Qindra udhërrëfyes të çertifikuar por guidat e huaja vazhdojnë të patrazuar të punojnë nëpër sitet turistike shqiptare

Qindra udhërrëfyes të çertifikuar por guidat e huaja vazhdojnë të patrazuar të punojnë nëpër sitet turistike shqiptare

on Monday, 22 January 2018. Posted in Forum

10 guida u përgjigjen 10 pyetje për rubrikën"Forum" në Travel Magazine

Qindra udhërrëfyes të çertifikuar por guidat e huaja vazhdojnë të patrazuar të punojnë nëpër sitet turistike shqiptare
Udhërrëfyesit (guidat) turistikë në Shqipëri janë një profesion relativisht i ri, sikurse edhe sektori i turizmit. Megjithatë, vitet e fundit nuk kanë munguar përpjekjet për rritjen profesionale, sasiore por edhe për institucionalizimin e këtij profesioni, qoftë nga autoritetet shtetërore, po ashtu edhe nga organizatat e shoqërisë civile, të impenjuara drejtpërdrejt me turizmin. Megjithatë, pavarësisht diplomave ndërkombëtare të pak individëve, vetë Ministria e Turizmit çertifikimet e guidave të para kombëtare turistike i kreu përpara nisjes së sezonit turistik 2017. Kështu, në Shkurt u çertifikuan 159 guida kombëtare, ndërsa disa muaj më vonë edhe 52 guida të tjera kombëtare. Zyrtarisht, ministrja e atëhershme e Turizmit, znj.  Milva Ekonomi, se janë çertifikuar 199 udhërrëfyes kombëtar, 12 prej të cilëve zotërojnë edhe çertifikatën e specialitetit të veçantë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e NATGA-s deklarojnë 252 guida kombëtare të çertifikuara. Megjithatë, lista zyrtare e publikuar në faqen e Ministrisë së Turizmit, përmban vetëm emrat e 115 udhërrëfyesve kombëtare, në mesin e të cilëve janë edhe 7 guida të huaja, çertifikata e të cilëve si udhërrëfyes kombëtar në Shqipëri - si e të gjithë të tjerëve - skadon më 30 Shtator 2018. 
Çertifikimi i këtyre guidave u bë sipas Udhëzimit të Përbashkët të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të datës 24 Janar 2017, ku përcaktohen edhe kriteret e akreditimit të programeve të kualifikimit të këtyre udhërrëfyesve. Sipas Udhëzimit, programet për guidat kombëtare përmbajnë njohuri nga mjedisi fizik dhe natyra; gjeografia humane dhe zhvillimi shoqëror e urban; arkeologjia, prehistoria dhe antikiteti Shqipërisë; historia e Shqipërisë; diversiteti kulturor; arti & arkitektura; kohët moderne; praktika dhe mësimi në terren, si dhe njohuri mbi teknikat e guidimit, aftësi biznesi dhe kushtet e punës; ndihma e shpejtë etj. Më specifike kërkesat janë për guidat e specialitetit të veçantë, ku përveç njohurive për specialitetin e veçantë, udhërrëfyesi duhe të ketë edhe aftësi fizike për t'i ofruar turistit "në kushte të larta sigurie, një eksperiencë unike lidhur me temën/objektin e veçantë, duke interpretuar me saktësi të gjithë informacionin rreth kësaj teme/objekti dhe duke prezantuar me vërtetësi aktualitetin".
Një kategori tjetër janë udhërrëfyesit lokalë, dhjetëra prej të cilëve janë çertifikuar deri tani, ndërkohë që trajnimet vazhdojnë.
Sa i takon Kodit të Etikës, NATGA shkruan se një udhërrëfyes turistik duhet të jetë i sjellshëm, miqësor dhe i afrueshëm; të respektojë besimin fetar të çdo turisti; të respektojë zakonet etike të çdo turisti; të jetë i kujdesshëm ndaj nevojave të çdo turisti; të jetë i ndërgjegjshëm për sigurinë e çdo individi; të jetë gjithmonë në kohë; të jetë i besueshëm dhe i ndershëm; të kujdeset për higjenën personale; të vishet në mënyrë të përshtatshme. Gjithashtu, gjatë ushtrimit të profesionit, një guide i ndalohet shitblerja e çfarëdo produkti nga turistiët për qëllime përfitimi, si dhe dallimet diskriminuese ndaj turistëve për motive race, gjinie, etnie, kombësie, aftësie fizike apo moshës. Sipas Kodit të Etikës, guida duhet të jetë i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm në çdo situatë të mundshme rreziku e madje të mos i japë asnjë mjekim turistit pa u këshilluar më parë me mjekun. Ai duhet të jetë i paanshëm dhe pozitiv, duke komentuar çdo fakt apo ngjarje në mënyrë objektive, duke dhënë informacion të saktë dhe joparagjykues për asnjë arsye. Një guidë duhet të përpiqet të zgjidhë me përgjegjshmëri çfarëdo situate konflikti, si dhe të raportojë çdo incident, dëmtim apo raste fatale pranë autoriteteve më të afërta. Edhe kur nuk është duke e ushtruar profesionin, udhërrëfyesi turistik duhet të respektojë historinë, natyrën, trashëgiminë kulturore e shpirtërore si dhe traditat e popullit shqiptar, duke u përpjekur të përçojë në formë edukuese te turistët trashëgiminë kulturore, historike e mjedisore të Shqipërisë.
Mirëpo është pikërisht kjo pikë e fundit, por jo për nga rëndësia, tek e cila disa prej udhërrëfyesve turistikë kanë vërejtje. Sikurse shihet nga përgjigjet e disa pjesëmarrësve në këtë forum të revistës Travel, udhërrëfyesit thonë se në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre guida të huaja, sipas tyre edhe të paçertifikuara nga autoritetet shqiptare. Ata thonë se këto guida mund ta dëmtojnë imazhin turistik të Shqipërisë me ose pa dashje, dmth, duke dhënë ose interpretuar qëlimisht informacion të pasaktë, ose duke mos pasur formimin dhe njohuritë e duhura për të ushtruar këtë aktivitet në vendin tonë. Shembulli i sjellë nga një udhërrëfyes korçar në këtë forum, ku një guidë e huaj u thotë grupit të turistëve duke u treguar Muzeun Kombëtar të Arsimit, se në këtë shkollë dikur mësohej greqisht, është për alarm.
Pikërisht për t'i dhënë fund një praktike dhjetëravjeçare, kur guidat e huaja turistike e ushtronin aktivitetin e tyre në Shqipëri pa asnjë kontratë e kontroll nga autoritetet shqiptare - çka nuk ndodh me një guidë shqiptare në një shtet tjetër - Ministria e Turizmit nxori një urdhëresë të posaçme në fillim të sezonit turistik. Dokumenti autorizonte Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes që të ushtronte kontroll dhe të merrte masat deri në 150.000 lekë gjobë për çdo person që mund të identifikohet duke ushtruar veprimtarinë e udhërrëfyesit turistikë në territorin shqiptar pa u pajisur me çertifikatën përkatëse nga Ministria e Turizmit.
Nga ana tjetër, të pyetur për rastet e kosntatuara gjatë ushtrimit të profesionit të tyre në terren gjatë këtij sezoni, apo për denoncimin e këtyre rasteve pranë Task Forcës për Turzimin, udhërrëfyesit që morën pjesë në forumin e revistës Travel, dëshmojnë vetëm 10 raste. Mirëpo ne nuk mund të presim që turistët e huaj, me njohuritë e kufizuara për vendin tonë, të denoncojnë raste të tilla pranë autoriteteve shqiptare.
Travel

