MSN: Shqipëria, vendi i mbushur me mrekulli

MSN: Shqipëria, vendi i mbushur me mrekulli

on Wednesday, 17 April 2019. Posted in Destinacione

Gjiganti i informatikës “Microsoft”, i ka kushtuar një shkrim të gjatë Shqipërisë, ku liston vendet më të bukura për t’u vizituar.

MSN: Shqipëria, vendi i mbushur me mrekulli

Nga Gent Sinani 

OTAVA, 16 prill /ATSH/ – Një nga portalet informative më të njohura në botë, MSN, që menaxhohet nga gjiganti i informatikës “Microsoft”, i ka kushtuar një shkrim të gjatë Shqipërisë, ku liston vendet më të bukura për t’u vizituar.

Më poshtë vijon artikulli:

Berat

Shumica e udhëtarëve në Shqipëri e vendosin Beratin në krye të listës së tyre me të drejtë. Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s është një nga fortesat më të vjetra në Europë të banuara deri në ditët e sotme. Kalaja në vetvete i përket një epoke tjetër me gurin e ngrënë dhe strukturat mesjetare. Por nëse një vizitë nuk është e mjaftueshme për ju, merrni një dhomë në një nga bujtinat e shumta brenda kështjellës.

Ajo që shumë prej vizitorëve të Beratit kujtojnë shpesh është kantina e verës Çobo. E mbushur plot e përplot me varietetet e rrushit shqiptar, ky biznes familjar është një nga kantinat më të mira të verës në Shqipëri, e specializuar në prodhimet vendase. Ndaloni për të shijuar verën e saj dhe vizitoni kantinën në dalje të qytetit, ku nuk do të mbeteni të zhgënjyer.

Gjirokastër

Vendosur thellë në një luginë dhe e mbuluar me mjegull, Gjirokastra ka një nga kështjellat më të mirëmbajtura në Shqipëri që daton në shekullin e 12-të. Ndonëse duket shumë ndryshe nga struktura origjinale, brenda saj gjendet një muze i mirëkuruar që dokumenton historinë e ndërtesës që nga sundimi otoman deri në Luftën e Dytë Botërore.

Ashtu si në Berat, edhe këtu ka shumë bujtina rrëzë kalasë ku mund të ndjeheni si mbret për një ditë teksa shijoni pamjen e gjithë qytetit si në pëllëmbë të dorës. Bëni një shëtitje poshtë në qytetin e vjetër turistik dhe blini produkte autentike shqiptare, ose pini një raki dhe kafe me vendasit ndërsa shihni njerëzinë që ecin rrugës me kalldrëm. Gjithashtu sigurohuni që të bëni një vizitë në shtëpinë e fëmijërisë së shkrimtarit më të mirë shqiptar të kohërave moderne, Ismail Kadare.

Korçë

Më tej në brendësi drejt liqenit të Ohrit, Korça shpesh konsiderohet si kryeqyteti kulturor i Shqipërisë, edhe pse shumica e turistëve nuk mund ta dine këtë gjë. Shpesh mbetet në hije për shkak të destinacioneve përgjatë bregdetit ose në veri, por ofron shumë për ata që janë të pasionuar pas historisë ballkanike dhe vizitorët kuriozë.

Arkitektura e saj e frymëzuar nga stili francez, kombinuar me rrugët e rrethuara me kafene i japin qytetit të vjetër hijeshinë karakteristike, siç është Pazari i Vjetër. Pazari ka një arkitekturë të këndshme otomane që daton në shek. XIX dhe XX dhe një treg plot gjallëri. Në Korçë gjendet kisha më e madhe orthodhokse në Shqipëri, dhe ajo që shumica, por jo të gjithë, e konsiderojnë birrën më të mirë të vendit.

Himara, Dhërmiu, dhe Vunoi

Këto tre fshatra përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë janë një destinacion që s’duhet humbur gjatë çdo udhëtimi në pjesën jugore të vendit dhe janë në një distancë të shkurtër nga njëri-tjetri. Ndonëse në muajin gusht mund të mbipopullohen paksa, këto fshatra gjallërohen gjatë verës me festivale, aktivitete dhe motin e mrekullueshëm. Vunoi është fshati më i vogël dhe më i qeti, ndërsa Dhërmiu dhe Himara janë disi më të zhurmshëm gjatë verës. Banorët e fshatrave flasin shqip dhe greqisht dhe pikërisht këtu gjenden disa prej shtigjeve më të mira për ecje në natyrën e jugut të vendit. Plazhet më të mirë gjenden gjithashtu këtu, ku më i bukuri është padyshim ai i Gjipesë, që shtrihet mes një kanioni gjigant dhe detit.

Saranda

E mbushur gjatë viteve të fundit me ndërtime të reja që i kanë zvetënuar pamjen, Saranda ruan ende magjinë e qytezës së dikurshme, veçanërisht në fund të pranverës dhe në fillimvjeshtë. E vendosur rreth një gjiri të mahnitshëm dhe shumë pranë ishullit të Korfuzit, është e pamundur të mos joshesh nga magjia e kësaj qyteze bregdetare.

