos reshtnim së shkrepuri foto për kujtim. Me ardhjen e natës ekuipazhet u sistemuan në kamping dhe në hotel. Duke pritur darkën përfituam akoma pak kohë për të shijuar bregdetin duke shëtitur buzë tij.
Dita 3: Shëngjin-Theth. Udhëtimi i radhës na ngjiti sërish në mal. Ishte pjesa më e bukur, por dhe më e vështirë e garës, për shkak të terrenit të theksuar malor që nuk i lejoi pjesëmarrësit të përdornin shpejtësinë e lartë. Nisja ishte spektakolare, 8 km në plazhin e Shëngjinit. Më pas dolëm në asfalt për nga fshatrat në drejtim të Shkodrës, një ndër qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Shqipërisë e ndër më antikët e Europës; një kështjellë madhështore na tërheq vëmendjen në hyrje dhe roadbook-u na sugjeron ta vizitojmë. Pas ndalesës që na mbushi me gjallëri, nisëm rrugëtimin drejt Parkut Kombëtar të Thethit. Pas asfaltit, shtigjet e ngushta malore na drejtojnë për tek kodrat rrethuese të parkut, duke na falur kështu emocionin e në pamjeje që na la pa frymë. Pak para mbërritjes parashikohej një kalim përmes lumit me ujin e kristaltë. Një mundësi ideale kjo për makinat për të larë pluhurin e baltën e mbledhur në ditët pararendëse. Për makinat më të ulëta kishte një kalim dytësor mbi urë. Darka ofrohet nga Desert Experience në një guest-house të një familjeje të zonës. Një darkë e shijshme tradicionale dhe mbyllja romantike nën qiellin me yje për të gjithë ata që fjetën në tendë.
Dita 4: Theth-Katun. Udhëtimi vazhdon për në Mal të Zi, dhe pikërisht dita e katërt e udhëtimit nis për në Katun. Pas ngjitjes në majën e Radohimës, në një nga pikat më të larta të Alpeve Shqiptare, zbritëm në mes të një peizazhi thuajse hënor me gurë të bardhë sa te thepisur, aq dhe të lëmuar. Një mrekulli.
Në Mal të Zi gjejmë një mjedis disi me “europian”, më pak të egër.
Dita e 5-të e udhëtimit na gjeti të zgjuar shpejt për të zbritur malin e për t’u gjendur në parkun Biogradska Gora. Rruga që ndoqëm me makinë aty na takoi në fillim me një liqen fantastik e na futi përmes një pylli të dendur për të na hapur më pas rrugën drejt livadheve plot dritë e jetë. Roadbook-u parashikonte një rrugëtim tejet impenjativ pas kësaj, dhe ky ishte sinjalizuar nga stafi me shirit shënjues.
Drejtohemi për te kanioni i lumit Tara, i dyti më i thelli pas Kolorados, pasuri e UNESCO-s.
Nga këtu destinacioni i rradhës, Zhabjaku, qendër e administrimit të Parkut Kombëtar dhe qendër turistike shumë e rëndësishme për Malin e Zi. Pas një dite pushimi për pjesëmarrësit në këtë garë, dita e shtatë, i gjeti gati për t’u nisur drejt Kotorit e Barit. Këto dy ditë që pasuan ishin disi më të lira për ekuipazhet, meqenëse udhëtimi për këtë garë ishte goxha i gjatë e plot aktivitet. E si i tillë, u përmbyll në Bar të Malit të Zi, pas një udhëtimi të lodhshëm nëpër male, në mbërritje ekuipazhet shfrytëzuan momentin për t’u përshëndetur e për të festuar së bashku suksesin e kësaj gare, të organizuar në detaje nga stafi i Desert Experience. Ky ishte një nga ato evente që të mësojnë se nuk është e nevojshme të shkosh shumë larg për të shijuar bukuritë e natyrës, e për të pasionuarit e këtyre makinave, mundësitë janë të shumta për pasionin e tyre në Ballkanin qendror.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15107

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.