Fation Plaku: Si e pushtuam Everestin

Fation Plaku: Si e pushtuam Everestin

Written by Irena Kanani on Monday, 03 September 2012. Posted in Intervista

Per ty Shqiperi, Gezuar 100 vjetorin e Pavarsisë!

Fation Plaku: Si e pushtuam Everestin

 Fation Plaku, një dashamirës i sporteve ekstreme. Që prej disa vitesh është një eksplorues i natyrës shqiptare. Konkretisht merret me sportin e alpinizmit, hedhjet me parashutë nga avioni. Një ndër talentet e tij është edhe fotografia. Ai pasqyroi me shumë mjeshtëri çdo hap gjatë ekspeditës së Everestit. Dëshira e tij është të provojë edhe sportin e quajtur ” banxhi xhambi” , pra të hidhet nga një lartësi prej 160m.

 

 

1-  Prej sa kohësh mendonit të ngjiteshit në malin më të lartë të botës në Everest, dhe kush vendosi për këtë?

Duke qenë se jam një dashamirës i sporteve ekstreme, me shumë entuziazëm u futa në sportin e alpinizmit. Pas shumë ngjitjesh në Alpet tona, e ndieja veten të gatshëm t’i ngjitesha majës më të lartë të botës në  Everest. Kjo dëshirë  ka 2 vjet që diskutohet në Federatën Shqiptare të Alpinizmit. Sigurisht që është një ëndërr për çdo alpinist. Madje një grup tjetër alpinistësh shqiptarë i janë nisur  misionit drejt Everestit kohë me parë, por nuk kanë pasur rezultat. Për ne ky vit është shumë i veçantë, duke na bërë edhe më këmbëngulës për arritjen e qëllimit tonë. Ne duhej me patjetër të niseshim drejt majës më të lartë, pasi flamuri ynë duhej të valëvitej në atë lartësi mahnitëse.

2 – Si u  formua ekipi, kishte ndonjë kriter bazë, nëse po cilat ishin ato?

Fillimisht stërvitjet tona rutinë ishin ngjitjet nëpër majat më të larta në vendit tonë. Alpet tona janë shumë të vështira në ngjitje, gjë që kërkon shumë kujdes. Pasi të gjitha ekspeditat i realizuam me sukses, unë dhe grupi im filluam testimet e rrepta  për ekspeditën më të rëndësishme. Stërvitjet ishin fizike  si vrap, ngjitje me pesha etj, po ashtu edhe mendore, pasi vështirësitë që mund të hasje në këtë ekspeditë supozoheshin të ishin nga më të rrezikshmet. Nga shtatori deri në prill ekspeditat trajnuese ishin intensive. Jemi ngjitur për një kohë shumë të shkurtër në majën e Tomorrit, Korabit, Gramozit, Jezercës etj. Më pas pati një periudhë prej dy muajsh pushim. Në këtë kohë pushimi morëm vesh dhe se cilët do të ishin alpinistët që do të  kryenin këtë mision. Anëtarët e ekipit u zgjodhën unë, Gerti Pishtari, Gjergj Bojaxhi, Xhimi Begeja, Erlin Rudho, Mateo Begeja.

3 - Si ishte nisja, emocionet e saj?

Një ditë para nisjes Shoqata “Dajti-Alpina Turistik” organizoi një festë të madhe ku të ftuarit ishin dashamirës të alpinizmit, njerëz të fushës së artit, gazetarë, biznesmenë, familjarë. Nuk mungonin të ftuar edhe nga fusha e politikës. Sigurisht që në këtë mbrëmje speciale nuk munguan edhe sponsorët tanë, me mbështetjen e të cilëve mori jetë ëndrra jonë. Mbrëmja ishte e larmishme, vetë  të ftuarit e bënin të tillë. Nuk munguan për asnjë moment batutat, të qeshurat që zgjatën deri në orët e para të mëngjesit.  Të nesërmen ishte dita e madhe, i kisha bërë gati të gjitha pajisjet që më duheshin me vete. Bëra kontrollin e fundit dhe u përshëndeta me familjen time. Fillimisht mendova se është si gjithë ekspeditat e tjera, asgjë më shumë. Por kur erdhi momenti për tu nisur, pesha e emocionit filloi të më rëndojë.Kjo më bëri të kuptoja se nuk është si ekspeditat e tjera, kjo ngjitje e grupit kishte rëndësi kombëtare. Do t`ja dilni, jeni më të mirët, ishin përshëndetjet e fundit nga të afërmit, kolegët dhe miqtë.