Pyetjet e forumit:

1. Në çfarë konsiston detyra e një guide profesioniste të licensuar?

2. Prej sa kohësh operoni si guidë turistike?

3. Sa grupe/turistë shoqëroni gjatë një viti?

4. Sa është numri i guidave profesionale të licensuara në Shqipëri ose/dhe jashtë?

5. Sa guida të tjera, kombëtare ose/dhe lokale ushtrojnë aktivitet të palicensuar?

6. Nëse nuk jeni një udhërrëfyes i licensuar, a ju ka penguar kjo në punën tuaj?

7. Sa është numri i guidave të huaja që veprojnë sezonalisht në vendin tonë? Sa prej tyre janë të çertifikuar nga autoritetet shqiptare dhe cili është dëmi që i shkaktojnë turizmit shqiptar?

8. Në fund të Qershorit të këtij viti, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Ekonimisë dhe Turizmit nxori një urdhër, sipas të cilit "asnjë person nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në territorin shqiptar pa u pajisur me certifikatën përkatëse nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes". Sa raste të shkeljes së këtij urdhëri keni paraqitur pranë Task Forcës për Turizmin gjatë këtij sezoni?

9. A është i mundur një formalizim i sektorit të guidave turistike?

10. Në disa prej faqeve të profilizuara të internetit (toursbylocals, viator etj) numërohen më pak se 50 guida profesioniste (shqiptarë dhe të huaj) që operojnë në Shqipëri. A mendoni se kjo ofertë online e përballon kërkesën?

Këtyre pyetjeve të revistës Travel iu përgjigjën 10 udhërrëfyes:
Ardiola Alikaj, Aleksandër Filipllari, Matilda Guci, Piro Katundi, Arben Kola, Adrian Mitrovasili, Lazjon Pjetri, Florika Rodakaj, Eltjana Shkreli dhe Aigin Teqja.
 