Shijoni oktapodët, perimet e freskëta dhe raki të prodhuar në kushte shtëpie te “Taverna Garden” dhe shëtisni përgjatë shëtitores qendrore përgjatë bregut. Plazhi urban i Sarandës është shpesh i mbipopulluar, por plazhi i Pasqyrave aty pranë është thuajse i zbrazur, madje edhe në kulmin e sezonit të plazhit. Rrënojat e një manastiri të shekullit VI gjenden në veri të qytezës, ndërsa kalaja e Lëkurësit ngrihet mbi gjirin magjepsës me pamje nga Korfuzi dhe xhunglën urbane, që Saranda është shndërruar sot. Saranda është një nga pikënisjet e përsosura për të eksploruar njëkohësisht natyrën dhe bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Për një përvojë të paharrueshme, ndaloni në bujtinën “Saranda Backpackers”, e njohur gjithashtu si Shtëpia e Tomit. Bujtina ka dhoma të pastra dhe Tomi, mikpritësi ynë, ofron mish të pjekur në skarë, si edhe informacione të bollshme lidhur me gjërat që duhet të shikoni dhe bëni gjatë udhëtimit në zonë, si për turistët me çanta shpine, ashtu edhe për ata në kërkim të përvojave më individuale.

Butrinti

Ndonëse tashmë i pabanueshëm, Butrinti ia vlen ende të vizitohet si një nga zonat kryesore arkeologjike të Shqipërisë. I vendosur në jug të Sarandës, aty do të gjeni një thesar të rrënojave antike greke dhe romake. Bukuria natyrore e harmonizuar me një përzierje epokash që përfaqësohen aty, e bëjnë vizitën një përvojë magjepsëse kulturore.

Pasi keni vizituar zonën arkeologjike, mos harroni të ndaloni në restorantin aty pranë për të provuar midhjet më të shijshme në Shqipëri, si dhe plazhet e Ksamilit, vetëm disa kilometra larg në veri të Butrintit. Vizitorët mund të çlodhen në rërën e bardhë si perlë, duke kundruar Korfuzin dhe ishujt e vegjël të panumërt përgjatë gjirit.

Shkodra

Shkodra është qyteti perfekt për të gjithë të pasionuarit pas çiklizmit. Vetëm par kilometra nga liqeni më i madh i Europës Jugore, duke sikur është dizenjuar që të shëtitet me biçikletë. Banorët dhe turistët kalojnë me biçikleta përmes rrugëve për kalimtarë duke kaluar shtëpitë dhe kafet e bukura.

Kështjella e Rozafatit që ngrihet sipër qytetit të ofron pamje mahnitëse të Lumit të Bunës dhe të Lumit Drin, madje një udhëtim i shkurtër me biçikletë deri tek liqeni për të bërë një notim është gjëja perfekte në një pasdite të ngrohtë.

Thethi

Lart në veri ndodhet fshati i Thethit, që është bërë shumë turistik, si dhe është e vështirë për të vajtur deri aty, por është një vend ku shumë vizitorë nuk duan ta humbasin. Me majat e thepisura të Bjeshkëve të Namuna, ujin e burimeve që rrjedh dhe fermat e këndshme, ai rivalizon fshatrat e Zvicrës dhe Austrisë. E vetmja mënyrë për të vajtur në këtë fshat është duke ecur nëpër shtigje për shtatë orë nga fshati fqinj i Valbonës, ose mund të bëhet për tre orë nga Shkodra me një makinë të lartë.

Valbona

E ngjashme me Thethin, Valbona gjithashtu të ofron një pamje të jashtëzakonshme që duket si një skenar që nuk i përket kësaj bote, por udhëtimi me varkë nëpërmjet liqenit të Komanit është një mrekulli. Ky liqen i krijuar nga njeriu kalon mes për mes majave shkëmbore dhe të gjelbëruara të Alpeve në veri të Shqipërisë duke sfiduar edhe fjordet norvegjeze.

Më pak e zhvilluar për turizmin se sa Thethi, Valbona ka bujtina të ngrohta dhe të dashura të ndërtuara kohët e fundit, por jo qendra të vërteta. Megjithatë, ia vlen të qëndrosh një natë për të shijuar pjesën tjetër të Shqipërisë, larg plazheve plot lëvizje dhe autostradave të mbushura me vetura.

Tirana

Shumë guida turistike këshillojnë vizitorët që të anashkalojnë Tiranën. Ndonëse me siguri nuk është kryeqyteti më piktoresk në Ballkan, ajo ka sharmin e saj. Dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për historinë interesante të kohëve të fundit, atëherë duhet vizituar patjetër.

Piramida që nuk ndodhet shumë larg sheshit “Skënderbej” është një godinë me formë gjeometrike e ndërtuar nga diktatori shqiptar, Enver Hoxha i cili sundoi deri në vdekjen e tij. Fillimisht synohej të përdorej si një muze që i dedikohej trashëgimisë së tij, por pas vdekjes së tij këto plane fatmirësisht u shkatërruan. Tani është në mes të procesit për t’u shndërruar në një qendër të shkencës dhe teknologjisë. Në qendër të qytetit ndodhet “BunkArt 2”, instalime artistike të vendosura në një bunker të vjetër të epokës komuniste. Ndërsa ekspozita origjinale “BunkArt” ndodhet pak më larg, jashtë qytetit në rrugën që të dërgon në Malin e Dajtit.

Në mbrëmje vizitoni shtëpinë e Enver Hoxhës dhe bëni një shëtitje përreth lagjes Blloku. Rezidencat e vjetra të elitës së Partisë Komuniste janë kthyer në bare, klube, restorante luksoze. /G.S/ /u.sh/ /s.m/

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13458

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.