Morelle Smith - Një poete skoceze në kërkim të Shqipërisë

Morelle Smith - Një poete skoceze në kërkim të Shqipërisë

on Saturday, 16 March 2013. Posted in Traveller

Morelle Smith, autore e një sërë librash me poezi dhe fituese e disa çmimeve letrare kishte zgjedhur Shqipërinë në prag të moshës së mesme, për të krijuar një përvojë të re në jetën e saj.

Morelle Smith - Një poete skoceze në kërkim të Shqipërisë

 

Njohja me letërsinë e Kadaresë dhe ditarët për Tiranën…

 

 

Morelle mbërriti për herë të parë në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 3:30 të mëngjesit… Në qiell vezullonin yjet, ndërsa një grua të cilën e kishte njohur në avion i thoshte se “nuk ishte nevoja të merrte taksi për në qytet”. “Tirana është vetëm 15 minuta me autobus, nuk është e nevojshme të shpenzosh”. Ajo ishte nisur nga Heathrow, kishte pasur një ndalesë në Greqi dhe tashmë, më në fund, kishte mbërritur në Tiranë, edhe pse në errësirë. Për gruan që ishte rritur në Edinburg dhe që shkruante poezi, këto orë të para mëngjesi në këtë vend pothuajse të panjohur kishin diçka magjike brenda. Aeroporti tepër modest dhe këta njerëz pothuajse të panjohur që kërkonin të kujdeseshin për transportin e saj, i kujtuan ato çfarë kishte lexuar për Ballkanin. Ishte viti 2000. Morelle Smith, autore e një sërë librash me poezi dhe fituese e disa çmimeve letrare kishte zgjedhur Shqipërinë në prag të moshës së mesme, për të krijuar një përvojë të re në jetën e saj. “Prej vitesh isha duke kërkuar një punë në Europë apo në Ballkan. Doja të jepja kontributin tim në këtë pjesë të botës, e cila ishte rrënuar nga luftërat, shpërnguljet e vitit 1990. Kontaktova me shumë organizata joqeveritare ku kërkova të punoja si mësuese anglishteje. Më ofruan për të punuar në Bosnjë dhe në Shqipëri”, thotë ajo. Teksa Bosnja i kujtonte luftën, për një grua të rritur mes librash e panjohura është gjithnjë më interesante, ndoshta prandaj Morelle zgjodhi Shqipërinë. “Shqipëria ishte pothuajse e panjohur për mua. Kohët kur unë isha në vendin tuaj, ai ishte në një gjendje tranzicioni dhe shumë gjëra fillimisht më dukeshin të çuditshme. Në fillim Tirana, me arkitekturën e saj, trotuaret e thyera, mungesa e ndriçimit në rrugë, njerëzit që rrinin pothuajse gjithë ditën rrugëve. Ishte një situatë e panjohur për mua”, thotë ajo. Projektet e para ku Morelle u përfshi kishin të bënin me rehabilitimin e shkollave dhe spitaleve. “Ne punuam në rrethe të ndryshme të vendit, ku situata në shkolla ishte për të ardhur keq. Dritare të thyera, mungesë ngrohjeje dhe mbipopullim, mungesë të mjeteve shkollore si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit. Ruaj një admirim për ata mësues që punonin në një situatë të tillë”, thotë ajo. Kjo është Shqipëria e 13 viteve më parë që njohu Morelle. Por në kthimet e shpeshta që ka pasur këto vite, ajo e sheh gjithnjë e më të ndryshuar…

 

 