Ardiola Alikaj
1. Guida profesioniste e "çertifikuar" do të ishte termi i saktë i parashikuar nga ligji, ka për detyrë të udhërrëfejë një grup vizitorësh në gjuhën e përzgjedhur prej tyre, të interpretojë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të vendit të tij në normat më të larta të etikës profesionale, dhe të jetë i pajisur me kualifikimin përkatës nga instancat e akredituara.
2. Unë operoj si guidë turistike që prej vitit 2000.
3. Natyra e grupeve që unë kam udhërrëfyer dhe kohëzgjatja e tureve kanë qenë në ndryshime dinamike nga viti në vit, por nëse vendos një mesatare të përafërt, mund të them se variojnë mes 25 - 40 grupe/vit.
4. Numri i guidave të çertifikuara nga MZHETTS nga 3 fazat që prej muajit Shkurt deri në Korrik është 252. Dua të specifikoj se ligji kërkon çertifikim vetëm për udhërrëfyesit të cilët operojnë brenda territorit shqiptar, dhe nuk është i detyrueshëm per "shoqëruesit në udhëtim" të cilët shoqërojnë grupet jashtë territorit shqiptar, mirëpo në kushtet e variantit të fundit, ata nuk janë më udhërrëfyes por vetëm shoqërues në udhëtim. Po ashtu çertifikimet e bëra jashtë Shqipërisë kanë nevojë për "akreditimin" sipas ligjit shqiptar, por mund të them se është një numër i limituar i udhërrëfyeseve të çertifikuar jashtë shtetit.
5. Kjo është një përgjigje të cilën nuk jam në gjendje t'jua jap. Çertifikimi pikërisht se është një  proces i gjateë ka fazën e tij tranzitore, e cila sapo ka filluar.
6. Unë jam udhërrëfyese e licencuar me kategorinë kombëtare, por kam informacion nga kolegë të mi, të cilët nuk arritën për arsye të ndryshme t'i nënshtroheshin procesit të çertifikimit provizor, të cilëve ju ka krijuar pengesa serioze mospajisja me çertifikatë në këtë sezon.
7. Numri i udhërrëfyesve të huaj që operojnë sezonalisht në Shqipëri nuk dihet saktësisht. Nga MZHETTS janë çertifikuar faktikisht udhërrëfyes të huaj të cilët jetojnë dhe punojnë në Shqipëri të pajisur me leje pune (sikurse në fakt e kërkon për ta ligji për udhërrëfyesit turistikë). Mospajisja në vijim e udhërrëfyeseve të huaj me çertifikatë, sjell dëme të parikuperueshme për turizmin shqiptar, sepse jemi në fazën e ndërtimit të profilit tonë turistik, dhe atë çka kemi autentike, një vizitor mundet vetëm ta "prekë" nga sytë e një udhërrëfyesi i cili jeton dhe punon në këtë vend çdo ditë, i cili shikon ndryshimet jo vetëm në urbanistike e arkitekturë por edhe në shpirtin e kombit tonë. Gjëra të cilat nuk t'i mësojne dot as librat apo përmbledhjet akademike që dikush mund të shfrytëzojë si burime informacioni.
8. Pasi nxori urdhërin e sipërpërmendur, Task Forca e Turizmit filloi një fushatë informimi në të gjithë sitet, muzetë apo pikat e tjera turistike, përfshirë edhe ato kufitare. Kjo fushatë nuk pati qëllim trajtimin me agresivitet të çështjes apo penalizimin e sa më shumë udhërrëfyesve gjatë ushtrimit të ketij profesioni, por njohjen e tyre me faktin që ky urdhër po fillonte zbatimin e menjëhershëm. Nga ne si NATGA janë komunikuar jo më shumë se 2 raste pranë MZHETTS, por marrim parasysh që me udhërrëfyesit që kemi të çertifikuar deri tani, ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për ta mbuluar fluksin në rritje të vizitorëve në vendin tonë. Mangësi të thellë ne kemi për udhërrëfyes të gjuhëve me pak të përdorura si spanjisht; bullgarisht; polonisht; serbo-koratisht; madje edhe italisht. Dhe mendoj se ky sezon është përballuar me sukses nga të gjitha instancat dhe se çdo aplikim ligji apo urdhëresash do të marrë kohën e vet deri në zbatimin e plotë. Mund të përmend këtu shprehjen e famshme franceze..."Roma nuk u ndërtua në një ditë" :)
9. Sektori i guidave turistike tashmë është formalizuar, ajo që do të vijë gradualisht me kohën është plotësimi i të gjitha mangësive, akreditimi i kurseve të formimit profesional në operimin sa më efikas të të gjithë sistemit dhe rritja e performancës së figurës së udhërrëfyesit në treg, si një profesion prestigjioz ashtu si i takon një ambasadori të kulturës shqiptare.
10. Kjo ofertë që paraqisni, absolutisht nuk e përballon kërkesën për vizitat në Shqipëri. Në këto site jo detyrimisht ka qenë kërkuar të jesh i çertifikuar ose edhe nëse kërkohej, askush prej administratorëve të faqes nuk i verifikonte tipologjitë e çertifikimeve që ngarkonin në profilin e tyre këto guida. Problem ky i ngritur në Janar 2015 edhe në Konferencën e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Turistike ku NATGA është anëtare me të drejta të plota. NATGA vetë ka një website i cili do të jetë në shërbim të udhërrëfyesve të kualifikuar, çka do të thotë të kenë përfunduar me sukses kurset e formimeve profesionale si e parashikon ligji. NATGA nuk promovon dot udhërrëfyes të pakualifikuar dhe të paçertifikuar për arsye të anëtarësisë në dy prej entiteteve kryesore për këtë profesion, si WFTGA (World Federation of Tourist Guide Associations) dhe FEG (European Federation of Tourist Guides), pasi NATGA humbet të drejtën e anëtarësisë nëse promovon  në faqen e internetit udhërrëfyes të paçertifikuar dhe të pakualifikuar. Anëtaresia në të dy këto entitete hap shumë dritare mundësish punësimi, pasi rrjeti i udhërrëfyesve të kualifikuar ndërvepron në mënyrë të suksesshme mes vetes në rang europian dhe botëror.
 
