Orgesa Zaimi: Udhëtimet? Adrenalina ime

Orgesa Zaimi: Udhëtimet? Adrenalina ime

Written by Flora Xhemani Baba on Thursday, 27 June 2013. Posted in Intervista

Rrokerja simpatike rrëfen preferencat dhe planet e saj per udhetimet e ardhshme

Orgesa Zaimi: Udhëtimet? Adrenalina ime

Një prej këngëtareve më të dashura të publikut, Orgesa rrëfen dashurinë e saj të madhe për udhëtimet, vendet ku ka shkelur, ato që dëshiron të vizitojë akoma, si dhe një plan për një "Eurotrip" bashkë me Borën, vogëlushen e saj që ka pak kohë që ka ardhur në jetë...

 

Sa i pëlqejnë Orgesës udhëtimet?              
Më pëlqejnë shumë shumë shumë, sa nuk kam të ngopur. Jam një njeri shumë energjik, që kur kam qenë e vogël kam qenë shumë e shkathët, dhe prindërit me mundesitë e tyre bënin gjithnjë çdo fundjavë ose çdo sezon udhëtime brenda Shqipërisë, gjithashtu mami im mësuese, kur kishte ekskursionet me nxënësit e saj, më merrte gjithnjë me vete, kështu që kam pasur gjithmonë qejf eksplorimin dhe vizitat në vende të ndryshme. Duke qenë se jam nga Skrapari, di t’ju them së ne atje kemi shumë vende të bukura që ia vlejnë t’i eksplorosh, duke nisur që nga mali i Tomorit dhe Çuka e Malit, që është bërë edhe objekt për një pelegrinazh të përvitshëm për të nderuar Baba Aliun. Por ndërkoh, një tjetër mënyre që ofron Skrapari, është edhe rafting në kanionet e Osumit, që janë fantastike, ajo është zona ime më e preferuar.
Të pëlqen më shumë të udhëtosh në Shqipëri apo jashtë?
Normalisht  më pëlqejnë të gjitha llojet e udhëtimeve, edhe brenda edhe jashtë vendit dhe deri tani kam udhëtuar shpesh, por tani duhet të them që kur më jepet mundësia nuk përtoj dhe as e mendoj dy here nëse më del ndonjë udhëtim jashtë kufijve shqiptarë. Kjo s’do të thotë se nuk e dua vendin tim, por deri diku Shqipërinë e kam vizituar, edhe zonat malore edhe bregdetin, besoj si gjithë brezi im.
Sa qytete të Shqipërisë ke vizituar deri tani? Ke qenë atje për pushime apo për koncerte?
Nuk i kam numëruar dhe s’më ka shkuar mendja t’i numëroj por mund të them që një pjesë të mirë të Shqipërisë e kam vizituar, më ka mbetur të shkoj vetëm në Theth dhe Lurë dhe plotësoj si me thënë të gjithë gjeografinë për udhëtimet rreth vendit.  Pa diksutim që disa herë edhe me koncerte, më së shumti në bregdet, duke qenë se në verë ka më shume aktivitete, në dimer ne këngëtarëve na mbledh Tirana.
Po jashtë Shqipërisë  në cilat vend ke qenë?           
Për jashte Shqipërisë mund të them se një pjesë të mirë të Europës e kam vizituar, kam qenë në një “trip” shumë interesant në 2010-tën në Angli, kam qenë në Skoci, në Glassgoë dhe Edinburgh, Neë Castle, Yorkshire, Londër, në Belgjikë shkoj shumë shpesh sepse im shoq ka vëllain në Bruksel, por kam vizituar edhe Mons apo qytete të tjera belge, kam qenë në Luxembourg, në Zvicer, ku kam jetuar për një vit dhe i njoh mirë rrethinat, dmth kufirin francez të Zvicrës, që nis me Annecy, një qytet shumë i dashur për mua, ku kam xhiruar edhe një videoklip. Kam jetuar në Gjenevë për një vit, pra edhe kam vizituar një pjesë të mirë të kantoneve zvicerane, Francën dhe një pjesë të Italisë dhe Gjermanisë. Ndërkohë që,në qershor planifikoj një turne të vogël për të promovuar albumin tim në anglisht, së bashku me grupin tim zviceran, kemi disa koncerte rreth e qark Europës, Zvicër, Francë, Gjermani. Kam qenë edhe në Russi, në Moskë në 2009, dhe duhet të them që më ka pëlqyer shumë Kremlini.