Njohja me letërsinë shqipe
Një poete e di se mënyra më e mirë për të njohur një vend është të lexosh shkrimtarët e tij më të mirë. Njohja me letërsinë e Kadaresë do të ishte një befasi për Morelle, që e kishte kaluar rininë në sallonet e ndryshme të librave në Londër.
Kur lexoi për herë të parë “Kronikë në gur”, ajo tregon se ngeli e mahnitur nga gjuha dhe stili e këtij shkrimtari të madh. Gjirokastra e përshkruar nga Kadare, rrugicat me gur dhe historitë që fshiheshin në ato shtëpi karakteristike, do ta bënin Morelle të merrte veturën dhe të nisej në një udhëtim me shi prej pesë orësh për në këtë qytet. Në rrugën plot dredha që të çon në Jug të Shqipërisë, ajo kishte në mendje vetëm një gjë, në do të mund të kishte mbetur diçka nga magjia e përshkruar nga Kadare në këtë libër, në rrugët e atij qyteti kaq karakteristik. Ajo vizitoi shtëpitë e vjetra të qytetit, dhe kalanë që i jepte një frymë otomane historisë e panoramës së tij. Gjirokastra që zbuloi Morelle, ishte e njëjtë me qytetin që kishte gjetur në librin e Kadaresë, një qytet që të josh me të fshehtat që mbart dhe kulturën e tij. Gratë e qytetit, ato që ishin dhe zemra e tij, ishin të njëjta në fytyrë dhe veshje. Teksa porta e një shtëpie mbyllej, apo një perde e bardhë luhatet lehtë në dritare, Morelle sillte në mendje fletët e librit, në qytetin “ku çdo njeri dinte gjithçka për këdo që kalonte në rrugët e tij”.
“‘Kronikë në gur’ është një ndër librat e mi më të preferuar nga Kadare, më pas kam lexuar ‘Prilli i thyer’ dhe ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, libra që mbartin një letërsi të madhe”, thotë ajo. Letërsia e çoi Morelle drejt dëshirës për t’u takuar me shkrimtarin, të cilin përmes një miku të përbashkët mundi ta takojë gjatë kohës që ai ishte në Paris. Më pas ajo ka shkruar shkrime mbi letërsinë e Kadaresë në gazetat angleze. Për Morelle është për t’u admiruar fakti që një vend i vogël dhe me një histori të gjatë persekutimi gjatë komunizmit ka një letërsi të tillë. Për të Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë. “Për njohjen e letërsisë shqipe jam ndihmuar nga libri i përgatitur nga Robert Elsie, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme për prezantimin e letërsisë shqipe për lexuesin e huaj me librin ‘Historia e letërsisë shqipe’, apo me botimin e antologjive me poezi dhe prozë nga shkrimtarë të njohur shqiptarë. Një përkthyes tjetër që ka dhënë kontribut për njohjen e letërsisë së shqipe është dhe John Hodgson”, thotë ajo. Ndër autorët e tjerë shqiptarë që ajo veçon janë Mimoza Ahmeti, Fatos Kongoli, Ornela Vorpsi, Besnik Mustafaj…
Një libër për Shqipërinë
Morelle është mësuar të mbajë ditar. Që në adoleshencën e hershme në Edinburg, ajo thotë se mbrëmjeve shkruante shtrirë në shtrat në një bllok ditën e saj… Jo gjithnjë është e bukur të shohësh si kanë qenë ditët e tua, por kujtimet mbeten kujtime dhe ndonjëherë na bën mirë të zhytemi në to…
“Përvoja ime në Shqipëri ka qenë mjaft interesante, e mbushur me ngjarje dhe ndodhi të pazakonshme më parë në jetën time. Gjatë kësaj periudhe kam mbajtur një ditar, të cilit i jam rikthyer këto kohë dhe më ka ndihmuar për të shkruar një libër autobiografik mbi këtë periudhë, të cilin nuk e kam botuar ende”, thotë ajo.
Morelle shkroi dhe një libër mbi udhëtimin e saj në Shqipëri të cilin e quajti “Rrugët e Tiranës”, ku të gjitha tregimet e librit kanë të bëjnë me Tiranën, ajo tregon mbi rrugët, ndërtesat dhe personazhet e ndryshme të takoi në kryeqytetin shqiptar. Tirana e përshkruar prej saj është kryeqyteti i parë në sytë e një të huaje, e cila sjellë përvojën e saj në një qytet që kishte vetëm pak vite që kishte dalë nga komunizmi, ku e shkuara ishte ende e pranishme… “Çdo njeri që unë takova në këtë qytet kishte një histori, që nuk mund ta gjeje në asnjë vend tjetër të botës. Historitë mund t’i lexoje që në vështrimin e tyre, ku ëndrrat e rinisë së hershme ishin tretur në rrudhat e moshës”, thotë ajo. Në Tiranë, ashtu si në të gjitha kryeqytetet ndesheshe aq shpesh me një dëshirë të madhe të njerëzve për të përqafuar ndryshimin. “Ata ishin të hapur ndaj ndryshimeve dhe gjërave të reja, e kjo ishte për t’u admiruar. Kur një miku im lexoi librin për Tiranën, më tha se “ra në dashuri me Shqipërinë”, thotë ajo.