Aleksandër Filipllari
1. Detyra e një guide profesioniste konsiston drejt qëllimit të promovimit dhe të natyrës të larmishme, kulturës dhe vlerave të ndryshme që ofron Shqipëria. Në rastin tonë fokusi kryesor përqëndrohet në jug-lindje të Shqipërisë. Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit dhe standardizimi i guidave janë objektivat që duhet të arrihen. 
2. Koha që ne operojmë është rreth 7-8 muaj, por më shumë gjatë sezonit turistik në Pogradec.
3. Si një guidë e re, ne kemi shfrytëzuar sezonin turistik të parë dhe përafërsisht kemi shoqëruar rreth 150 persona/turistë.
4. Nuk jemi në dijeni për këto të dhëna.
5. Intëresi jonë është fokusuar në jug-lindje, dimë që ka disa guida lokale në qarkun e Korçës dhe guida kombëtare që operojnë në këtë zonë, por aktualisht nuk kemi të dhëna për numrin real.
6. Për momentin nuk më ka penguar të ushtrojmë profesionin e udhërrëfyesit.
7. Guidat e huaja operojnë në territorin shqiptar. Përsa i përket rrethit të Pogradecit, më së shumti janë guidat maqedonase dhe paksa greket. Ndërkohë dëmi është se guidat e huaja nuk shfaqin vlerat apo potencialet e vërteta të rrethit të Pogradecit. Bashkëpunimi me guidat vendase nuk është në pritshmëritë e duhura.
8. Jemi në dijeni të ushtrimit të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë, por ndërkohë nuk kemi paraqitur shkelje të këtij urdhëri.
9. Shpresojmë që në të ardhmen të formalizohet sektori i guidave turistike..
10. Oferta online mbase e përballon kërkesën, por duke parë që turizmi në Shqipëri sa vjen e bëhet më atraktiv, do të kërkohet licensimi i plotë i të gjitha guidave, qofshin ato online apo në terren.
 
Matilda Guci
1. Detyra e një guide profesioniste është që të prezantojë në mënyrën më dinjitoze vendin e vet. Të jesh një guidë turistike do të thotë të hulumtosh, të prezantosh, të shpjegosh dhe të tregosh historin e vendit.
2. Prej më shumë se 6 vitesh.
3. Gjatë sezonit veror janë mesatarisht 170 grupe nga vende të ndryshme. Janë grupe ditore që vijnë nga Korfuzi, turistë ditorë që vijnë me kroçierat që kanë Sarandën dhe Durrësin si destinacion dhe gjithashtu grupet që kalojnë pushime javore në Shqipëri.
4. Guidat shqiptare të licensuara për territorin shqiptar janë rreth 180, ndërsa guida shqiptare të çertifikuara për jashtë vendit janë jo më shumë se 15.
5. Duke qënë se licensimi për guidat për herë të parë u zhvillua vetëm këtë vit nga Ministria, të gjithë ata që ushtrojnë këtë profesion me seriozitet u licensuan. Guidat shqiptare që operojnë në Shqipëri janë të licensuara dhe të çertifikuar. Një numër shumë i vogël mund të jetë që operon në treg i palicensuar.
6. Jam udhërrëfyese turistike e licensuar në grupin e parë të të licensuarve.
7. Numri i guidave të huaja është i lartë dhe kjo është një çështje që vërtet na shqetëson dhe besoj jo vetëm mua. Guida të huaja të paçertifikuara dhe pa asnjë lloj kontrolli nga shteti shqiptar. Nuk mund të them se çfarë dëmi i sjellin këto lloj guidash shtetit shqiptar, por përsa kohë ne nuk lejohemi të guidojmë jashtë shtetit pa një guidë vendase, pse këtë rregull të mos e ndjekin edhe guidat e huaja në vendin tonë?
8. Ky ligj që u shkrua duhet zbatuar. Kjo jo vetëm për të mirën e arkës të shtetit por edhe për rritjen e cilësisë së shërbimit. Fatkeqësisht guidimi nuk të jep shanse për përmirësim, pasi një grup të vjen vetëm një herë dhe ai grup largohet me ato çfarë ne u kemi dhënë, për mirë apo për keq.
9. Po! Guidat në Shqipëri përfaqësohen denjësisht nga NATGA, Shoqata e Guidave e cila shpeshherë organizon seminare dhe work shope të ndryshme për rritjen e cilësisë.
10. Turizmi në Shqipëri është çdo vit e më shumë në rritje dhe agjensitë/operatorët turistikë janë më të organizuarat në përgatitjen dhe pritjen e këtij fluksi. Sot në Shqipëri ka rreth 180 guida të licensuara dhe vërtet të denja për të promovuar vendin tonë në mënyrë dinjitoze.
 