Mendon se kemi turizëm më të mirë se vendet fqinje, apo më të keq?         
Po mendoj se jemi në një nivel me Italinë për bregdetin, as që diskutohet, jemi edhe shumë mire tani kohët e fundit me turizmin malor. Por duhet edhe më shumë kohë, derisa të realizojmë një turizëm në nivele e standarte europiane. Kjo nis si fillim nga ne, duhet të përpiqemi ta duam më shumë vendin tonë dhe, edhe po të tingëllojë pak banale në këte kontekst, për mua gjithçka nis nga pastërtia vetjake e çdo shqiptari, sidomos kur shkon me pushime. Duhet ta duam natyrën sepse Zoti na ka bekuar me të gjitha të bukuritë natyrore.
Cilat udhëtime shijon më shumë, tani që je bërë nënë, ato me familjen, apo ato që të duhet të ndërmarrësh për ture?
Tani që jam bër nënë është akoma herët për udhëtime, duke qenë se vajzën e kam vetëm 3 muajshe por unë dhe im shoq i kemi shumë qejf udhëtimet, që pa lindur vajza jonë Bora, e kemi bërë planin për një eurotrip ku do t’i tregojmë asaj të gjitha zonat më të bukura dhe interesante. Por do presim të rritet, në mënyrë që të kuptojë dhe shijojë më shumë udhëtimet.
Cili qytet i Shqipërisë të pëlqen më shumë?
S’mund të veçoj një më shumë se të tjerët, por them se Saranda është më i parapëlqyeri por ka edhe vende të tjera që i vizitoj kur më krijohen mundësitë. Më pëlqen shumë edhe Voskopoja në dimër, për një fundjavë jashtë Tiranës, bujtinat e Voskopojës janë ideale për pushim dimëror.
Po në botë, cili qytet dhe cili shtet të pëlqen më shumë dhe, a e ke vizituar ndërkohë, apo pret të shkosh në të ardhmen?
Siç përmenda më sipër kam vizituar, le të themi, një pjesë të mirë të disa shteteve të mia te preferuara, Francen me Parisin e mrekullueshem, Anglinë me Londrën, Russinë me Moskën, Zvicrën me shume qytete Gjeneve, Bern, Luzern, Zyrih, Syon, Montreux… e shume vende të tjera. Tani si qëllim kam të shkoj njëherë në Tokyo, e kam plan në një të ardhme jo shumë të afert dhe pastaj Amerika dhe një nga qytetet që më pëlqen pa e vizituar, San Francisco.
A të frymëzojnë udhëtimet në muzikën tënde, apo janë thjesht pjesë e pashmangshme e punës, ndoshta e dhe pjesë e lodhshme e tyre?
Besoj se të gjithë njerëzit mbushen, kënaqen dhe pushojnë me udhëtimet, madje ndikon shumë edhe në qetësimin e mendjes, kështu që këngetarët apo ndonje profesion tjetër, të gjithe i duan udhëtimet. Patjetër që disa herë kur duhet të udhëtoj për punë, ka lodhjen e vet, por në përgjithësi i shijoj shumë lëvizjet sidomos me makinë, ku bashkë me tim shoq, shumë herë kemi udhëtuar me ditë për të mbërritur në një vend të caktuar.
Ku do t’i sugjeroje lexuesve të revistës të shkojnë sivjet me pushime?          
Nuk di të them në mënyrë të veçantë sepse çdo gjë varet nga preferencat e pushimeve, dikush preferon klimën malore, dikush bregdetin, dikush ndërmerr një trip ose udhëtim me makinë, unë jam shumë për këtë të fundit, është shumë këndshëm dhe aventuresk të ndërmarrësh një udhëtim ku ke caktuar disa qytete dhe itinerarin, për shembull, mund të sugjeroj  Italinë, apo Zvicrën. Një udhëtim që e kam bëre në maj 2011, ka qenë në malin e bardhe MONT BLANC në Chamonix, jemi ngjitur me teleferik në 3800 metra lartësi dhe ishte një pamje fantastike, deri më tani një nga udhëtimet e mia më mbresëlënëse, jua sugjeroj.

 

3.3/5 rating (4 votes)

Hits

17192

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.