Një udhëtare e lindur
Morelle u përket atyre njerëzve që besojnë se është gjithnjë një gjysmë tjetër e tyre diku në një cep të botës… “Që kur isha e re kam qenë e hipnotizuar nga ajo që francezët e quajnë ‘ailleurs’, ‘thirrje’, ideja për të zbuluar të bukurën, të veçantën, magjepsjen diku tjetër. Filozofikisht, ‘diku tjetër’ do të thotë të gjesh një pjesë tjetër që të mungon, në mënyrë që të ndihesh e plotësuar”, thotë ajo. Por dhe tani që i ka kaluar të 50-at, Morelle duket se ende nuk e ka gjetur gjysmën tjetër, duke besuar se do të mbetet një udhëtare e përjetshme.
“Udhëtimi nuk ka të bëjë me faktin që ty nuk të pëlqen vendi yt i origjinës, por t’i kërkon të eksplorosh botën duke zgjeruar njohuritë e tua. Sikur vetëm një herë të keni jetuar diku tjetër, ai vend mbetet gjithnjë pjesë e juaja. Ashtu siç thotë dhe Hemingway – ‘ju mund të merrni njeriun nga Parisi, por nuk mund të merrni Parisin nga njeriu’. Unë do të mbetem gjithnjë një dashnore e udhëtimit. Gjithnjë preferoj të marr trenin dhe përmes dritares të shoh teksa lëvizin para meje qytete e vende… Por udhëtimi është diçka që të ndihmon dhe për të shkruar. Si poete kjo gjë më ndihmon shumë…”, thotë ajo. Morelle i ka kushtuar disa poezi edhe Shqipërisë…
“Në pasionin tim për të njohur botën, Shqipëria ka qenë një zbulim i bukur. Nuk kam për ta harruar asnjëherë mikpritjen dhe natyrën tuaj të mrekullueshme. Një element tjetër që ka lënë ndjesi tek unë është muzika juaj popullore, e cila ka vargje të jashtëzakonshme. Folklori juaj është shumë i pasur çka tregon një kulturë të hershme në këtë vend”, thotë ajo.
Në Berat
Njohja me Beratin ka qenë një tjetër moment interesant gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. “Ndërmora një udhëtim të gjatë disi të çuditshëm, por të mrekullueshëm në një qytet antik. Kam ecur nëpër rrugë të panjohura dhe rrugica të egra, për të gjetur muzetë dhe kishat ortodokse. ‘Tomori Mëngjes’ ishte emri i një hoteli në qytetin e Beratit, emër që vinte prej malit të Tomorit që rrethon qytetin. Emri piktoresk i mëngjeseve malore, gjithsesi është pak i çuditshëm duke pasur parasysh aparencën e jashtme të vetë hotelit ku qëndrova. Qe një ndërtesë e vjetër, por e bukur, edhe pse e tillë mua më pëlqeu”, thotë ajo.
Ashtu si në Gjirokastër dhe këtu shtëpitë i përkisnin stolit osman. “Në këtë qytet, ndryshe nga Gjirokastra, ato janë të mbledhura së bashku dhe në mes tyre ka vetëm disa rrugica të ngushta e të vogla, që mund të lejojnë të kalojnë njëkohësisht dy persona. Katet e para të këtyre ndërtesave anohen pak nga këto rrugica, në mënyrë që njerëzit e këtyre shtëpive të mund të hapin dritaret e të përshëndeten. Në anën tjetër të qytetit, prej ku mund të shohësh lumin dhe lagjen Goricë të Beratit, është një kishë e vogël ortodokse shumë e bukur, e cila është e vendosur në anë të një kodre. Shpjegimi pranë saj thotë që ajo i kushtohet Shën Tridune dhe daton që nga shekulli i 13 ose i 14. Në rrugën e kthimit, unë ndalova që të vizitoja Muzeun Etnografik. Hyra në një dyqan aty, dhe burri që rrinte më foli në anglisht. Kur e pyeta për muzeun, ai komunikoi me një djalosh që vrapoi dhe së shpejti u kthye me një grua, e cila rezultoi të ishte kujdestarja e muzeut. Ajo e hapi muzeun dhe më shpjegoi çdo gjë në gjuhën italiane. Shtëpia ishte në kushte shumë të mira. Dhoma