Piro Katundi
1. Detyra e një guide profesioniste konsiston në realizimin me sukses të një udhëtimi në një destinacion të caktuar. Ku një turist të marrë më të mirën e mundshme nga udhëtimi, qoftë nga komoditeti i itenerarit të ndjekur, qoftë nga informacioni i plotë mbi historinë, kulutrën dhe natyrën e vendit që po vizitohet.
2. Operoj si guidë turistike prej 3 vitesh.
3. Gjatë një viti shoqëroj rreth 25-30 grupe turistike.
4. Numri i guidave profesionale të licensuara në Shqipëri për momentin është rreth 250, nga të cilët jashtë vendit operojnë rreth 20-30 guida.
5. Mund të jenë rreth 200-250 guida të tjera të palicensuara në Shqipëri, duke marrë parasysh që çertifikimi është një proces që u bë rishtazi dhe guidat që operojnë kanë një kohë relativisht më të gjatë në treg.
6. Nuk mund të shprehem tani për vështirësitë si guidë e palicensuar, pasi e disponoj licensën, por edhe më herët kur nuk ka ekzistuar çertifikimi kam pasur çertifikata dhe trajnime të tjera si udhërrëfyes. Nga ana tjetër edhe shteti nuk ka penguar në një gjë të tillë, duke qenë se kohët e fundit realizoi çertifikimin dhe licensimin.
7. Sipas ligjeve shqiptare, çdo grup turistik i huaj që vjen në vendin tonë duhet të jetë i shoqëruar nga një udhërrëfyes shqiptar. Kjo për 2 arsye: ndikon negativisht në ekonominë e vendit tonë dhe nga ana tjetër, një turist i huaj duhet të informohet për historinë e vendit tonë ashtu si është realisht dhe jo ashtu si mund ta kenë të mësuar nga shteti i vet. Aktualisht ka disa grupe të huaja që operojnë në vendin tonë, por besoj që shumë shpejt do rregullohet kjo gjë.
8. Unë, duke e disponuar licensën dhe duke qenë brenda rregullave të ministrisë përsa i përket ushtrimit të profesionit si udhërrëfyes profesional, nuk më ka interesuar të merrem me çështje dhe raste të shkeljeve, pasi nuk kam hasur; mbi të gjitha interesohem të bëj sa më mirë punën e udhërrëfyesit.
9. Sigurisht që formalizimi është i mundur. Si në shumë vende të botës së zhvilluar ku funksionon shumë mirë, edhe në Shqipëri ndryshimet e fundit do të japin rezultate pozitive në këtë drejtim.
10.  Janë rreth 250 guida të licensuara në Shqipëri për momentin, pavarësisht se në adresa të tilla numri mund të jetë më i vogël. Gjithsesi, duke qenë se aktualisht, në tregun shqiptar janë rreth 500 guida, duke përfshirë edhe ata jo të licensuar, besoj se janë më se mjaftueshëm dhe e përballojnë më së miri kërkesën për udhërrëfyes. Në të ardhmen, me rritjen e kërkesës, do të shtohen edhe guidat.
 
Arben Kola
1.
2. 7 vite.
3. Varet nga lloj i turit dhe sa ditorë mund të jetë. 10 deri në 15.
4.  Diku te 200 persona.
5. Ndoshta 100 deri në 150.
6.  Po.
7. Guidat e huaja që veprojnë në vendin tonë janë rreth 10 persona, ndërsa vetëm 5 prej tyre janë çertifikuar nga pala shqiptare. Mendoj se dëmi që na shkaktojnë është thjesht në vendet e punës.
8.  Asnjë, pasi duhet të jetë në xhiro në Tiranë, Berat dhe Gjirokastër.
 9. Po.
10. Jo.
Adrian Mitrovasili
1. Guida turistike interpreton trashëgimine kulturore dhe natyrore të vendit të tij në gjuhën e kërkuar nga vizitorët. Ai është ambasador i vendit të tij dhe mbron dhe promovon vlerat e vendit me profesionalizëm dhe përkushtim.
2. 10 vjet.
3. 20.
4. Rreth 240.
5. Nuk e di, minimumi 50.
6. Jam i licensuar, udhërrëfyesit e palicensuat përballen me disa vështirësi
7. Guidat e huaja të licensuara nuk shkaktojnë dëm. Në vendin tonë, janë më pak se 10. Guidat e huaja te palicensuara shkaktojnë dëm të konsiderueshem ekonomik dhe kulturor.
8. Më pak se dhjetë.
9. Sigurisht që është i mundur, por jo në masën 100 për qind.
10. Jo nuk e përballon plotësisht.
 
