Gramshi, kjo përrallë e patreguar

Gramshi, kjo përrallë e patreguar

Written by Dritan Zaimi on Tuesday, 16 April 2013. Posted in Destinacione

Një udhëtim në qytetin e vogël, mbushur me mrekulli natyrore dhe vlera kulturore

Gramshi, kjo përrallë e patreguar
Eja me mua i dashur lexues, nëse ke pak kohë të lirë, nëse ke shpirtin e lirë dhe nëse  je në kërkim të aventurës, eja me mua të vizitojmë Gramshin, këtë përrallë të patreguar, në një përvojëë thuajse personale. Eja dhe do më të besosh pasi ta përjetosh edhe vetë dhe më pas do të jesh ti ai që do të rendësh tua tregosh të tjerëve.
Gramshi, ky qytet i vogël, me njerëz të dashur, të qetë, bujarë, mikpritës dhe plot kulturë, duket sikur është i strukur në droje nga mosvëmëndja dhe inferioriteti i kohës, si ajo mjelma e vetmuar. Në hartën turistike të Shqipërisë nuk ka asnjë shënim për Gramshin që të tërheqë sadopak vëmëndjen e vizitorëve, brenda kontureve të rrethit, e, edhe në përgjithësi, nuk ka shumë informacion për gramshin si një destinacion turistik. 

 

 Ja që Gramshi nuk është më larg se tri orë udhëtimi nga Tirana, një qytet i vogël  i pastër nga ku mund të kundroni të plotë pamjen madhështore të Tomorrit, këtij mali të shenjtëruar, që ia ruan këtë pamje mbresëlënëse si të një mbreti mbi fron, vetëm Gramshit dhe vizitorëve të tij.
Po pse më bëri kaq shumë përshtypje Gramshi? M’u duk e thjeshtë ta gjeja këtë, fill pasi mbërrita aty, sepse ka një ujvarë mahnitëse dhe nuk është i përmendur sa Thethi, sepse ka shumë liqene, të gjithë të mrekullueshëm e nuk e njohin sa Lurën, sepse kanionet e tij janë madhështorë e nuk vizitohen sa Skrapari, sepse kishte ura po aq të vjetra sa ajo e Mesit apo e Tabakëve, sepse kishte fshatra me gjurmë qytetërimi dhe vetëm pse nuk janë buzë rrugës, nuk lakohen sa Dhërmiu…
Thesaret paçmuara të Gramshit
Liqeni i Zi, ndodhet  4 km larg fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit, nëse të ndodh ta vizitosh në Gusht, do të habitesh që nuk je i vetëm, përkundrazi zona është shumë e populluar me çadra dhe makina që ndodhen aty prej disa ditësh, shumë kanë ardhur për tu kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni i cili ka sipërfaqe rreth 3 ha, 1000-1200 m i gjatë dhe 2000-3000 m i gjerë, rrethuar me një kurorë të gjelbër prej ahu dhe rrobulli. Liqeni ka ngjyrë blu të thellë dhe përveç  vlerave të pafundme kurative të ofron një sfond të rrallë, e si qershia mbi tortë, përbri tij, Mali i Komjanit e zbukuron edhe më tej pamjen. 
Liqeni i Dushkut,  një bukuri e rrallë, kolorit pafund, ëmbëlsi dhe mbi të gjitha njw vend i paimagjinueshëm. Është ajo çfarë ti nuk e pret aspak se mund ta ndeshësh në një zonë të tillë, një liqen me një cipë të hollë uji, mbuluar me gjethet e zambakëve. Këto ditë të nxehta gushti, niveli i ujit ka rënë, kallamishtet kanë mbushur shumicën e sipërfaqes, por pavarësisht se zambakët nuk janë të lulëzuar, bukuria mbetet e rrallë, hera-herës të duket sikur je përballë një pikture, aq bukur treten e arta, e gjelbërta, jeshilja e errët, bluja dhe kadifeja e Malit të Komjanit. Liqeni ndodhet 1105 m mbi nivelin e detit, është 22 ha dhe përbën një ekosistem mjaft të pasur.
Ujvara e Sotirës, në verilindje të Tomorrit, është një thesar ku mund të shijosh dy bukuri në të njëjtin vend. Ujëvara dhe katarakti i Sotirës, krah për krah por aspak kopje e njëra-tjetrës. Secila nga këto bukuri ka personalitetin dhe veçoritë e veta, ujrat e ujëvarës vijnë nga dy të çara kryesore të malit Tomor. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5-20 m. Peisazhi i shpatit ku del uji është me disa shkallëzime në disnivel 150 m, ujvara rrethohet nga pyll dushku dhe bimësi e pasur. Kjo ujvarë është një bukuri që të lë pa fjalë, e pakrahasueshme por si çdo gjë e rrallë e magjike, edhe kjo ujvarë ka hilet e veta, këshillohet të vizitohet në periudhën e pranverës dhe fillimverës, sepse ushqehet me burime ujore nëntokësore, të cilat kur bien nën një nivel të caktuar sjellin edhe tharjen e ujvarës. Këtë gjë gjithsesi nuk e vuan katarakti, që ndodhet pak metra në të majtë të ujvarës, ofron një bukuri të rrallë. Përbri ujvarës, një hapësirë e blertë të krijon idenë e një ballkoni të përkryer natyror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjitha pamja spektakolare.
Grabova.  Ndërsa i vijmë vërdallë Shkëmbit të Kopaçit arrijmë në Grabovën e Sipërme, ajri i pastër, kurora e gjelbër, kullotat, livadhet dhe burimet janë të pafundme. Por në Grabovën e Sipërme, përveç pamjeve mbresëlënëse të Malit të Valamarës dhe maleve përreth, ke mundësi të prekësh pasuri të rralla historike e kulturore që zor se pret ti shikosh në këto anë. Lulëzimi i Grabovës i takon periudhës së Mesjetës së Vonë, në kulmin e lulëzimit kishte 12000 banorë. Dëshmi të gjalla janë dhe sot, prania e tri urave me gurë, njëra e periudhës antike, kisha e Shën Kollit, etj. Për të gjithë të interesuarit, kënaqësia vazhdon për tek Liqenet në Malin e Valamarës, janë tre të tillë në përmasa të ndryshme, 2200 m mbi nivelin e detit, ofrojnë një pamje tepër çlodhëse dhe mjaft shpërblyese për të gjithë mundimin e shkuarjes deri atje. 
Kalaja e Irmajit. Qyteti Ilir i Kodrionit, është i pozicionuar në Malin e Tunjës 979.4 m, fragmentet e mureve të mbetura me gurë masivë janë dëshmitarë të një historie të lashtë dhe kureshtja që çdo vizitor kërkon të shuajë është se si ka mundësi të jenë ngjitur kaq lart përmbi kodër, gurë të tillë masivë me përmasat e një dere, ndërkohë që e gjithë kalaja ndodhet mbi një kodër dhe të ofron një pamje spektakolare të të gjithë horizontit por edhe kërshërimin nga afër të vetë Malit të Tomorrit.
Kanioni i Sinecit. I gjatë 2 km dhe i thellë rreth 200 m, 20-30 m i gjerë, në të ndodhen guva dhe shpella ende të paeksploruara. Pamja që të rrethon është sa mahnitëse edhe rrënqethëse, tek shikon format e ndryshme që ka gdhendur natyra mbi shkëmbinjtë. Vaskat e shumta me ujë të kristaltë dhe të ftohtë dhe të rrethuara nga shkëmbinj të vijëzuar në ngjyrë të bardhë të krijojnë idenë sikur janë veshur me gurë dekorativë të kohëve moderne. Bardhësia e veshjes së shkëmbinjve është një vepër arti më vete.
Kanioni i Holtës, gjendet midis fshatrave Bardhaj dhe Kabash, është formuar nga karsti dhe erozioni i përroit të Holtës, ka gjatësi 3 km, i gjerë 10 m. Ndërsa futesh në brendësi të këtij kanioni e ndjen menjëherë që pak veta mund të kenë shkelur aty para teje. Kanioni arrin thellësi mbresëlënëse dhe në shpate anësore ka guva të shumta që ende nuk janë eksploruar. Brenda kanionit kemi një ekosistem më vete me mikroklimën e tij. Ndërsa nga njëra anë e kanionit së bashku me rrymat e ujrave të ftohtë që zbresin nga malet e Poroçanit, vijnë dhe të përshkojnë edhe erërat e ftohta, fare pak metra më tutje, në faqen përballë, në rrëzë të shkëmbit, burojnë ujrat termale të ngrohta me ngjyrën dhe erën e tyre karakteristike. Kjo zonë përveç kanionit ka kaq shumë për të eksploruar, shpellat e shumta në të dyja anët e kanionit (Tervolit dhe Kabashit) dhe po kështu rrënojat e kalave respektive në secilën anë të kanionit.
Janë fare pak gjëra të thëna me një frymë, këto vende që në gjuhën e sotme të turizmit jemi mësuar t’u themi “atraksione”.  Në vizitën tjetër, do t’ju themi më shumë për Gramshin, e nëse ndërkohë do të keni shkuar vetë, do të keni mundësinë të shikoni nga afër këto dhe plot të pathëna të tjera. Në pranverë. Pranvera është edhe më tepër mbresëlënëse, dhe ajo vjen shpejt.