4 - Rreziqet që hasët gjatë rrugës? Sa kontakt kishit me ekipet e tjera?

Ekspedita zgjati dy muaj dhe filloi të bëhej e mërzitshme. Gjatë ngjitjeve  ne nuk shihnim gjë tjetër veç borë dhe re, megulla të dendura, të cilat  pothuajse nuk kishin dallim me retë. Mërzitja dhe lodhja jonë filloi në kampin bazë 6400m  e vazhdoi deri në kampin e parë 7100m. Ne ecnim 8 deri në 10 orë në ditë,  rruga ishte e vështirë dhe e lodhshme, rreziqet sa vinin dhe shtoheshin. Kishim të bënim me ngjitje shkëmbore dhe kjo ishte gjë e re për ne. U stacionuam dy herë në Kampin Bazë të Përparuar në lartësinë 6.400 metra. Prej këtu iu  nënshtruam dy herë procesit të aklimatizimit. Herën e parë u ngjitëm  deri në lartësinë 6.800 metra dhe jo më lart për arsye të kushteve të motit të papërshtatshëm. Herën e dytë iu  nënshtruam përsëri proçesit të aklimatizimit, duke u ngjitur deri në lartësinë 7.400 m, me fjetje në një kamp të ngritur më sipër, në Kampin 1 (7.100 m) por  për shkak të motit të papërshtatshëm nuk ishte e mundur që të ngjiteshim më lart.  Pas një qëndrimi prej katër ditësh në Kampin Bazë në lartësinë 5.000 m për çlodhje ose thënë ndryshe për të kaluar pak kohë për të ushqyer organizmin me më shumë oksigjen dhe për shkak të  kushteve atmosferike në lartësitë e malit Everest, ne u detyruam të qëndrojmë deri më datën 19. Gjatë këtyre ditëve ne mundëm të komunikonim me familjarët tanë dhe sigurisht përcollëm dhe informacionet e fundit se deri ku kishte arritur ekipi. Komunikimi ynë me Shqipërinë ishte vetëm nëpërmjet internetit. Ne kishim një lap-top të vogël.  Ndërsa kontaktet me ekipet e tjera ishin gati përshëndetëse, marrje informacioni. Kryesisht na rastisi të bisedonim me spanjollë, të cilët u habitën nga eksperienca e pakët që kishim ne me këtë sport. Çdo alpinist që ndodhej në këtë udhëtim emocionues dhe sfidues, kishte eksperienca të shumta . Ata ishin ngjitur në maja me lartësi  mbi 6000,7000 m. Arritja deri këtu na e shtonte edhe më shumë bindjen se do t`ia dilnim. E ndjenim se do të mbërrinim në majën më të lartë.

5  - Emocionet e “pushtimit” të Everestit, lidhen këtë herë  me 100-vjetorin e Pavarsisë, sa rëndësi kishte kjo për ju dhe a ndikoi ky vit për ta mposhtur gjigandin Everest. Si e përballuat gjithë këtë?

