Agrobiodiversiteti - Shqipëria ka nevojë të zhvillojë  turizmin e eksperiencave

Agrobiodiversiteti - Shqipëria ka nevojë të zhvillojë turizmin e eksperiencave

on Tuesday, 23 August 2016. Posted in Tradita

Projekti CABRA i GIZ, mundësi për eksplorimin e Alpeve shqiptare dhe mbrojtjen e agro-biodiversitetit si alternativë zhvillimi

Agrobiodiversiteti - Shqipëria ka nevojë të zhvillojë  turizmin e eksperiencave
Turizmi i natyrës në Shqipëri gjithnjë e më tepër po gjen një terren në rritje si për turistët e huaj, edhe për ata vendas. Ndonëse potenciali turistik i vendit përfshin një gamë të gjerë asetesh si bregdeti, trashëgimia kulturore, pasuritë natyrore me malet, liqenet dhe peisazhin  akoma pasuritë natyrore janë në fillesat e shfrytëzimit për turizëm, ndërkohë që në jo pak raste po shfrytëzohen në mënyrë jo të qëndrueshme nga ndërtimet, guroret, prerjet e drurëve, hidrocentralet.
Aktualisht në tendencat e aktiviteteve turistike në natyrë kemi hiking/ecjet në natyrë dhe vizitat për drekë apo piknik në parqet natyrore. Në zonën e Alpeve tashmë eksplorimi i Thethit, Valbonës por së fundmi dhe Kelmendi kanë pasur nje trend rritës me rreth 30,000 vizitorë në vit. Zona të tjera si Voskopoja, Dardha, Dajti, Llogoraja etj por dhe ato liqenore si Ohri, Shkodra, Divjaka, po vazhdojnë të frekuentohen ndonëse në shumicë nga turistët vendas.
Por ajo çfarë bie në sy në aktivitetet turistike është një gamë e kufizuar si e aktiviteteve, ashtu edhe e infrastrukturës së shërbimeve në raport me potencialin që ekziston. Nganjëherë turizmi i ecjes në natyrë është si “një film pa zë” për vizitorin, i cili kalon dhe shijon natyrën por merr pak dije mbi pasuritë natyrore, gjë që mund të pasurojë edukimin, përjetimin dhe forcojë ndërgjegjësimin.
Keto elemente janë mjaft të vlefshme për destinacionet turistike sepse ndikojnë pozitivisht në krijimin e mardhënies destinacion- turist dhe mund të kenë efekte si në ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës, në promovimin e destinacionit, në rritjen e konsumit të produkteve të tij dhe në luajalitetin e turistëve.
Nëse do shohim në mënyrë integrale potencialin e vendit dhe produktet e tij, mund të themi se potenciali për të integruar produktet dhe për të krijuar një zinxhir vlerash, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë si nga pikëpamja e ndikimit ekonomik, ashtu edhe në forcimin e imazhit pozitiv të vendit.
Veçoritë dhe struktura e burimeve natyrore, ku peisazhi i larmishëm e dramatik kombinohet me një aktivitet bujqësor në hapësira të vogla por dhe të larmishme, kombinimi i klimës mesdhetare me elemente kontinentale në zonat malore jep një përzierje me mjaft potencial të ofertës natyrore, rurale dhe produkteve bujqësore të drejtimit bio që mund të ketë efekt ekonomik mjaft të gjerë dhe në zinxhir për mjaft zona të vendit.
Shijimi i pasurive të biodiversitetit nëpërmjet vizitave të fokusuara me vëmendje në detaje, me intepretimin e formave të ndryshme si me guida, me panele interpretative, me demonstrime apo siç përdoret në terminologjinë e turizmit: turizmi i eksperiencave është një praktikë e pazhvilluar deri tani në Shqipëri dhe vetëm në fillesat e tij.
Soditjet për florën dhe faunën, informacionin për ta por dhe për pasuritë e agrobiodiversitetit akoma nuk kemi arritur t`i prezantojmë për tregun turistik.
Në vizitat në zonat malore, ndonëse interesi për konsumin e produkteve lokale është i madh, nuk ka ofertë për shitje për produktet e vendit.
Strukturimi i një oferte të tillë, në eksplorimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të pasurive kërkon masa të integruara si për sa i përket mbrojtjes së biodiversitetit, eksplorimit dhe njohjes së pasurive, ashtu edhe gjetjes së instrumenteve të duhur të prezantueshmërisë me konsumatorin.
Shpesh nisma të tilla për zhvillimin e produktit vijnë nga disa drejtime, nga kërkesa e tregut dhe reagimi i ofruesve, nga aktorët lokalë por në rastin e segmenteve të turizmit të natyrës, rrethanat kanë sjellë që të jenë projektet e donatorëve që të ndikojnë në zhvillimin e këtij produkti.
Historia e organizimit të shërbimeve dhe ofertës turistike të Thethit, si një histori suksesi e projekteve të financuara nga Bashkëpunimi Gjerman dhe të zbatuara në Shqipëri nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), vazhduar dhe me projektet e “Peaks of Balkan” po vijon edhe me projekte që ndonëse nuk kanë fokus parësor turizmin, po ndikojnë në zhvillimin e turizmit rural.
I tillë është projekti CABRA, - “Ruajtja e Agro-biodiversitetit në zonat rurale të Shqipërisë”. I financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe zbatuar nga GIZ, projekti trajton mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit dhe agrobiodiversitetit në Alpet e Shqipërisë.