kryesore ishte e mbuluar me një sixhade me ngjyrat kuqezi, ndërsa kishte edhe një ballkon shumë të madh, me një çati tipike osmane. Kjo çati shkonte më tutje se ballkoni e në këtë mënyrë, ai jo vetëm e mbronte nga shiu, por sillte brenda edhe ajër të pastër e të freskët. Anët e tij prej druri janë të gdhendura dhe të lustruara. Ka edhe një ambient që është një lloj kuzhine, një dhomë ngrënie dhe një dhomë miqsh. Dhoma e grave është në një nivel më të lartë, e ndarë dhe e fshehur, me një punim druri me vrima, ku ato të mund të shohin përmes tyre, por që mbeten të padukshme për pjesën tjetër. Gratë nuk lejoheshin të vinin e të hanin me burrat, megjithëse ato lejoheshin të hynin në dhomën e burrave për t’iu shërbyer atyre!”, shkruan ajo në ditarët e saj nga ky udhëtim.
Duke kërkuar Onufrin
“Pasi vizitova Muzeun Etnografik, mora rrugën për të dalë nga ndërtesa teksa gruaja po e kyçte atë. Ndërsa zbrisja shkallëve, diçka ra dhe bëri zhurmë. U ktheva ta shihja dhe pashë një thikë që përdorej për të prerë zarzavatet ose mishin. Nuk duket si thikë antike që është përdorur në kuzhinën e muzeut, përkundrazi. Hodha sytë nga ballkoni, i vetmi vend nga ku mund të kishte rënë. Në mbrëmje, kur dritat e verdha ndriçonin vendin dhe largonin errësirën, shkova të pyesja recepsionistin se ku mund të gjeja një internet kafe.
Në mëngjes u ula në tarracën e hotelit, i cili ishte i mbushur nga zotërinj të moshuar që mbanin në kokë kapele. Në tarracë është një pamje e bukur. Ka lule, bimë të bukura, lule portokalli dhe disa pemë të tjera mjaft të këndshme. Pas është parku me pemë palme. Dola dhe u ngjita rrugës për në kala. Shpresoja të gjeja muzeun ‘Onufri’. I zbulova pak më shumë rrugët e vogla duke u përpjekur edhe t’i njihja. Meqë vetëm nuk e gjeja dot, pyeta për ‘Onufrin’ një djalë të vogël, i cili më futi nëpër ca rrugica herë poshtë e herë lart, dhe ja ku ishim përballë tij. Fëmija ishte shumë i ëmbël dhe i bukur e, meqë nuk më kërkoi asgjë, i fala atij 40 lekë. Ai më tha faleminderit në anglishte e më pas, mirupafshim. Por, muzeu ishte i mbyllur. Ndërsa po ecja në disa rrugë të tjera m’u afruan dy burra. Ata më kërkuan t’i ndiqja dhe më çuan të shihja kishat. E pashë kishën e Shën Marisë, mjaft e bukur dhe e mbuluar me afreske, edhe pse disa prej tyre ishin dëmtuar. Njëri prej burrave më tha se ishin dëmtuar në kohën e komunizmit. Muret dhe çatia kishin imazhe të mrekullueshme të shenjtorëve dhe në veçanti të Shën Marisë. Punime prej guri në dysheme, që është dekoruar me disa dizajno yjesh. Kisha tjetër që ne vizituam ishte ajo që i kushtohej Shën Kollit. Pothuajse të gjithë afresket ishin dëmtuar, por kishte shenja të qarta të punës rikonstruktuese që ishin bërë aty. Më pas më çuan në një tjetër kishë që unë kisha parë ditën tjetër, atë kishën me tulla të kuqe dhe me atë kubenë e saj të bukur. U kthyem në kalanë e vjetër. Më treguan një tjetër pjesë të kalasë që unë nuk e dija. Ishte një dhomë e nëndheshme. Unë kalova përmes një hyrjeje me hark përsipër. Dyshemeja ishte nën ujë dhe aty ishte një atmosferë e një tmerri të pastër.
"Morelle Smith ka lindur në Edinburg, Skoci. Është shkrimtare dhe poete udhëtare, të cilës i pëlqen të njohë vende dhe identitete të ndryshme. Ka shkruar poezi, prozë dhe reportazhe. Është autore e mjaft reportazheve, eseve, analizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo ka studiuar anglisht dhe frëngjisht në Universitetin e Edinburgut. Poezitë e saj janë përfshirë në antologji të ndryshme si “Antologjia e grave poete skoceze”, “Letërsia skoceze e shekullit XX”, apo “Poetët modernë skocezë”. Smith ka jetuar në shumë pjesë të Europës si Francë, Shqipëri, Serbi, Zvicër. shqip

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14463

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.