 Më datën 20 maj  u parashikua që të niseshim për të “sulmuar” majën e Everestit. I morëm të gjitha masat e sigurisë. Çdo  anëtar i ekipit do të ngjitej në të njëjtin litar pune/sigurimi me një alpinist sherp, anëtar i kompanisë ”Monark Mountain Adventures Nepal”, me të cilën shoqata shqiptare ka lidhur kontratë për udhërrëfyes. Na kanë dhënë asistencën e tyre gjatë gjithë kohës. Edhe pse nuk mundëm të evitonim plagosjen e dy prej pjestarëve të grupit, të cilët ngelën të varur për rreth 30 minuta derisa arritëm t’iu jepnim ndihmë. Pas dyzetë e pesë ditësh ngjitjeje intensive dhe pas një qëndrimi të shkurtër në kampin bazë, që ndodhej në lartësinë 5000 m, u nisëm direkt për ngjitjen finale. Ndieva një emocion, që gati më mpiu. Më dukej sikur u deha nga bardhësia që kisha rreth meje. U ndala për një moment (kjo ekspeditë është shumë e rëndësishme për mua, më ka pushtuar të gjithin, mungesa e eksperiencës sime nuk do të më ndali që të ngjitem sotnë majën më të lartë të botës.) Duart po më lëviznin gati si pa vetëdije, fundja ato e dinin shumë mirë se çfarë duhet të bënin. U bëmë më në fund të gjithë gati, mposhtëm çdo ndjenjë apo emocion që na kishte pushtuar të gjithëve. Filluam ngjitjen, e cila nuk do të ishte e  lehtë, dhe sigurisht nuk do t’i ngjante asnjë prej ndalesave që kishim bërë deri tani. Për këtë finale të madhe ekipi  u përball me rreziqe e vështirësi të mëdha. Mua më ngriu uji që kisha me vete dhe kjo gjë ma vështirësoi ngjitjen. Ishte shumë e rrezikshme mungesa e ujit. Vështirësi tjetër që hasëm ishte dhe kalimi përgjatë  trupave të pajetë, që kishin mbetur gjatë përpjekjeve për arritjen në majë. Gjatë kalimit mes përmes trupave të pajetë, ndodhej dhe një i plagosur, dukej se kishte dëmtuar këmbën dhe për fat të keq askush nuk mund të bënte gjë për të. Për disa orë na pushtoi heshtja. Pamjet e fundit na shqetësuan. Ngjitja vazhdoi me ritme më të ngadalëta, pasi  rreziqet sa vinin e shtoheshin, orët kalonin njëra-tjetrën dhe ne na u desh të ecnim shtatëmbëdhjetë orë pa pushim. E nisëm rreth orës njëmbëdhjetë të darkës dhe mbërritëm rreth orës shtatë- tetë të mëngjesit. Kur po i afroheshim majës nuk po i besonim dot vetes. Ishim të gjithë duke e tërhequr njëri-tjetin dhe po nxitonim që ta preknim sa me shpejt madhështinë e majës. Prekja e asaj maje më ka bërë të përjetoj emocionet më të mëdha të jetës sime. Nuk po arrija të kontrolloja  harenë që po më buçiste në kraharor, duart po më dridheshin aq shumë sa nuk po komandoja dot as aparatin. Atë pamje që më shihte syri, aparati nuk e kapte dot, ishte i pafuqishëm karshi bardhësisë dhe reve gjigande, që dukeshin sikur të uronin mirëseardhjen në shtëpinë e tyre. Për disa minuta po rrotullohesha në vend, me krahët hapur. Nuk mund të thoja asnjë fjalë, thjesht po çlirohesha nga të gjitha emcionet që më kishin shoqëruar gjatë gjithë rrugës. Panorama para syve të mi ishte e mrekullueshme, jo, gati magjike, nuk po mundem të gjej dot një fjalë që ta përshkruaj bukurinë magjepsëse, që unë pata fatin të shikoja. Retë që të rrinin mbi kokë të bënin të ndiheshe si Zot. Menjëherë nxora flamurin; o Zot  spo i ndiej këmbët, tani nuk di ta dalloj, nësë e kam nga lodhja, emocionet apo nga detyra që m’u caktua. Me këtë arritje plotësuam ëndrrën e Shqiptarëve. Më krenarinë e çdo shqiptari valëvita Flamurin Kuq e Zi në majën gjigande të Everestit me lartësi 8.848 m. Për ty Shqipëri, Gëzuar  100 vjetorin e Pavarsisë!

5.0/5 rating (3 votes)

Hits

18119

About the Author

Irena Kanani

Gazetare, ka mbaruar studimet e larta pergazetari ne Elbasan, aktualisht gazetare ne revisten Travel

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.