Lazjon Petri
1. Bërja me dashuri e punës. Përditësimi i vazhdueshëm i të dhënave dhe njohurive në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe natyrore. Përsosmëria dhe pasuria e shqipes dhe e gjuhëve të tjera të huaja të zotëruara. Mbajtja e përgjegjësive udhërrëfyese: letërkëmbim, prani njerëzore, shoqërim i denjë, përmbushja e kërkesave hapësinore dhe kohore. Në thelb, ka të bëjë me pritje-përcjelljen e njerëzve njësoj sikur janë miqtë e shtëpisë.
2. Prej gati 2 vjetësh.
3. Mesatarisht, 3-4 grupe në muaj. Grupi mund të jetë nga dy deri në 30 veta. Përveç tyre, kam nderin dhe kënaqësinë të shoqëroj çifte apo njerëz në udhërrëfime të specializuara.
4. S'e di.
5. As këtë s'di ta them.
6. Të qënit i linçesuar në punën e udhërrëfyesit ka përmasën shoqërore dhe atë vetjake. Përmasa e parë, ajo shoqërore, ka të bëjë me marrëdhënien që ne krijojmë me shoqërinë dhe me shtetin. A jemi të ligjëruar? A paguajmë taksa? Siguracione? Edhe ana tjetër e monedhës: shoqëria është më e virtytshme kur ne punojmë në të zezë apo në të bardhë? Mund të ndodhë që, teksa trumbetojmë Shqipërinë turistike, grupe njerëzish të bien në duar shoqëronjësish të paaftë. Por, a do të ishte e drejtë që të binin në duar njerëzish keqbërës? Sado që sot, teknologjia e informacionit e ndan grurin nga egjra, licensimi ndihmon në mishërimin e shoshës që lipset për këtë punë. Përmasa tjetër, ajo vetjakja, ka të bëjë me marrëdhënien e udhërrëfyesit me veten dhe të tjerët, me vetëbesimin që vetiu i shtohet udhërrëfyesit nga një licensim shtetëror. Kjo përmasë, vetjakja, ka të bëjë edhe me shtimin e mundësive që udhërrëfyesi në fjalë të brumoset edhe më tepër profesionalisht. Kështu që  sido që ta kapësh, moslicensimi, pa bukë nuk të le, por që të pengon, të pengon.
7. Nuk kam të dhëna në këtë lëmë për t'ju thënë numrin e saktë. Do ju jap vetëm një shembull që e mësova rastësisht këtë verë, nga një shoqja ime, Paula, që jeton në Gjermani, por që u ndodh të kalonte buzë një grupi shtetasish grekë, të cilët shoqëroheshin nga udhërrëfyesja e tyre në Korçë. Për Muzeun tonë Kombëtar të Arsimit, Shkollën e Parë shqipe u thotë: ''Kjo është një shkollë e vjetër, në të cilën mësohej greqisht. Vazhdojmë më tej, me objektet e tjera...'' Kaq. Jo vetëm shumë pak, por edhe pasaktësira...  
8. Asnjë.
9. Çdo gjë është e mundur. Vetëm se duhet ditur përse bëhet dhe duhet pleqëruar si të bëhet më mirë ky formalizim. Duhet të vijë si pasqyrim i vetëdijes së udhërrëfyesve, si shtrëngim institucional, apo si ndërthurrje e të dyjave? 
10. Nuk e di. Sepse uji mund të pikojë drejtpërsëdrejti tek udhërrëfyesit, por mund të rrjedhë edhe në mullinjtë e agjensive, të cilat bëjnë lidhjet mes kërkesave dhe udhërrëfyesve. Çështje menaxheriale e punës kjo, por edhe mungesë informacioni. Sado ironike të tingëllojë. Të të thahet gryka për ujë, kur plluskon mes oqeanesh.
 
Florika Rodakaj
1. Një guidë profesioniste e licensuar kërkon një bagazh kulturor të përgjithsheëm, si dhe një përgatitje në sektorin e turizmit në Shqipëri. Guida duhet të jetë e njohur nga institucionet kompetente dhe të ketë një eksperiencë në këtë fushë. Do të ishte mirë që të kishte një bashkëpunim me aktorët e fushës së turizmit, si hotele, restorante, varka, destinacione turistike etj., që të lehtësonin punën e tij, duke i ofruar shërbime falas. Guida duhet të shquhet për profesionalizëm dhe si ndërmjetës kryesor midis turistit - trashëgimive kulturore - agjencisë që e punëson.
2. Operoj prej 5 vitesh si guidë turistike.
3. Në mesatare momentalisht arrijmë të organizojmë deri në 25 grupe.
4. Nuk jemi në gjendje të vendosim një numër për këtë figurë profesionale.
5. Ne mundohemi që të promovojme guidat e licensiuara, por nga eksperienca vëmë re se raporti mund të jetë 40/60 ( 40% të palicensuara).
6. Mendoj se që nga njohja e guidës si profesion dhe pajisja e tyre me licensa, ka krijuar vështirësi fakti i të mos qenit i licensuar.
7. Dëmi që mund t'i shkaktonte turizmit shqiptar do të ishte ulja e punësimit të guidave shqiptare nga agjencitë e huaja dhe prezantimi jo i denjë i vendit tonë te turisti, nëse informacioni i tyre nuk dotë ishte i përshtatshëm. Gjithsesi, ka guida të huaja, që duke njohur mirë kulturën e turistit të huaj, janë në gjendje ta prezantojnë në mënyrë fantastike vendin tonë. Prandaj kërkohet jo vetëm një përgatitje gjuhësore nga guidat shqiptare, por mbi të gjitha kulturore, pasi çdo kulturë ka mënyrat e veta të komunikimit.
8. Mendoj se ende ka raste të shumtë. Gjithësesi kemi vënë re se shumë guida të licensuara janë më pak të përgatitura se shumë guida të palicensiuara.
9. Shpresoj që të jetë i mundur një formalizim si në anën praktike, por edhe atë financiare. Vështirësia e një agjencie turistike momentalisht është fakti që detyrohet të angazhojë guida të licensuara (me rrezikun qe të jenë jo shumë të përgatitura) dhe të mos jenë në gjendje të deklarojë pagesën e tyre. Në momentin që një guidë ushtron profesionin e tij, duhet patjetër të jetë i pajisur me një NIPT dhe të lëshojë fatura për shërbimin që ofron. Nga ana tjetër është fakti se guidat shqiptare kërkojnë një shpërblim nga 70-130 euro dita, goxha superiore nëse mendojmë se jemi në Shqipëri dhe jo në vendet e BE-së.
10. Nuk mendoj se e përballon kërkesën, sidomos në vitet që vijojnë.
 