Tashmë Alpet janë në proces të pasjes së një parku kombëtar unik ndërkohë që kemi një risi për krijimin e parqeve rajonale natyrore të Shkrelit dhe Nikaj-Mërturit. Risia me parqet rajonale është se ato nuk konceptohen thjesht si zona të mbrojtura por me fokus kryesor ato promovojnë vlerat turistike natyrore, kulturore dhe bujqësore të zonës.
Procesi i hartimit të planeve të menaxhimit për këto parqe ka sjellë një njohje më të mirë dhe nxjerrje në pah të pasurive të këtyre zonave.
Botimet për bimët mjekëore, për pasuritë botanike, rifreskimi në proces i listës dhe hartës së monumenteve të natyrës, sinjalistika për ecjet në natyrë, festat lokale si Ditët e bjeshkës në Theth apo Dita e Gështenjës në Tropojë janë disa nga instrumentet dhe praktikat që po ndikojnë në nxjerrjen në pah dhe prezantimin e këtyre pasurive për tregun turistik.
Zona e Alpeve në tërësinë e saj ka një larmi peisazhi dhe konstrukt të pasur relievi dhe biodiversiteti me disa tipologji, gjë që çon në një larmi edhe të ofertës turistike.
Thethi, një luginë e thellë, që arrihet me makina të larta, që lidhet me peisazhe mahnitëse dhe lartësi të ndryshme në drejtim të Valbonës, Shalës dhe Kelmendit, ofron mundësi për lëvizje, për ecje e soditje përreth por veçanërisht për ecje të gjata në natyrë dhe është një destinacion i përshtatshëm për të apasionuarit e vërtetë të natyrës dhe ecjes. Tashmë me kultivimin e produkteve të arave edhe në sera për prodhimin në vend të farërave, përvec misrit të Thethit, fasules së Shalës , bulmetit, ka dhe domate, speca, lakra e produkte të tjera të freskëta të mrekullueshme.
Valbona , me luginën e gjatë tashmë të pajisur me rrugë në të gjithë gjatësinë e saj por edhe me lidhjet me itinerare të ecjes në natyrë me zonat e tjera të larta si në drejtimin e Thethit, Çeremit, Dobërdolit ofron mundësi për të dy kategoritë: për ata turistë që kërkojnë një soditje me pak lëvizje dhe për ata që kërkojnë lëvizjet e gjata përfshirë dhe alpinizmin. Lugina e Dragobisë por dhe Bjeshkët e Çeremit ofrojnë larmi dhe produkte agrobiodiversiteti si tufat e dhive Capore të Dragobisë, patatet, misri, kumbullat dhe dardhat dhe produktet e tjera bujqësore e frutore , produktet e frutave te pyllit dhe bimëve mjekësore si boronica, çajrat e malit etj.
Kelmendi ka një shtrirje gjeografike të gjerë me disa fshatra turistike si Vermoshi, Lëpusha, Tamara me mundësi levizjeje në një territor ku mund të konsumohen disa ditë. Traditat kulturore dhe të përgatitjes së produkteve tashmë janë dhe në ofrim të turistëve: krahas troftës së Alpeve ka disa produkte të larmishme si djathi Mishavinë, mishi i thatë, patatja e Vermoshit, mollat, bononicat, luleshtrydhet, sanëza, produktet e përpunuara të frutave të pyllit si lëngjet e frutave, likeret dhe reçelrat etj.
Parku Rajonal i Shkrelit me fshatrat Bogë, Razëm/Vrith dhe Reç ofron mundësi për vizita në pyllin shekullor të gështenjave të Reçit, në luginat, kullotat përgjatë Rrjollit, Bogës, Razmës dhe për vizitat në plantacionet apo bahçet por dhe blerjen dhe konsumin nga produktet e larmishme të agrobiodiversitetit si qershitë, arrat dhe lajthitë, dëllinjat, thanat, rrushi Rezagi, vodhëza (vesa), frutat e pyllit si kërpudhat, sherebela dhe çajrat natyrale të malit, mjalti i luleve dhe i gështenjës, misri i Reçit, patatet dhe bulmeti nga tufat e dhive Capore e të Hasit apo të deleve Bardhokë. Këtu është mundësia e një larmie konsumatori turistik vendas si familjarë apo të apasionuar të natyrës dhe fshatit.
Së fundmi parku i Nikaj-Mërturit në zonën e Lekbibaj është një zonë për eksploratorë, ku akesi i vështirë ka bërë që të jete e paprekur dhe ku historia ka mbetur pothuajse në vend prej disa dekadash. Edhe kjo zonë ka një gjerësi shtrirjeje për aktivitete të vizitorëve më të ushtruar me ecjet në natyrë dhe të aventurës me pyjet e ahut dhe të gështenjes, me peisazhe mjaft panoramike me ndërthurjen e pyjeve, kullotave, peisazhit bujqësor dhe ndërtimeve tipike lokale apo rrënojave të tyre ku pasuritë e agrobiodiversitetit janë të pasura me lopën autoktone dhe simbol si Busha e Lekbibajt, delet bardhoke, gështenjat dhe mjalti, arrat, dardhat dhe kumbullat tipike lokale, misrin, patatet, fasulet kacavjerrëse, boronicat dhe frutat e tjera të pyllit, etj.
Të gjitha këto pasuri kanë nevojë dhe po mbështeten që të mund të përdoren në mënyrë të qëndrueshme dhe tu ofrohen turistëve si për konsum por dhe për edukim dhe për rritjen e informacionit dhe forcimit te vetëdijes së tyre.
Jemi vetëm ne fillesat e eksplorimit të këtyre thesareve.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13333

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.