Krorëzi – ëndrra e një dite vere

Krorëzi – ëndrra e një dite vere

Written by Flora Xhemani Baba on Tuesday, 06 March 2012. Posted in Destinacione

Krorëzi – ëndrra e një dite vere

Të ofrosh një destinacion turistik për ta vizituar atë, do të thotë më e pakta që ky destiancion të jetë në mos lehtësisht i arritshëm, të paktën jo i pamundur për t'u prekur. Nuk e dimë në duhet ta kategorizojmë vendin tonë sekret të kësaj here si vështirësisht të arritshëm apo krejtësisht të paarritshëm. Kjo do të varet nga shijet tuaja, sa do t'ju tërheqë ju ajo që do t'ju themi, e sigurisht sa të gatshëm do të jeni ju për pak aventurë.

Për një gjë jemi krejtësisht të sigurt; që Krorëzi, drejt të cilit do t'ju udhëheqim këtë herë, është padyshim një nga plazhet më të magjishëm të bregdetit të Sarandës, me një bukuri të thjeshtë e të pashoqe, që nëse do ta zhvendosnim prej bregut tonë mesdhetar, do t'i rrinte shumë mirë Karaibeve, për ujin e kristaltë, ngjyrën e thellë të smeraldit, thyerjet dhe nuancat e pafundme të bregut, ashpërsinë e rërës që thyhet gradualisht nga e butë deri në zall të imët, intimitetin që krijon me dy brinjët e shkëmbinjve që mbyllin gjirin e vogël, e plot të tjera si këto....

Krorëzi nuk është një plazh që mund ta vizitosh përditë dhe për këtë ka shumë arsye. Ajo kryesorja është që nuk ka një rrugë tokësore që të çon deri atje. E vetmja rrugë është deti dhe në itinerarin më të zakonshëm, anijet e vogla ose varkat e mëdha, duhet të nisen nga porti i Sarandës. Me një udhëtim detar prej 30 minutash dhe një pagesë që sot varion nga 500 deri në 1000 lekë (dhe që varet nga subjekti privat që ju transporton), ju mund të gjendeni në këtë plazh të mrekullueshëm dhe të kaloni aty një ditë pushimi që nuk do ta harroni lehtë.

Në fakt ekzistonte edhe në rrugë e dytë që mund t'ju dërgonte drejt Krorëzit dhe që kalonte përmes gjirit të Kakomesë. Nga plazhi i Kakomesë është më pak se gjysmë milje hapësirë deri tek bregu i Krorëzit dhe më guximtarët mund ta ndërmerrnin një sfidë të tillë edhe me not. Mirëpo përsa kohë Kakomeja është “kolonizuar” nga Club Med-i dhe nuk dihet akoma se kur mund t'u mbushet mendja atyre t'i heqin gardhet me të cilat kanë rrethuar gjirin, aventurierët guximtarë duhet të kënaqen me udhëtimin me varka, ose të nisen vetë që nga bregu i Sarandës me kajakë të vegjël, gjë që do t'u jepte kënaqësi tjetër.

Por Krorëzi është një plazh magjik i cili, ndonëse nuk bëhet dot masiv për shkak të poziciont që ka, frekuentohet gjithsesi. Grupe të rinjsh, që ia kanë kaluar lajmin njëri-tjetrit, gjatë bisedave të darkës nëpër kafenetë e Tiranës, pasi janë kthyer nga pushimet, për një “plazh bombë fare”, e ndërmarrin udhëtimin e gjatë nga Tirana në Sarandë, edhe vetëm për të bërë një rrugë deri në këtë plazh të vecantë, diku afër Kakomesë, por që është “edhe më i bukur se Kakomeja, vetëm kur ta shihni vetë do më jeni të drejtë”. Dhe deri më sot askush nuk është kthyer prej aty i zhgënjyer nga tregimi i shokut.

Sapo hedh këmbën në rërën e ashpër me guralecë të bregut, e ndjen pushtetin absolut të qetësisë që mbretëron në plazh. Asgjë nuk dëgjohet tjetër përveç zhurmës së dallgëve, që vijnë të lëpijnë bregun e që përplasen nëpër tre shkëmbinjtë në cep të gjirit – tri trampolina të mrekullueshme natyrale, që kanë mbajtur mbi kurrizin e tyre shumë këmbë të rinjsh. Asnjë tingull civilizimi nuk e prish këtë qetësi. Në një ditë të qetë e pa erë në breg, dielli thyhet mbi syprinën e ujit duke formuar breza të tërë shkëndijash që përziejnë ngjyrën e tyre të argjendtë me nuancat e smeraldit në afërsi të bregut. Larg në thellësi bluja e Jonit veçse e shton bukurinë e rrallë të këtij vendi aq të paqtë. Eshtë vendstrehimi ideal i atyre që duan të arratisen nga bota qoftë edhe për një ditë të vetme, për t'u ndjerë në harmoni me veten, me natyrën por edhe me njeriun e zemrës.

Ju mund të zgjidhni të merrni ushqime me vete, për të kaluar një ditë të gjatë, që mbaron pak para perëndimit (që të keni mundësi të shijoni edhe magjinë e fundit), por mund edhe të drekoni në të vetmin restorant të vogël e të thjeshtë, që ju ofron peshk të freskët e fruta deti. Dreka sigurisht do t'ju shijonte më shumë në verandat e vogla e të drunjta, që e shtojnë edhe më shumë shijen ekzotike të tropikut që transmeton i gjithë plazhi.

Çdo detaj që vesh këtë udhëtim, që nga momenti kur anija shkëputet nga porti i Sarandës, çdo milje që përshkoni teksa lini në të djathtë qytetin, e sidomos çdo momet që do të kaloni në gjirin "breathtaking" (që të lë pa frymë), siç i thonë të huajt që e kanë vizituar atë, do ta shijoni aq shumë, sa kur të largoheni prej tij, do t'ju kaplojë një ndjenjë trishtimi e braktisjeje. Nuk kuptohet nëse ky trishtim ju vjen për se do të lini këtë parajsë pas vetes krejtësisht të braktisur e të heshtur, apo se ju vetë po ktheheni drejt civilizimit ku asgjë nuk është e ngjashme me magjinë dhe bukurinë e këtij vendi.

Sidoqoftë kur të kenë kaluar ditë nga aventura juaj, mbresat e këtij udhëtimi do të mbeten, por ato do të marrin përmasa të tjera, të ngjashme me ato të një ëndrre të bukur që ju e keni përjetuar dikur në një ditë vere....

Ky është Krorëzi i magjishëm, plazhi që do ta dashuroni që në takimin e parë, ku nuk është e lehtë të kthehesh dy herë, por që mund të mbetet në mendjen tuaj si përvoja më e bukur e pushimeve që keni përjetuar...

4.0/5 rating (1 votes)

Hits

17464

About the Author

Comments (1)

  • RevistaTravel

    RevistaTravel

    06 March 2012 at 21:32 |
    Botuar në nr 2 të Travel Magazine

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.