Eltjana Shkreli
1. Një guidë është një udhëheqës apo këshillues i vizitorëve që i prin nëpër atraksionet turistike apo vendet e interesit, duke jua shpjeguar dhe prezantuar. Liçensimi i një guide nënkupton një të drejtë që ia njohin edhe institucionet publike përkatëse.  
2. Unë operoj prej 4 vitesh dhe kjo e nxitur nga pasioni për t’ua përcjellë vizitorëve, të huajve në veçanti, por edhe atyre vendas (shqipfolës) në përgjithësi, historinë dhe përjetimin e realitetit shkodran.
3. Mund të duket pak, por jo më shumë se 100-150 vizitorë në vit. Këtu më tepër do të ndalesha tek grupet e studentëve që shpeshherë janë studentë të mi apo vullnetarë në punë të ndryshme që operojnë në territor. Shpesh janë miq të miqve të mi, që u rekomandojnë dhe pastaj grupe të vogla turistësh që mund të më gjejnë përmes lidhjeve të shumta, kryesisht rrjeteve online. 
4. Nuk mund të përgjigjem për këtë pyetje, pasi nuk është pjesë e interesit tim.
5. Mund të pohoj pa drojë që ka, kjo për shkak të një sektori të pastrukturuar ende, si turizmi. Gjithsesi dua të vlerësoj faktin që ka interes në rritje për të sjellë këtë shërbim, por kërkon përkujdesje dhe kontroll sistematik për cilësinë e ofruar. E shprehur ndryshe, të ketë aftësi të forta komunikimi, të ketë aftësi kujtese që të përcjellë historinë, të ketë aftësi improvizuese, të ketë entuziasëm, të jetë njeri me humor dhe i përpiktë, të zotërojë njohuri të mira mbi qytetin apo atraksionet dhe ta përcjellë atë me pasion. Të gjitha këto janë vokacion, përgatitje e përvetësim – pra një udhërrëfyes është një ambasador që përcjell imazhin e një vendi e jo kushdo mund ta ushtrojë këtë aktivitet. 
6. Pasioni nuk pengohet, përkundrazi të shtyn të zbulosh qytetin në hullitë e veta të thëna e të pathëna. Si urbaniste, pasioni im lidhet drejtpërdrejt me qytetin. Qyteti është i shtresëzuar, por unë kam preferuar të ndalem tek përjetimet e mia. Duke qenë se u rrita në pakërcyell të dy epokave (komuniste dhe postkomuniste) intrigimi më i madh më sjell ndërmendje qasjen krahasuese. Qyteti me ngjyra në sytë e një fëmije dikur dhe qyteti bardh e zi në sytë e një të rriture sot. Qyteti brenda një kuadrati i prindërve/gjyshërve të mi dikur dhe qyteti jashtë një kuadrati pa formë i një të rriture sot. Kujtesa kolektive brenda familjes sime ndër breza i ka bërë vizitorët gjithmonë kurioz të më ndjekin në rrëfimin e interpretimin tim 2-3 orësh tek ec me ta nëpër itinerarin e qendrës së Shkodrës. Me një broshurë plot fakte e foto të së kaluarës i ndal në hapësira publike të hapura (sheshe) ose të mbyllura (kishë, xhami, muze, banesë) duke u interpretuar botën time shpirtërore, përjetimet e mia personale të asaj çka ndjej në kohë e hapësirë. Guida urbane me titull “Komunizmi në qytetin reaksionar, Shkodër” e cek realitetin përmes propogandës në sheshet publike, fesë, persekutimit komunist të elitave të qytetit dhe përditshmërisë.
E pra kjo është më tepër se autentike dhe nuk ka liçencë që ta ndal. 
7. Prania e guidave të huaja mbetet një shqetësim i madh, pasi sikurse e shpreha më sipër, udhërrëfyesi mbetet ambasador i vendit të vet. Nëse një udhërrëfyes nuk i përket këtij vendi nuk ka ndjenjën e përkatësisë, pra edhe pasioni brenda tij nuk ekziston. Mungesa e pasionit dhe kulturës mbi këtë vend nëse nuk ekziston, të lejon të përqafosh përgënjeshtrimin. 
8. Me sinqeritet nuk kam paraqitur asnjë shkelje, jo sepse nuk kam evidentuar, por se nuk kisha asnjë informacion mbi mënyrën si duhej të deklaroja, kujt duhet t’i drejtohesha dhe a do të procedohej më tutje. Pa përjashtuar aspak mungesën e interesit tim personal rreth kësaj nisme, pra ta nisim nga vetja e ta kërkojme informcionin jo vetëm të na serviret.
Mendoj që institucionet publike përkatëse duhet që të nxisin një fushate sensibilizuese kombëtare për këtë gjë. Mendoj që rastet duhet të paraqiten jo vetëm nga vetë udhërrëfyesit, por nga çdo qytetar, pasi në këtë rast kemi të bëjmë më shkelje e nëpërkëmbje të imazhit të vendit. Përveç kësaj, vetëm kështu do të mund të rrisim ndërgjegjen qytetare mbi reagimin ndaj shkeljes dhe indirekt kuptojnë se turizmi është një sektor zhvillimi shumë i rëndësishëm për gjithë vendin, i cili krijon punësim dhe mirëqënie direkt e indirekt për këdo.
9. Absolutisht gjithçka është e mundur, thjesht kërkon vullnet dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve, sikurse edhe përmenda më lart.
10. Mendoj se kërkesa është gjithnjë në rritje dhe nuk mendoj që e përballon. Por këto burime nuk paraqesin gjithmonë realitetin e terrenit. Shpeshherë udhërrëfyesit nuk rregjistrohen online, ose operojnë me rrjetet e tyre.
 