 

4.3/5 rating (15 votes)

Hits

33579

About the Author

Dritan Zaimi

Pedagog turizmi

Comments (2)

  • Hiqmet Hysa

    Hiqmet Hysa

    06 May 2013 at 08:59 |
    Vetem njerez nga Gramshi do te mundin te propogandojne vlerat kulturore, artistike, turistike dhe bukurite natyrore e antike te rrethit tone.Mungesa e nje inisiative te tille ka bere qe keto veti te mos njihen e te mos shfrytezohen, prandaj eshte detyra e te gjithe historianeve.studiuseve, arkeollogeve ti prpogandojne dhe e biznesit vendas ti shfrytezoje keto pasuri .Ju inkurajoj z.Dritan ne kete rruge.

    reply

  • Shkelqim Selimi

    Shkelqim Selimi

    10 May 2014 at 22:58 |
    Jam shume dakord dhe ju falenderoj per vleresimin real qe i ke bere kesaj treve . Ajo e ka merituar me kohe por vlerat e saj te verteta nuk ja ka reklamuar pothuajse askush.Bile edhe ata qe jane paguar per ate pune.Nese nuk me keqkuptoni ju lutem vizitoni edhe Kerpicen atje ku del uji i kristalte qe funizon Gramshin.Ka qene nje perle qe u prish ne vitet 80 me idene e cuarjes se ujit ne fshatrat e Skraparit me dy ngritje mekanike por qe nuk u be kurre.Ai vend vertet perrallor duhet rehabilituar e te kthehet ne identitet dhe do te terheqe shume vizitore.Ju lutem Z. dritan nes mundeni beni dicka , do te zbulohen vlera te larta natyrore e kulturore (Aty kane qene te rrjeshtuara 30 mullinj, 30 destila e tabane) Per me shume mund te kontaktoni nese deshironi ne adresen Selimishkelqim@yahoo.com.

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.