Antigone,  zbulimi me vjetërsi, rreth 2300-vjeçare

Antigone, zbulimi me vjetërsi, rreth 2300-vjeçare

on Monday, 19 November 2012. Posted in Lajme

Objekti mendohet se është përdorur për unazë ose medaljon

Antigone,  zbulimi me vjetërsi, rreth 2300-vjeçare

 Engjëll Serjani

Në rrënojat e Antigonesë zbulohet një gur i rrallë unaze ose medaljoni, që arkeologët dyshojnë se pasqyron Pirron e Epirit në një çast luftimi. Mesditën e së hënës, gjatë punimeve të ekspeditës së përvitshme arkeologjike “Antigone 2012”, në sektorin G, kuadrati nr. 10 është gjetur një objekt i rrallë arkeologjik, një gur xhami unaze ose medaljoni, mbi të cilën është gdhendur me finesë të jashtëzakonshme në reliev një pamje e dy kuajve dhe një luftëtari në vrapim e sipër. Gjatë kësaj ekspedite që drejtohet nga arkeologu i njohur prof. dr. Dhimitër Çondi, janë zbuluar edhe mjaft objekte me interes, por guri i unazës apo medaljoni vlerësohet nga arkeologu si një objekt unikal, i rrallë dhe me vlera të jashtëzakonshme.

Objekti i gjetur në Antigone ka përmasat 2,5 X 1,5 cm, ka prerje eliptike, në formë ovale gjysmëtransparente, me ngjyrë mjalti, me figurë të mbivendosur në kombinim dhe reflekse drite. “Ky objekt i rrallë bizhuterie antike u zbulua në një ambient që ndodhet mbi murin kufizues të aksit qendror rrugor të qytetit antik të Antigonesë, me vlera funksionale zejtarie, përpunimi dhe tregtie, ndoshta një ambient aristokratik për të cilin flasin edhe objekte të tjera që dolën në dritë nga këto gërmime dhe që shoqërojnë këtë element të rrallë”, thotë prof. dr Çondi.

Sipas arkeologut, pamja e gdhendur mbi këtë gur të çmuar, nëpërmjet një përpunimi me finesë të lartë e kombinuar edhe më ngjyrën e mjaltit, pasqyron një skenë në lëvizje aktive aspak të zakonshme, por një skenë luftimi të vërtetë, të ngjashme me skenat e njohura mitologjike të Akilit dhe Hektorit, ku të tre elementët në formë siluete, pamja e heroit dhe dy kuajve, janë në një çast dinamizmi dhe tensioni të lartë, gjë e cila shfaqet në pozicionin e kuajve me gojë të hapur dhe të luftëtarit që qëndron në pozicion luftimi mbi karrocën e luftës, duke tërhequr fort frerët e dy kuajve.

“Pamja vizive në këtë vepër të rrallë arti është me të vërtetë impresionuese. Mjafton të flasim për një pozicion tepër luftarak të heroit të panjohur që është gdhendur mbi gurin e rrallë, e që ndoshta duke u nisur nga fakti që është themelues i qytetit të Antigonesë, mund të jetë edhe vetë mbreti Pirro. Referuar thënies së strategut kartagjenas, Hanibalit, sipas të cilit “strategu më i madh në botën antike është Aleksandri i Madh i Maqedonisë dhe i dyti është Pirroja i Epirit (që sipas autorëve antikë i përkasin 50 vepra mbi artin ushtarak dhe asnjë prej tyre nuk ka arritur në ditët tona) kurse i treti jam unë”, arkeologu thekson se nxitet të besojë se në këtë objekt pasqyrohet vetë Pirro.

Problemi më i diskutueshëm për arkeologun Çondi është përbërja e materialit të gurit të çmuar dhe origjina e prodhimit të kësaj vepre arti. “Për sa i takon përbërjes mendoj se kemi të bëjmë me material xhami, por gjithsesi ai do të identifikohet nga ekspertët dhe analizat laboratorike. Ndërsa sa i përket autorësisë së krijimit dhe prodhimit, kam dy mendime: Së pari, ky mund të jetë një prodhim vendas, pasi Antigoneja është qyteti kryesor me rëndësi ekonomike në Kaoni, ndërkohë që Foinike është qendra më e madhe administrative politike e këtij koinoni (bashkësi). Por, së dyti, nisur nga finesa dhe niveli i lartë i kreativitetit, dyshoj se kemi të bëjmë me një prodhim të importuar nga qendrat më të rëndësishme qytetare të kësaj periudhe”, tha Çondi.

Duke e vendosur këtë gjetje unikale në kontekstin e gjetjeve të mëparshme arkeologjike në zonën e Kaonisë antike, Çondi thotë se, nëse kemi parasysh gjetjen e rreth 2000 monedhave të ndryshme në Antigone gjatë gjithë fushatave të gërmimit në këto 40 vjetët e fundit, kemi të bëjmë me një gamë të madhe këmbimesh tregtare që të shtyn të mendosh se mund të kemi të bëjmë me një produkt të importuar. Gjatë gërmimeve të 40 vjetëve të fundit, sipas tij, kemi vetëm një rast tjetër të ngjashëm, kur rreth viteve ‘80, në një varr të zbuluar rastësisht nga fshatarët në Nekropolin e Foinikes, krahas bizhuterive të tjera është zbuluar një unazë prej ari, nën gurin tërësisht transparent të së cilës ishte skicuar silueta e një anije antike. Guri mendohet se është 2300-vjeçar, pasi është gjetur nën shtresën e djegur të Antigonesë, e cila i përket vitit 167 para erës së re. Pjesë e këtij zbulimi të rrallë janë edhe specialisti arkeolog i Parkut Arkeologjik të Antigonesë, Stefan Thimjo dhe studentit i sistemit master në arkeologji i Universitetit të Tiranës, Mirgen Shametaj, të cilët arritën që duke vlerësuar një objekt jashtëzakonisht të vogël, të nxirrnin në dritë një zbulim të madh.

 

 

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14893

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.