Aigin Teqja
1. Puna e një udhërrëfyesi konsiston në përçimin e saktë të informacionit te turisti, në menaxhimin e situatave dhe ndodhive të papritura, në paraqitjen sa më të qartë të kulturës shqiptare etj etj.
2. Prej 3 vitesh.
3. Çdo vit e më shumë (vështirë të them një numër të saktë, pasi janë shumë).
4. Sipas MEZHETTS, janë rreth 200 udhërrëfyes.
5. Numër të saktë nuk di, por ka shumë.
6. Jam i licensuar.
7. Nuk di numrin e saktë, por ka goxha të huaj që operojnë në Shqipëri, të palicensuar dhe e dëmtojne jashtë mase Shqipërinë, pasi shumica e tyre janë dashakeqës dhe aspak të informuar mbi vendin tonë.
8. Kjo punë i takon Inspektoriatit dhe muzeve, që të mos i lejojnë këto udhërrëfyes të operojnë në Shqipëri.
9. Është i domosdoshëm.
10. Aspak. Vendi ynë ka nevojë për më shumë udhërrëfyes, pasi numri i turistëve çdo vit sa vjen e rritet.
5.0/5 rating (1 votes)

Hits

89021

Comments (3)

  • MichaelAnonaMQ

    MichaelAnonaMQ

    19 September 2018 at 15:20 |
    Earnprofit.today Инвестиции онлайн

    Обзор лучших инвестиционных проектов, которые доказали свою надёжность и стабильность!
    В эти программы можно вложить деньги под выгодные проценты.

    Здесь можно найти достоверную и полную информацию о сути деятельности в интернете, которая может приносить прибыль. Также анализируются ее особенности. Достаточно внимания уделено всем нюансам деятельности, а также особенностям сайтов. Речь здесь идет и о платежных системах, и об администраторах, и о скрипте, защите, текстах-легендах, общем дизайне. Уделено внимание также тому, можно ли реально заработать на проектах такого плана и как именно это надо делать.

    На данном сайте есть только те инвестиционные проекты, которые хорошо проверены. Соответственно, инвестиции в них являются совершенно безопасным и прибыльным делом.

    Earnprofit это реальный заработок в интернете с помощью инвестиций,игр, хайпов


    [url= http://earnprofit.today/news/novosti-superkopilki-aktsii-fil-m-adaptatsiya.html/][b]Перейти на сайт и начать зарабатывать[/b][/url]


    Инвестиции сайт инвестиций

    Earnprofit игры с реальным заработком

    Earnprofit что такое сетевой бизнес


    Обзор инвестиционных проектов,инвестиции в hyip,инвестиционные проекты,инвестиции в интернете,куда инвестировать деньги,вложить деньги,обзор хайпов,инвестиционные проекты в интернете,сайт инвесторов,проекты для инвестирования,инвестиционные программы.Обзор экономические игры с выводом денег,проекты по заработку в интернете,методы заработка в интернете.

    reply

  • sergeya1996000

    sergeya1996000

    28 November 2018 at 05:13 |
    [url= https://docapple.ru/remont-iphone]Ремонт iPhone[/url] в Краснодаре у доктора Apple, наш сайт https://docapple.ru

    reply

  • sergeya1996000

    sergeya1996000

    04 December 2018 at 06:54 |
    [url= https://docapple.ru/remont-iphone]Ремонт iPhone[/url] в Краснодаре у доктора Apple, наш сайт https://docapple.ru

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.